T R A R I
Tregim nga Kozma Gjergji
Teksa kërkoj në bibliotekën time librin që më duhet, dora më kapi një nga blloqet e dikurshëm të shënimeve. Habitem si ekzistoka e u gjendka këtu. E shfletoj me nostalgji të hidhur. Përplot me probleme, ankthe, strese të kohës pas prishjes me Kinën.
Përjetuam krizën më të egër. Na u bënë fytyrat si tolonat e racionimit e zumë të flisnim përçart. Për dreq ndodha drejtues. Mallkim e ndëshkim. Sa dëshiroja të dorëhiqesha, por s'guxoja se të damkosnin si kapitullant, dezertor, tradhtar… S'kishe nga t'ja mbaje. Roli qe përcaktuar sipas një ligji të pashkruar: Me ata lartë duhet të luaje zagarin, kurse këtu poshtë gjuetarin.
Ndjehesha keq, se më mungonte ai talent, prandaj dhe dënimet që më jepeshin s'më brengosnin, mbasi tek e fundit i meritoja. Të mahnisnin disa pelivan, të cilët dinin t'i luanin aq bukur e ia çonin mjaft mirë. Natyra e di pse i ka krijuar kështu kaq të ndryshme qëniet, si fjala vjen drerin nga luani, bletën nga grerëza, lepurin nga dhelpra… Në këtë botë secili ndjekë fatin e vet prej zvarraniku, miu, shqiponje a tigri.
Ajo kohë i ngjasonte një kamioni rrangallë, që gulçonte me shpirt ndër dhëmbë nga peshat e rënda të problemeve, defekteve, dështimeve, paçka se propaganda e paraqiste si trenin e shpejtësive të mëdha ngarkuar përplot me fitoret e sukseset e socializmit.
Nëpër fletët e bllokut si në kuadrot e një filmi më shfaqet vetja midis kolegësh të ndërmarrjeve të tjera. Gjithnjë në radhë me orë e ditë, si ato shishet bosh të qumështit e bidonat e vajgurit, për të tërhequr furnizimin nga Baza e Madhe Teknike. Nuk kish punë më të dhjer, sepse të duhej të përballoje njëkohësisht arrogancën e dhënësit dhe poshtërimin prej lypsari.
Vonesat e vazhdueshme dhe pakësimi në maksimum i furnizimit e ulën ndjeshëm plotësimin e planit dhe pagën e punonjësve. Pakënaqësia nisi të ngrejë zërin. Shpërthyen fletërrufetë si flakët e një zjarri stërmadh.
Organet partiake e pushtetare vepruan shpejt për zbutjen e gjëndjes. Vetë sekretari i parë i partisë së rrethit publikoi enkas në gazetën lokale një artikull të gjatë me porosinë që të lexohej e diskutohej dhe të ndërmerreshin nisma të reja revolucionare për mposhtjen dhe shpartallimin e bllokadës imperalisto-revizioniste. Synohej ngritja më lartë e mobilizimit dhe e një vullnetarizmi masiv që do t'u rrëmbente njerzëve edhe të dielat.
Mirëpo, ndryshe nga më parë, nuk funksionoi për shkak të një gabimi thjesht teknik e njerëzor. Në dy foto të gazetës qenë këmbyer diçiturat. Poshtë asaj ku fiksohej një çast nga stërvitja e skuadrës së futbollit të qytetit ishte vendosur e tjetrës: "Një tufë derrash të NB-… ", kurse nën atë me derrat e fermës: "Djemtë e skuadrës A… në stërvitje. "
Nuk e shpjegonim dot sesi kjo ngatërresë kaq e parëndësishme i bëri një konkurrencë asgjësuese shkrimit të partiakut të lartë. Mbase ngaqë iu përcillte njerëzve të vërtetën se ajo kohë i pati shndërruar tamam në derra.
