Bujar Qesja: Njeriu që ndërtoi Atdhe të dytë me emrin “Fjala e lirë”
- 4 hours ago
- 4 min read

Bujar Qesja: Njeriu që ndërtoi Atdhe të dytë me emrin “Fjala e lirë”
-Nga Durrësi në Londër përqafim për Fatmir Terziun
62 vjetori i lindjes së një kalorësi të fjalës shqipe
Nga BUJAR QESJA
Ka njerëz, që nuk i kemi takuar. Nuk u kemi shtrënguar dorën, nuk kemi pirë një kafe së bashku dhe nuk kemi biseduar ballë për ballë. Megjithatë, vjen një çast kur ndjen, se i njeh prej kohësh. I njeh përmes fjalës së shkruar, mendimit të kthjellët, respektit që përcjellin dhe mënyrës, se si dinë të vlerësojnë punën e tjetrit.
Nga këta njerëz është edhe Fatmir Terziu. Sot, në ditëlindjen e tij, ndjeva dëshirën t'i drejtoj këto pak radhë, jo si formalitet urimi, por si shenjë mirënjohjeje dhe respekti njerëzor. Nuk jemi njohur nga afër. Nuk kemi pasur rastin të takohemi. Por, siç ndodh shpesh në botën e letrave, njohja më e bukur është ajo që lind nga pena.
Pak kohë më parë, pata kënaqësinë të lexoj analizën, që i kishte bërë punës time si publiçist. E lexova me emocion. Nuk e prisja. Nuk ishte vlerësim i zakonshëm. Ishte lexim me kujdes, me kulturë dhe me ndershmëri intelektuale. Pikërisht kjo më bëri të kuptoj, se përballë kisha një studiues, që di të lexojë jo vetëm tekstin, por edhe shpirtin e autorit. Kjo është një cilësi e rrallë.
Prej vitesh, Fatmir Terziu ka ngritur dhe mban gjallë portalin dhe revistën "Fjala e Lirë", tribunë ku fjala shqipe merr frymë lirshëm, ku autorët gjejnë hapësirë për të shprehur mendimin, ku letërsia, publiçistika dhe kultura shqiptare nuk njohin kufij gjeografikë. Nga Londra, Fatmir Terziu, ka ndërtuar një urë të fuqishme komunikimi me shqiptarët kudo që ndodhen, duke dëshmuar se malli për Atdheun, nuk shuhet me largësinë, por ushqehet me punë dhe përkushtim.

Në të vërtetë "Fjala e Lirë", nuk është vetëm portal apo revistë. Është një shtëpi shpirtërore ku trokasin çdo ditë poetë, shkrimtarë, studiues, gazetarë dhe njerëz të kulturës shqiptare, pa pyetur se në cilin kontinent jetojnë. Aty nuk ka kufij mes Durrësit dhe Londrës, mes Tiranës dhe Nju York-ut, mes Prishtinës dhe Melburnit. Ka vetëm një gjuhë, shqipja dhe një ideal, që fjala të mbetet e lirë, e ndershme dhe në shërbim të kulturës sonë kombëtare.
Të mbash gjallë për kaq shumë vite, një tribunë të tillë nuk është rastësi. Është mision. Është sakrificë e përditshme. Është një punë, që nuk matet me orë, por me netë të tëra të kaluara para dorëshkrimeve, me qindra autorë të lexuar, me mijëra faqe të redaktuara dhe me një besim të palëkundur, se kultura shqiptare duhet të ketë zërin e saj, kudo ku jetojnë shqiptarët.
Fatmir Terziu e ka bërë këtë, me përkushtim shembullor, duke mos kërkuar duartrokitje, por duke punuar në heshtje, ditë pas dite. Kjo është arsyeja, pse meriton respekt.
Në një kohë, kur shpesh zhurma mbulon vlerat, Terziu ka zgjedhur rrugën më të vështirë, atë të punës serioze, të studimit, të krijimtarisë dhe të promovimit të autorëve shqiptarë. Kjo e bën figurën e tij, të çmuar për kulturën tonë kombëtare.

