Timo Mërkuri: MISTERI QË NUK IA ZBULON SEKRETIN POEZISË
- 1 day ago
- 9 min read

Një lexim i katër vargjeve të Natasha Lakos
U mërzita së qeni e mërzitur,
Rashë në fotografi.
Të qeshurat e mia janë të bindura,
Të urdhëruara prej reve.
Sarandë, korrik 2026
Pas një leximi të parë, mbetesh me ndjesinë se ke kuptuar diçka. Por, pasi vazhdon e rilexon, sa më shumë e lexon, aq më shumë e ndien se nuk ia ke zbuluar sekretin. Poezia e Natasha Lakos i përket kësaj. Ajo nuk është e lidhur me një ngjarje të vetme, me një kohë të përcaktuar apo me dëshirën për të dëshmuar një përvojë historike. Mund të ketë lindur nga një rrethanë konkrete, por shumë shpejt shkëputet prej saj dhe hyn në atë hapësirë ku përjetimi njerëzor fiton një jetë të vetën, të pavarur nga koha që e ka lindur. Mendoj se pikërisht këtu qëndron një nga veçantitë më të bukura të poetikës së Natasha Lakos. Ai është misteri poetik. Jo misteri si mjegull që e fsheh kuptimin dhe as hermetizmi si dëshirë për ta bërë vargun të paarritshëm, por misteri si një mënyrë e të shkruarit që i reziston shpjegimit përfundimtar. Vargu thotë gjithnjë pak më pak se sa përmban. Figura poetike hap shtigje të reja mendimi, ndërsa heshtja bëhet po aq domethënëse sa fjala. Për këtë arsye, lexuesi nuk vihet përballë një kuptimi të gatshëm. Ai hyn në një bashkëbisedim të heshtur me poezinë, ku çdo lexim zbulon një dritë tjetër dhe çdo rikthim zgjon një pyetje të re. Këtu qëndron edhe veçantia e kësaj poezie, ajo nuk e zgjidh misterin, por e bën misterin të jetojë brenda kuptimit.
Shënimi i autores, “Më kujtoi kohën e Covidit”, i shton poezisë një shtresë të rëndësishme leximi, por nuk ia ngushton domethënien. Edhe pa këtë shënim, vargu “U mërzita së qeni e mërzitur” tingëllon si shprehje e një lodhjeje që nuk lidhet vetëm me një rrethanë të caktuar, por me vetë përvojën e të qenit. Pas këtij shënimi, vargu merr edhe jehonën e izolimit, të vetmisë, të pritjes dhe të pasigurisë që shënuan kohën e pandemisë. Por poezia nuk mbetet brenda Covidit. Ajo e tejkalon shkasin që mund ta ketë lindur. Dhe pikërisht këtu fillon fuqia e saj artistike. Ajo nuk flet më vetëm për një kohë të caktuar, por për njeriun përballë vetes, për lodhjen e brendshme, për kujtesën, për pamundësinë për të qenë gjithnjë i lirë në ndjenjat e veta.
1. “U mërzita së qeni e mërzitur”

Qysh në vargun e parë, Natasha Lako vendos përpara lexuesit enigmën themelore të poezisë:
“U mërzita së qeni e mërzitur.” Në dukje, është një fjali e thjeshtë. Në të vërtetë, ajo hap një nga pyetjet më të thella të qenies njerëzore. Poetja nuk thotë se u mërzit nga vetmia, nga frika, nga izolimi apo nga një ngjarje e caktuar. Nuk kërkon një shkak të jashtëm. Mërzia lind nga vetë mërzia. Këtu ndodh zhvendosja e parë poetike. Mërzia nuk është më një ndjenjë kalimtare. Ajo është kthyer në një gjendje ekzistence. Njeriu nuk është thjesht i mërzitur. Ai është lodhur duke qenë i mërzitur. Kjo është diçka tjetër. Është momenti kur një gjendje shpirtërore nuk qëndron më jashtë njeriut, por bëhet pjesë e tij. Dhe pikërisht atëherë lind pyetja, si mund të ndahet njeriu nga një gjendje që është bërë pjesë e vetvetes? Vargu nuk përgjigjet. Ai vetëm e vendos pyetjen përpara nesh.
Në këtë kuptim, poezia prek filozofinë e ekzistencës pa përdorur gjuhë filozofike. Një varg i vetëm zgjerohet si një gur i hedhur në ujë. Rrethi i parë është mërzia. Pastaj vijnë lodhja, koha, vetmia, pritja dhe, më në fund, vetë qenia. Është një lëvizje e brendshme që mund të krahasohet me një dhomë ku njeriu ka qëndruar aq gjatë, sa nuk e di më nëse është i mbyllur aty apo nëse dhoma është bërë pjesë e tij. Kjo është arsyeja pse vargu ka një forcë kaq të madhe: ai nuk përshkruan vetëm një emocion, por çastin kur emocioni fillon të pushtojë identitetin. Dhe përsëri, poezia nuk na tregon nëse kjo ka zgjatur një ditë, një vit apo një jetë. Ajo e lë kohën të hapur. Secili lexues mund të vendosë brenda këtij vargu kohën e vet.