Menjëherë shkoi te sekretari i parë informacioni i hollësishëm. Midis të tjerave vihej në dukje me theks të veçant, se dështimi kishte ardhur në fakt nga përkeqësimi i gjëndjes sesa nga diçiturat, gjë të cilën e shfrytëzoi djallëzisht armiku. Dhe për ta ilustruar silleshin plot parrulla e shprehje reaksionare si: "Akoma ky me imperialistët si me mullinjtë e erës, kur ne s'kemi fuqi as të pjerdhim e lëre më të luftojmë dhe t'i mundim." ose "Unë zotohem që për inat të armiqve të ha çdo ditë një kilogramë mish dhe të jetoj një qind e pesëdhjetë vjetë." e të tjera.
Partiaku i lartë tërboi nga inati e nuk e mbante vendi ..Thirri shpejt kryetarin e ekzekutivit të shkëmbenin mendime për kundërgoditjen. Teksa pinin kafe e pyeti:
-A e more vesh ç'na bëri ky Zylfua, kryeredaktori?
-Çfarë?
-E ktheu në estradë numërin më të rëndësishëm të gazetës. I bëri njerëzit derra dhe e kundërta. Kaq iu desh miletit për ta shndërruar gjithë aksionin politik në gallatë…
Kryetari duke e konsideruar emocional reagimin e tij dhe gabimin të zmadhuar si bretkoca e përrallës mendoi ta qetësonte.
-Ta zemë se në këtë komedi derrat luajnë sportistët dhe anasjelltas, por ama, mos harro se kryeheroi pozitiv është pikërisht artikulli yt, i cili e dominon dhe udhëheq shkëlqyeshëm tërë shfaqjen deri në fund…
Gjithë shqetësimin e kam tek Baza e Furnizimit. Duhet të hapim sytë katër dhe e vlerësojmë me preçedencë, se prej atje mund të na vijnë hatara e rreziqe të papërfytyrueshme…
Fill mbas këtij alarmimi në të u kryen me urgjencë ndryshime të thella, që nga zvendësimi i drejtorit. I riu i sapoemëruar, thuhej se vinte nga burgjet, ku qe shquar ndër drejtuesit më të suksesshëm. Thërritej Tahip, emër që të kujtonte lojën e kaluçit. I ngrysur e hijerëndë sa të dukej absolutisht e pamundur ta bëje për vete. Demonstronte ftohtësinë e ndjeshmërinë e akullit dhe të shikonte me ca sy prej qeni agresiv. Zakonisht përshëndetjen e kthente me fjalët: "S'ka… s'ka… " Kur rrallëherë ndodhte të qeshte dukej sikur qante. Nuk mund t'u gjeje sozie më të përsosur se ky, atyre pikturave moderniste të deformuara, që kritikët e artit i quajnë bukuri brutale.
Në Bazën e Furnizimit u shtri rrufeshëm sundimi i tij i hekurt, me rregulla e disiplinë të burgut. Ndër veprimet e para që ndërmorri qe vendosja në hyrje e një trari stërmadh për të kontrolluar rreptësisht çdo automjet. Ky send si shpata e Demokleut iu bë shënjë kryesore dalluese e identitetit dhe identifikimit. Njëkohsisht u shndërrua në shprehjen më të rëndësishme të ditës: "A ta ngriti trarin ai trari?" dhe përgjigjja: "Po, po më ngriti k..rin".
Në vijim u surprizuam të gjithë kur zbuluam një tjetër pamje të kompetentit. Nuk e kish gjë fare të bëhej qilim për këmbët e eprorëve dhe t'i shpërblente me dreka, darka e ryshfete të majme. Prandaj me të drejtë i shtuan edhe emrin "Kulla e Pizës", domethënë i stërpërkulur para të mëdhenjëve dhe i stërkrekosur ndaj nesh e vartësve.
Mënyra sesi drejtonte e përkeqësoi situatën. Ndaluan prodhimin disa linja. Orteku i pakënaqësisë sa vinte e rritej. E akuzuan se po vepronte si armik për të bërë të pakënaqur klasën punëtore që të përplasej me partinë e pushtetin popullor.
Për të mos e lënë tendosjen sa të këputej ministri caktoi të dërguar fuqiplotë një nga drejtorët më të rëndësishëm, shokun Kajmak. E mirëpritëm se pati dëshmuar zotësi në çbllokimin e zgjidhjen e mjaft problematikave. Veç kësaj ishte i thjesht, i komunikueshëm e i prirur të të ndihmonte.
