top of page

UNI, EGZOTIZMI DHE KORI I BRETKOSAVE


ese Sado që "shtrydh" trurin për të gjetur shtigje stilistike të reja letraro-poetike, vë re se qënka sa enigmë aq dhe e pamundur. Që në rini kam dëshiruar të mos bie në grackën e imitimeve stilistike, por të shpik ndonjë "teoremë" të re si mund të shkruhet më mirë poezia dhe proza. Mirëpo duhej të kalonte gjysëm shekull e të bindem se, "teorema" që bëjnë çudira në të shkruar, "d.m.th. të zotërosh një stilistikë që të jetë larg tërë rrymave letrare e poetike nuk ka, - më thotë sozia im. - Prej karakterit të "unit" rrjedhin ndjesitë e çudirat në të shkruar, prandaj, më mirë, eksploro veten që të "zbulosh" së pari, veten tënde dhe, vetja jote, pastaj, të eksplorojë ambjentet e karakteret që të rrethojnë. Edhe bretkosat kanë stilin e tyre kur notojnë, kur kërcejnë, edhe kur erotojnë, sigurisht edhe kur këndonjnë, por veç soji i tyre dallon solistin ose solisten, shumica këndojnë në kor. Kjo pohesë më fanit Sergei Eseninin i cili thoshte :këndo me zërin tënd, edhe sikur ta kesh si të bretkosës. Në biseda me kolegë përmendim shprehjen, (e jemi në një mendje), se "poezia ka lëvizur shumë". Kjo, që "poezia ka lëvizur shumë" lidhet me evolimin shpirtëror nga përballja me të panjohurat, që kishin egzistuar, por që ne, shqiptarët, e patëm të ndaluar t'i njihnim e t'i preknim. Por, ja, erdhi dita dhe me to u ambjentuam shpejt, gjer në përsosmëri imitimi, e që tani na ky imitim na duket sa i natyrshëm aq dhe i pa shmangshëm. Mbizotëron mania se mjafton të shfaqemi e të ndjehemi globalistë edhe sikur proza të ulërrijë me pasthirrma poetike, ose poezia të na tregojë përralla e rrëfimnaja me mbret e princa, pa@ka se me teknikë bejtesh e ndjenja arkaike. Mirëpo, tani, të "fshehtat" e artit të të shkruarit pretendon se i di edhe bufi; pa e provuar se ajo, ndjesia poetike apo letrare, vjen dita e bëhet më intime, më e pavarur edhe më e pa ndikuar nga presioni arkaiko-antik, biles edhe nga presioni revolucionar, për inerci të një shekull më parë. Pra, superstruktura nuk është më nën diktatin e tyre, nuk është më as nën diktatin e leximeve, as të manirave nacionale e kombëtariste, por, në sajë të evolucionit, mësohet si të përzgjedhësh përjetimet personalo-intime. Pikërisht këtu fillon arti i "unit", nga vetja dhe jo nga Aristoteli e as nga Homeri e Marksi, as edhe nga Neruda, por i përshëndet ata si mjeshtra të "unit". Filozofia antike është holluar aq shumë nga e tjerura sa filli i saj sot nuk hyn në punë as për të riparuar saraposhet muzeale të kuajve luftarakë. Filozofia e shekullit XXI është çliruar nga sofizmat dhe hipotezat. Ajo është bërë më praktike, më e qashtër, më e kuptueshme, shpesh herë paqësore e agresive, aq sa edhe Hegelit, Niçes e Marksit u vjen të shkulin mjekrat e flokët! Njëlloj edhe ligjërimet gojace ciceroniane, sepse shkenca ka shpikur vibratorët që memecevë mos u meret goja dhe turmat mos irritohen nga memecëria. Shkenca e jo arti sot është levë arkimedi, pavarësisht se lëvizja nuk bëhet me rrota prej druri. Poetët e shkrimtarët, edhe mikrofilozofët, nuk ecin me nallëne e opinga me xhufkë, por me "këpucë e rrota prej ajri e drite;" Prandaj na duket e pamundur përballja; brez i