top of page

Tre motive nga Italia


Albert HABAZAJ


Tre motive nga Italia


1. U TAKOVA ME KRISHTIN NË L’AQUILA


Ia kushtoj dr. Fernando Zecca, mjekut më të mirë që kam njohur në këtë botë!


Nuk isha maratonomaku antik që rendte

Mesazhin e fitores në qytet për të çuar,

Dyzet kilometra në këmbë, me hap e vrap

Gojën nga kthetrat e dhembjes për të shpëtuar.


Më kishte humbur Zoti,

e ndjeva.

Më kishte humbur heroi.

e pashë.

Më kishte humbur njeriu,

e takova

në në qytet pak provincial.


Nëpër mjegullën e mosnjohjes trokita drojtur...

O Zot! Gjeta një mik në zemër të Italisë,

Asnjëherë nuk ishim parë, po tek unë

Zuri vend midis shenjtërisë dhe poezisë.


Me diamante loti

te dera,

Ngashërim prej mirënjohjes

që s’rashë,

Jezusi më tha: Ngrehu!

Fluturova

Nga humanizmi i tij vital.


L’Aquila, e martë, 09.02.1999


2. GAVROSHI I ITALISË


Tre vjeç më i vogël ishte se Gavroshi i Hygoit

Tre vjeç, vetëm tre vjeç më i madh se djali im i madh,

Aty qeshte kot më kot, aty kot qante njomështori

Në moshë të shkollës s’njohte as Kopernik, as Ajnshtajn.


Qeshte se kushedi në ç’ëndërr lundronte ditëziu

Qante ngaqë supet e brishta, si degët e bushit

Nuk mund t’ia mbanin dot peshat e rënda, kërthiut

Këputej në mes si pras e keq s’i vinte kurrkushit.


Po endej rrugëve një zemër e trishtuar, e zbrazët,

Pa qenë rrugaç, flakur moçalit të përbuzjes,

I braktisur dhe nga prindërit - akuj të Alaskës

Harabeli i çoroditur, filiz i mospëruljes.


I flisnin Luixhi; mustaqe akoma padirsur

I shkreti çunak, rron në mëshirë të dikujt tjetri,

E habitshme. As fis, as gjak, as farë me të s’më lidhte

Përse dy lot në faqe më ngrinë si dy kokrra breshër?!


L’Aquila, 13.03.1999


3. MANOVALI[1]


Hamalli i ndërtimit quhet manoval

Më keq se hamalli i portit dikur,

Dhe sikur shpirti në punë t’i dalë

Padroni i tij nuk ndjen ngopje kurrë.


I shkulen shpatullat manovalit si Sizifi

Nga agu i mëngjesit në muzg të darkës,

Bën pallate luksoze, tek Italinë ringriti,

Ende s’e di topografinë e L’Aquilës...


Në dërstilë djerse kthehet rrënjëdali

Se puna s’është ... si të shkulësh leshin,

Apo barin tej në parcelë, se pastaj

Punë... kur të shohësh majën e veshit...


Për gjashtëdhjetë e pesë mijë lira në ditë

Shet krahët, se mendja e tij nuk i duhet kujt,

Sikur është vagon i trenit të mallrave

Me çlodhje s’ka e s’ka qetësi, vetëm për bukë!...


Cansatessa, Itali, 28.12.1998

[1] ) manovale (it.) - punëtor krahu, përdorues

108 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page