2. “Rashë në fotografi”
Pas kësaj gjendjeje të brendshme, poezia bën një lëvizje të papritur “Rashë në fotografi.” Këtu fjala më e rëndësishme është folja “rashë”. Poetja nuk thotë, pra, pashë një fotografi, u ktheva te një fotografi, apo kujtoj një fotografi. Ajo thotë hapur, rashë në fotografi. Kjo e ndryshon të gjithë marrëdhënien me kujtesën. Fotografia nuk është më një objekt. Ajo bëhet një hapësirë. Një vend ku mund të hysh. Një vend ku mund të biesh. Por kjo nuk është një rënie në hapësirë. Është një rënie në kohë, në kujtesë, ndoshta edhe në vetvete (Hedegger; 2021:123). Sipas Hejdegger 'natyra jonë është vënë në lëvizje' (ibid). Pra nëse fotografia zakonisht ruan një çast të së kaluarës, këtu ndodh diçka e kundërt: nuk është njeriu që ruan fotografinë; është fotografia që duket sikur e ruan njeriun. Kjo mund të krahasohet me një ishull në mes të një lumi. Jeta rrjedh, koha lëviz, gjithçka ndryshon. Fotografia, për një çast, e ndal rrjedhën. Ajo ruan diçka që koha nuk ka arritur ta marrë me vete. Prandaj “Rashë në fotografi” mund të lexohet si një kthim pas, por edhe si një kthim brenda vetes. Çfarë fotografie është? E kujt? Çfarë ruan ajo? Poezia nuk na e thotë. Dhe pikërisht duke mos na e thënë, ajo e bën fotografinë të gjithkujt. Nëse do të na tregonte se bëhet fjalë për një fotografi familjare, për një fëmijëri apo për një kujtim të caktuar, figura do të mbyllej. Do të bëhej vetëm kujtesa e autores. Por, duke mbetur pa emër, fotografia bëhet kujtesa e lexuesit. Secili mund të bjerë në fotografinë e vet.
3. “Të qeshurat e mia janë të bindura”
Dy vargjet e fundit e çojnë poezinë në pikën e saj më të lartë, “Të qeshurat e mia janë të bindura,Të urdhëruara prej reve.” Këtu poezia hyn në një hapësirë ku realja dhe surrealja nuk ndahen më qartë. Vëmendja bie fillimisht te fjala “të qeshurat”. Jo një e qeshur, por të qeshurat. Pra, nuk kemi të bëjmë me një çast të vetëm, por me një mënyrë të të qenit. Dhe pastaj vjen fjala e pazakontë, “të bindura”. Roland Barthes e quan këtë disrealitet i lirisë (disreality) (Barthez, 1979:87). Një e qeshur, zakonisht, është shenjë e lirisë. Ajo shpërthen, vjen natyrshëm, nuk urdhërohet. Por këtu të qeshurat janë të bindura. Kjo do të thotë se edhe gëzimi, edhe pse shfaqet, nuk është më plotësisht i lirë. Është sikur njeriu të qeshë, por dikush tjetër ta ketë vendosur kohën e së qeshurës. Dhe atëherë vjen vargu i fundit, “Të urdhëruara prej reve.” Këtu poezia hapet edhe më tej. Retë nuk janë më thjesht dukuri të qiellit. Ato bëhen një forcë e padukshme. Nuk kanë fytyrë, nuk kanë zë, por japin urdhra. Kush janë ato?
Mund të jenë koha. Mund të jenë rrethanat. Mund të jetë fati. Mund të jetë ankthi. Mund të jetë historia. Mund të jenë edhe ato forca të padukshme që ndikojnë mbi jetën tonë pa i kuptuar plotësisht. Poezia nuk zgjedh asnjërën prej këtyre mundësive. Dhe pikërisht për këtë arsye figura mbetet e gjallë. E cila për McLuhan mbetet 'niveli i vetëdijes së vetëdijshme' (Mc Luhan, 2002: 272). Retë mund të krahasohen me një dorë që nuk duket, por që lëviz fijet e një kukulle. Vetëm se këtu kukulla nuk është një personazh i jashtëm; është vetë njeriu. Ai qesh, por të qeshurat e tij sikur drejtohen nga diçka që ndodhet përtej tij. Këtu qëndron paradoksi i madh i poezisë: njeriu ende qesh, por liria e së qeshurës është vënë në dyshim. Dhe kjo është një e vërtetë shumë njerëzore. Ka raste kur ne vazhdojmë të buzëqeshim, të flasim, të punojmë, të jetojmë, ndërsa brenda nesh diçka tjetër ka ndodhur. Pamja e jashtme vazhdon, por burimi i saj ka ndryshuar. Natasha Lako nuk thotë jam e dëshpëruar. Nuk thotë jam e trishtuar. Nuk thotë as jam e burgosur. Ajo thotë diçka shumë më të tërthortë dhe, për këtë arsye, shumë më të fuqishme: të qeshurat e mia janë të bindura. Dhe pastaj ia dorëzon ato reve.