Ashtu si plot të tjerë edhe ky i përkiste shtresës pa asnjë trashëgimi intelektuale, por që regjimi i shkollonte e ngrinte në poste dhe që këta pastaj ia shpërblenin me besim e devotshmëri. Ndonëse tashmë qe i kultivuar, prapëseprapë ruante nga origjina diçka të pagdhendur e banale dhe kripën e humorit popullorë.
Me të mbërritur na mblodhi në një takim të gjërë. Ndryshe nga të tjerët e zhvilloi në formë dialogu miqësor. Përshëndeti dhe filloi.
-Shumicën nga ju i njoh prej kohësh, madje me disa kam punuar nëpër vepra… Oh ja, Prenga, një nga shokët e vjetër… Po si je more burrë i Malësisë?
-Mirë shumë shoku Kajmak.
-Mora vesh që je martuar ose më saktë rimartuar. M'u bë qejfi. Bëre mjaft mirë. Pesëdhjetë vjeç, je akoma shumë i ri. Nuk duhej ta ngrysje jetën vejan. Më pëlqeve që si gjithnjë parimor e i drejt ke respektuar barazinë e moshës…
Më tej vijojë shkujdesur si të ishte në kafene.
-Si po të duket kjo e dyta?
Prenga, i njohur për batutat ia priti:
-Si me t'jua thanë shoku Kajmak, njashtu si xhaketë e kthyme…
-Aaaa!… Hajt mo!… Kryesorja është të të mbajë ngrohtë…
-Në atë drejtim kam kenë me mjaft fat… Tash e tutje nuk më duhen ma hiç as drutë e komunales…
I dërguari i ministrit kaloi tek problematika për të cilën kishte ardhur enkas. Iu drejtua drejtorit të uzinës mekanike.
-E lexuam me vëmëndje letrën tënde shoku Bejkush. Një çarçaf plot me driza dhe i lagur me lot. Kërkesa e ankesa pa frena fare. Ajo gërrneta jote këndon vetëm funerale e këngë qyqesh. Ore shok, ku jeton ti?! Nuk e di që ne punojmë e luftojmë në bllokadë e rrethim si Stalingradi? Ku është shpirti i sakrificës? Duhet ta mbrojmë socializmin me çdo kusht, se kemi përgjegjësinë e madhe edhe para proletariatit botëror për të mos e lënë të fiket këtë dritë të vetme që ka mbetur…
Ta dish sesa u mërzit e nervozua shoku ministër! Dhe e di ç'tha? Lëre, lëre se ka të drejtën e vet edhe ky të pëllas… Të bësh një mal me kërkesa në këtë situatë, për ideal, duhet të jesh me inteligjencë majmuni. Kalin e mirë nuk e bën shala e florinjtë… Apo jo mo shoku Tetem? Si thua, je dakort?
-Ju e dini më mirë shoku Kajmak.
-Shprehu, shprehu lirshëm, ashtu siç e ndjen dhe gjykon.
-Po ç'të shprehem e kërkoj në gjëndjen e rrethimit armiqësor?!… Ndjehem si ai kau që vërtetë e ka gjuhën e madhe po s'flet dot… Një minimale duam që të mos shkojmë në kolaps dhe ia dalim…
-Nuk do t'ju lëmë pa gjë, prandaj kam ardhur… Ju lutem, mbajeni larg disfatizmin, vetëveproni me iniciativë se askush s'u ndalon. Ato që të nevojiten ty i ka tjetri e ti jep dhe anasjelltas… Mos bëni si shoku Tuli, që e quan të kryer detyrën e tij duke të t'i lënë në derë gjithë problemet. Njëmbëdhjetë letra më ka dërguar…
-Aq e kam vrapin unë, ju…, -reagoi Tuli.
