Timo Mërkuri: III ORIGJINA ILIRO-SHQIPTARE E KËNGËS ISO-POLIFONIKE.

Nga Timo Mërkuri
Fillimisht, Vaso Tole e kërkon zanafillën e këngës shumëzërëshe te “e qara me bote” dhe “ligjërimet mortore”. Më pas, ai ndjek shndërrimin e tyre nëpërmjet “logatjes”. Mirëpo të tria këto lidhen me kodet zakonore dhe ritet mortore shqiptare. Pra, rruga e këngës nuk nis nga një model i ardhur nga jashtë. Ajo nis nga jeta e njeriut shqiptar dhe nga mënyra si ai e ka përjetuar dhimbjen, vdekjen dhe kujtesën.
Këtu fillon të marrë formë ideja e prejardhjes vendore të këngës. Dhimbja nuk mbetet vetëm britmë. Ajo kalon në fjalë, në ligjërim, në zë dhe më pas në një organizim shumëzërësh. Kjo rrugë e çon Tolen te një tjetër përfundim.
E veçanta e tretë, dhe ndoshta një nga më të rëndësishmet lidhet me prejardhjen vendore të këngës shumëzërëshe, iso-polifonike. Teza për një origjinë iliro-epirote e vendos këtë kulturë muzikore brenda një hapësire shqiptare dhe i jep një tjetër kuptim gjithë rrugës që kemi ndjekur deri këtu.
Kjo çështje nuk mbetet vetëm te pyetja se ku e ka zanafillën iso-polifonia. Ajo prek edhe një debat tjetër, më të hershëm dhe më të ndjeshëm: idenë se kënga iso-polifonike shqiptare mund të ketë ardhur nga muzika kishtare bizantine dhe se edhe iso-ja është marrë prej isonit bizantin.
Pikërisht këtu duhet të kthehemi pak pas. Para se të shohim se çfarë sjell Tole në librin e vitit 2011, duhet të shohim çfarë kishte shkruar më herët. Sepse kjo na lejon të kuptojmë nëse kemi të bëjmë me një mendim të lindur në këtë libër, apo me një vijë mendimi që ai e kishte hedhur më parë dhe që në vitin 2011 e çon më tej.
1. Çfarë kishte shkruar Tole më parë për origjinën e iso-polifonisë
Përpara se të hyjmë te argumentet e librit të vitit 2011, duhet parë çfarë kishte shkruar Tole më herët për marrëdhënien e iso-polifonisë me muzikën bizantine.
Një dëshmi e hershme gjendet në “Folklor muzikor, polifonia shqiptare”, SHLBU, Tiranë, 1999. Në faqen 50, Tole, duke iu referuar disertacionit të tij të vitit 1994, shkruan:“Në rraport polifoni popullore: muzikë byzantine: ‘Kultura muzikore byzantine ashtu si dhe ‘këngët fetare të të gjitha feve të tjera rrjedhin nga këngët popullore’ (V.Tole Disertacion 1994).”
Formulimi është i rëndësishëm. Tole nuk e vendos muzikën popullore shqiptare si një dukuri që duhet shpjeguar nga muzika bizantine. Përkundrazi. Ai e sheh muzikën popullore si një burim prej të cilit janë ushqyer edhe format e muzikës fetare.
Në faqen 51 ai shprehet edhe më qartë. Duke përmbledhur argumentin e vet, shkruan se ai:“synon mbështetjen e origjinës iliro-epirote (shqiptaro jugore)”. Këtu nuk kemi vetëm një përcaktim hapësinor. Fjala “origjinë” ka peshën e saj. Tole kërkon ta vendosë iso-polifoninë shqiptare në një histori vendore. Në një hapësirë iliro-epirote. Në traditën shqiptaro-jugore.
