Triremës poetike

Triremës poetike
Poemë nga Fatmir Terziu
Tani edhe plepi i fundit u zhvesh. Stërkalat
me guralecët tullacë kanë nisur flirtin,
gjithçka është e dremitur,
bash si gremisja e stërkalave,
kur fabrikojnë timbrin,
tulatur poshtë grahmave të tokës,
që të joshin dimrin.
Gaja, i bën thirrjen e saj dheut,
e dëgjon vajin e kohës,
muzikë e çuditshme e panjohur,
edhe për vetë Eretheun.
Kronosi ndërmori detyrën,
Uranin e la të gjymtuar,
dhe pika e gjakut që ra prej tij mes nesh,
u bë fara e Erinies dhe Gjigantes,
që miti i hershëm të mësynte edhe sot,
huazoi kalin dhe gomarin prej zotit Servantes.
Për ata që s’e lexojnë vajin e dheut,
as timbrin e rotacionit të stinës në breg,
është shtysë jete, një pufkë e Sanços,
lëvizje, dashuri, urrejtje dhe vdekje,
nën ritmin e lirikave të Safos,
stërkalat që e ndjejnë i paralizon,
e dëgjojnë vajin e detit,
e sall trishtimi qarkullon
nëpër damarët e ngrira të poetit.
Aroma e mendjes sime nderet mbi një fije bari,
skaj trëndafilit të përtharë në Lëkurës,
mbi epitafe të shkulura malli,
përthyhen rreze të çuditshme të Nëntorit ngucës,
një mjelmë tek kthehet nga laguna e lagur,
glason mbi fijen e barit.
Aty e kuptova mes vetes tinëz,
edhe mjelma e kuptoi rotacionin e stinës.
2.
Dikush ngutet të fshijë vajin nga guri
Gryka që fryn është shumë e trashë mbi kockë
Gomë rezervë.
Gomë.
Por çka nëse ecet me katër rrota...
me tërheqje të mjaftueshme për të konkurruar.
Kanë përshkuar terrene që mund të shkërmoqen
një fushë me sorra.
Përrenjtë e avionëve dhe rrezet e hënës të çojnë në shtëpi.
Akllapi dhe ninullë rozë për të trashur shkëlqimin e ditës.
Nuk ka nevojë për më shumë humbje
kur yndyra në gurin e grirë siguron sasinë e përsosur të mprehjes.
Njëqind e njëmbëdhjetë tehe vezulluese mbi kurorën poetike.
Çdo strukturë e përthyer...
e qëndisur.
Vargjet e shumta përkulen.
Lëshojnë lubrifikimin ndërsa krahët e pulëbardhave janë ri-kthyer.
3.
Të pashë duke kaluar velin e pushtë të Jonit.
Pika shiu që tundin gëzofin në vendngjarje,
si një mbret,
statuja duke u mbështetur
dhe duke më bërë shenjë në magjinë tuaj.
Vite të gërvishtura nga një llogari,
Ti je një shtyllë kripe dhe unë po avulloj,
ne nuk flasim.
Ne këndojmë.
Çfarë epifanie.
Pastaj asgjë.
Deri në Ninat.
Gjithçka që konsumon përgjumje.
Poezia vendos kokën mbi gjoks me inat.
Këmbët e ndërthurura në lindjen e diellit me „Krahun e Shqiponjës“.
Puthja e kornizës së erës në faqe
Kjo është gjithçka.
U preftë e gjitha në paqe.
4.
Të gjithë dhe pas tyre dhe unë
mekim bukenvilet
teksa dobësohen kur kanë shumë ujë
kur objektet godasin murin
kur na pikon raki Piluri nga mjekra.
Një duzinë ose më shumë në këmbë
kokën kundër buzës së lagur
lëkura e shkrirjes së shiut
tek vargu.
5.
Rrëshqet mendimi i dehur në sfilatën e Butrintit
vizionet e Gideonit
kafshojnë biblikisht penat e poetëve
ndërsa iknin e vinin.
Ky është misteri
i dashurisë poetike
një melodi më vete mes mitit dhe bukurisë.
Emri i poezisë në
fytin e zbuluar më tutje
një pajisje e qetë për mozaikun.
Në ripërtëritje dhe zhdukje.
6.
“Lotët janë fjalë që duhen shkruar”,
ose kështu tha Ai
Zoti i poezisë së Triremës
ishte një mik mendjendritur.
Lëreni pikëllimin tuaj të grumbullohet
plagët e hapura le të mbesin në vargun e tij
nga stigmat e kohës së mykur
Ai shpalli humorin, mendimin e ndritur
qetësinë,
iku krejt papritur.
Çfarë kishte mbetur
nuk ishte asgjë më shumë
se sa një e holluar mes magjive,
„Fundosje“
„Pluhur i artë i përjetësive.
Megjithatë ai qëndroi.
Disa dekada të tjera frike.
Dhe ndërsa jo më miq
Unë përpiqem të korrigjoj
duke kujtuar lotët e mi në këtë kaos
për të prodhuar pak bojë për historinë
nga vitet e dedikuara vetëm Agim Matos.
7.
Deti po mardhet
i ftohur
era nga
dritarja e gjysëmhapur
është e freskët
ndërsa dridhen
përgjatë mendimit tim
qerpikët
pastaj
buza ime.
Kjo valle boreale
më zgjon
çdo mëngjes
deri në fillimin e ri të Triremës.
Si ai që urren
djersën e verës
këto mëngjese të shpejta
janë gjithçkaja ime.
Dhe kur vjen dimri
krisja e vejushës
ngushtohet,
por nuk mbyllet kurrë.
Kam mall për ajrin e ngrirë
lulëzon diçka
tek unë
si njëmbëdhjetë duzina
Trëndafila të freskët,
i shkul në Londër dhe i shpie andej nga Muzina
ëndërrave të mia qysh herët…
Sarandë, Tetor 2013-Nëntor 2022








Iliriana Sulkuqi
Na e bëre këtë mesnatë( se ketu Sapo kaloi mesnata) të drithërohet nga vargjet, Kujtesa për mikun e heshtur përtej ikjes, AGIM MATON dhe me këtë foto kaq të bukur e simbolike… Sa kujtime të bukura në ato ditë joniane, FATMIR , o xhan! Faleminderit dhe suksese! Mirutakofshim!
Timo Merkuri
Sigurisht që Fatmir Terziu është poeti sarandit i lindur në Elbasan dhe banues në Londër. Vetëm kështu shpjegohet frymëzimi i tij jonian sarandiot. Faleminderit për tani, por do flasim përsëri për këtë temë e këtë poezi.
Bardhyl Maliqi
Falënderime Fatmir!
Xhavit Gasa: Urime mik i nderuar Dr Fatmir Terziu!
Përparim Hysi
FATMIR,or mik i mirë! Të të ndrijë sa pena,aq edhe shpirti! Kjopoemë është si balsam për shçirtërta e plagosur!Veç gëzime për ty,or mik i dashur!