Hazis Gjergji: Vrasja e patriotit dhe deputetit demokrat Ramiz Daci

Duke u interesuar pёr vrasjen e patriotit dhe deputetit demokrat Ramiz Daci, sё pari iu drejtova Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, vёllimi I, botim i vitit 2008. Aty thuhet se Ramiz Daci “ishte njё nga organizatorёt dhe drejtuesit e Lёvizjes sё Marsit 1922” dhe “pas dёshtimit tё saj u dёnua me vdekje dhe u pushkatua.” Lёvizja e Marsit 1922, sipas vёllimit II tё kёtij fjalori, ishte: “Kryengritje e armatosur pёr rrёzimin e qeverisё.” [Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Akademia e Shkencave e Shqipёrisё, Tiranё, 2008, vёllimi I, f. 404; vёllimi II, f. 1495]
Pёrfundimet e fjalorit tё cituar nuk pёrputhen me dokumentet e ruajtura nё Arkivin Qendror tё Shtetit, pasi pёrmbajnё dёshmi krejt tё tjera mbi kёtё ngjarje historike. Nё letrёn e njёrit prej protagonistёve kryesorё tё Lёvizjes sё Marsit 1922, patriotit Bajram Curri, dёrguar kryetarit tё Bashkisё sё Shkodrёs, Musa Jukёs, thuhet:
“Zotni Musa Juka, kryekatundari i Shkodrës. Tue i pa ngatёrresat e paligjshme e shkeljen e Statutit të Lushnjës që nollne [ndodhёn] në qeverinat tona, populli i këtyre viseve, d.m.th. prefektura e Dibrës, Kosovës, Elbasanit e Durrësit kërkojnë Mbledhjen e Përgjithshme për me i dhanë fund këtyne ngatrresave qi ma sё forti na rrezikojnë sidomos anës Shkodrës, Kosovës e Dibrës. Pra tue njoftë atdhedashuninë tuej, ju lus t’ia shpallni popullit që unë me parinë e kësaj ane e me nji fuqi po vij për me lypë prej qeverisë Mbledhjen e Përgjithshme, e këshilloj që edhe Shkodra të bashkohet me ne për këtë qëllim. Ju falem me shëndet. Has, 22.2.1922, kolonel Bajram Sh. Curri, Has, 22.2.922.” [AQSH, F. 152, V.1922,D.15, f. 6-8: letra origjinale e B. Currit për Musa Jukën etj., botuar edhe nё gazetёn “Dit’ e re”, Tiranё, V.I, Nr. 4, dt. 21.4.1922, f.3.]
Nё thirrjen e dy krerёve tё tjerё tё Lёvizjes sё Marsit 1922, Halit Lleshi e Salih Ohri, po ashtu thuhet: “Nga shkaku i shkatërrimit të Kongresit shenjtë Lushnjës e kështu si [n]gjanë pa marrëveshje në mes të Parlamentit edhe Këshillit të Naltë edhe Kabinetit, prefektura e Shkodrës, e Kosovës, e Dibrës edhe gjithë Malsijat, edhe Kruja, Kavaja, Peqini, Shijaku edhe në Toskëni shumë vise kan[ë] lidhun besë për me zbritë e[dhe] në Elbasan, për me u pjekë me parësinë e Shqipënis ene për me ba mbledhjen e përgjithshme, që të sigurohet interesi edhe nderi i Atdheut edhe popullit shqiptar.” [AQSH, F. 158, V.1922, D. 92, f. 2-2.1: Thirrja e Halit Lleshit dhe Sali Ohrit, mё 2 mars 1922, drejtuar banorëve të Zdrajshit në Çermenikë]
Nga ana tjetёr, komandanti i xhandarmërisë i qarkut të Dibrës, kapiten Abedin Gora, nё telegramin dërguar Komandës sё Përgjithshme të Xhandarmërisë, Tiranё, mё 23 shkurt 1922, i shkroi: “Po marrim vesht se Bajram Curri ashtë tue përgatit nji fuqi, Elez Isufi i ndihmon me propagandat që ban në këto anë. Halit Lleshi ka dalë në Luznie dhe kërkon me shkrue gjindarmë...Qëllimi i të naltpërmendunve asht për nji asamble.” Pefekti i Drinit, Salih Vuciterni, nё njoftimin pёr ministrin e Punёve tё Brendshme, Ahmet Zogu, mё 26 shkurt 1922, shkroi: “Kundërshtarët kanë vendosë që të nisen për Tiranë, ku do të kërkojnë asamble. Mbas fjalës së tyne, kryengritja do të bahet këto dy-tri ditë...” [AQSH, F. 152, V.1922, D. 9, f. 10: telegrame shifër tё kapiten A. Gorёs, dt. 23.2.1922; f. 14: tel. shifër i prefektit S. Vuçiterni, dt. 26. 2.1922]
Dokumentet e botuara, qysh 50 vjet mё parё, tregojnё qartё se Lёvizja e Marsit 1922 kёrkoi nga qeveria “Mbledhjen e Pёrgjithshme [Asambenё Kushtetuese]”, siç ishte miratuar nё kapitullin “Bazat e Kanunores sё Kёshillit tё Naltё”, Kongresi Kombёtar i Lushnjёs (21-31 janar 1920), ku thuhet se, nё rast mosmarrёveshjesh midis Kёshillit tё naltё dhe Senatit [Kёshillit Kombёtar], “Mbledhja Kombёtare e Pёrgjithshme e rrёzon Kёshillin e Naltё ose shpёrndan Senatin (Kёshillin Kombёtar). [Lufta e Popullit Shqiptar pёr Çlirim Kombёtar 1918-1920, vёll. II, Akademia e Shkencave e Shqipёrisё (Instituti i Historisё), Drejtoria e Pёrgjithshme e Arkivave tё Shtetit tё RPSH, 1976, dok. 50, f. 65: Bazat e Kanunores sё Kёshillit tё Naltё [Statuti i Lushnjёs].