Por në të njëjtën faqe gjendet edhe një pasazh tjetër që lidhet drejtpërdrejt me çështjen bizantine. Tole shkruan:“...gjatë praktikimit të liturgjive muzikore byzantine, në vende të veçanta të Shqipërisë jugore, ka patur interpretime origjinale të saj, këto të ndikuara kryesisht prej kulturës së fortë polifonike vendase... Kjo do të thotë që nuk ka patur kohë ndikimi i kësaj kulture (bizantine... T.M.) te dëgjuesit, ndërkohë që janë vënë re ndikime nga krahu tjetër.”
Këtu do të ndalesha te ato dy fjalë: “nga krahu tjetër”. Ato kanë rëndësi sepse ndryshojnë drejtimin e marrëdhënies. Nëse kultura iso-polifonike vendase ka ndikuar në interpretimin e liturgjive bizantine, atëherë kjo e kthen drejtimin e marrëdhënies dhe nuk mbështet tezën e një prejardhjeje bizantine..
Sigurisht, një pasazh i vitit 1999 nuk mund të merret si provë e gjithë historisë së origjinës së iso-polifonisë. Nuk duhet t'i kërkojmë dokumentit më shumë nga sa thotë. Por ai na tregon diçka të rëndësishme: ideja e një origjine iliro-epirote dhe e një tradite iso-polifonike vendore nuk shfaqet për herë të parë në vitin 2011.
Kjo bëhet edhe më e qartë në faqen 53 të “Folklor muzikor, polifonia shqiptare”, SHLBU, Tiranë, 1999. ku Tole shkruan:“...polifonia jonë është polifoni e ndërtuar mbi ison dhe në këtë kontekst, kurrsesi nuk mund të jetë huazuar guri i themelit, formula e ekzistencës së polifonisë sonë, pasi ajo nuk huazohet por rrjedh prej vetvetes.” Këtu fjala “guri i themelit” merr një peshë të veçantë. Nëse iso-ja është pjesë e ndërtimit themelor të polifonisë shqiptare, atëherë debati nuk mund të zgjidhet vetëm duke vënë përballë dy fjalët “iso” dhe “ison”. Tole e çon çështjen te vetë struktura e këndimit.
Po në faqen 53 të “Folklorit….” ai shkruan: “Iso në këngën byzantine nuk është organike.” Kjo fjali nuk është e parëndësishme. Sidomos kur lexohet bashkë me atë për “gurin e themelit”. Për Tolen, pra, nuk kemi thjesht dy terma që tingëllojnë njësoj. Kemi dy dukuri që nuk kanë të njëjtin funksion në strukturën muzikore.
Prandaj, kur arrijmë te “Pse qanë kuajt e Akilit?”, tezën e origjinës iliro-epirote nuk mund ta lexojmë si një ide që lind papritur në vitin 2011. Ajo që ndryshon në librin e ri është shkalla e argumentimit: Tole sjell dëshmi të tjera, kthehet te shtresat e hershme të vajtimit dhe përpiqet t’i vendosë ato brenda një historie më të gjatë të kulturës vendore. Nuk kemi këtu një “ndryshim mendimi”, por një vijimësi. Një mendim i hedhur më parë, në librin e vitit 1999, në “Pse qanë kuajt e Akilit?” merr hapësirë më të gjerë dhe kërkon mbështetje në dëshmi të tjera.
2. Kundërshtimi i prejardhjes nga kënga kishtare bizantine
Në librin ‘Pse qanë kuajt e Akilit?’, çështja e prejardhjes hapet më tej. Tole nis të kërkojë gjurmët që, sipas tij, mund të na çojnë më thellë në kohë.
Kjo është arsyeja pse kundërshtimi i prejardhjes nga kënga kishtare bizantine nuk duhet parë si një mohim i thjeshtë. Pas tij qëndron një pyetje tjetër: nëse kënga iso-polifonike nuk është ngritur mbi modelin e kishës, atëherë ku duhet kërkuar fillesa e saj?
