top of page

Timo Mërkuri: METAFORA NË POEZINË E KRISTO ÇIPËS:

1 minute ago
9 min read

nga zbukurimi i vargut te zbulimi i përvojës njerëzore

Dikur, duke analizuar zhvillimin e këngës iso-polifonike pilurjote, pata shkruar se Lefter Çipa zëvendësoi tekstet tradicionale me tekste poetike, ndërsa Kristo Çipa tekstet e veta poetike i pasuroi me metaforë. Duke rilexuar vëllimin “Kur puthen vetëtimat”, mendoj se ky vëzhgim meriton të zgjerohet. Te Kristo Çipa, metafora nuk është vetëm një mjet për ta bërë vargun më të bukur. Në rastet më të arrira, ajo bëhet mënyrë për të zbërthyer një ndjenjë, për të parë ndryshe një përvojë, madje për të thënë atë që gjuha e drejtpërdrejtë nuk e kap dot plotësisht. Figura nuk vjen thjesht pas mendimit, si një stoli që i shtohet fjalës. Shpesh, mendimi lind pikërisht brenda figurës.

1. Metafora si zbulim i botës së brendshme

Këtë e shohim që në poezinë “Një këngë deti më dëgjon zemra”, ku vetë vargu i parë e përmbys marrëdhënien e zakonshme mes njeriut dhe natyrës: “Një këngë deti më dëgjon zemra” (f. 14). Zakonisht njeriu dëgjon detin; këtu, përkundrazi, është sikur deti i dëgjon zemrën njeriut. Deti nuk mbetet pamje që shtrihet përpara poetit, por bëhet një prani që e njeh dhe i përgjigjet. Edhe vargu “Me shkëmbin putheshin dhe unë i pashë” (f. 14) e sjell natyrën në një marrëdhënie intime, njerëzore. Puthja nuk është më vetëm një veprim i trupit; ajo bëhet mënyrë për të parë afrimin e dy qenieve të ndryshme. Shkëmbi dhe deti nuk e humbasin natyrën e tyre, por fitojnë një gjuhë njerëzore.

Këtu metafora dhe personifikimi nuk shërbejnë vetëm për të krijuar një peizazh të bukur. Ato zbulojnë mënyrën se si poeti e përjeton botën: si një vend ku njeriu nuk është i ndarë nga natyra, por hyn në marrëdhënie me të. Kjo afërsi merr një ngjyrim më të dhimbshëm kur poeti shkruan: “Në mall mërgimi ku zemra griset” (f. 15). Malli nuk mbetet një ndjenjë e papërcaktuar; ai merr trajtën e diçkaje që griset. Zemra bëhet thuajse një pëlhurë që nuk e përballon dot tërheqjen e dyfishtë, midis vendit ku njeriu ndodhet dhe atij ku dëshiron të jetë. Kështu, figura e bën dhimbjen më të prekshme. Nuk na tregon vetëm se poeti vuan, por na jep një pamje të asaj që i ndodh brenda.

Kjo mënyrë e shndërrimit të ndjenjës në imazh shfaqet edhe në poezi të tjera, por nuk përsëritet gjithmonë në të njëjtën formë. Në “Do vesh mugëtirën”, në mes të vëllimit, lexojmë: “Hëna ecte shtrembër, / Me inat përbrenda” (f. 60). Hëna këtu nuk është thjesht një trup qiellor që ndriçon natën. Ajo merr qëndrim, sikur të jetë e zemëruar, dhe lëvizja e saj e shtrembër e përçon atë gjendje te lexuesi. Më tej, poeti shkruan: “Hëna u rrëzua, / Shikimin lëshoi, / Si rrufe mbi mua” (f. 61). Ndjenja e tërheqjes dhe tronditja e çastit marrin një shpejtësi të beftë. Shikimi nuk mbetet diçka që shkëmbehet mes dy njerëzve; ai bie mbi tjetrin si rrufe.

Këtu është e rëndësishme të vërejmë se metafora nuk e zbut përjetimin, por e shton vrullin e tij. Hëna, nata, shikimi dhe rrufeja hyjnë në të njëjtën lëvizje emocionale. Ajo që po ndodh mes dy njerëzve përjetohet si një ngjarje e natyrës, e papritur dhe e vështirë për t’u kontrolluar. Në një poezi të tillë, figura nuk mund të shkëputet lehtë nga ritmi dhe mënyra e këndimit. Vargjet e shkurtra, lëvizja e shpejtë e pamjeve dhe përsëritja e tingujve e mbajnë gjallë atë vrull. Metafora këtu nuk është një send i vendosur brenda vargut; ajo është pjesë e lëvizjes së tij.