Nё botimin Historia e Shtetit Shqiptar 1912-2005, vёllimi I (2006) pёrcaktohen edhe koha dhe rrethanat e vrasjes sё Ramiz Dacit: “Nё fund tё marsit 1922, ish-deputeti Ramiz Daci u kap rob nё Peshkopi nga forcat e xhandarmёrisё, kryesuar nga kapiten Shefqet Korça dhe u vra nё rrethana tё padёshirueshme nga qeveria.”[Kastriot Dervishi, Historia e Shtetit Shqiptar 1912 – 2005, vёllimi I, Tiranё: Sh.B. “55”2006, f. 163]. Nё botimin Historia e Dibrёs qё nga lashtёsia deri nё mars 1939 (2012), thuhet gjithashtu: “Disa ditё pas Lёvizjes sё Marsit, me porosinё e Zogut, togeri i xhandarmёrisё, Fiqri Dine, arrestoi nё Peshkopi Ramiz Dacin dhe ia dorёzoi Shefqet Korçёs, gjoja pёr ta pёrcjellё nё Tiranё, i cili pa kryer asnjё procedurё, e vrau barbarisht te Ura e Qytetit, pranё Valikardhёs (Bulqizё).” [Kristo Frashёri, Historia e Dibrёs qё nga lashtёsia deri nё mars 1939, Tiranё: Botimet M&B, 2012, f. 375-376]
Nё fund tё marsit 1922, kapiten Shefqet Korça nuk kishte se si tё kryesonte forcat e xhandarmёrisё nё Peshkopi; pasi, menjёherё pas shtypjes sё Lёvizjes sё Marsit 1922, mё 14 mars 1922, u zgjodh Kryetar i Gjyqit Ushtarak tё Shijakut, detyrё tё cilёn e kreu deri nё fillim tё majit 1922. [AQSH, F. 158, V.1922, D. 43, f. 3; gazeta “Dit’ e re”, V.I, Nr.7, Tiranё, dt. 5.5,1922]
E vёrteta mbi kapjen dhe pushkatimin e patriotit dhe deputetit demokrat Ramiz Daci, zё fill me njё telegram-shifёr tё sekretarit tё Shifrёs sё MPB, Haki Stёrmilli, dёrguar prefektit tё Drinit, Salih Vuçiternit, mё 11 shkurt 1922, me porosi pёr ta deshifruar vetёm ai: “Ju njoftohet se Komanda e Përgjithshme e Gjindarmërisë ka marrë urdhër nga Komisioni Hetues Parlamentar për burgimin e Ramiz Dacit, Salih Ohrit, Irfan Ohrit dhe Zija Dibrës. Prandaj jeni të lutun që t’i ndihmoni gjindarmërisë s’atjeshme për zanien e Ramiz Dacit dhe më atë çast që të zihet, të niset me roje të fortë për këtu.” [AQSH, F. 152, V.1922, D. 10.1, f. 1, telegram shifër, dt. 11.2.1922]
Komisioni i Hetimit Parlamentar, i ngritur me vendim tё Kёshillit Kombёtar, mё 4 janar 1922, kishte “të gjitha të drejtat e prokurorit të Procedurës Penale”, për “burgosjen e deputetëve e ministrave, për sa kohë ta shihte të nevojshme.” [https://bisedimet.parlament.al/dok./ V. II, 1922, Nr.2, mbledhja e 3-të, 4.1.1922, f. 40-42; mbledhja e 8-të, f. 75-76]
Nëntё ditё mё pas, mё 20 shkurt 1922, Komandanti i Përgjithshëm i Gjindarmërisë, major Meleq Frashëri, nё raportin dёrguar ministrit tё Punёve tё Brendshme dhe zёvendёsisht i Luftёs, Ahmet Zogu, ishkroi: “Komisioni Hetues Parlamentar me letër Nr. 32 Res., na ka dërgue katër copë letër-reshtimi për zz. Ramiz Daci, Zija Dibra, Irfan Ohri dhe Salih Ohri, për të cilët komisioni në fjalë, mbasi kishte këndue dhe marrë parasysh aktet e hetimeve, veprat e të naltpërmendunve ishin krim, tuj u themelue në Nenin 4 të ligjit për faje politike. Kjo komandë mori të gjitha masat për reshtimin e tyne tuj urdhnue qark komandat e përkatëshme, por ndonjë rezultat nuk na asht lajmërue edhe.” [AQSH, F. 152, V.1922, D. 10.1, f. 2: raport nr. 173 Prot. Res.,dt. 20.2.1922]