Përgjigjja që më del nga libri është e qartë. Vështrimi zhvendoset nga institucioni fetar te jeta e hershme e bashkësisë dhe, në mënyrë të veçantë, te riti vajtimor.
Që në hyrje, Tole e paraqet librin si një përpjekje për t’iu afruar “rrënjëve” të muzikës dhe këndimit iso-polifonik vajtues. Më tej, ai flet për “korin vajtimor”, “të qarën me bote-me ulërimë” dhe atë “me ligje” si fillesa të iso-polifonisë popullore shqiptare. Kjo nuk është një rastësi e ndërtimit të librit. Është vetë rruga nëpër të cilën ai kërkon të hyjë drejt prejardhjes.
Këtu libri lidhet natyrshëm me dy prurjet që kemi parë më parë. ‘E qara me bote’ vendoset në një proces më të gjerë, ku vajtimi, rituali dhe zëri i përbashkët hyjnë në shpjegimin e lindjes së shumëzërëshit.
Por Tole shkon edhe më tej. Në faqet 106–107, kur i kthehet drejtpërdrejt tezës së prejardhjes bizantine, ai i quan këto polemika “të pa baza”. Por rëndësia, për mua, nuk qëndron vetëm te kjo fjalë. Menjëherë pas saj ai e kthen argumentin në një drejtim tjetër. Madje e përmbys pyetjen: në vend që të kërkohet se çfarë mund të ketë marrë iso-polifonia nga muzika bizantine, hapet mundësia që vetë muzika bizantine të jetë ushqyer nga kultura tradicionale të popujve që praktikonin fenë e krishterë.
Në faqen 107, përmes fjalëve të Ramadan Sokolit, iso-polifonia përcaktohet si trashëgimi e një “kulture të lashtë, që ka lindë këtu në vend nga puna e sa e sa breznive”. Këtu, për mua, ndodh diçka e rëndësishme. Origjina vendore nuk lihet vetëm si një pohim. Ajo vendoset në një sfond më të gjerë: në kohë, në ritual, në vazhdimësinë e brezave. Dhe pikërisht këtu fillojnë të marrin kuptim dëshmitë që Tole sjell nga shtresat e hershme të kulturës.
Ai nuk thotë se një pikturë shkëmbore është vetë një këngë iso-polifonike. Nuk thotë se një instrument i lashtë është regjistrimi i parë i iso-së. Kjo duhet mbajtur e ndarë. Në rastin e shpellës së Lepenicës, për shembull, ai i sheh figurat antropomorfe të vendosura në grup si një dëshmi që “duket se” përshkruan një ritual tragjik të mijëvjeçarit të III p.e.s. dhe e lidh këtë vendosje me jetën dhe vdekjen përmes aktit të vajkëndimit në ansambël.
Këtu ne duhet të jemi të kujdesshëm. Një gjurmë arkeologjike nuk është vetë prova e një tradite muzikore të pandryshuar. Nuk mund të themi se Lepenica provon ekzistencën e iso-polifonisë së sotme në atë kohë. Do t’i kërkonim dokumentit më shumë nga sa mund të japë.
Por mund të themi diçka tjetër. Tole i vendos këto gjurmë në të njëjtën rrugë kërkimi, ku takohen rituali, vajtimi, grupi dhe zëri i përbashkët. Për mua, ky është një dallim thelbësor. Sepse, po ta lexojmë këtë pjesë si një provë të drejtpërdrejtë, argumenti dobësohet. Ndërsa, po ta lexojmë si një varg gjurmësh që Tole i bashkon për të ndërtuar një histori më të gjatë të vajtimit dhe të praktikave kolektive, atëherë kuptojmë më mirë mënyrën se si ai e ndërton mendimin.
Edhe këtu, pra, rruga nuk na çon te kisha. Na çon te riti. Nga riti te vajtimi. Nga vajtimi te zëri kolektiv. Dhe prej këtij zëri te shumëzërëshi. Kjo është rruga që unë shoh në librin e vitit 2011.