-Si thua kështu xhanëm që kaq e kam trapin unë… ,-e qortoi duke i thënë pikërisht fjalën e sharjes që bëri me vete: "Na rruafsh trapin." Dhe vijojë sikur të mos kishte ndodhur asgjë: -Kemi shëmbuj të shkëlqyer kuadrosh që dinë t'i zgjidhin nevojat me njëri-tjetrin, si fjala vjen shokun Kongres…
-E dimë… e dimë sa i zot është…. Atij i pjellin edhe gjelat, se ka kush e ndihmon… -ndërhyri dikush.
Shoku Kajmak ruante masën të mos tensionohej takimi. Misioni i tij ishte të zgjidhte, qetësonte e ngjallte besim. E dëshironte shumë një diskutim optimist, ndaj menjëherë ia dha fjalën shoqes Behije.
-Jemi në pikën kritike, -nisi ajo. -Kam gati një muaj pa marrë asnjë furnizim. Të vdesësh dhe s'ta ngre trarin shoku Tahip. Nuk pinë më ujë as autorizimet e rekomandimet e titullarëve. Pranohen vetëm ato që shoqërohen me ryshfetet më të mëdha. Është qelbur keq…
I dërguari i ministrit i trëmbur mos situata hynte në terren të rrezikshëm reagoi në çast duke iu drejtuar Tahipit me hakërrim e ton revoltues.
-Ç'janë këto që dëgjojmë shoku Tahip?! Të tërheq vërejtje të rëndë. Edhe drejtoreshë Behijes, që e kemi dhe shoqe plenumi të partisë së rrethit nuk ia paske ngritur k..rin?
Qe skandaloze kjo rrëshqitje e gjuhës në fjalën tjetër që ai e kish dëgjuar aq shpesh. Megjithatë s'e dha veten. S'tregoi shënjën më të vogël të turpërimit e as kërkoi ndjesë. Më vështirë e patëm ne të përmbanim shpërthimin e të qeshurave. Kafshonim fort mishrat e gojës e s'dinim ku të fshihnim fytyrën. Më qëndresëtare u treguan shoqet, ndërsa katër-pesë prej shokëve u larguan me nxitim, duke e lëshuar zërin në oktavën më të lartë. I dërguari i ministrit vazhdojë më me dalldi.
-Të urdhëroj ta furnizosh me urgjencë shoqen Behije, madje edhe të prapambeturat. Do e kontrolloj vetë grafikun e shpërndarjes dhe kush rezulton më keq do furnizohet me përparësi…
Takimi tjetër me shokun Kajmak nuk u realizua kurrë. Ndodhi e paimagjinueshmja: Ra paqësisht si kështjellë rëre regjimi komunist. Epokale! Ngazëlleu zemra e çliruar! Balona shpresash e pëllumba paqe u ngritën e pushtuan qiellin e lirisë. Mirësenaerdhe dhe qofsh e bekuar Demokraci! Uronin e brohorisnin horizontet, malet, fushat, detet… Edhe bari i shkelur me këmbë, edhe ujërat e çburgosur nga akujt, edhe…
Kudo lëvizje, ndryshime, përshtatje, përsosje… U bënë magjike fjalët "Reforma demokratike", që do sillnin progres, mirëqënie, drejtësi për të gjithë.
Ç'bukuri e besim përcillnin fytyrat e reja çelur gjithandej si lulet e pranverës. Por nuk po dukeshin ende tek Baza e Madhe e Furnizimit. Atje vazhdonte akoma qeverisjen e shkuara dhe trari stërmadh s'e lejonte demokracinë të futej…
Këtë akuzë nuk e pranonte kurrsesi zoti Tahip, sepse dhe ai qe bërë tashmë plotësisht njeri i kohës. Dhe e dëshmonte me mustaqet e mjekrën e gjatë, zëvendësimin e pardesysë së zezë me të bardhë dhe gjestet mbresëlënëse të bamirësisë.
Disa ish të burgosur politikë e konsideronin vijimin e tij në atë post karshillëk të madhë, prandaj kërkuan me urgjencë shkarkimin. Qe e pamundur, se zotëria dilte me letra sivllai i tyre. Kërcënimi nga ata me grevë urie nxori varintin tjetër që e paraqiste kontributor mjaft të vlefshëm për demokracinë.
