top of page

Faruk Myrtaj: KËTA DUKET SIKUR TANI PO HYJNË NË LUFTË…

13 minutes ago
5 min read

 --tregim-

Mes lajmeve për mbarimin e luftës kudo, për një takim me rioshë të tjerë ishte nisur, kur ai ia ofroi si ftesë.

“Po të duash ti, bir, mund të kthehemi bashkë në vendlindje!”

Kishte shërbyer si ministër-ambasador në atë kryeqytet evropian për të tri qeveritë e fundit para lufte, për befasinë edhe të tij qeveria e parë nën pushtim e pati ftuar edhe ajo të vazhdonte detyrën por ai kishte refuzuar, plotë mirësjellje. Sërish, një “jo” e butë, falënderuese, edhe për qeverinë e sa-dalë nga lufta, duke ju zënë ngoje si arsye moshën, kohën e gjatë në shërbim, pa guxuar tu kujtonte se, në fakt, me këta nuk e lidhte kurrgjë, përveç gjuhës dhe atdheut.

Sido si, pikërisht prej ftesës së këtyre të fundit i kishte ardhur ideja për një kthim në vendlindje, në rastin më të parë të mundshëm, tani që tymrat e luftës po binin si perde e një skene të vjetër.

Luftërat vijnë dhe ikin që njerëzit të marrin vesh ç’janë jetët në paqe, mendonte. Ia thoshte edhe të birit që, në të gjithë ditët e luftës kishe jetuar në harenë e salloneve dhe plazheve më të bukur të Evropës që as nga pushtuesit nuk lëndoheshin.

Edhe pse pa asnjë kundërshti ndaj qëndrimeve të mëparshme të Atit, dhe as vendimit të më-të-fundit të atij, biri nuk arrinte të merrte me mend ç’e shtynte këtë njeri, që ishte Ati i tij, të nisej në këtë udhëtim. Sidomos përse kaq nxitueshëm. Edhe sikur ata që e kishin emërtuar dikur të ishin në pushtet, menjëherë pas lufte...nuk lëvizej, sidomos për atje!

Ishte tjetër, edhe më e çuditshme akoma, që ai po ftonte edhe birin të kthehej bashkë me të!

Do duhej të gjente një arsye refuzuese, së paku për një shtyrje kohe, por kujtohej që, nëse Ati përdorte fjalën “vendlindje”, humbte natyrshmëri në mos edhe pamjen e qetë. Një si hije reje, edhe pse munguese në qiell, dukej se binte në të. Deri një farë kohe, biri kishte besuar se kur prindi zinte ngoje fjalën origjinë apo prejardhje, kishte parasysh kryesisht familjen në njëjës, jo arsye të tjera që t’i kërkonte kthim në një vendlindje ku në fakt ai s’kishte shkelur kurrë…

Ishte thuaj 33 vjeç dhe, jo thjesht e vetëm si fëmijë ish-ambasadori, kishte kryer tërë shkollimet e mundshme, përdorte shkëlqyeshëm gjuhën e vendit ku ishte lindur e rritur, aty ku Ati kishte shërbyer dhe, në kuptimin shpirtëror, kthimi në një Atdhe bënte një lloj kuptimi, edhe për birin, por jo edhe për në vendlindjen e Atit, që s’ishte edhe vendlindje e tij!

 ***

Megjithatë, si ta kishte marrë si urdhër të një moshe të caktuar ftesën e prindit, shkoi me të, pajtuan një motobarkë të madhe, nënshkruam tërë shkresat dhe kontratën për të ngarkuar 333 thasë miell, udhëtuan edhe vet në të, për dy ditë arritëm në portin e truallit që ishte vendlindja e Atit, rrjedhimisht edhe vend-origjina e Birit.

“Mbase 333 thasë miell s’janë asgjë në gjendjen atje”, tha babai, si të flitë me veten, në vesh të të birit. “Megjithatë vlejnë sa për të thënë: U ktheva edhe unë! Nuk isha në fillim të luftës, po gjendem tani, në fund të saj! Nuk luftova si ju, që s’pranova të bëja ambasadorin, por si për detyrim vetjak dhe mirëkuptim kthehem si qytetar…”

Dukej që atje tej se Biri, lindur e rritur tjetërkund, aq i huaj sa edhe ai tjetri, i Treti në barkën ku ngarkuan miellin. I Huaji s’kishte ndodhur të dinte gjë për këtë vend ku po arrinin. Tërë sa i treguan At e Bir gjatë rrugës, e bën të vëmendshëm.

Ata që i pritën në breg, ende të armatosur, dukeshin në nevojë për çdo lloj ndihme. Aq më shumë për thasët me miell. Si tërë njerëzia në botë, mbase edhe këta këtu gëzonin që më në fund kishte mbërritur paqja, edhe pse Evropa thithte tymra lufte dhe dëmet, shkatërrimet e mungesat ishin aq të kudoshme sa zor se ndokush mund të përgjigjej nëse pyesje: po armiku kush ishte, ç’u bë?!