Edhe dëshmia e Bylisit duhet parë në këtë dritë. Tole përmend veglat muzikore idiofone të zbuluara në qytetin antik dhe i vendos ato në një kontekst ceremonish e praktikash të lidhura me vajtimin. Por as këtu nuk kemi përpara një provë të drejtpërdrejtë të iso-polifonisë së sotme. Kemi një dëshmi tjetër të hershmërisë së praktikave muzikore dhe rituale.
Prandaj nuk do t’i rendisja këto dëshmi si hallka që provojnë një vijë të pandërprerë deri te kënga e sotme. Ato kanë një vlerë tjetër: ndihmojnë Tolen të ndërtojë një hapësirë më të gjerë ku muzika, rituali, vdekja dhe bashkësia shfaqen të lidhura me njëra-tjetrën.
Në këtë kuptim, dëshmitë fillojnë të flasin së bashku: rituali, vajtimi, kujtesa dhe zëri i përbashkët krijojnë një hapësirë më të gjerë për të kuptuar këtë kulturë. Por tani duhet parë edhe vetë ndërtimi i saj.
Në faqen 107 ai e lidh këtë me karakterin “organik” të isos shumëvalëshe në iso-polifoninë shqiptare. Sipas tij, kultura iso-polifonike “nuk bën dot pa të”, ndërsa isoja bizantine është “strukturalisht e ndashme” nga zërat e tjerë të muzikës bizantine. Këtu debati ndryshon pak natyrë. Nuk jemi më vetëm te pyetja: nga erdhi iso-polifonia? Tani pyetja bëhet: a është isoja shqiptare e njëjta dukuri me ison bizantin?
Tole sjell edhe një dallim tjetër, atë të shkallëve muzikore: pentatonikja, që ai e lidh me iso-polifoninë, dhe shkallët modale diatonike të muzikës bizantine. Këto argumente janë të rëndësishme sepse e zhvendosin debatin nga ngjashmëria e një fjale te struktura e vetë muzikës. Fjala “iso” mund të tingëllojë njësoj. Por një emërtim i përbashkët nuk mjafton për të provuar një prejardhje të përbashkët. Dhe kjo është pikërisht pika ku duhet të ndalemi përpara se të vazhdojmë.
Sepse edhe nëse pranojmë se riti bizantin ka lënë gjurmë në disa forma të vajtimit dhe të varrimit, vetë Tole bën një dallim të qartë. Ai pranon se riti fetar ndikoi “deri diku” në “formalizimin e disa procedurave të lidhura me vajtimin e krishterë dhe varrimin”, por nuk e sheh këtë si burimin e rregullave të “qarës me bote”.Pra, ndikimi nuk është e njëjta gjë me prejardhjen. Kjo është një vijë që, sipas meje, duhet mbajtur e qartë.
Dhe më pas vjen kundërshtimi edhe më i drejtpërdrejtë: ideja se një popull i tërë mund të ketë mësuar në kishë një mënyrë këndimi dhe pastaj ta ketë marrë atë jashtë saj, në jetën familjare e shoqërore, si një “model didaktik shkollor” të ardhur nga jashtë. Tole e quan këtë “një utopi”. Argumenti i tij këtu nuk mbështetet më vetëm te struktura muzikore. Ai kalon te vetë jeta fetare e shqiptarëve.
Në Shqipërinë e Jugut, shkruan ai, krahas besimit ortodoks u zhvilluan edhe islami dhe bektashizmi. Megjithatë, kultura tradicionale iso-polifonike dhe vajtimet e lidhura me të nuk u shpërbënë. Përkundrazi, isoja u shfaq edhe në ritualet fetare bektashiane.