pafat, sepse me paditurinë dhe pamundësinë tonë nuk mundim të bëhemi pjesë e kësaj rryme e të rrjedhim me të... Po shpirti krijues? Mos gjë dhe ai i detyrohet këtij evolimi dhe kësaj lëvizje? Mësoj se edhe poetë me emër e famë botërore kritikohen pas vdekjes; për ta thonë, "nuk u shkolitet shpirti me të kaluarën." Mirëpo ata, megjithëse mbetën gjallë me vepra, janë fatlumë të shurdhët e nuk dëgjojnë broçkullat e pasardhësve. Dhe i gjithë ky mishmash mendimesh kritike, propozimesh pozitive e shembujsh evolimi, na nxitin të shtrydhim trurin që të zbulojmë patjetër ndonjë "teoremë letrare"; mjafton që ajo të jetë ca më ndryshe nga paraardhësit, ose më ndryshe nga ajo që kemi aplikuar më parë dhe tani na duken jashtë kohe. Sërish kundërshtoj veten e më rizgjohet mania e "Thanit kundër Thanit" dhe këtë e shoh si përpëlitje, por si "përpëlitje shpresëmadhe," për t'u çliruar dhelpërisht nga gracka e pandehmave evoluese. Edhe bufi e di, ose e ka parë, se si dhelpra sakrifikon këmbën e vet; e këput me dhëmbë, me gjuhë e jargë mjekon plagën, pa e ditur se do të çalojë; por, çalimi, asaj nuk i prish punë: ajo sërish do gjuajë, pavarësisht se mbi dëborë nuk do lerë më katër gjurmë, por tre... I rashë ca si gjatë; e kam provuar edhe duke i rënë shkurt, por sido që ta nis të treguarën, miku im, metaforikisht a, simbolisht, mua nuk më shqitet nga mendja se edhe më parë, por ca më shumë sot, poezia ka qenë e është "uni" ose, ndryshe, "përjetim i çastit intim që ka të bëjë me unin". Tani po rrotulloj sytë anembanë e kërkoj të di nga cila anë e horizontit zbrrita këtu, ku ndodhem, megjithëse kaq larg nga strumbullari i lëmit tim, nuk shpëtoj dot nga hijet e së keqes, por edhe ëndërrat e bukura, mbasi nuk më shkolitet nga "uni" as e shkuara e as e tashmja. Të ardhmen nuk e shoh; jam më i verrbër se Homeri, por ama, sa herë mar shenjë Akilin, menjëherë dalloj se atij ia kanë dërmuar të dyja thembrat dhe eeeeee...kot të qëlloj. Sigurisht e shkuara ka edhe plagë, plagë shkakton edhe e tashmja; atëherë pyes veten: a duhen krojtur plagët e vjetra që t'u hiqet korja e të dalë lëkurë e re, dhe, a duhen kruar plagët e reja? Edhe bufi e di, ose e ka provuar, se plagët e vjetra me plagët e reja, kur bëhen shumë, ngjiten njëra me tjetrën, siç ka ndodhur, qëmoti, në luftërat e pareshtura të antikitetit dhe shigjetat ishin prej druri, prej druri edhe heshtat, pavarësisht se majat e tyre ishin të lyera me zift ose të veshura me hekur; sfondi ish bardh e zi. Mirëpo ja që ëndrrat e përndezura letraro- filozofike në shekullin XXI, për shkak të leximinercisë dhe imitimit, e ringjallin antikitetin. Në sajë të ngjyrimeve artificiale e triblimeve fantastike të ekranit elektronik, shpesh na duket sikur jetojmë ende në ato kohëra, sidomos kur dëgjojmë që trokëllijnë nallemet në dyshemete e mermerta të parlamenteve dhe atëherë citojmë filozofët e dikurshëm, filozofë që udhëtonin me karroca prej druri e me rrotat po prej druri; brohorasim dhe duartrokasim citatet e tyre. Kjo ndodh kur jemi vetëm, (mbasi nuk druhemi nga vetja,) bëhemi tejsarkastikë e i flasim zbrazëtisë me zë të lartë: Lavdi Egzotizmit, Bretkosave dhe Unit!

13 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page