Fatmir Terziu: Fat i Mir dhe Fatmir – Unë dhe Fat Miri
- 49 minutes ago
- 2 min read

Fat i Mir dhe Fatmir – Unë dhe Fat Miri
Nuk e di nëse emri më gjeti mua, apo unë gjeta emrin mes dy bashkimeve të bukura të Gjuhës Shqipe. Ndoshta gjeografia e të dyve nisi që në djep, shumë përpara se të njihja udhëtimin, rrugët, qytetet dhe largësitë. Atje, në atë hapësirë të vogël ku një fëmijë nuk di ende asgjë për botën, u vendosën dy emra mbi të njëjtin fat: Fat i Mir dhe Fatmir. Gjyshi, Maksuti, me atë sqimën e tij prej artisti dhe me një përvojë të hollë në përvjeljen e emrave, e gdhendi emrin në ndërgjegje përpara se ta gdhendte në kujtesë djepin me zbukurime fine dhe në të me emrin që e kishte mbajtur ndër vite në mendje. Pastaj erdhi gjyshja, Zizija. Ajo e këndoi në djep, sikur emri të ishte një ninullë, me tingullin e tepsive të bakllavasë ende në ajër pas dasmës së xhaxhait tim Rexhepit, në korrikun e vitit 1964. Kështu emri nuk u tha vetëm. U përjetua. Babai, Daili, ndërkaq, e nxori Tjetrin nga udha e zakonshme e emrave të ngjashëm, pasi kishte lexuar shkrimtarin Gjata, me të njëjtin emër. Ndoshta ai e kuptoi atëherë se një emër nuk është thjesht një shenjë për të thirrur dikë. Është një udhë e fshehtë drejt një tjetri që mund të bëhesh. Dhe mamaja? Mamaja, Hafizja, e bekoi emrin me puthjen e parë. Ajo nuk tha vetëm Fatmir. Në gojën e saj emri u nda për një çast në dy fjalë: Fat i Mirë.
Që atëherë, unë dhe Fat Miri kemi ecur bashkë. Unë jam Fatmir, ai që mban emrin. Fat Miri është ai që emri premton. Unë jam njeriu që jeton, gabon, largohet, kthehet, shkruan dhe harron. Fat Miri është ai që mbetet diku pas meje, si një hije e mirë e asaj që mund të isha. Ndoshta çdo njeri jeton kështu, midis emrit që i kanë dhënë dhe njeriut që përpiqet të bëhet. Gjeografia jonë nuk është vetëm vendi ku kemi lindur. Është ajo vijë e padukshme që nis në djep dhe zgjatet deri atje ku kujtesa nuk arrin më. Në të ecim të dy. Unë dhe Tjetri im. Unë mbledh ditët. Ai mbledh kuptimet. Unë udhëtoj nëpër botë. Ai udhëton nëpër mua. Dhe ndoshta shkrimi është vetëm përpjekja ime për t’i pajtuar. Kur shkruaj “Fatmir”, nuk e di nëse po thërras veten apo Fat Mirin. Ndoshta po thërras atë fëmijën që dikur lëkundej në djep, ndërsa gjyshja këndonte dhe emri, ende i pafajshëm, nuk e dinte se një ditë do të bëhej kujtesë, udhë dhe identitet. Prandaj nuk e di cili prej nesh e jetoi jetën. Unë, Fatmiri? Apo Fat Miri, që më ka ndjekur gjithmonë, që nga djepi? Ndoshta, në fund, emri është Tjetri që na mbijeton.








Comments