Timo Mërkuri: KËMBORËT DHE ZILET

Melodia e tufës dhe kujtesa e bariut
Nga Timo Mërkuri
Isha dhjetë a njëmbëdhjetë vjeç kur im atë më tregonte për një shtegëtim të tufës së dhënve nga Piluri në Korçë dhe se si gjatë udhëtimit ndodhte që disa dele të ndaheshin nga kopeja dhe më pas të ktheheshin me vrap në tufë, edhe kur aty pranë kishte tufa të tjera. Kjo më pati zgjuar kureshtjen: si arrinte ta njihte të vetën mes tufave të tjera? Kur e pyeta për këtë tim atë, ai m’u përgjigj shkurt, pa e zgjatur, sikur përgjigjja të ishte fare e vetëkuptueshme: «Nga melodia e këmborëve».
Kjo përgjigje më mbeti në kujtesë. Në atë moshë nuk mund ta kuptoja se pas atyre pak fjalëve fshihej një mënyrë njohjeje, e fituar nga dëgjimi i përditshëm dhe bashkëjetesa me bagëtinë. Për tim atë, këmborët e zilet nuk ishin thjesht zhurma që shoqëronte lëvizjen e kopesë. Ajo ishte melodi, këngë e cila e dallonte tufën tonë nga të tjerat, ashtu siç mund të dallosh një zë të njohur mes shumë zërave. Unë, fëmijë i lindur e rritur në qytet, nuk e kuptova atëherë çfarë më kishte thënë im atë. Nuk e pyeta më tej. Vëmendjen ma tërhoqi një tjetër hollësi: kopeja do të kalonte nëpër Delvinë pikërisht ditën e pazarit. Kështu lidhej në kujtesën time edhe kënga: «Delvinë foli tellalli / Të mbëlidhetë pazari / Shkon kopeja e gjëmon mali».
Për shumë kohë, vargun «gjëmon mali», e kisha interpretuar si një shprehje të madhësisë së kopesë, të numrit të madh të bagëtive që mbushnin udhët. Vite më vonë, nisa ta kuptoja se «gjëmon mali» nuk shprehte vetëm madhësinë e kopesë. Ishte edhe bota e këmborëve, me meloditë e tyre, që përhapej nëpër udhë e shpate mali.
Këtë lidhje e kuptova më mirë kur lexova studimin e Vasil S. Toles, Folklori muzikor, strukturë dhe analizë (Tiranë, 2000), ku kapitulli «Një praktikë “seriale” popullore» i kushtohet botës tingullore të këmborëve dhe zileve. Leximi më ktheu te fjalët e tim eti dhe te ajo këngë e vjetër, autorin e së cilës nuk e di. Ajo që për tim atë ishte dije e fituar në udhët e blegtorisë, për mua u bë një çështje që meritonte vëmendje: melodia e këmborëve dhe kujtesa e atyre që dinë ta njohin atë. Vite më pas, fjalët e tim eti nisën të merrnin një kuptim tjetër. Bashkë me to, m’u kthye edhe ajo botë blegtorale, të cilën atëherë e njihja më pak nga sa mendoja. Përtej këtij kujtimi, mbetet bota e këmborëve dhe zileve, me tingujt, dallimet dhe mënyrën e veçantë si ato bashkohen në një melodi të njohur për veshin e bariut.
1. Modelimi i zileve dhe këmborëve: një rend tingullor i trashëguar
Modeli i setit të zileve dhe këmborëve mbështetet te shtatë notat e pentagramit. Por përdorimi i tyre në blegtori solli kërkesa që shkonin përtej këtij modeli fillestar. Kopetë e mëdha kërkonin më shumë zile e këmborë, ndërsa harmonizimi i tyre kërkonte një larmi më të madhe tingujsh. Kështu, krahas shtatë notave u përfshinë edhe gjysmënotat, duke e çuar numrin në katërmbëdhjetë lartësi tingullore për secilin set. Me të drejtë Tole shkruan “Zilet dhe këmborët janë konsideruar muzika e përhershme e fshatrave shqiptare.” (Tole, 2000, f. 63–64) Kjo shprehje më duket se e sjell tingullin e kopesë në vendin që i takon: jo në anë të jetës së fshatit, por brenda saj, në udhë, në kullotë dhe në kujtesën e atyre që e njihnin atë tingëllimë.