Dhe pastaj vjen ajo fjali e shkurtër, e prerë: “Shqiptarët u përkasin feve të ndryshme, por qajnë njësoj me iso!”Këtu argumenti merr një tjetër peshë. Nëse e njëjta kulturë vajtimi vazhdon të jetojë në një shoqëri me përkatësi të ndryshme fetare, atëherë, (jo vetëm T.M) në logjikën e Toles, bëhet më e vështirë të shpjegohet ajo si një model i marrë nga një institucion i vetëm fetar dhe i shpërndarë më pas në jetën popullore. Nuk është më vetëm pyetja se çfarë ndodhi në kishë. Është pyetja se çfarë vazhdoi të jetojë jashtë saj.
Dhe pikërisht këtu mbyllet natyrshëm kjo pjesë e argumentit të Toles. Ai e vendos kulturën iso-polifonike në një shtresë më të thellë se konteksti i një riti të vetëm fetar: në atë që e quan “cikli i hershëm parafetar i jetës dhe i vdekjes”.
Kështu, kundërshtimi i prejardhjes nga kënga kishtare bizantine nuk qëndron vetëm te fjala “të pa baza”. Ai ndërtohet në disa drejtime njëherësh: te rrënjët e hershme të vajtimit, te karakteri strukturor i isos, te dallimet muzikore, te kufijtë e ndikimit të ritit ortodoks dhe te vazhdimësia e kulturës iso-polifonike përtej ndarjeve fetare.
Por këtu duhet të ndahet një çështje nga tjetra. Deri tani kemi folur për prejardhjen e iso-polifonisë dhe për arsyet me të cilat Tole kundërshton një burim të drejtpërdrejtë bizantin. Një pyetje tjetër është ajo e isos:a janë isoja shqiptare dhe isoni bizantin e njëjta dukuri?
3. Isoja shqiptare dhe isoni bizantin nuk janë e njëjta dukuri
Pasi kundërshton prejardhjen e iso-polifonisë shqiptare nga muzika kishtare bizantine, Tole ndalet te një pikë që duket e vogël, por në këtë debat merr peshë: isoja. Ngjashmëria e emërtimit është përdorur si mbështetje për idenë e huazimit. Por a mjafton një emër i përbashkët për të provuar një prejardhje? Për mua, jo.
Pikërisht këtu argumenti i Toles bëhet më konkret. Ai nuk ndalet te fjala. Shkon te mënyra se si ky zë funksionon brenda dy strukturave muzikore. Tole shkruan se “kultura iso-polifonike buron dhe është ndërtuar organikisht mbi konceptin e isos shumëvalëshe, me një fjalë nuk bën dot pa të”, ndërsa për ison bizantin thekson se ajo është “strukturalisht e ndashme nga zërat e tjerë të muzikës bizantine” dhe nuk është element thelbësor i teksturës së kësaj muzike (f. 107). Këtu qëndron, sipas meje, një nga dallimet më të rëndësishme që sjell libri.
Në iso-polifoninë shqiptare, isoja nuk është një zë i vendosur anash këngës. Ajo është pjesë e vetë ndërtimit të saj. Tole përdor fjalën “organikisht” dhe kjo fjalë ka peshë. Isoja është e lidhur me vetë mënyrën e ndërtimit të shumëzërit. Madje, vetë kënga iso-polifonike ndërtohet mbi iso-n.
Dallimi nuk mbaron këtu. Në këngën bizantine, isoni paraqitet si një zë i temperuar, i lidhur me sistemin muzikor ku ai funksionon. Ndërsa në këngën iso-polifonike shqiptare, isoja është një zë i patemperuar. Ky ndryshim nuk është vetëm në emërtim dhe as në mënyrën e shqiptimit të zërit. Ai prek vetë natyrën e dy dukurive muzikore.