Neni 4 i ligjit për faje politike, i miratuar nё Parlament me shumicёn e kartonëve tё deputetёve tё grupimit “Partia Popullore” nё pushtet, kёrkonte nga anёtarёt e Komisionit Parlamentar të mblidhnin provat dhe veprat e dënueshme penale tё deputetёve tё pёrjashtuar nga Kёshilli Kombёtar dhe ministrave tё shkarkuar nga detyrat. Po çfarё krimi kishte kryer deputeti demokrat Ramiz Daci, qё kartonat e shumicёs sё deputetёve e kishin pёrjashtuar nga Kёshilli Kombёtar dhe Komisioni i Hetimit Parlamentar kishte urdhёruar arrestimin e tij nga xhandarmёria?
Ramiz Selim Daci kishte lindur në qytetin e Dibrës së Madhe, në vitin 1887, në trungun familjar të luftëtarit të shquar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Said Daci. Pas marrjes sё mёsimeve fillore dhe plotore nё qytetin e Dibrës së Madhe, ai kishte vazhduar shkollën “Mekteb-i Aşiret-i Hümayun” në Stamboll, e cila i pajiste studentёt me njohuri tё mёtejshme nё fushat e fesë myslimane, gjuhës turke dhe ushtrisё osmane. Pas mbarimit tё studimeve nё Stamboll (1902-1907), Ramiz Daci ishte dёrguar nё garnizonin osman tё Rekёs sё Dibrёs, me gradёn nёntoger (turq. Mülâzım-i sânîi). Me shpalljen e Hyrietit [Kushtetuta Osmane] nё vitin 1908, Ramizi nuk e vazhdoi mё tej karrierёn ushtarake, por iu pёrkushtua arsimit e kulturёs shqiptare. Si veprimtar i klubit shqiptar “Bashkimi” i qytetit të Dibrës së Madhe Ramiz Daci u zgjodh delegat pa të drejtë vote në Kongresin Kombëtar të Alfabetit të Gjuhës Shqipe, i mbajtur më 14-22 nëntor 2008 në qytetin e Manastirit. [Moisi Murra, Historia e Dibrës nga Antikiteti në Monarki, Tiranë: Botimet M&B, 2017, f. 637; Haki Stërmilli, Dibra në prak të historisë, Tiranë: Botimet M&B, 2023, f. 231]
Delegatёt e Dibrёs sё Madhe nё Kongresin e Manastirit kryesoheshin nga myftiu Haxhi Vehbi Agolli (Dibra), i cili në vitin 1909 u zgjodh kryetar i Kongresit tё Dibrёs, ndёrsa mё 28 Nёntor 1912 pёrfaqёsoi popullin e Dibrёs sё Madhe dhe firmosi Deklaratёn e Shpalljes sё Pavarёsisё sё Shqipёrisё nga Perandoria Osmane. Gjatё gjithё kohёs sё shёrbimit si Kryetar i Pleqësisë së Kuvendit Kombëtar të Shqipërisë dhe si Myfti i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman Shqiptar, haxhi Vehbi Agolli (Dibra) pati si shoqёrues besnik intelektualin Ramiz Daci. Nё krah tё njeri-tjetrit, Vehbi Agolli dhe Ramiz Daci përjetuan tragjedinë e aneksimit me forcёn e armёve nga mbretëria shoviniste e Serbisë të mjaft trojeve shqiptare, ndёr to edhe tё vendlindjes dhe fushës së luftës sё tyre, Dibrës së Madhe.