Ngjarjet e rëndësishme pasuese e çvendosën krejt vëmendjen prej tij. Ndërkohë zoti Tahip i përforcoi edhe më tepër pozitat dhe vazhdoi të sulltaniste i qetë e i sigurtë.
U çuditëm shumë kur në një prej ditëve ai rrëmbeu fondin e valutës së Bazës dhe befas ia mbathi familjarisht jashtë shtetit. Nuk e mësuam dot kurrë shkakun se ç'e shtyu të braktisë postin aq fitimprurës dhe mërgonte në kulmin e pasurimit.
Edhe vendndodhja mbeti enigmë. Vetëm, si duket, mbasi u sigurua fort, që katrahura e anarkisë e kaosit të nëntëdhjetë e shtatës rrafshoi e grabiti edhe Bazën e Furnizimit e amnistoi të gjitha vjedhjet, u bë i gjallë me një intervistë në Australi. Foli për tmerret e rebelimit dhe terrorit të kuq, i cili gjoja edhe atë e kish larguar me plumba nga atdheu i dashur dhe misioni i shënjtë për vendosjen e demokracisë.
Kozma Gjergji
Mirë që e pashë sot rastësisht këtë opinion më të ri të shkrimtarit Minush Hoxha për tregimin tim "Trari". Jo për kushedi, por se vonesa e kthimit të një përshëndetjeje nga ana ime, mund të dukej si mospërfillje a mëndjemadhësi, gjë të cilën s'e kam për natyrë.
Konsiderata e vlerësimi juaj, shkruar me kulturë e profesionalizëm, më bëjnë të ndjehem i përkëdhelur e më nxitin, duke i shtuar "kuaj-fuqi" motorit tim krijues.
Me këtë rast ju përshëndes e falenderoj shumë dhe uroj edhe Ju të keni kurdoherë arritje sa më cilësore në krijimtari! Me respekt, K.Gjergji.
E lexova me kënaqësi tregimin. Mënyra e të shkruarit dhe deridiku fjalori i përdorur, më këthyen në kohen kur lexoja Mopasanin e Çehovin (paksa më asocion në Oçumellovin e Çehovit). me një dallim se gjuhë e këtij tregimi-sikur edhe në tjerët-qëndron midis artit lertrar dhe atij zhurnalist, por kjo nuk i ulë aspak vleren. E kundërta: e bënë tregimin më të vetin, më për veti lexuesit. Ironia, humori, metaforat-po që ngritin cilësinë e tregimit, por, tek zbulojnë identitetin e vërtetë të njeriut shqiptar- të asaj kohe, në fakt e shpërfaqin ate inteligjent e spirituoz deri tek lakmia, sikur edhe të papajtueshëm me regjimin gjë që kundërshton bindjen e përhapur se, nuk kishin ,,tru". Dhe ate e thonë në një mënyrë…
I fortërespekruari akademik ESHREF YMERI, tungjatjetani!
Duke ju çmuar për erudicionin e penën e talentuar, vlerësimi juaj për tregimin "Trari" është për mua gëzim, shpërblim, frymëzim e nxitje e madhe. Ju jam tepër mirënjohës!
Me shumë konsideratë, K.Gjergji.
I dashur Kozma,
Me tregimin brilant “Trari” i keni bërë një rezonancë të shkëlqyer magnetike shëmtirës neveritëse të socializmit që vendosi në Shqipëri kryekrimineli, njeriu me emrin askush (siç e pati etiketuar Mustafa Kaçaçi në Konferencën e Labinotit në mars të vitit 1943), Enver Hoxha.
Urime nga zemra.
Eshref Ymeri
Santa Barbara, Kaliforni
06 korrik 2021
Miq të respektuar, z.Myslim e z.Sotir, ju përshëndes dhe falenderoj me
mirënjohje për mendimet rreth tregimit "Trari". Vlerësimi nga kolegë si ju, me krijimtari
cilësore e të mirëpritur, është për mua kënaqsi e nxitje krejt ndryshe dhe ndihmë e
çmuar për të ditur më saktë peshën e vërtetë të produktit letrar.
Ju uroj gjithë të mirat dhe suksese të reja në krijimtari!
Me konsideratë, K.Gjergji.