Ky zgjerim kishte edhe një arsye tjetër. Te këmborët e dhenve duheshin përforcuar notat e ulëta, basi, ndërsa te zilet e të dhirtave kërkoheshin më shumë tinguj të lartë, që mund t’i krahasojmë me regjistrin e sopranos. Pra, nuk kemi të bëjmë vetëm me dy lloje mjetesh blegtorale, të ndryshme në formë e në përdorim. Secili grup ka edhe prirjen e vet tingullore, e cila merr kuptim të plotë kur këmborët e zilet dëgjohen së bashku si set.
a. Këmborët e dhenve
Këmborët e dhenve janë më të lehta në peshë, por më të rënda në tingëllim. Kjo lidhet edhe me lëvizjen më të ngadaltë të dhenve. Tingulli i tyre ka një kumbim më të plotë, që përhapet me hapin e matur të tufës. Në këtë grup hyjnë buqet, që varen kryesisht te deshtë, si edhe këmborët, çokanet, karkalet e të tjera.
Buqja është këmbora më e madhe dhe, nga ana muzikore, përfaqëson zërin e kthyesit. Çokania bën rolin e marrësit, sepse ka zë më të hollë. Trokja, me zërin e hedhësit, quhet «këmbora njurrë». Këmborët e tjera kanë rolin e isos. Të gjitha ujdisen me njëra-tjetrën, që tingujt e tyre të shkojnë së bashku. Shpesh, për të imituar prerësin, përdorej edhe karkalja. Ka edhe një çokane të vogël, me zë të ëmbël, që u varej shelegeve dhe quhej «pogonë», ndoshta e bërë nga mjeshtrit e Pogonit.
Këmbora ka formën e një oxhaku: bazamenti është më i gjerë, me xhepa, ndërsa pjesa tjetër ngushtohet. Gjuhëza, e bërë nga i njëjti material si këmbora, ka formën e një segmenti që varet lirshëm brenda saj. Këmborët prodhohen kryesisht prej bronzi, bakri ose tunxhi, por përdoren edhe zinku e hekuri.
Emërtimet e ruajtura në traditën blegtorale nuk janë vetëm emra sendesh. Ato dëshmojnë një njohje të hollësishme të mjeteve, të dallimeve mes tyre dhe të përdorimit që u bëhet. Bariu nuk i njeh këmborët vetëm nga pamja; ai i dallon nga tingulli. Për të, tingulli nuk është një hollësi dytësore e këmborës, por një nga cilësitë që përcaktojnë vendin e saj në tufë.
Shumë nga këto dallime nuk mësoheshin nga libra. I njihte ai që ishte rritur mes tufave, që kishte dëgjuar me vite tingujt e tyre dhe që e kuptonte menjëherë kur një këmborë nuk shkonte me të tjerat. Studiuesi mund ta përshkruajë këtë rend me terma muzikorë; bariu e njihte me vesh.
Vëzhgimet e Vaso Toles krijojnë një pikënisje të rëndësishme për të shqyrtuar marrëdhënien mes këmborëve, zileve dhe këngës polifonike. Por ky shkrim nuk ndalet vetëm te kjo lidhje. Ai ndjek edhe mjeshtërinë e përzgjedhjes dhe të harmonizimit të tyre, emërtimet e ndryshme, rolet tingullore dhe vendin që këto objekte kanë zënë në jetën e barinjve e në kujtesën popullore.
Në kopetë e mëdha që shtegtonin kishte tri deri në pesë cjep përçorë. Me zilet e tyre të rënda, ata i prinin kopesë së dhenve, bashkë me deshtë përçorë. Cjeptë përçorë ishin të domosdoshëm gjatë shtegtimit, sepse ishin më të guximshëm se deshtë. Hidheshin e çanin rrugën, kalonin përrenjtë me ujë dhe kapërcenin vështirësitë e dëborës; pas tyre shkonin deshtë e dhentë. Zilet e tyre ishin tepër të rënda dhe u viheshin vetëm gjatë shtegtimit, deri sa kopeja arrinte në destinacion.
b. Zilet e të dhirtave
Tek të dhirtat përdoren zilet që fillojnë nga më të rëndat deri tek zilet e holla. Zilja përbëhet nga trupi që ka formën e kovës me bazanent të vogël dhe fund të gjërl. Brenda saj varet gjuhëza ose gjuveza në dialekte të ndryshme. Gjithashtu edhe gjuveza është e përbërë nga i njëjti material me zilen dhe ka po atë formë Zilja varet tek zjapi apo dhia me material druri të përthyeshme ndërsa këmborët varen kryesisht me meshin, lëkurë.