Gjatё viteve tё Luftёs sё Parё Botёrore, Ramiz Daci demaskoi gjenocidin e autoriteteve ushtarake e civile serbe mbi popullsinë dibrane dhe ndihmoi për strehimin, punësimin dhe shkollimin e qindra familjeve refugjate dibrane nё brendёsi të Shqipërisё. Në vitin 1920, Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Dibrës” e delegoi patriotin demokrat Ramiz Daci si përfaqësues të shehrit tё Dibrës sё Madhe në Kongresin Kombëtar të Lushnjës, ku u zgjodh anёtar i Senatit [Këshillit Kombëtar]. Nё zbatim tё vendimeve tё Kongresit Kombёtar tё Lushnjёs, populli kryengritёs i Vlorёs dhe vullnetarёt e armatosur nga krahina tё tjera tё vendit arritёn ta detyrojnё qeverinё e mbretёris sё Italisё tё nёnshkruante, mё 2 gusht 1920, protokollin e njohjes sё sovranitetit tё Vlorёs dhe tёrёsisё tokёsore tё Shqipёrisё brenda kufijve tё caktuar nё Konferencёn e Ambasadorёve nё Londёr, mё 1913. Fitorja e vlonjatёve u pёrshёndet edhe nga 3000 patriotё dibranё tё mbledhur nё sheshin e xhamisё sё fshatit Arras, mё 7 gusht 1920. Sipas dokumenteve dhe dёshmitarёve nё miting, senatori Ramiz Daci pёrshёndeti nё emёr tё prefektit dhe autoriteteve shtetёrore me “nji fjalim tё gjatё e tё pёlqyeshёm, ku deklaroi fjalёt lapidare:
“Kanё luftuar tё parёt tonё e na i kanё lanё t’i gёzojmё kёto troje. Sot qё na i ka pushtue serbi do tё luftojmё ne qё t’i gёzojnё fёmijёt tonё; do luftojmё o burra, se na ka ardhё radha!” [Lufta e popullit shqiptar pёr çlirim kombёtar 1918-1920, (pёrmbledhje dokumentesh), Akademia e Shkencave (Instituti i Historisё), Drejtoria e Pёrgjithshme e Arkivave tё Shtetit Shqiptar, Tiranё, 1976, dok. 387, f. 438-439; Moisi Murra, Historia e Dibrës..., f. 501]
Mё 13 gusht 1920, senatori Ramiz Daci dhe prefekti i Drinit, Ramiz bej Çoku (Dibra) thirrёn nё Arras kuvendin e krerёve tё Dibrёs, nga i cili u zgjodh “Komiteti Mbrojtja Kombёtare e Dibrёs”, me komandant strategun popullor Elez Isufi. Nё kuadёr tё luftёs çlirimtare tё Dibrёs, vetё Ramiz Daci udhёhoqi nё luftime rreth 400 luftёtarё nё sektorin e Arrasit. Pas luftimesh të përgjakshme, më 17 gusht 1920, kryengritësit dibranë çliruan Peshkopinë dhe e detyruan ushtrinë jugosllave të tërhiqej në kufirin e shtetit shqiptar, tё vitit 1913. Por mbrojtja e mёtejshme e territorit kishte nevojё pёr ndihmёn e qeverisё kombёtare tё Tiranёs. Pёr kёtё arsye, prefekti i Dibrës, nënkolonel Ramiz Dibra, zbriti në Tiranë për t’i kërkuar Kryeministrit Sulejman bej Delvina ndihma ushtarake e logjistike, ndërsa senatori Ramiz Daci i dërgoi nga fronti ministrit tё Punёve tё Brendshme, Ahmet Zogu, njё letёr me kёrkesa konkrete tё tij. Por qeveritarёt e Tiranёs, ndryshe nga mbёshtetja ushtarake e logjistike e Luftёs Çlirimtare tё Vlorёs, pёr Dibrёn u mjaftuan vetёm me 220 ushtarё tё komanduar nga toger Shefki Shatku, qё nuk u futёn mё nё luftime, ndёrkohё kur 40 batalione tё ushtrisё jugosllave e thyen qëndresën e dëshpëruar tё luftёtarёve dibranё. Ripushtimi i Dibrës sё Poshtme u shoqёrua me shkatërrime, plaçkitje, djegie tё dhjetëra fshatrave dhe masakrimin e qindra burrave e grave, pleqve e deri te fёmijёt e djepeve. [Ismail Strazimiri, Lufta kundёr pavarёsimit tё Shqipёrisё, kujtime, Tiranё: “Naimi”, 2010, f. 106-107; M. Murra, Historia e Dibrës..., f. 521-529]
Krahas demaskimit tё gjenocidit tё ri jugosllav tё popullsisё shqiptare nga tribuna e Kёshillit Kombёtar, senatori Ramiz Daci iu ndodh pёrsёi pranё familjeve dibrane qё zbritёn nё qytetet e Shqipёrisё sё Mesme. Ndonёse Dibra ishte e okupuar nga ushtria jugosllave, nё zgjedhjet parlmentare tё vitit 1921, Ramiz Daci u kooptua deputet nё Parlamentin e Shqipёrisё dhe u rreshtua nё grupimin parlamentar “Partia Pёrparimtare”. Ai pёrkrahu nismёn e grupimit parlamentar “Bashkimi i Shenjtё” pёr krijimin e njё qeverie koalicioni nёn kryesinё e politikanit Pandeli Evangjeli, pёr t’i bёrё ballё rebelimit separatist tё kapedanit tё Mirditёs, Marka Gjonit, dhe intervencionit tё ushtrisё jugosllave nё Shqipёrinё e Veriut. Siç dihet, qeveria jugosllave, e gjendur pёrballё kundёrshtimit tё fortё e tё prerё tё Qeverisё Mbretёrore Britanike dhe Lidhjes sё Kombeve, filloi tёrheqjen e trupave tё saj tё intervencionit nga territori shqiptar. Pikёrisht nё kёtё kohё, qeveria e “Bashkimit tё Shenjtё” u pёrça nga mosmarrёveshjet e brendshme dhe Pandeli Evangjeli, i mbetur vetёm me dy ministra de fakto e de jure nuk mund ta qeveriste mё tej vendin.