Këtu duhet të kthehemi edhe një hap më pas, te vetë zanafilla që Tole kërkon në vajtim dhe në “të qarën me bote”. Nëse, siç argumenton ai, kënga iso-polifonike lidhet me këtë shtresë të hershme të vajtimit, atëherë edhe isoja nuk mund të shihet thjesht si një element i marrë më vonë nga një sistem tjetër muzikor.

Vajtimi ishte i rrethuar nga rënkimet, nga zërat e dhimbjes që shoqëronin të qarën. Në rrjedhën e këtij procesi, rënkimet mund të jenë kthyer në mbajtje zëri, në iso, e prej saj të ketë marrë formë gradualisht një organizim shumëzëror.
Kjo është një nga arsyet pse lidhja e iso-polifonisë me vajtimin ka rëndësi edhe për çështjen e hershmërisë. Nuk kemi këtu një provë të drejtpërdrejtë, në kuptimin e një dokumenti që na tregon saktësisht kur lindi isoja. Kemi një gjurmë të një procesi shumë më të hershëm: nga rënkimi te zëri i mbajtur, nga zëri i mbajtur te isoja dhe, më tej, te shumëzërësia. Prandaj, për mua, pyetja nuk mund të nisë vetëm nga emri “iso”. Emërtimi mund të jetë më i vonshëm; dukuria që ai shënon mund të ketë rrënjë shumë më të hershme. Nuk është e njëjta gjë të kërkosh moshën e një emri dhe të kërkosh moshën e një dukurie.
Edhe dallimi që Tole sjell në të njëjtën faqe, mes shkallëve pentatonike të iso-polifonisë shqiptare dhe shkallëve diatonike të muzikës bizantine, e çon argumentin në këtë drejtim (f. 107). Pra, krahasimi nuk mbetet te emri. Shkon te vetë organizimi i tingullit.
Mendoj se këtu është pika ku duhet të ndalemi. Nëse isoja shqiptare është zë i patemperuar, i ndërtuar organikisht brenda shumëzërit, ndërsa isoni bizantin, sipas përshkrimit të Toles, është zë i temperuar dhe strukturalisht i ndashëm nga zërat e tjerë, atëherë nuk mund t’i barazojmë vetëm sepse emërtimi tingëllon i afërt. Një emër mund të jetë i njëjtë. Dukuria jo domosdoshmërisht.
Dhe pikërisht këtu del problemi me tezën e huazimit. Nëse pretendohet se isoja shqiptare është marrë nga isoni bizantin, nuk mjafton të tregohet fjala iso. Duhet të tregohet edhe lidhja muzikore: si ka kaluar ky zë nga një sistem në tjetrin, kur ka ndodhur kjo dhe çfarë është marrë realisht prej tij. Pa këtë lidhje, kemi një ngjashmëri emërtimi. Jo një provë prejardhjeje.
Kjo është edhe arsyeja pse më duket me vend ajo masë që duhet ta ruajmë gjatë gjithë këtij diskutimi: gjurma nuk është prova. Fjala “iso” mund të jetë një gjurmë interesante. Por një gjurmë, sado interesante të jetë, nuk mund të mbajë e vetme peshën e një teze mbi prejardhjen e një kulture muzikore.
Prandaj, në këtë pikë Tole e zhvendos debatin te vetë natyra e dukurisë. Nuk mjafton emri. Duhet parë funksioni, struktura dhe mënyra si ky zë jeton brenda këngës. Dhe kjo na lejon të kuptojmë më qartë edhe çfarë nuk po thotë Tole. Ai nuk po mohon se në historinë e kulturës shqiptare mund të ketë pasur kontakte dhe ndikime bizantine. Madje vetë thotë se riti bizantin ka ndikuar “deri diku” në formalizimin e disa procedurave të vajtimit dhe varrimit (f. 108). Por ndikimi nuk është e njëjta gjë me prejardhjen. Këtu qëndron thelbi.