Në fund kësaj lufte dikush ishte mundur, edhe pse të humbur ndjeheshin të gjithë. Thuhej se anije të tëra me njerëz që, pasi pas Luftës së Parë nuk e kishin menduar ardhjen kaq shpejt të së Dytës, po merrnin rrugën për në Amerikë. Jo thjesht se pas Hiroshima e Nagasaki amerikanët ishin fitues të vetëm, por se kishin luftuar në truall të huaj.

 Edhe më parë, për Amerikë gjithnjë kishin shkuar të pakënaqurit ndër Evropianët, tashmë për atje po nxitonin edhe ata që sa kishin humbur. Më herët ishin larguar natyra njerëzore që s’prisnin dot sa Evropa të bëhej si e kishin dashur ata, tani po iknin edhe ata që kishin drojë edhe paqen pas kësaj gjakderdhje të papërfytyrueshme...

 ***

Më në fund, tërë thasët e miellit që ishin sjellë në barkë qenë nxjerrë e stivosur në bankinë.

“Shkresa juaj thotë se keni sjellë 333 thasë me miell!”, u dëgjua njeri prej atyre në breg.

“Shkresa provon se ne blemë në dyqanin andej 333 thasë, por dy nga thasët na u njomën udhes dhe i hodhëm në det, të mos kalonte lagështia në thasët e tjerë...” tha Ati, me gjuhën e shkoqur e tonin e butë.

“Pse nuk shkruani 331 thasë? Pse gënjeni?”

“Nuk gënjejmë. S’ka pse të gënjejmë. Ishte dëshirë e babait të sillnim diçka, të mos vinim duarbosh, siç thotë im atë. Si gjest…”

“Kjo diplomaci nuk e fsheh dot më mashtrimin tuaj!”

“S’kemi arsye të gënjejmë veten…”

“Megjithatë ju mund ta korrigjoni shifrën e marrë në dorëzim. Janë 331 thasë, falas, zotërinj!”, hyri në bisedë I Huaji i Anijes.

Për fat, foli në gjuhën e huaj. Ai dhe gjuha e tij s’kishin asnjë lidhje me këtë vend. Ndërhyri thjesht të ndihte mirëkuptim mes këtyre që nuk po merreshin vesh në të njëjtën gjuhë.

Pa e menduar, përktheva tërë fjalët e tij, edhe cilësimin “zotërinj”, duke u kujtuar me vonesë që pikërisht kjo trajtë lëndonte aty.

“Nuk jemi zotërinj ne! Ne jemi shokë!” ia preu fjalën njeri prej të atyshmëve.

“Ne me ju jemi vëllezër. Ky ‘I Anijes’ është i huaj, s’i di traditat tona”, ndërhyri babai paqësisht.

“E çfarë pastaj, se qenka I Huaj dhe thasët qenkan falas?”, u hakërrye sërish tjetri.

Përballë toneve të zërit, I Huaji u mbyllë edhe më. I ktheu shpinën njerëzve në breg dhe shkoi e u ulë diku në barkën e vet.

Marrëveshja me të, si transportues, ishte e qartë: do qëndronte sa të shkarkoheshin thasët. Ata të dy do të mbeteshim aty, teksa ai ishte i lirë të ikte, menjëherë, kur të donte. Pagesa ndaj tij ishte kryer, në momentin e pagesë së qerasë për motobarkën.

“Ndjesë…Sapo kanë dalë nga lufta, njerëzit!” i tha biri të Huajit, nga afër, për ta qetësuar.

“Mua më duket sikur këta sapo kanë hyrë në luftë!”

Këto fjalë do t’i kujtoheshin hera herës, tërë vjetëve më pastaj.

Sa herë që iu desh të përkthente, ndjente ashpërsinë e të këtushmëve. Bënte t’i zbuste fjalët e tyre, si të ishte ndërmjetës, por s’mjaftonte dot vëmendja për ta kryer këtë veprim të pa kërkuar prej tyre. Më pas, do vinte re se edhe në librat e shkruar këtushëm, që ai i përkthente në gjuhën e rinisë së tij të gëzuar atje ku ishte lindur, përpiqej të shmangte ngutin për të fajësuar tjetrin, të mposhtjes së tjetrit doemos, provonte që të kuptonin se ishte më mirë për të gjithë të uleshin tonet, së paku, nëse nuk e eliminonim dot mërinë e debatit të mbetur pas Lufte...

“Unë për vete hipi në barkë dhe ia mbathë. Edhe po të mbytem atje më tej, mbytem ku dua e kur dua, se ashtu e kam zgjedhur jetën, por kam merakun tuaj. Mirë bëtë që ua sollët thasët, por ju them se do të bëni edhe më mirë po të vini edhe ju me mua...Parandiej keq, në këtë truall unë…”

Njeriu i barkës përsëriti edhe një herë të shkonin me të, Ati nuk shfaqi asnjë mëdyshje dhe Biri vazhdoi t’i bindej heshtjes së tij.

I Huaji, sikur më në fund t’i duhej të imitonte piratët e hershëm zbritur në breg misterioz, ua ktheu shpinën pa e kthyer kokën pas, a thua si të donte të bërtiste se edhe ata të dy, Atë e Bir, e meritonin braktisjen në atë breg...

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page