Kur Evangjeli nuk iu bind dekretit tё Kёshillit tё Naltё pёr t’ia dorёzuar detyrёn kryeministrit tё emёruar prej tij, Ramiz Daci u bashkua me grupin e deputetёve qё i shkuan nё dhomёn e fjetjes nё hotel “Internacional” dhe i kёrkuan tё jepte dorёheqjen. Deputeti Ramiz Daci ishte i ndërgjegjshëm se, në konfliktin midis Këshillit të Naltë dhe Kёshillit tё Ministrave kishte ndërhyrë për të shmangur gjakderdhjen dhe jo për tё kryer “Grusht Shteti” (Coup d’Etat), siç e interpretonte grupimi “Partia Popullore” në Parlament. Vetë Pandeli Evangjeli, kur u pyet në mbledhjen e Parlamentit, më 22 dhjetor 1921, nga anëtari i Komisionit Hetues Parlamentar, Mehdi Frashëri, dёshmoi:
“Në fjalimin që patëm me zotërinjtë e tyre në orën e fundit më thanë se, për interesat e atdheut u lutemi të jepni dorëheqjen, se populli është eksituar dhe mundet të derdhet gjak. Atëherë u thashë për hatrin t’em për dëm të Shqipërisë nuk dua të derdhet gjak shqiptari dhe dhashë dorëheqjen.” [https://bisedimet.parlament.al/documents/nr.38, dt. 22.12.1921, f. 819]
Megjithatё, Këshilli Kombëtar, i mbledhur në kushtet e rrethimit të xhandarmërisë, ushtrisë e civilëve të armatosur të Ahmet Zogut, më 22 dhjetor 1921, ua hoqi mandatet 10 deputetëve të prefekturës së Drinit, ndёr ta edhe Ramiz Dacit. Nё protestёn e dorёzuar nё kryesinё e Kёshillit Kombёtar, pёrkrah deputetёve Hasan Prishtina, Hoxha Kadriu e Gani Strazimiri, Ramiz Daci deklaroi:
“Tue mos pasë asnjë lajm zyrtar prej qeverisë dhe asnjë protokoll për dorëzimin e viseve të shkeluna prej ushtrive serbe, me shti në bisedim çashtjen e deputetëve të Drinit asht një shkelje e randë e ligjës dhe e të drejtave të popullit të prefekturës së Drinit. Neni i 7-të i ligjës për zgjedhjet e deputetëve të Drinit tue qene se përmban fjalët: “Mbasi të lirohet prefektura e Drinit nga Serbia, deputetët e kësaj prefekture janë të detyruar me ia njoftue vedin popullit që nuk pat marrë pjesë në zgjedhjet dhe në qoftë se vërtetohen, të zgjedhunit e tyre quhet i mbaruem; përkundrazi kanë me u ba zgjedhje të reja... Pra Parlamenti ka kalue edhe në këtë mënyrë kompetencën e vet dhe ka shkelë nenin e sipërshënuem dhe të drejtat e popullit… Mbas këtyre arsyeve, shkelja e ligjës edhe Statutit [të Lushnjës] duken qartazi, prandaj vendimin e Parlamentit e protestojmë rreptësisht dhe e numërojmë si të paqenë!”[ AQSH, F. 146, V.1921, D.2, f. 309-310; DPASH, Hasan Prishtina, Dokumente përgatitur nga K. Nuro dhe N. Bata, Tiranë, 1983, dok. 81, V.1921, f. 122-125: Pjesët III e IV të protestës së deputetëve të Drinit: Hasan Prishtina, Hoxha Kadri, Ramiz Daci e Gani Strazimiri]
Pavarёsisht nga mospërfillja e protestës së tyre nga parlamenti dhe qeveria e re e kryeministrit Xhafer Ypi me ministёr tё Punёve tё Brendshme, Ahmet Zogun, deputeti demokrat Ramiz Daci u kthye në gjirin e familjes në Maqellarë pёr t’u pёrgatitur për fushatёn e re elektorale. Emri i tij nuk pёrmendet nё asnjё dokument zyrtar tё prefekturёs sё Drinit apo tё Elbasanit pёr ndonjё veprimtari antiligjore. Nё raportin e dёrguar nё MPB, mё 30 janar 1922, prefekti i Drinit, Salih Vuciterni informoi: “Dan Cami me të vërtetë bashkë me kapiten Salih Ohrin ka ba disa propaganda të këqija, por mbas ndjekjeve që bani fuqia qeveritare në atë krahinë, kapiten Salih Ohri bashkë me disa shokë u largue e, sado që nuk dihet me të saktë se ku gjendet, mbas hetimeve kuptohet se asht në Martanesh.” [AQSH, F. 152, V.1922, D. 9.1, f. 10, raport datë 30.1.1922]
Mё 31 janar 1922, prefekti i Elbasanit njoftoi gjithashtu: “Mbas shkresës së nënprefekturës së Qukësit, datë 30 janar 1922, merret vesh se Dan Cani [Cami], Taf Kaziu, Elez Isufi, Halit Lleshi e Salih Ohri janë tue ba nji mbledhje e tue shkrue gjindarmë në viset e nënprefekturës së Zerqanit, Homesh, me qëllim formimin e një qeverie tjetër...” [AQSH, F. 158, V.1922, D. 14, f.12: raport dt. 31.1.1922]
Emri i Ramiz Dacit nuk figuron as nё dy raportet e e komandantit tё xhandarmërisë së prefekturёs sё Drinit, kapiten Abedin Gorës, dёrguar nё Komandёn e Përgjithshme e Xhandarmërisë në Tiranë, mё 23 dhe 26 shkurt 1922, ku njoftoi se Bajram Curri, Elez Isufi dhe Halit Lleshi po përgatisnin trupa me qëllim “për nji asamble”. Po ashtu, emri i tij nuk pёrmendet as nё informacionein e prefektit tё Dibrёs, Salih Vuçiterni, dёrguar MPB, mё 26 shkurt 1922, ku thuhet: “Sot Elez Isufi me 20 vetë ka marrё rrugën për nё Kalisё ose në Reç;” e as nё informacionin e Abdurrahman Matit, po mё 26 shkurt 1922, ku thuhej: “Lajmërohemi nga krahinaria e Grykës se Halit Lleshi me nji fuqi prej 40 vetësh sot gjindet në katundin Luzni, ku ka fillue me shkrue gjandarm tuej pague në dorë 80 franga ari rrogë...” [AQSH, F. 152, V.1922, D. 9, f. 10: tel. i kapitenit Abedin Gora, dt. 23 dhe 26.2.1922; tel. i prefektit Salih Vuçiterni, dt. 26.2.1922 dhe i Abdurrahman Matit, D. 9.1, f.26, dt. 26 .2.1922]
Emri i patriotit dhe deputetit demokrat Ramiz Daci pёrmendet vetёm nё njoftimin e rrethkomandantit tё xhandarmërisë së Dibrёs, toger Fiqri Dines, dёrguar Komandës sё Përgjithshme të Xhandarmërisë, Tiranë, mё 28 shkurt 1922, ku shkroi: “Ramiz Dacin e zumë dhe tashti po e nisim për Tiranë.” Pas deshifrimit, mё 1 mars 1922, Komandanti i Përgjithshëm i Xhandarmërisë, major Meleq Frashëri, ia përcolli telegramin ministrit tё Punëve të Brendshme, Ahmet Zogu, me njё poshtshёnim: “Për dije i paraqitet asaj ministrie kopja e telegramit marrë nga rrethkomanda e Dibrës. Tiranë 1-III-922” [AQSH, F. 152, V.1922, D. 10.1, f. 3: raport nr. 285 Res., dt. 1.3.1922]
Pas kёtij telegrami, fondet e Arkivit Qendror tё Shtetit nё Tiranё heshtin. Mbi fatin e mёtejshёm tё luftёtarit tё lirisё, pavarёsisё, demokracisё dhe tёrёsisё tokёsore tё Shqipёrisё, deputetit demokrat Ramiz Daci flasin vetёm kujtimet e bashkёkohёsve. Patrioti demokrat dibran Ismail Strazimiri, nё kujtimet e tij dёshmon: “Shumë njerëz të arrestuem që përcilleshin për Tiranë vriteshin rrugës tue pretendue se dojshin me u arratis. Për shembull, ish-deputeti i Dibrës, Ramiz Daci i ngratë, vetëm se ishte kundërshtar i Ahmet Zogut e i partisë së tij, u vra prej gjindarmërisë në fushë të hapët, ke Ura e Gjytetit, në kufi të Grykës së Madhe në Bulqizë. Kufoma e Ramizit të pafajshëm, kundër zakonit shqiptar dhe kundër njerëzimit dhe qytetnimit, u çvesh dhe ditë me radhë u la në rrugë të madhe.” [Ismail Strazimiri, Lufta kundër pavarësimit të Shqipërisë , Tiranё: “Naimi”, 2010, f.145-146]
