Vanitet



Astrit Lulushi


Kotësia e kotësive është e gjitha kotësi. Çfarë përfitimi ka njeriu nga mundimi i tij nën këtë diell? Solomoni u përpoq të shijojë njohuritë dhe kënaqësitë e botës. Në fund, kur ia arriti qëllimit, zbuloi se gjithçka ishte e kotë. Një brez kalon dhe një brez tjetër vjen, riciklim në tokën mbushur me mbetje që duket sikur vjell vetëveten. Gjithnjë dielli lind, perëndon dhe nxiton për në vendin ku u ngrit. Çdo gjë përtërihet. Edhe të njëjtat gabime duken të reja. Të gjithë lumenjtë derdhen në det dhe megjithatë deti nuk mbushet kurrë plot. Në vendin nga rrjedhin lumenjtë atje përsëri kthehen. Gjëja që ka qenë është ajo që do të jetë dhe ajo që është bërë është ajo që do të bëhet. Po! Ka diçka të re nën diell. Nuk janë kujtime të gjërave të mëparshme. As nuk do të ruhet kujtimi i gjërave që do të vijnë dhe atyre që do të pasojnë. E shkuara jeton. Asgjë nuk ikën. Relikja bëhet risi.

Kur acari i bardhë praron luginat, i ftohti gjithçka mbyt; njeriu nuk ka asgjë për të bërë për të fituar bukën e familjes; kur përrenjtë e fryrë mbulohen nga ngrica dhe kodrat vishen me dëborë, njeriu kotë i pret pyjet, drunjtë nuk kalojnë dot mbi to.

Në mençurinë e madhe është pikëllimi i madh dhe ai që shton njohuritë rrit hidhërimin. Sokrati thoshte se ekziston vetëm një e mirë, dija - dhe vetëm një e keqe, injoranca; Aristoteli deklaronte se dija është fuqi; dhe Shekspiri shkruante se injoranca është mallkim; njohuria është krahu me të cilin njeriu fluturon në Parajsë. Dhe mendo pastaj se shumë njerëz janë pa krahë, ose mbi ta rëndon mallkimi.

Shpesh përpiqemi të bëjmë diçka dhe harrojmë se është koha nga jeta që marrim hua për këtë kotësi. Kur pretendimet funksionojnë dhe të tjerat kërkojnë realitet, të gjitha bëhen kotë fare, si katër stinët brenda një vere që vitin e shkurtojnë; është qëllimi i jetës së shpejtë, që përfundon me shpresë të kotë, ose vazhdon i dehur.

15 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif