top of page

Ty nuk të fus në defterë, ngjan si Çuku me Gekun, apo, thjesht (me një masë dite) si Rama me Braçen.


EH Ç’MË KUJTOVE KALLAPODHIN OR VOC!

EH Ç’MË KUJTOVE KALLAPODHIN OR VOC!


Rrëfenjë


Shoqëruar me një foto me Kallapodhin në mes më 16 shkurt 1966

Po, po, Kallapodhin më kujtove sot, or Voc... Kallapodhin e mirë, shpirt njeriu, pedagogun tim të “Organizimit” këtu e pesë dekada me ndonjë vit më shumë mbi shpinë. Nuk ngjani në fizik. Në gjatësi dhe në peshë ia kalonte edhe Ramës. Ty nuk të fus në defterë, ngjan si Çuku me Gekun, apo, thjesht (me një masë dite) si Rama me Braçen. Në një gjë ngjani, si dy pika uji që pikojnë nga hejët e akullit tek shkrihet këto ditë shkurti. Merrni hov... Merrni hov e s’mbaheni... Pa frena... Kallapodhi (le të më gjykojnë bashkë studentët e kursit tim) jepte lëndën e “Organizimit”. Ishte specialist për organizimin e ndërmarrjeve dhe kooperativave bujqësore (veçanërisht të këtyre). Kishte bërë edhe disa libra për këtë punë, libra që i gjeje në çdo zyrë të shkallëve nga Ministria e Bujqësisë në kooperativa e ndërmarrje bujqësore e që ishin vadememcum për të gjithë... Nejse, kohë e zakone... Kallapodhi ishte unik në leksionet që jepte... Unik në zërin bubullimë... Unik në lëvizje... Unik kur merrte hov e s’mbahej frenash... I njëjtë në fillimin e leksionit... “Kooperativat bujqësore, e niste leksionin duke tundur krahët e gjatë si krahë helikopteri, prodhojnë misër, grurë, patate, kombajna, traktorë, makina shirëse...” Ne e kishim mësuar përmendësh dhe pa filluar mirë rrotullimin e helikës na merrte gazi... Ishte i lezetshëm profesor Kallapodhi... Edhe sot qesh kur e kujtoj. Bile edhe tani që shkruaj... E kujtoj me mall e dashuri për humorin që përcillte në tërë pamjen e tij tek lëvizte “krahët e helikopterit” e thërriste me zë bubullimë. Nuk i di rrënjët e mbiemrit të tij me togfjalëshin e greqishtes “Kalla” dhe “Podhi” kur emri i tij ishte tërësisht në rrënjë e degë të shqipes... Këmbëmiri?! Këmbëmadhi?! Nejse. Ta lëmë profesorin tim në qetësinë e tij, po qe se është gjallë apo në parajsën e përtej jetës. Të vijmë tek ti or Voc... The me zë e duke tundur sa lart e poshtë krahun me dy gishtat hapur... “Të ulim çmimin e energjisë elektrike me 300 lekë për litër”. E the për inerci, si Kallapodhi im me “traktorët, kombajnat...”, pa presje e pa pikë. More hov... Nuk u ndale... Siç nuk u ndale kur the “shtatë herë shtatë bëjnë 42...” Edhe në një mbledhje të thjeshtë aritmetikore... Kallapodhi merrte hov përpara njëqind studentëve në sallë... Kaq ishim, kaq qeshnim... Ti i the (e i thua) para milionave, në dhjetëra dritare satelitore e tokësore, kombëtare e vendore... Qeshje milionere... Qeshje deri në lot... Faleminderit! E qeshura është shëndet... Për mbyllje një “të vockël” nga profesori im i zoologjisë... Profesori e fillonte gjithnjë leksionin me shprehjen “Bota e kafshëve është e madhe”, E thoshte nëpër dhëmbë, si të kishte një bërthamë ulliri në gojë. Shqiptimi na vinte paksa i tjetërsuar. Mendjen na e çonte tjetërkund... Të rinj ishim...

#Abdurahim #Ashiku Athinë, 8 shkurt

42 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page