Një tjetër trajtë merr figura te “Foleja e lakmisë”, në të njëjtën zonë të vëllimit. Poeti shkruan: “Prilli më pushtoi, / Rinia riçeli tek mua” (f. 63). Prilli nuk vjen vetëm si stinë kalendarike, por si një forcë që pushton njeriun. Ndërsa rinia, e cila mund të mendohej si një periudhë e jetës që nuk kthehet, shfaqet si diçka që mund të çelë përsëri. Fjala “riçeli” mbart njëherësh idenë e lules, të ringjalljes dhe të një ndjenje që zgjohet pas një kohe të gjatë. Në këtë rast, metafora e bën të besueshme një përvojë që në jetën e zakonshme mund të dukej e pamundur: njeriu mund të plaket në trup, por një vështrim, një dëshirë apo një takim mund t’ia zgjojë papritur rininë e brendshme.

Megjithatë, poezia nuk e lë këtë zgjim vetëm në një atmosferë romantike. Titulli “Foleja e lakmisë” dhe pendesa që shfaqet në fund e vendosin ndjenjën përballë një kufiri moral. Këtu metafora e folesë është domethënëse: lakmia nuk paraqitet si një dëshirë që kalon e zhduket, por si diçka që kërkon vend, strehë, një hapësirë ku të ngrihet. Poeti pranon se nuk arrin t’ia gjejë “folenë”. Kjo është më shumë se një figurë e bukur; ajo shpreh vështirësinë për të kuptuar dhe për të vënë nën kontroll një dëshirë që shfaqet kur njeriu nuk e pret. Metafora, pra, mund të zbulojë edhe një kontradiktë të brendshme, jo vetëm të përforcojë ndjenjën.

2. Metafora si mënyrë e të menduarit dhe e gjykimit moral

Në këtë pikë, më duket se duhet bërë dallimi midis metaforës që vetëm zbukuron dhe asaj që hap një kuptim. Jo çdo figurë e pasur është domosdoshmërisht e thellë. Vlera e saj varet nga ajo që arrin të zbulojë brenda poezisë. Te Kristo Çipa, në vargjet më të goditura, figura nuk qëndron më vete; ajo lidhet me gjendjen e personazhit lirik, me lëvizjen e mendimit dhe me drejtimin që merr poezia. Prilli që “pushton”, rinia që “riçel” dhe lakmia që kërkon “fole” krijojnë një rrjedhë të vetme ku dëshira, koha dhe ndërgjegjja ndeshen me njëra-tjetrën.

3. Metafora e atdheut: plaga dhe përgjegjësia

Kjo aftësi e metaforës për të kaluar nga përjetimi vetjak te një kuptim më i gjerë bëhet edhe më e dukshme në poezinë “Atdheu im!”. Këtu marrëdhënia me vendin nuk shprehet vetëm me mall ose me lavdërim. Atdheu paraqitet si një trup i plagosur, ndërsa poeti kërkon si mund ta ndihmojë: “Lumin ku ta qep?” dhe më tej “Yjet gjak kullojnë nga qielli i qelqtë!” (f. 19). Pyetja për lumin që duhet qepur e kthen peizazhin në një trup të dëmtuar. Lumi, që zakonisht lidh brigjet dhe çon jetën përpara, duket sikur është çarë dhe kërkon të bashkohet përsëri. Ndërsa yjet që kullojnë gjak e zhvendosin plagën nga toka në qiell. Dhimbja e atdheut nuk mbetet poshtë, në kufijtë e një territori; ajo ngrihet në të gjithë hapësirën që e rrethon njeriun.

Në vargjet pasuese, marrëdhënia midis poetit dhe atdheut bëhet më e drejtpërdrejtë: “Unë dhe ti, Atdheu im / Të dy të sëmurë / Dhe bashkërisht doktorë” (f. 20). Kjo është një metaforë që ka edhe një përmasë etike. Poeti nuk e vendos veten jashtë plagës, si dikush që vetëm e përshkruan ose e gjykon atë. Ai është pjesë e saj, por njëkohësisht e ndien veten të thirrur për të ndihmuar në shërim. Atdheu dhe njeriu ndajnë të njëjtën sëmundje, por edhe përgjegjësinë për ta përballuar. Figura e doktorit e zhvendos dashurinë për vendin nga ndjenja e deklaruar te detyrimi për të vepruar.

Kjo është një nga pikat ku metafora e Kristo Çipës del përtej zbukurimit poetik: ajo e kthen një ide në marrëdhënie konkrete. Të duash atdheun nuk është vetëm ta përmendësh me fjalë të mëdha; është të ndiesh dhimbjen e tij si plagën tënde dhe të kërkosh një mënyrë për ta mjekuar. Në këtë kuptim, figura poetike bart edhe një qëndrim qytetar.