Natёn e parё tё arrestimit, kriminelёt e pabesё e mbajtёn deputetin Ramiz Daci duarlidhur nё njё shtёpi tё Homeshit; natёn e dytё, nё kundёrshtim flagrant me urdhrat e Komisionit Hetimor Parlamentar dhe Komandёs sё Pёrgjithshme tё Xhandarmёrisё nё Tiranё, e vranё me dy plumba pas shpine, pranё Urёs sё Xhitetit tё Valikardhёs. Vrasёsit e patriotit dhe deputetetit demokrat, Ramiz Daci, u pёrpoqёn qё viktimёs sё tyre tё mos i gjendej as varri, por dy vjet e gjysmё mё pas, rinia demokratike dibrane e zhvarrosi kufomёn e birit tё Dibrёs sё Madhe me ceremoni. Kronika e ngjarjes u pasqyrua nё dy numra tё gazetёs demokratike “Ora e Maleve”, prej ku janё shkёputur fragmentet e mёposhtme:
Ditёn e enjte, 23 të tetorit 1924, ora 10 para dreke ushtoi tregu i Peshkopisё nga nji uturimë vajtimi. Populli i ndodhur në treg u ngrit në këmbë dhe i drejtoi sytë andej nga buroi kjo ulërimë; ç’ka me pa?... Një tufë djelm si ushtarët e rregulluar, nxënësit e Internatit “Dibra” me shenja zie në krah dhe me një flamur madhështor përpara... krejt i zi përmbante këto fjalë të bardha: Therorit të Dibrës! “Qysh se humbi Ramiz Daci, kepa, male e djelmni, vajtojnë e mbajnë zi.” Këto fjalë të shkruara me lotët e Djelmnisë Dibrane kallёzojnë vetvetiu se tufa e djemve në fjalë po shkojnë për në qytet të Bulqizës, për me ngrit të ndjemin nga vendi ku ra viktimë e me e qetësue... afër shtëpisë së vet, që ka pasë në katundin Maqellarë.
Ditёn e Premte 25 tetor 1924, u çel vorri i nxim dhe u gjet shtati i therorit, ashtu si kur me qenë i gjallë, pa u prish aspak. Me këtë therori dëshmoi se ishte gjallë dhe u vërtetua fjala që flitet se dëshmorët nuk vdesin kurrë. Shvorrimi i Ramiz Dacit përtёrini mallëngjimin e djelmnisë dhe popullit të Dibrёs. Cila zemër guri duron pa u mallëngjye e pa u tmerrue? Asht vra Ramiz Daci pse kërkonte lirinë e popullit, asht vra pse u thoshte shqiptarëve të bahen patriot; të mos lidhen mbas personave, por mbas idealit; u vra Ramiz Daci prej shqiptarëve! Kur u zhvorrue Ramiz Daci u mëshef edhe Dielli nga frika se mos pyeste ndonjani se kush e vrau Ramiz Dacin, e i vinte turp me kallzue qi e vrau qeveria, pema e idealit të tij…
Ditёn e hёnё, 27 tetor 1924, ora 9 para dreke filloi ceremonia funerale...Vllaznia Daci e pruni trupin e martirit mbi vorrin e përgatitun, rreth e qark të cilit zunë vend nxanësit e Internatit “Dibra”, dhe ato të shkollës së Maqellarës. Mbas këtyre, nё veri... zunë vend përfaqësuesit e bashkive dhe të qyteteve të ndryshme të Shqipnisë e miqtë personalё të të ndjerit. Në jug të këtij rrethi u mbështetën populli i Malësisë. Në lindje fisi Daci dhe një detashman ushatarësh dhe në perëndim “Djelmnia Dibrane” e gjithë nëpunësit e vendit. Ndёr oratorёt e shumtё, intelektuali shkodran Lazër Shantoja deklaroi:
“Kjani, o malet e Shqipnis! Kjani, sidomos, ju o malet e Dibrës! Kjani! Ta vranë, o Malci, djalin t’and; t’a vranë Ramiz Dacin, përfaqësojsin t’and o popull i Dibrës! E ta vranë si t’ishte kenë nji katil; t’a vranë në rrugë të madhe, si t’ ishte kene nji egërsinë mali, e, ç’ka asht ma zi, ta vranë xhandarët e qeverisë shqiptare... Por fshini lotë, ju urdhnon Ramiz Daci... Ramiz Daci me gjakun e tij ju premton sot se tirant, të gjithë tirant e popullit shqiptar do t’humbin... Asht ma kollaj qi tirant të na grabisin jetën, se të na zhgulin principet, përse janë principe qi s’zhgulen me kobure...”[ Gazeta “Ora e Maleve”, V.II, Nr. 46-47, dt. 15 dhe 22.11.1924,f. 4]
