Ruzhdi Gole: SPIRANCË E (pa) LODHUR
- 1 hour ago
- 2 min read

*
-Shpejt na braktise, (a kështu më duket mua ?,)
shpejt na Ike, o bir!
Dhe kur ? Në muajin e trembëdhjetë. Muaji i trembëdhjetë : fatlum për të lumët, për të mpakurit fatkeq? Eh, i trembëdhjeti muaj, frymëzim me pakicë, pakicë për t'u gëzuar.
-Zem'rak, ç'është kjo romantikë ? Paska muaj të trembëdhjetë? Në cilin kalendar, në cilën tokë? Në ndonjë ishull me flutura e bletë?
-Lëre ishullin me bletë dhe flutura. Është larg. Atje s'ka as bastun dhe as kukulla. Këtu, të them, përqark shpejt rrotullohet gjembi i trembëdhjetë. Braktisja ... ne vet. Motet ndrrojnë nga sot.
-Në të trembëdhjetin mot?
-Po, moti i trembëdhjetë na e çukit e ngadaltë na e hidhëron paksa mëlçinë.
-Mpakemi, e besoj, diç jetimë. Jetimë rreth e rreth, gërhimat, tespiet për muajin e trembëdhjetë. Po
kukullat ç'na duhen? Luajmë me kukulla ne thinjoshët pak, shpesh ?
- Ku ta gjej tani, tim bir? Shpejt na u nise o bir, shpejt !
-Eshtë tutje, udhë të tjera shkel nxitimthi a ngathët? Ç'është kjo braktisje e afërt ... e largët ?
-Për mua : zjarrmi e ngrirë.
-Si tespiet? Si kukullat, o Zem'rak ?
-Si zemra...me gunga. Me furtuna më
shumë, me rrahje më pak.
-Po, e vërtetë. Jeta na ndan edhe dy hapa larg.
-M'u kujtua Pirro Dollani. Njeriu (tej) i oqeanit.
-Jetonte në oqean?
Jo, o Fluturak, tek shumë njerëz, ai jetonte në shpirt. Plot valë nga dituria dhe nga mirësia plot valë. Veç në përtaci ishte shëndetlig. Thonë se ia dogjën kurmin. Hiri i tij ende xixon. Hiri i një të pagjumi.
-Pse t'u kujtua Dollani? Unë i kam ndi
veç emrin në qytetin tonë antik. Ti je rrit
me të, e ke pasur mik?
-Mik nuk e kisha këtu. Veç kur iku në
tjetër vend, vend me tjetër gjuhë. Rrallë
shiheshim, bashkë jetonim shpesh me
Libra në të dymbëdhjetë muajt. Dhe fare
pak me sëmundjen prej shprese në
muajin e trembëdhjetë.
-Të besoj, Miqësia anije nuk lundron
vetëm një det, s'ka vetëm një port.
-Miqësia pushon spirancë. Kur tjetri, ah
tjetri, hirnon jetëgjatë...
-O Fluturak, o udhëtar, të largëtit shpesh të ecin përkrah, të tutë me të keq e pa të keq, të largohen paksa ..
Im bir jeton përkrah meje, përhera përkrah meje afër, larg ndonjëherë, në vende të tjera, me tjetër spirancë.
I gjithi zemër. Asnjëherë më pak...








Comments