top of page

URIME AMERIKA, URIME!…





-Frika u “vra” dhe Amerika jep “leksione shprese”-


Acari i Janarit nuk mundi të “ngrinte” fuqinë vepruese të ndërrimit të pushteteve në Uashington DC. Amerika qesh sërish e duke demonstruar me shembullin e vet i dha botës “leksionin e radhës”. Urime! Urime!

Sa shumë telefonata në këtë ditë. Ka një entuziasëm të sinqertë të gjithë atyre që ende besojnë te Amerika dhe liria e saj. Muara Schwartz nga kryeqyteti “i blinduar” amerikan u shkruan miqve: “Qielli është i kaltër përsëri dhe le t’i këndojmë lirisë.Bota rimerr frymë pa frikë…”

Nga Londra do ishte i pari Dr. Fatmir Terziu që do të telefononte duke thënë thjesht dhe qeshur: “Urime mik. Pushteti amerikan u ndërrua paqësisht. Urime…” Ndihesh se je me fat që je këtu e të ngazëllen fakti që në këtë 20 Janar historik , betimi i pushtetarëve të rinj në Shtëpinë e Bardhë kaloi paqësisht, me duartrokitje, me flamuj, këngë dhe gjithë procesi bekuar emocionalisht nga Himni i Amerikës, që është si një “turbinë” e lirisë së Kontinentit. Amerika foli sërish me shëmbullin e vet.

Nga ndërtesa Tempull e ekzistencës amerikane, nga ajo ndërtesë e solemnitetit të ligjit dhe lirisë, nga ai symbol i madhështisë, ku dy javë më parë pamë me tmerr dhune e tym tronditës, pikërisht aty u ringjall shpresa se “Amerika nuk bie”. Presidenti Xho Biden bëri betimin që duhej, duke thënë nga shpirti bardhë: “Unë do jem president i gjithë Amerikës, president i çdo amerikani…”

Amerika dëgjoi, bota dëgjoi, yjet vëhtruan. Amerika jeton krizën e saj më të thellë: 400 mijë të vdekur nga virusi, miliona fronte pune të humbura, aq shumë plagë shoqërore sikur pikojnë dhimbje në trupin gjigand të vendit të lirisë. Amerika rimerr frymë e menduar dhe entuziaste përsëri. 400 mijë flamuj valviten lehtë përballë Kapitolit, si symbol dhe kujtim për ata që ikën dhe nuk mundën ta përjetonin këtë ditë ndërrim pushtetesh. “Që të shërohemi , duhet të kujtojmë” tha presidenti i 46-të Amerikan, Xhoe Baiden. Kurrë në këtë shesh ku ndërrohen pushtetet presidenciale, nuk ka pasur kaq shumë flamuj dhe kaq pak njerëz, kaq shumë ushtarë e autoblinda, e kaq pak ovacione masive dhe oshëtuese. Amerika duhet të shërohet nga “plaga” e hidhur e 6 Janarit 2021. Dhe shërimi fillon duke nderuar jetën dhe duke “përkëdhelur” njerëzit me fjalë të mençura që të gjallërojnë…

20 Janari i sotëm ceremonial iu përcoll botës si një “festë në rrethim”, por me protokoll zyrtar dhe hierarki të përpiktë ligjore. Aty, në “prehër” të Kapitolit Amerikan, me dorën mbi Bibël e nën autoritetin e ligjit, u betua Presidenti i Ri Amerikan. Betim për të mbrojtur kushtetutën dhe autoritetin e Zyrës Ovale. “Betohem! Zot më ndihmo”! I rrethuar nga ekipi dhe Zonja e Parë, i rrethuar nga ish-presidentët që në harkun kohor që iu jep Kushtetuta kanë bërë të njëjtën gjë: Betimin për Amerikën! Sa mirë do të ishte sikur të ishte ai që “zgjodhi të mos vinte”! Sa mirë do ishte për Amerikën dhe Botën!

Një kapitull i vështirë sapo hapet. Nuk do jetë e lehtë, por amerikanët do fitojnë sepse me ta është Zoti dhe liria që çliron pafundësisht energji.

Urime Amerika! Urime! Bota e pa sot me sytë e vet! Urime!

Shefqet Meko

Minneapolis, SHBA

20 Janar 2021

65 views1 comment

1 Comment


Eshref Ymeri
Eshref Ymeri
Jan 20, 2021

I dashur Shefqet,

Pas opinionit tuaj të djeshëm me titull “Liria amerikane në “shtetrrethim””, sot e keni pasuruar mrekullisht serinë e analizave tuaja me një tjetër analizë interesante - “Urime, Amerika, urime!...”. Pra, në të dyja analizat keni nxjerrë në spikamë idenë më thelbësore të këndvështrimeve tuaja të shkëlqyera - liria amerikane i ka rrënjët shumë të thella, prandaj nuk e trondit dot kush. Presidenti mandatpërfunduar bëri një gafë të rëndë. Ai, për herë të parë në historinë e Shteteve të Bashkuara, shkeli një traditë mrekullore mbidyshekullore, duke filluar prej vitit 1798: braktisi ceremoninë e inagurimit të Presidentit të Ri. Ky ishte një qëndrim fort i pahijshëm nga ana e tij. Megjithatë, nderin e Amerikës, si vatër e fuqishme…

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page