Nuk është e rastit, që shumë autorë e konsiderojnë Fatmir Terziun jo vetëm botues, por edhe mik të penës. Di të gëzohet për suksesin e tjetrit. Di të vlerësojë pa paragjykim. Di të shkruajë kritikë pa lënduar dhe të japë vlerësime pa i tepruar. Këto janë cilësi, që nuk mësohen në universitete. Ato burojnë nga karakteri, nga kultura dhe nga fisnikëria njerëzore.
Në këtë ditë të shënuar të jetës, dua t'i uroj jo vetëm jetë të gjatë dhe shëndet të mirë, por edhe energjinë krijuese, që e ka shoqëruar deri më sot. Uroj që pena e tij, të mbetet po aq e kthjellët, mendimi po aq i lirë dhe dashuria për gjuhën shqipe po aq e pashtershme. Le të vazhdojë të mbetet ai njeri, që ndërton ura mes shqiptarëve, që afron mendjet krijuese dhe që e mban të ndezur, dritën e kulturës sonë edhe larg atdheut.
I dashur Fatmir!
Të uroj të mbetesh gjithmonë ai njeri, që nuk lodhet së shkruari, së menduari dhe së bashkuari shqiptarët rreth vlerave më të mira. Pena jote le të vazhdojë të ndezë dritë, ndërsa "Fjala e Lirë" të mbetet për shumë vite, streha e mendimit të lirë dhe e kulturës shqiptare.
Me bindjen se vlerat nuk kanë nevojë për zhurmë, por për vazhdimësi, të uroj nga zemra: Jetë të gjatë, shëndet të plotë, krijimtari të pashtershme dhe bekimin, për të parë gjithmonë frytet e punës tënde, të çmohen nga brezat që do të vijnë!
Ka njerëz që shkruajnë libra. Ka të tjerë që ndërtojnë institucione. Ndërsa Fatmir Terziu i ka bërë të dyja, ka shkruar me penë dhe ka ndërtuar me vizion. Për këtë arsye emri i tij, e ka fituar me meritë vendin e vet në hartën e kulturës bashkëkohore shqiptare.
Prano urimet më të përzemërta nga Durrësi, qyteti që më ka mësuar të çmoj njerëzit e punës dhe të fjalës së mirë. Edhe pse nuk jemi takuar ende, të trajtoj si një mik, të fituar përmes respektit të ndërsjellë dhe fisnikërisë së penës. Njerëzit e vërtetë njihen nga gjurmët që lënë, jo nga kilometrat që i ndajnë.
Gëzuar ditëlindjen! Qoftë çdo vit i jetës tënde një faqe e re suksesi, shëndeti, krijimtarie dhe dinjiteti! Njerëzit e letrave, nuk jetojnë vetëm me vitet që mbushin, por edhe me fjalët që lënë pas. Dhe fjalët e tua, kanë krijuar tashmë një vend të nderuar në kulturën shqiptare.








Të dashur miq, ju falënderoj nga zemra për dhjetëra e dhjetëra urime, mesazhe, komente dhe fjalë të bukura që më keni kushtuar në këtë ditë të veçantë për mua. Çdo urim, i ardhur nga afër apo nga larg, më ka prekur thellë dhe e ka bërë ditëlindjen time edhe më të bukur e më të paharrueshme. Në secilën fjalë tuajën kam ndier miqësinë, dashamirësinë dhe respektin tuaj, dhe për këtë ju jam pafundësisht mirënjohës.
Ju falënderoj që më kujtuat, që më dhuruat kaq shumë dashuri dhe që, përmes fjalëve tuaja, më bëtë të ndiej se rruga e jetës, e shkrimit dhe e përkushtimit nuk ecet kurrë vetëm. Urimet tuaja janë një dhuratë e çmuar që do ta mbaj në zemër.…
Gezuar ditelindjen Fatmir, edhe njeqind! Jete,shendet dhe suksese ne veprimtarine dhe misionin tend fisnik atje ne Londer !
Gëzuar datëlindjen z. Fatmir!
Jetë të gjatë, shëndet të mirë dhe suksese në jetë ! Edhe pse nuk njihemi nga afer,përmes shkrimit brilant të z. Bujar, mësova se fisnikërinë e qytetarit durrsak e keni ngritur në nivele qe të krijon respekt e krenari dhe për këtë të përgëzoj tejmase.Veprimtaria jote në diaspor nderton ura lidhëse mes shqiptarëve. Kjo tregon se ju e ndjeni dhe kjo është për tu vlerësuar. Të uroj gjithë të mirat atje ku jetoni!
Ɓujarit i uroj suksese në veprimtarinë humane dhe mirënjohje që eshte tepër njerëzor në shkrimet e tij.
Nga zemra i dergoj edhe une urimet me te mira Fatmir Terziut, me rastin e ditelindjes! Ju pergezoj Bujar per kete shkrim, ku spikasin vlerat e ketij njeriu, qe, ka dhene dhe jep ne vijushmeri kontribute te cmuara ne fushen e letrave shqipe, por edhe me gjere. Si perhere ju, na e sillni figuren e tij plot dashuri e miresi, sikurse e meriton!
Të falenderoj për këtë shkrim domethënës,të goditur dhe miqësor drejtuar mikut tonë të përbashkët Z Fatmir Terziu me rastin e 62 vjetorit të lindjes.
Duke mu shteruar fjalët nga magjia e fjalëve të tua të sinqerta në këtë shkrim që vetëm pena juaj i qendis Bujar,uroj me zemër Fatmirin shëndet,buzëqeshja të mos rreshtë dhe maja e penës të jetë e mprehtë dhe në vazhdimësi,për të mirën e shoqërisë.