4. Metafora si kritikë e shoqërisë dhe si gjuhë e kujtesës historike

Në poezinë “Jetë e egër”, metafora merr një ton më të ashpër, sepse në qendër nuk është më intimiteti i ndjenjës, por gjendja e shoqërisë. Vargu “Atomi i kohës është paraja” (f. 17) e paraqet paranë si njësinë më të vogël e njëkohësisht si përbërësin që organizon kohën ku jetojmë. Fjala “atom” nuk përdoret për të dhënë një shpjegim shkencor, por për të sugjeruar se paraja ka depërtuar në vetë përbërjen e jetës shoqërore. Ajo nuk është më vetëm mjet shkëmbimi; bëhet masë me të cilën maten marrëdhëniet, dëshirat dhe vlerat. Por gjiuthashtu edhe një rrezik actual për shpërthim.

Po në këtë poezi, “Liria si ujk i tërbuar që s’njeh kufijtë e saja” (f. 17) e vendos një ide të çmuar në një imazh shqetësues. Liria, që zakonisht lidhet me çlirimin e njeriut, këtu shfaqet si një forcë e pakontrolluar. Metafora nuk e mohon vlerën e lirisë, por vë në pikëpyetje një liri që shkëputet nga përgjegjësia dhe nuk njeh asnjë kufi. Kjo është një mënyrë e tërthortë e të menduarit: në vend që poeti të japë një përkufizim të gjatë moral, ai na vë përpara figurën e ujkut dhe na lë të përballemi me të. Edhe vargu “Vesit i jep dekorata, / Urrejtja, altar bekimi” (f. 17) përdor përplasjen e dy fushave të kundërta, nderimin dhe vesin, bekimin dhe urrejtjen, për të nxjerrë në pah përmbysjen e vlerave. Këtu metafora dhe ironia punojnë së bashku.

Në fund të vëllimit, në poezinë për Maro Kondin, figura poetike fiton një përmasë historike. Kur personazhi u drejtohet kundërshtarëve, thotë: “Nëpër supe kemi flatra / Hënën qëllojmë me pëllëmbës” (f. 160). Këto vargje nuk duhen lexuar si përshkrim realist, por si shprehje e një guximi që kapërcen kufijtë e mundësisë së zakonshme. Flatrat mbi supe e lartësojnë njeriun, ndërsa hëna, e vendosur aq lart, bëhet shenjë e një synimi që duket i paarritshëm. Edhe pse përballja është e pabarabartë, figura nuk e paraqet personazhin si të mundur paraprakisht. Ajo i jep guximit një përmasë që nuk matet me forcën fizike.

Më tej, poezia përmbledh jehonën e kësaj ngjarjeje në dy vargje: “Njëri qan shikon nga hëna / Tjetri, simfoni lirie” (f. 161). Këtu figura nuk ndërtohet vetëm përmes një metafore të vetme, por përmes kundërvënies. Njëra anë mbart vajtimin, tjetrën e shoqëron simfonia e lirisë. Dhimbja dhe fitorja nuk përjashtojnë njëra-tjetrën; ato mbeten dy zëra të së njëjtës kujtesë. Fjala “simfoni” e afron edhe më shumë poezinë me botën e këngës: historia nuk ruhet vetëm si ngjarje e kaluar, por bëhet tingull që mund të përsëritet, të këndohet e të bartet nga një brez te tjetri.

Këtu shfaqet një nga veçoritë e rëndësishme të vëllimit: metafora nuk i shërben vetëm ndjenjës personale, por edhe kujtesës së përbashkët. Në një poezi të tillë, ajo nuk është e shkëputur nga tradita e rrëfimit dhe e këngës popullore. Përkundrazi, i jep ngjarjes historike një gjuhë më të ngjeshur, ku një pamje e vetme mund të mbajë guximin, dhimbjen dhe kujtimin. Sigurisht, këtu duhet parë edhe mënyra se si figura lidhet me vetë rrëfimin dhe ritmin e poezisë, sepse jo çdo varg heroik është automatikisht një metaforë e re. Por kur imazhi i flatrave dhe i hënës bashkohet me idenë e lirisë, ai e zgjeron ngjarjen përtej kronikës së saj.