Zilet janë : Kambanat janë zilet e mëdha që kanë tingull dhe muzikalisht luajnë rolin e kthyesit, honitë janë zë holla dhe luajnë rolin e marrësit, hollaket si vet emri janë tingëlluese dhe luajnë rolin e hedhësit dhe zilet e tjera janë mbushëse-iso, ndërsa zëqarmja- është zilja bazë e kopesë. Kur ndonjëra nga këto zile është çarë, apo shtypur, ustait merakli, tamam si një dirigjentit të orkestrës i "vret veshin”, dhe menjëherë ai e heq dhe e rregullon. Zilet prodhohen me bronx ose tunxh plus hekur, dhe më parë përzihej me ato një sasi të caktuar floriri që shërbente për të zbutur dhe ëmbëlsuar tingullin.
c. Prodhimi dhe mjeshtëria e harmonizimit
Këmborët dhe zilet Himara e Labëria i siguronin në Delvinë dhe Delvinaq, ndërsa më të përsosurat ishin ato që prodhonte Janina. Prodhimi i një seti këmborësh apo zilesh ishte pjesë e mjeshtërisë së prodhuesit. Por më e rëndësishme ishte harmonizimi i tingullit të tyre, një punë që kërkonte vesh muzike dhe përvojë. Çelika ose i ngarkuari i tij, gjatë blerjes së setit, duhej të dallonte jo vetëm tingullin e secilës, por sidomos mënyrën se si përputhej me tingujt e tjerë. Një këmborë mund të tingëllonte bukur më vete, por mund të mos shkonte me pjesën tjetër të setit. Prandaj, zgjedhja nuk bëhej duke dëgjuar vetëm një tingull të veçuar. Vaso Tole vëren se “Barinjtë labë zgjedhin zilet dhe këmborët me qëllim që t’i dyfishojnë ose t’i shumëfishojnë, provojnë për nga tingëllimi me dhjetra” dhe se shija e tyre lidhet me tingëllimin “në unison dhe në seri sekondash harmonike” (Tole, 2000, f. 64).
Çelika ose bariu me vesh muzikor duhej t’i provonte e t’i krahasonte këmborët dhe zilet, për të dalluar se si tingujt e tyre krijonin harmoninë brenda tërësisë. Kjo njohuri nuk vinte nga ndonjë pentagram i shkruar; ajo fitohej nga dëgjimi i vazhdueshëm, nga përvoja dhe nga aftësia për të dalluar një përputhje tingullore që dikush tjetër mund të mos e vinte re. Në këtë kuptim, çelika nuk ishte thjesht administratori i këmborëve dhe zileve. Ai ishte njeriu që u jepte rend tingujve të tyre.
Përzgjedhja lidhej edhe me melodikën e fyellit të bariut. Tole shpjegon se: “Arsyet e përzgjedhjes lidhen ngushtë edhe me melodikën e fyellit të bariut, i cili i interpreton ato nën ‘cluster ison’ e zileve dhe këmborëve” (Tole, 2000, f. 64). Ky vëzhgim ka rëndësi, sepse tregon se tingëllima e tufës nuk qëndronte e shkëputur nga përvoja muzikore e bariut. Ajo bashkëjetonte me fyellin dhe me avazet që ai njihte e luante. Këtu mjeshtëria e përzgjedhjes takohej me botën muzikore të bariut: tingujt e tufës nuk ishin vetëm një tërësi e harmonizuar, por edhe një bashkëshoqërues i melodive që ai mbante në vesh.