4. Heshtja si pjesë e kuptimit
Sa më shumë i afrohemi kësaj poezie, aq më qartë kuptojmë se ajo është ndërtuar jo vetëm mbi fjalët, por edhe mbi atë që mungon. Nuk dimë pse mërzitet poetja. Nuk dimë në ç'fotografi bie.
Nuk dimë kush janë retë. Nuk dimë pse të qeshurat duhet të binden. Por kjo mungesë shpjegimesh nuk është boshllëk. Është pjesë e strukturës së poezisë. Lako nuk e merr lexuesin për dore për t'i treguar se çfarë duhet të kuptojë. Ajo i jep disa shenja dhe pastaj e lë të ecë. Mund ta krahasojmë këtë me një rrugë nate ku nuk ka dritë të plotë, por vetëm disa llamba të vendosura larg njëra-tjetrës. Poeti nuk e ndriçon të gjithë rrugën. Ai ndriçon vetëm aq sa duhet për të mos humbur drejtimin. Pjesën tjetër e përshkon lexuesi me dritën e vet. Kështu, lexuesi nuk është vetëm marrës i kuptimit. Ai bëhet bashkëkrijues i tij. Kjo është arsyeja pse poezia ndryshon sa herë që lexohet. Jo sepse ndryshojnë vargjet, por sepse ndryshon ai që i lexon. Poezia është si një pasqyrë. Ajo nuk ruan gjithmonë të njëjtën fytyrë, por ndryshon sipas dritës që bie mbi të. Dhe këtu qëndron një nga vlerat më të mëdha të kësaj poezie, misteri nuk e fsheh kuptimin, ai e mban kuptimin të hapur, sikurse imagjinimin e Inglis (Inglis, 2004: 82). Kur vargu mbaron, poezia nuk mbaron.
5. Nga figura te misteri
Në këtë poezi, misteri nuk është zbukurim artistik dhe as një mënyrë për ta bërë vargun më të ndërlikuar. Ai është vetë mënyra se si ndërtohet realiteti poetik. Fjala nuk ecën drejt një përgjigjeje të vetme. Ajo ecën drejt një zbulimi që, sapo ndodh, hap një pyetje tjetër. Mërzia bëhet mënyrë ekzistence. Fotografia bëhet hapësirë kujtese. E qeshura bëhet shenjë e një lirie të cenuar. Retë bëhen autoriteti i padukshëm që urdhëron. Kështu, gjërat e zakonshme humbin kuptimin e tyre të zakonshëm dhe fitojnë një jetë të dytë. Mërzia nuk është më vetëm mërzi. Fotografia nuk është më vetëm fotografi. Retë nuk janë më vetëm re. Dhe të qeshurat nuk janë më vetëm të qeshura. Ky transformim është një nga mekanizmat më të fuqishëm të poezisë. Një objekt i zakonshëm hyn në varg dhe del prej tij i ndryshuar. Prandaj poezia nuk konsumohet në leximin e parë. Ajo ruan brenda vetes një tepricë kuptimi që nuk shteron. Kjo është një poetikë e sugjerimit, jo e deklarimit; e jehonës, jo e shpjegimit; e pyetjes, jo e përgjigjes së prerë.
6. Në dialog me poezinë moderne europiane
Leximi i kësaj poezie të çon natyrshëm drejt një dialogu me disa prej prirjeve më të rëndësishme të poezisë moderne europiane. Jo sepse Natasha Lako kopjon apo ndjek modele të caktuara, por sepse ajo ndan me disa poetë të mëdhenj një bindje themelore: poezia nuk fiton thellësi duke thënë gjithçka; ajo fiton thellësi duke lënë diçka të patreguar. Një afri e parë mund të kërkohet te Paul Celan, sepse ai ka shkruar ngjashëm, tek lidhja dhe fjala si dëshmi e traumës. Te Celani, fjala poetike shpesh është e ngjeshur deri në kufirin ku një imazh i vetëm mund të mbajë një peshë të madhe historike dhe ekzistenciale. Fjala nuk shpjegohet, ajo mbetet si një bërthamë që kërkon të rindërtohet nga lexuesi. Edhe te Lako, vargje si “U mërzita së qeni e mërzitur” dhe “Rashë në fotografi” nuk e shpenzojnë të gjithë kuptimin e tyre në momentin kur lexohen. Ato vazhdojnë të punojnë në mendje edhe pasi leximi ka përfunduar. Por këtu duhet bërë një dallim i rëndësishëm: misteri i Lakos nuk është misteri i errët i Celanit. Te Celani, shpesh, fjala është e ngarkuar me një histori të rëndë, me traumën, me kujtesën dhe me pamundësinë për ta thënë plotësisht atë që ka ndodhur. Te Lako, misteri është më intim dhe më i hapur. Ai lidhet me gjendjen e qenies, me kujtesën, me kohën dhe me marrëdhënien e njeriut me forcat e padukshme që e rrethojnë.