Isoja shqiptare dhe isoni bizantin mund të kenë një afërsi emërtimi, por kjo nuk i bën të njëjtën dukuri muzikore. Njëra, në përshkrimin që sjell Tole, është e lidhur organikisht me shumëzërin iso-polifonik; tjetra është strukturalisht e ndashme nga zërat e tjerë të muzikës bizantine. Prandaj, pyetja nuk duhet të jetë vetëm: “A kanë të njëjtin emër?” Duhet të pyesim: “A kanë të njëjtën natyrë, të njëjtin funksion dhe të njëjtën strukturë?”
Pikërisht këtu bie poshtë edhe përpjekja për ta përmbledhur këtë debat në një fjalë të vetme. Isoja shqiptare nuk provohet si huazim vetëm sepse quhet iso. Për një përfundim të tillë duhen dëshmi të tjera, më të plota dhe më të lidhura me vetë historinë e dukurisë. Dhe këtu mbyllet njëra hallkë e argumentit tonë: emri mund të jetë një gjurmë; funksioni dhe struktura kërkojnë dëshminë. Gjurma nuk është prova.
4. Modeli didaktik shkollor dhe kufijtë fetarë të iso-polifonisë
Tole e thotë më prerë se kudo tjetër: “Pavarësisht nga kjo, është e pamundur që të provohet se një popull i tërë u mësua të këndojë muzikën bizantine brenda institucioneve fetare dhe më pas, këtë mënyrë këndimi, të mësuar në kishë, ta praktikonte jashtë saj, pra në jetën e gjallë familjare, si një model didaktik shkollor i ardhur nga jashtë!” Dhe pastaj e mbyll prerë: “Kjo është një utopi...” (f. 109).
Ky është, për mendimin tim, një nga pasazhet që duhet të qëndrojë në qendër të këtij debati. Tole këtu nuk po shpreh thjesht një dyshim. Ai vë në pikëpyetje vetë mundësinë për të provuar një skemë të tillë: një popull që mëson në kishë një mënyrë këndimi dhe pastaj e nxjerr atë prej kishës, për ta përdorur në jetën e vet familjare, si një mësim të marrë në një institucion fetar.
Mendoj se këtu duhet bërë një dallim. Një gjë është të pranosh se riti bizantin mund të ketë ndikuar në disa forma të jetës rituale dhe, siç thotë vetë Tole, “deri diku” në formalizimin e disa procedurave të vajtimit dhe varrimit (f. 108). Gjë tjetër është të thuash se një popull i tërë e ka mësuar në kishë një mënyrë këndimi dhe më pas e ka marrë me vete në jetën e përditshme. Kjo e dyta kërkon shumë më tepër se një hamendësim.
Sepse një mënyrë të kënduari që jeton në familje, në gëzim e në mort, që kalon nga një brez te tjetri dhe që gjendet në bashkësi me përkatësi të ndryshme fetare, nuk shpjegohet lehtë si një “mësim” i marrë në një institucion të vetëm.
Këtu pyetja ndryshon natyrë. Nuk është më vetëm: ku mund të jetë dëgjuar kënga? Pyetja bëhet: si u bë kjo mënyrë të kënduari pjesë e jetës së njerëzve?
Sepse një këngë mund të dëgjohet diku. Por që të bëhet pjesë e jetës, duhet të hyjë më thellë: në kujtesë, në zakon, në marrëdhëniet mes njerëzve. Duhet të kalojë nga goja e një brezi te goja e brezit tjetër. Atëherë nuk kemi më thjesht një mësim të marrë. Kemi një kulturë që është bërë pjesë e jetës.
Pikërisht këtu merr kuptim edhe një fjali tjetër e Toles: “Shqiptarët u përkasin feve të ndryshme, por qajnë njësoj me iso!” (f. 109). Kjo fjali, ka një peshë që nuk vjen nga madhështia e fjalëve. Përkundrazi. Është e thjeshtë. Dhe pikërisht për këtë arsye të godet. Përballë ndryshimit fetar, Tole vendos një vazhdimësi të përbashkët kulturore. Shqiptarët mund të jenë orthodhoksë, myslimanë apo bektashinj, por, siç e formulon Tole, “qajnë njësoj me iso”.