5. Metafora në bashkimin e gjuhës poetike me botën e këngës

Kjo na çon te marrëdhënia e metaforës me këngën, një çështje që në analizën e Kristo Çipës nuk mund të lihet mënjanë. Poezitë e tij nuk e kanë të gjitha të njëjtën mënyrë ndërtimi. Disa mbështeten te rrëfimi, disa te dialogu i brendshëm, disa te një figurë që shpërthen dhe pastaj tërhiqet, ndërsa të tjera e mbajnë gjallë ndjenjën përmes ritmit dhe përsëritjes. Në këtë botë, metafora duhet parë jo vetëm në kuptimin e saj, por edhe në tingullin që merr kur vargu këndohet. Një figurë mund të fitojë forcë nga mënyra se si përsëritet, nga vendi që zë në strofë, nga përplasja me vargun pasues dhe nga aftësia për t’u mbajtur mend.

Në poezinë “Këngët e Fosforinës”, lidhja mes këngës dhe përjetimit shprehet drejtpërdrejt: “Me një gjuhë perëndie, / Me të gjithë ison e frymës” (f. 59). Këtu “isoja e frymës” e afron këngën me vetë të jetuarit. Fryma është jetë, por edhe mbështetje e zërit; isoja është pjesë e një tradite kolektive, por këtu duket sikur buron nga brenda qenies. Më tej, poeti shkruan: “Nga avazet që ka kënga, / I merr të rrahurat zemra!” (f. 59). Zemra nuk rreh vetëm në mënyrë biologjike; ajo merr ritmin e këngës. Kjo nuk është një zbukurim i rastësishëm, por një mënyrë për të thënë se kënga e vendit është bërë pjesë e trupit dhe e kujtesës së njeriut.

Për mua, kjo është veçanërisht e rëndësishme kur flasim për poezinë e Kristo Çipës si tekst që lidhet me këngën. Metafora këtu nuk e ndan poezinë nga tradita, por i ndihmon ato të takohen. Ajo mund ta bëjë një ndjenjë vetjake të këndueshme për të tjerët, pa ia hequr asaj intimitetin. Kur zemra merr të rrahurat e këngës, përvoja nuk mbetet vetëm e autorit; ajo mund të bëhet përvojë e një bashkësie që njeh të njëjtin ritëm, të njëjtin mall dhe të njëjtën kujtesë. Kjo nuk do të thotë se çdo metaforë funksionon njësoj mirë kur këndohet. Përkundrazi, pikërisht këtu duhet parë me kujdes nëse figura e ruan natyrshmërinë e vet, nëse rrjedh nga ndjenja apo duket e kërkuar. Në rastet e arrira, gjuha poetike dhe bota e këngës nuk qëndrojnë përballë njëra-tjetrës: ato ushqejnë njëra-tjetrën.

Në tërësi, vëllimi “Kur puthen vetëtimat” na lejon të shohim se metafora e Kristo Çipës lëviz në disa drejtime. Ajo e bën natyrën bashkëbiseduese të njeriut; i jep formë mallit dhe dëshirës; shndërron plagën e atdheut në një imazh të prekshëm; godet përmbysjen e vlerave shoqërore; dhe, në poezinë historike, e kthen kujtesën në një gjuhë që mund të përcillet përmes këngës. Këto drejtime nuk janë të ndara me mure. Shpesh, natyra bëhet gjuhë e ndjenjës, ndjenja kthehet në mendim, ndërsa mendimi gjen një ritëm që mund të ndahet me të tjerët.

Prandaj, vëzhgimin tim të dikurshëm për dallimin mes Lefter Çipës dhe Kristo Çipës do ta mbaja, por do ta shpjegoja se: Nuk bëhet fjalë për një ndarje të prerë, sikur te njëri të gjendej poezia dhe te tjetri vetëm metafora. Më tepër, kemi të bëjmë me dy mënyra krijuese që duhen parë në zhvillimin e tyre dhe në marrëdhënien me traditën e këngës pilurjote. Te Kristo Çipa, ajo që më tërheq vëmendjen është prirja për ta zgjeruar tekstin poetik përmes figurës, për ta nxjerrë ndjenjën nga emërtimi i drejtpërdrejtë dhe për ta vendosur në një pamje ku ajo bëhet më e dukshme, më e prekshme, ndonjëherë edhe më e ndërlikuar.

Në këtë kuptim, metafora nuk është thjesht shenjë e pasurisë së gjuhës së tij. Ajo është mënyrë e të menduarit poetik. Dhe kur kjo mënyrë bashkohet me ritmin, me kujtesën dhe me frymën e këngës, vargu mund të kapërcejë çastin që e lindi. Ai nuk e humbet ndjenjën vetjake, por fiton mundësinë të prekë edhe dikë tjetër. Pikërisht aty, mendoj, qëndron vlera e metaforës në rastet më të mira të këtij vëllimi: jo te shkëlqimi i figurës më vete, por te ajo që figura na ndihmon të kuptojmë për njeriun, për vendin dhe për jetën që këndohet.


Sarandë, shtator-tetor 2026

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page