Një dialog tjetër mund të krijohet me Tomas Tranströmerin. Te Tranströmeri, një objekt i zakonshëm shpesh bëhet porta drejt një hapësire të madhe ekzistenciale. Një dhomë, një udhëtim, një peizazh apo një ëndërr mund të hapë papritur një dimension tjetër të realitetit. E njëjta gjë ndodh me fotografinë e Lakos. Fotografia nuk përshkruhet. Ajo bëhet një vend ku njeriu hyn. Kjo është shumë e rëndësishme: figura nuk na tregon vetëm një realitet; ajo krijon një realitet të ri. Nëse fotografia do të ishte thjesht kujtim, poezia do të mbetej në të kaluarën. Por duke “rënë” në të, subjekti lirik e përjeton fotografinë si një hapësirë ekzistence. Këtu koha ndalon, kujtesa merr trup dhe identiteti kthehet për një çast te vetvetja.
Afërsia me Wisława Szymborskën është e një natyre tjetër. Szymborska shpesh niset nga një gjë e thjeshtë, e zakonshme, madje e përditshme, dhe prej saj arrin te një pyetje e madhe filozofike. Ajo e zbulon filozofinë brenda gjërave të vogla. Edhe Lako vepron në këtë mënyrë. Ajo nuk thotë, çfarë është ekzistenca? Ajo thotë se, “U mërzita së qeni e mërzitur.” Dhe pikërisht në këtë fjali të thjeshtë hapet një pyetje e madhe mbi qenien, lodhjen dhe kufijtë e durimit njerëzor. Por edhe këtu dallimi është i rëndësishëm. Szymborska shpesh e afron poezinë me ironinë, paradoksin dhe një lloj kthjelltësie të mprehtë intelektuale. Lako, në këtë poezi, është më e përmbajtur dhe më e mistershme. Ajo nuk e zgjidh paradoksin; e lë atë të jetojë. Nëse te Szymborska pyetja shpesh merr formën e një habie të kthjellët, te Lako ajo merr formën e një heshtjeje që nuk pushon së pyeturi. Prandaj këto krahasime nuk e zvogëlojnë individualitetin e Natasha Lakos. Përkundrazi, e bëjnë më të dukshëm. Ajo nuk huazon poetika. Ajo hyn në dialog me to nga brenda përvojës së saj. Në katër vargje, ajo ndërton një udhëtim të pazakontë: nis me mërzinë, kalon në kujtesë, rikthehet te e qeshura dhe përfundon te retë. Është një lëvizje nga brenda jashtë dhe nga e dukshmja drejt së padukshmes. Mërzia është brenda njeriut. Ajo vetëm na lë përpara një dyshim të bukur dhe shqetësues: sa nga ajo që ndiejmë dhe sa nga ajo që bëjmë është vërtet e jona? Ndoshta ky është edhe kuptimi më i thellë i “reve”. Një rreth që nuk mbyllet plotësisht. Kjo është arsyeja pse, pas leximit, poezia nuk largohet me ne si një përgjigje. Ajo mbetet si një pyetje e qetë në kujtesë.bDhe ndoshta kjo është fitorja më e madhe e artit poetik: kur vargu mbaron, ndërsa poezia vazhdon.








Një lexim i thellë, i ndjeshëm dhe shumë i bukur, Timo Mërkuri. Më pëlqeu veçanërisht mënyra se si e ke ndjekur poezinë varg pas vargu, duke u ndalur te ato fjalë që duken të thjeshta, por që hapin horizonte të mëdha kuptimore. “Misteri që nuk ia zbulon sekretin poezisë” është një titull që i shkon shumë kësaj analize, sepse edhe vetë shkrimi yt nuk përpiqet ta mbyllë poezinë në një kuptim të vetëm, por e lë atë të marrë frymë e të vazhdojë të jetojë te lexuesi.
Veçanërisht interesante janë krahasimet me Celanin, Tranströmerin dhe Szymborskën, të cilat e vendosin poezinë e Natasha Lakos në një dialog më të gjerë me poezinë moderne europiane, pa ia zbehur aspak veçantinë e…