ç. Avazi i këmborëve dhe melodia e isopolifonisë
Emërtimi i disa këmborëve dhe zileve me emrat e zërave të këngës iso-polifonike nuk është një përkim që mund të kalohet pa u vënë re. Ai të çon te një lidhje që meriton të shqyrtohet më nga afër: ajo mes avazit të këmborëve të kopesë dhe melodisë së këngës. Vaso Tole, duke shqyrtuar organizimin tingullor të zileve dhe këmborëve, shkruan: “Mendojmë se, në konceptimin e këtyre mbivendosjeve polipentatonike, ka ndikuar së tepërmi edhe vetë mënyra e këngëtimit të popullit në polifoni apo në të luajturin në vegël” (Folklori muzikor, strukturë dhe analizë, 2000, f. 65).
Barinjtë nuk e linin fyellin vetëm për çastet kur ndaleshin në kullotë. I binin edhe duke ecur, sidomos në rrugën e kthimit, kur tufa merrte udhën drejt stanit. Disa përdornin fyellin, të tjerë dyjaren. Avazet që luanin nuk ishin tinguj të rastit, të nxjerrë aty për aty. Ishin melodi që i kishin përvetësuar me kohë, duke i përsëritur aq shpesh, sa u ishin bërë pjesë e botës së tyre shpirtërore. Bariu i mbante në mendje, i njihte kthesat e tyre dhe i luante me një siguri që vinte nga njohja e gjatë.
Kjo përvojë, mendoj, ndihmon të kuptojmë edhe kërkesën që barinjtë kishin ndaj mjeshtrit kur porositnin një set këmborësh apo zilesh. Ata nuk kërkonin vetëm që tingujt të shkonin bukur me njëri-tjetrin. Dëshironin që tërësia e tyre të kishte diçka nga avazi që vetë luanin, nga ajo melodi aq e afërt me ta, e cila në shumë raste mbartte edhe frymën e këngës iso-polifonike të krahinës. Kështu, melodia e fyellit të bariut mund të bëhej një lloj udhërrëfyesi edhe për përzgjedhjen e këmborëve. Nuk bëhej fjalë që ato ta kopjonin fyellin, por që tingëllima e tyre të kishte një afri melodike me avazin e njohur.
Në vetminë e gjatë të kullotës e të udhës, bariu kishte kështu edhe një shok melodik. Kur pushonte së luajturi fyelli, këmborët vazhdonin të tingëllonin rreth tij. Kur luante përsëri, avazi i tij përzihej me tingujt e tufës. Ndoshta këtu duhet kërkuar edhe një nga arsyet pse bariu ishte aq i kujdesshëm në zgjedhjen e tyre: ai nuk donte vetëm një tufë që të dëgjohej. Donte të dëgjonte në të diçka nga melodia që mbante vetë në shpirt.
Vërejtja e Toles se mënyra e këngëtimit në polifoni dhe të luajturit në vegël mund të kenë ndikuar në konceptimin e këtyre mbivendosjeve tingullore, na ndihmon ta shohim marrëdhënien mes këngës dhe tingullit të këmborëve në një dritë më të gjerë. Ai nuk i sheh këto tingëllima të shkëputura nga përvoja muzikore e popullit, por të lidhura me të. Kjo nuk provon se njëra dukuri ka lindur prej tjetrës; tregon, më shumë, se marrëdhënia mes tyre meriton të shqyrtohet.
Stanet dalloheshin nga njëri-tjetri edhe përmes avazit të tingujve që shoqëronin tufën. Diçka e ngjashme ndodh me këngën iso-polifonike: çdo fshat ka mënyrën e vet të këndimit, aq sa një dëgjues që e njeh atë traditë mund ta dallojë prej nga vjen kënga vetëm duke e dëgjuar. Këtë afri e vëren edhe Vaso Tole kur shkruan: “Në këtë vështrim tingëllimi i përgjithshëm harmonik i këngëve polifonike tre dhe katër zërëshe në përgjithësi, sipas konceptit estetik e intonativ të labërve ngjan me tingëllimin e zileve dhe këmborëve të tufës së stanit, por është më i ashpër se ato” (Tole, 2000, f. 65).
Ky krahasim më kthen te ajo që më tregonte im atë: kopeja njihej nga tingëllima e këmborëve të saj. Nuk ishte vetëm zhurma e shumë këmborëve, por një rend tingujsh që veshi i bariut e njihte. Edhe në këngën iso-polifonike, dëgjuesi që e njeh traditën mund të dallojë një krahinë, madje edhe një fshat, nga mënyra si ndërthuren zërat.
