Vasil Klironomi: GAZELA
- 1 day ago
- 3 min read

Fragment nga novela
TAKOHEMI TË SHTUNËNTë dielën një miku im do të bënte prezantimin e librit të ri. Nëpërmjet Portës së Adrianit, kalova përpara tempullit të Zeusit Olimpik. Më lartë, si lash pas monumentin e Aleksandërit të madh dhe shtatoren e Bajronit, përmes pyllit kombëtar, hyra në stacionin e metrosë për të dalë pastaj në Sheshin Karaiskaqi. Krahë hotelit Klassical, në ndërtesën ku do të bëhej prezantimi i librit, më priti një vajzë me trup të imët, e gjallë, e hijshme; në sytë, iridat mbylleshin brenda margjinave të bardha. Fustani ngjyrë kafe dhe i hirtë rreth barkut, e shndërronte në një gazelë disi të larguar prej tufës.Në hyrje të sallës më priti vetë autori i librit; si e përshëndeta dhe i urova suksese, u ula krah një lëneshe që më bëri vend duke i kërkuar poetit të shtyhej pakë më tutje. Në ndarësen tjetër të ndenjëseve, ish gazetari ushtarak i revistës 10 Korriku, u fliste dy shkrimtarëve të rinj; pas tyre shoku im i fëmijërisë dhe më tej u ulë gazela me një vajzë tjetër. Si zunë të gjithë vendet, fjalën e mori kryetari: “Jemi të paktë në numër, por të saktë,” tha dhe për humor, udhëzoi të flisnim me radhë dhe jo duke ndërprerë njëri- tjetrin. Pastaj iu lut gazetarit që bënte dhe punën e kameramanit, kamerën ta përqendronte te kryetari i ri dhe jo te paraardhësi. Pas atij humori, psikologjia e shkrimtarit erdhi në rritje; sidomos kur dëgjoi vlerësimet. Dikush e quajti fizikan shkrimtar që njeh mirë konceptet e forcës dhe të energjisë dhe që tjetërsoi mendimin në fjalë, për të na thënë, se monogamia është kultivuar si bindje morale. Një tjetër shtoi: Autori liberal, la të kuptojmë se monogamia është në kundërshtim me dëshirat e njeriut të lirë; nëpërmjet dialektikës (logjikës polemike) monogaminë dhe poligaminë i vuri përballë njëra- tjetrës. Poeti u përqendrua dhe u hap më gjerë në dy komponentët kryesorë të tregimeve. Monogamia theksoi, që nga Epoka e paleolitit, më vonë te Hitejt, te Fenikasit, te Egjiptianët dhe Grekët e lashtë; izoloi njeriun brenda një unaze; kësaj stolie që historikisht, simbolizoi dhe u shërbeu qëllimeve të ndryshme; fillimisht prej kocke, më vonë prej metali dhe së fundi si modë romantizmi e stolisur me copëza diamanti. Poligamia nuk pranon simbole si e tillë, përherë do të jetë në mospërputhje me monogaminë ritheksoi dhe ilustroi mendimin e tij me materiale nga tregimet: “Shekulli i Ri” plotë silueta dashnorësh, gjen Elën larg Ardit; vetë Ela sfidon racën njerëzore për keqtrajtimin e shqisave; çdo takim të këndshëm, të rastësishëm apo të programuar me shokët e saj të shkollës a të punës, e finalizon me lojë erotike. Në këtë libër, në një pjesë të mirë të tregimeve, poligamia e ve poshtë monogaminë. P.sh “zonja e katit të katërt” Ermira, me transferimin e bashkëshortit, e quajti të arsyeshme të plotësoi në shtrat, dëshirat e nxënësit të saj, Kudretit. Në tregimin “Iluzion”, lëkura e shndritshme e infermieres çoi pacientin plak prej shtratit të “vdekjes”. Në gjithë tregimet, Ardi dhe Ela janë vetëm pikënisja; autori u jep hapësirë flirtit dhe lojës seksuale me shokët e shkollës, të punës dhe njerëzve brenda fisit. Pra në esencë, autori na thotë se monogamia gëzon vetëm ëndjen trupore (epshin.) Edhe pse është një akt privat, ka njohje sociale. E kundërta edhe pse jetojmë me poligaminë edhe pse në jetën e përditshme kryeson, jo vetëm që nuk gëzon njohjen sociale, por izolohet brenda fantazisë erotike. Ndërsa poeti fliste, gazela e dhënë në epshin sapioseksual, ndërronte ngjyra në fytyrë. Një çast, ndjeu mes këmbëve, lagështia t’i njomte pjesët e tulta.








Comments