top of page

Halil RAMA: “AROMË JETE” NË POEZINË E FERIT MANREKËS

  • 2 hours ago
  • 4 min read

 

                       

·      Si njohës i thellë i historisë, kulturës dhe traditës dibrane, vlerat madhore të tyre poeti Manreka i reflekton në poezitë e këtij vëllimi me titujt: “Tokës Amëtare”, “Heronjtë e Drinit”, “Ty o Dibër famëmadhe” e “Jam krenar, që jam dibran”…

·      Besnik i postulatit “Jeta duhet jetuar, si do që të vijë”, F.Manreka i qaset asaj jo vetëm në sinkron me kohën por edhe me brengën e vrasjes së kohës…

 

 

Prej më shumë se një dekade, është identifikuar në rrjetet soçiale edhe poeti Ferit Manreka. Madje, poezia e tij është vlerësuar dhe ka fituar edhe çmime në disa konkurse të shpallura nga klube e shoqata shkrimtarësh, brenda dhe jashtë vendit, si në rastin më të fundit, vlerësimi me Çertifikatë nga “Flladi Poetik” (Vlorë-Albania).

Dhjetra poezi të këtij autori janë botuar edhe në portale që promovojnë letërsi dhe kanë marrë vlerësime maksimale, si nga botuesit dhe nga lexuesit e tij të shumtë.

Dhe më në fund, si bleta që mbledh nektarin e luleve, Ferit Manreka i mblodhi poezitë e tij për t’i botuar në vëllimin e parë me titullin sinjifikativ “Aromë jete”.

I promovuar me 22 korrik 2026, në ditëlindjen e 80-të të autorit Ferit Manreka, në sallën e konferençave të Hotel ÇAPITAL (BRUÇI), në pronësi të Failk Bruçit-ndër sipërmarrësit më të suksesshëm në rang vendi, (promovim ky i moderuar me mjeshtri artistike nga poetja Aida Topalli), libri “Aromë jete” mori vlerësimet e personaliteteve të letrave, si të shkrimtarit dhe analistit të mirënjohur të letërsisë Behar Gjoka dhe të shkrimtarëve e poetëve Nexhbedin Basha, Bujana Malaj e Faik Xhani.

Ndërsa unë në fjalën time nënvizova faktin që, i rrahur me dallgët e jetës dhe si njohës i filozofisë së saj, autori i këtij libri e sjell atë në vargje plot kolorit.

Besnik i postulatit “Jeta duhet jetuar, si do që të vijë”, F.Manreka i qaset asaj jo vetëm në sinkron me kohën por edhe me brengën e vrasjes së kohës. Majfton për këtë qoftë dhe vetëm strofa e parë e poezisë më titull “E vramë kohën”:

“E vramë kohën duke pritur/ Se e nesërmja, do kish më shumë dritë/ E vramë kohën me veten duke u zënë/ Se çfarë bëra e ç'lashë pa bërë….”.

E duke vijuar faqe pas faqeje të këtij libri, konstatojmë një lëndë aq të pasur dhe te larmishme si dhe vetë poezia e këtij autori, që pas akumulimit të tij në pesë dekada sjell për lexuesin poezi që u shkrumbëzuan dhe u hirnosën, ndoshta të kyçura në sirtarët e tavolinave të tij të punës si ish mësues e drejtor shkolle dhe ish - ushtarak shembullor, apo dhe të shtëpisë së tij këtu në metropolin shqiptar ku jeton prej vitesh.

Kësisoj, aromë jete bart poezia e tij me frymëzim nga natyra e vendlindjes, Qafë Murrë e Katër Grykëve të Dibrës, e titulluar “Rruga e Fshatit”…, atje  “Kur një kangë e melodi/ Me guriçkat e përzier/ Bashkë me ta/ Ke këndu dhe ti..” 

Dallojmë qartazi në këto vargje poezinë lirike, si pjesë e rëndësishme e komunikimit dhe shprehje e botës së brendshme të autorit drejt lexuesit.

Si njohës i thellë i historisë, kulturës dhe traditës dibrane, vlerat madhore të tyre poeti Manreka i reflekton në poezitë e këtij vëllimi me titujt: “Tokës Amëtare”, “Heronjtë e Drinit”, “Ty o Dibër famëmadhe” e “Jam krenar, që jam dibran”.

Në disa poezi të tjera të këtij libri, autori shpreh reflekse të vazhdimësisë së jetës nëpër valë medituese nëpër ditë e net, nëpër çaste e stinë, duke u rritur me drojë e frikë, se fare pak nektar po arrijmë të mbledhim nga jeta, si për shembull tek poezia “Tek rrënjët tua kam përjetësinë”, ku veçojmë vargjet: “Kurrë s'do të lodhem, duke i kënduar/ S'do të pushojë, pena tu i shkruar/ Kësajë toke, ku eça në këmbë/ Ku, për të parën herë, thash fjalën Nënë!”.

Pa e shuar kureshtjen e lexuesit, në poezitë e këtij vëllimi ai do të ndeshet me nuanca të dallueshme kulturore të autorit, në përputhje harmonike me zellin e tij studjues e krijues, me frymëzim nga heroizmi i shqiptarëve në luftrat për liri e pavarësi kombëtare, si  në poezitë: “Tokës Amëtare”, “E dua Shqipërinë”, “S' vdes historia, se rron rinia”, etj.

Dhe pothuajse ashtu si në tërë “oqeanopoezinë” e sotme, edhe  në vëllimin poetik të Ferit Manrekës “Aromë jete”, kurrësesi nuk mund të mungonte poezia me temën e dashurisë. Më evidente kjo në poezitë me titujt: “Sekretet e dashurisë” e “Dashurisë së parë”.

Po ashtu, në këtë vëllim zënë vend të veçantë poezitë që stigmatizojnë plagët soçiale të shoqërisë sonë në tranziçion të tejzgjatur.

Në këtë libër është evident fakti që Ferit Manreka, si pinjoll i një familjeje me tradita atdhetare nga, që u mëkua që në fëmijërinë e herëshme me traditat e familjes, të fisit e të fshatit të tij emërnditur në historinë tonë kombëtare, ua lë testament brezave këtë libër me poezi mbresëlënëse, në të çilin vjen me “pasaportën” e zgjuarsisë natyrale, dhuratë e genit dhe natyrës së bjeshkëve hijerënda dhe kreshnike të Katër Grykëve të Dibrës. Kësisoj, poezitë e vëllimit “Aromë jete” të autorit F. Manreka janë zëri dhe fjala artistike në vargje që mbajnë gjallë kujtesën dhe dinjitetin shqiptar përmes fuqisë së fjalës. Sepse me penën e tij e tij ka ruajtur dinjitetin e fjalës shqiptare.

Në tërësinë e tij, ky është një vëllim poetik që ja vlen të lexohet dhe të zejë vend në bibliotekat tona.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page