Pas shtypjes sё Revolucionit Demokratik tё Qershorit 1924 nga trupar zogiste, jugosllave e bjellogardiste, vrasёsit e vёrtetё tё patriotit dhe deputeti demokrat Ramiz Daci pёrhapёn fjalё se gjoja krimin e tyre e kishte kryer kapiteni demokrat i arratisur Shefqet Korça, i cili nё fillim tё marsit 1922, ishte nisur drejt Zerqanit me njё batalion ushtarёsh dhe disa vullnetarё tё Matit pёr t’i prerё rrugёn 1000 trupave tё komanduar nga Halit Lleshi dhe Salih Ohri, nёse ndiqnin intinerarin Zonё Neutrale-Zerqan-Priskё-Tiranё. Kur Shefqet Korça u informua se Halit Lleshi e Salih Ohri ishin bllokuar nga forcat qeveritare tё Elbasanit nё Çermenikё, kishte nxituar t’u priste krahёt nё tёrheqje. [S. Vllamasi, Ballafaqime Politike nё Shqipёri, f. 273-274]
Kapiteni demokrat nuk do të guxonte kurrё të thyente urdhrin e Komisionit tё Hetimit Parlamentar dhe Komandës së Përgjithshme të Xhandarmërisë, duke vrarë pas shpine senatorin dhe deputetin e Dibrës, patriotin demokrat Ramiz Daci. Ish-shefi i Shifrёs së MPB, syri dhe veshi i ministrit tё Punёve tё Brendshme nё atё kohё, Ahmet Zogut, intelektualo dibran Haki Stërmilli, në shënimet e tij historike dëshmon:
“[Ramiz Daci] më 1922 u burgos në Peshkopi dhe, tue u sjellë në Tiranë, u vra ke Ura e Qytetit të Skënderbeut prej mercenarëve t’Ahmet Zogut, i cili e kishte anmik politik dhe asokohe ishte ministër i Punëve të Brendshme.” [Haki Stërmilli, Dibra në prak të historisë, Tiranё: Botimet M&B, 2020, f. 231]
Ish-drejtuesi i grupimit parlamentar “Partia Popullore” dhe bashkëpunëtor i ngushtë politik i Ahmet Zogut në atë kohë, Sejfi Vllamasi, dëshmon:
“Në Peshkopi arrestohet Ramiz Daci prej Fiqiri Dines, qarkkomandant i xhandarmërisë në Dibër, dhe i dërgohet Shaqir Demës, krahinar në Homesh, i cili ia dorëzon Hysni Demës, rrethkomandant në Zerqan. Ramiz Daci me porosinë e Ahmet Zogut pushkatohet nga Hysni Dema te ura e qytetit të Bulqizës.”[Sejfi Vllamasi, Ballafaqime politike nё Shqipёri 1897-1942, botim i dytё, Tiranё: Neraida, f.271]
Luftёtari dhe komandanti antifashist dibran, Haxhi Lleshi, nё kujtimet e tij pёrcjell jehonёn e dёshmive tё banorёve tё vendlindjes sё tij:
“Ahmet Zogu nga natyra ishte intrigant dhe i pabesё dhe pёr interest e veta nuk ndalej pёrpara asnjё mjeti, as pёrpara vrasjes. Ai burgosi atdhetarё tё njohur... si Zija Dibrёn, Sali Ohrin e Ramiz Dacin, tё cilin e vrau pas shpine nё bashkёpunim me Fiqri Dinen e Hysni Demёn.” [Haxhi Lleshi, Vite, njerёz, ngjarje, kujtime, Tiranё: “Dituria”, 1996, f. 14]
Kujtimi i Ramiz Dacit, kёtij luftёtari me pushkё e penё pёr lirinё, pavarёsinё, demokracinё dhe tёrёsinё tokёsore tё Shqipёrisё u ruajt i freskёt nё mendjen dhe zemrёn e popullit shqiptar:
Mё 25 nëntor 1978, Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor të rrethit të Dibrës, me Vendimin Nr. 72, i akordoi Martirit tё Demokracisё, Ramiz Daci, titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut”.
Mё 28 nëntor 1988, Eshtrat e patriotit demokrat Ramiz Daci u rivarrosën me ceremoni shtetërore në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut në qytetin e Peshkopisë.
Mё 23 mars 2022, Këshilli i Bashkisë së qytetit të Bulqizës, me propozim të Lidhjes së Intelektualëve të Dibrës, miratoi unanimisht Vendimin Nr. 315, duke e shpallur Martirin e Demokracisë, Ramiz Daci: “Qytetar Nderi i Bulqizës”. Në vendin e rënies “Dëshmor i Atdheut”, populli i ka ngritur një lapidar me emrin e tij.








Comments