Në përzgjedhjen e këmborëve kishte rëndësi veshi i çelikës. Ai njihte këngët e krahinës së vet, variantin e fshatit dhe avazet që parapëlqente. Sipas kësaj njohjeje, zgjidhte këmborët apo zilet që, kur viheshin së bashku në kope, të krijonin tingëllimën e kërkuar. Nuk mjaftonte që secila të kishte zërin e vet; rëndësi kishte edhe mënyra si do të bashkohej me të tjerat.
Në këtë traditë përmendet edhe përdorimi i arit ose i argjendit në përgatitjen e zileve dhe këmborëve. Barinjtë e kamur dhe çelikët e staneve, kur porositnin një set, mund t’i çonin prodhuesit një sasi ari apo argjendi, që të shkrihej bashkë me metalin e zileve për të zbutur e ëmbëlsuar tingullin. Sipas rrëfimeve për këtë praktikë, marrëdhënia mes bariut dhe prodhuesit mbështetej në besimin e ndërsjellë, por edhe në njohjen e hollë të tingullit. Bariu mund ta kuptonte nga tingëllima nëse këmbora apo zilja e porositur i përgjigjej asaj që kishte kërkuar. Nëse, pasi merrte setin, vërente se njëra prej tyre nuk jepte tingullin e duhur, mund të kthehej te prodhuesi dhe ta ndërronte, duke paguar ose marrë diferencën e vlerës.
Kjo hollësi tregon se përzgjedhja nuk mbaronte me dorëzimin e mallit. Tingulli ishte pjesë e vetë cilësisë së tij. Një zile a këmborë që nuk përshtatej me të tjerat mund të ndryshonte tingëllimën e gjithë setit. Për bariun që e njihte këtë gjuhë tingujsh, dallimi nuk ishte i vogël. Ai ishte thelbësor. Në këtë proces, tradita nuk mbetej e ngrirë. Ajo ruante mënyrën e trashëguar të përzgjedhjes së tingujve, por zhvillohej edhe përmes provave, ndërrimeve dhe kërkimit të një tingëllime më të përshtatshme.
d. Këmborët në jetën e stanit: bukuri, tingull dhe figurë kënge
Pjesë e jetës shpirtërore të familjes blegtorale nuk ishte vetëm tingulli i zileve dhe i këmborëve, kur kopeja kulloste apo merrte udhët e shtegëtimit. Rëndësi kishin edhe vetë këto sende, me bukurinë e tyre dhe vendin që zinin në shtëpi e në stan. Kur hiqeshin nga qafa e deshve, deleve, cjepve e dhive, nuk hidheshin grumbull në ndonjë qoshe të depos. Vendoseshin me kujdes, sipas madhësisë, në dy mbajtëse druri të punuara bukur, të vendosura horizontalisht, në një lartësi të konsiderueshme nga dyshemeja. Aty rrinin si sende të çmuara, pak a shumë si fotografitë familjare që zënë vendin e tyre në mur. Pamja e tyre ngjallte qetësi dhe krenari te i zoti i shtëpisë apo i stanit. Nuk ishin sende pa vlerë pasi hiqeshin nga qafa e bagëtive; përkundrazi, edhe në pushim, ruanin bukurinë e tyre.
Por këmborët dhe zilet kishin edhe një jetë tjetër, atë të këngës. Barinjtë i sollën në vargje, ku ato u lidhën me vajzën, hijeshinë e saj dhe trazimin që mund të sillte mes djemve. Në këngët iso-polifonike, bejka me këmborë nuk është thjesht një vajzë e stolisur. Tingulli i këmborës bëhet pjesë e figurës së saj, një shenjë që e dallon dhe që zgjon përfytyrimin e këngëtarit. Këtë e dëgjojmë në vargje të tilla:
“Bejka me këmborë njurrë,
ç’mi bëri djemtë rrëmujë”;
“Dy bejka çokane frënga,
ikn e vanë ku bëhet kënga”;
“Gjëmojn zilet e Selmani,
Si këmban e Elbasanit”;
“Treqind zile dhe këmborë,
Me desh e cjepë përçorë,
Zgjedhur Selmani me dorë”;
“Më çmënde, bejko, më çmënde,
dyzet vjeçe, ti një mëndje,
kur dëgjoj këmborën tënde.”