Po në të njëjtën faqe ai sjell edhe një të dhënë tjetër: “Nuk duhet harruar se, vlerat e këndimit muzikor shumëzërësh, bektashinjtë shqiptarë, e futën këtë mënyrë këndimi edhe në ritualet e tyre fetare në dhjetëra raste!” (f. 109). Këtu marrëdhënia bëhet edhe më interesante. Nëse iso-polifonia do të ishte produkt i drejtpërdrejtë i një tradite të vetme fetare, atëherë si shpjegohet që ajo ka kaluar përtej kufijve të asaj tradite dhe ka hyrë edhe në hapësira të tjera rituale?
Kjo pyetje nuk e zgjidh vetvetiu çështjen e prejardhjes. Por e bën më të vështirë një shpjegim të thjeshtë, sipas të cilit kisha krijoi modelin dhe populli vetëm e mori atë.
Këtu duhet të dallojmë edhe një gjë tjetër: ndikimin nga përkatësia. Një kulturë mund të ndikohet nga një rit fetar pa qenë e krijuar prej tij. Një formë muzikore mund të hyjë në një ceremoni fetare pa e pasur zanafillën në atë ceremoni. Prandaj, fakti që isoja përdoret edhe në rituale fetare nuk është, në vetvete, provë e prejardhjes së saj fetare.
Marrëdhënia mund të ketë edhe drejtim tjetër. Kënga popullore mund të marrë diçka nga riti, por edhe tradita popullore mund të hyjë në hapësirën e ritit. Kufiri nuk është gjithmonë një mur. Ndonjëherë është një derë që hapet në të dyja drejtimet. Këtu, për mua, qëndron një nga pikat më të forta të argumentit të Toles. Iso-polifonia nuk shfaqet thjesht si një mënyrë të kënduari që i përket një institucioni të vetëm. Ajo shfaqet si një pasuri kulturore që ka ditur të jetojë përtej kufijve fetarë. Dhe kjo e bën të pamjaftueshme skemën e thjeshtë: “kisha krijoi, populli mori”. Kjo, e vetme, nuk e mbyll çështjen e prejardhjes. Por e bën të qartë dallimin që Tole kërkon të vendosë: një gjë është një model i mësuar në një institucion; tjetër gjë është një kulturë që ka hyrë në jetën e njerëzve dhe ka jetuar përtej kufijve të tij.
Në fund, mbetet një pyetje e thjeshtë: a thotë Tole, në librin “Pse qanë kuajt e Akilit?”, se iso-polifonia shqiptare buron nga kisha bizantine, siç është pretenduar?
Pasazhet që kemi sjellë nga libri thonë të kundërtën.
Tole i quan “të pabaza” polemikat për prejardhjen bizantine të iso-polifonisë (f. 106). Ai e dallon qartë iso-n shqiptare nga isoni bizantin (f. 107) dhe e quan “një utopi” idenë se shqiptarët e mësuan këtë mënyrë këndimi në kishë dhe më pas e morën me vete në jetën familjare (f. 109). Atëherë, mbi çfarë mbështetet akuza?
Nëse prova është vetëm fjala “iso”, kemi një ngjashmëri emërtimi, jo një provë prejardhjeje. Emri mund të jetë një gjurmë. Por gjurma nuk është prova.
Prandaj, para se t’i atribuojmë një studiuesi një tezë, duhet të bëjmë diçka shumë më të thjeshtë: të lexojmë çfarë ka shkruar. Të shohim faqen. Të dëgjojmë fjalën e tij.
Në këtë rast, dokumentet janë vënë mbi tavolinë. Edhe libri është aty.
Sarandë, gusht-shtator 2026








Comments