Në disa prej këtyre vargjeve, këmbora shoqëron figurën e vajzës dhe bëhet pjesë e bukurisë së saj; në të tjera, ajo lidhet me kopenë dhe me dorën e bariut që i ka zgjedhur këmborët e zilet. Përmendja e Selmanit e bën këtë lidhje më konkrete: pas tingullit qëndron edhe një njeri, një kope dhe njohja e fituar në jetën e stanit. Këmborët nuk janë vetëm për t'u dëgjuar kur tufa lëviz. Ato shihen, ruhen dhe hyjnë edhe në këngë, ku marrin kuptime që shkojnë përtej përdorimit të tyre të përditshëm.
e.Këmborët dhe zilet në urtësinë popullore dhe në botën e bukurisë
Në jetën tradicionale, këmborët dhe zilet nuk mbeteshin vetëm në qafën e bagëtive. Tingulli dhe emrat e tyre hynë edhe në të folurën e njerëzve, në shprehje që përcilleshin nga një brez te tjetri. Populli i merrte krahasimet nga jeta që njihte: nga dashi që printe kopenë, nga këmbora që dëgjohej së largu, nga puna dhe hallet e përditshme. Me këto pamje të zakonshme shprehte mendime për karakterin e njeriut, krenarinë, mospërfilljen dhe marrëdhëniet mes njerëzve. Shprehjet janë të shkurtra, por mbartin përvojën dhe urtësinë e jetës.
Dash me këmborë: njeri i zoti, i zgjuar dhe i shkathët; kryetari i familjes apo i grupit
Si dashi me këmborë: krenar dhe i sigurt.
I varën këmborën: i ngarkuan një punë a detyrë.
Nuk ia varin këmborën (torbën, trastën): nuk e përfillin, nuk e marrin parasysh.
I ka rënë gjuhëza e këmborës: nuk i dëgjohet më zëri, nuk ndihet më.
Këndon (flet) si zile e çarë: këndon me zë të prishur, jo të këndshëm.
Ku di derri këmborë: shprehje talljeje dhe shpërfilljeje ndaj atij që nuk kupton ose nuk di të çmojë.
I ha qafa për këmborë: i kërcet kurizi për dru; kërkon vetë punë a detyrë.
Njeri i bie trokjes, tjetri i bie këmborës: e barasvlershme me «Njeri i bie gozhdës, tjetri patkoit»
S’më lënë zilet e mia të dëgjoj këmborët e tua: hallet e mia të shumta nuk më lënë të dëgjoj hallin tënd, sado i madh të jetë.
Nga jeta e stanit, këmbora ka hyrë edhe në botën e luleve. Lulja këmborë (kambanë) e ka marrë emrin nga forma e saj, që të kujton një këmborë të vogël, të varur mes gjelbërimit. Kështu, emri i një sendi të lidhur me tingullin e kopesë shfaqet edhe në natyrë, si një shenjë e thjeshtë bukurie.
Në studimin e Vaso Toles gjeta një çelës për të kuptuar më mirë atë që im atë ma kishte thënë dikur me aq pak fjalë: «Nga melodia e këmborëve». Vëzhgimet e Toles na ndihmojnë të shohim se mes tingëllimës së këmborëve dhe këngës iso-polifonike ka një afri që meriton vëmendje. Emërtimet e zërave, përzgjedhja dhe harmonizimi i këmborëve, por edhe ngjashmëritë tingullore që ai vëren, na afrojnë me një marrëdhënie që nuk duhet ngatërruar me një prejardhje të drejtpërdrejtë. Këmborët dhe zilet i përkasin jetës së bariut, por nuk kanë mbetur vetëm aty. Jehojnë edhe në këngë. Ndoshta kjo është një nga gjërat që e bën këtë trashëgimi të veçantë: ajo që bariu dikur e njihte me vesh, sot mund të lexohet edhe në kujtesën muzikore të një populli.
Sarandë, korrik-tetor 2026








Comments