top of page

FATMIR MINGULI: LIBRI I RI I AUTORIT SHPENDI TOPOLLAJ

  • 23 hours ago
  • 2 min read

 

MBI LUFTIMET MES ÇEZARIT E POMPEUT NË DURRËS

 

   Pak ditë pas botimit të librit me kritika letrare “Pa titull”, shtëpia Botuese 2M nxorri nga shtypi librin studimor - historik “Çezari e Pompeu në Durrës” të autorit shumëdimensional Shpendi Topollaj, i cili trajton një nga luftimet e rëndësishme të zhvilluara pas prishjes së Triumviratit të Parë, mes dy kapedanëve të shquar romakë. Ngjarjet e përshkruara në këtë libër janë ato të vitit 48 p.e.s., pra nga 5 janari deri në 12 korrik, që njihen si beteja e Shkëmbit të Petrës (Kavajës), ku për herë të parë fituesi i shumë e shumë luftimeve, Gaj Jul Çezari, provoi shijen e hidhur të humbjes, duke e quajtur gabim atakimin e Durrësit, për ta vënë nderin në vend në 9 gusht në Farsalë. Është një histori me të cilët janë marrë shumë shkrimtarë e historianë, si fjala vjen Plutarku me shokë dhe për të cilën janë edhe kronikat e vetë Çezarit te libri i tij në tre volume “Mbi luftën civile”. Nga pena e Shpendi Topollajt nuk çuditet tani askush, kur sheh se ai lëvron me kompetencë dhe talent të pazakontë, çfarëdo teme në çfarëdo lloj gjinie. Por në këtë rast, përveç kulturës së tij të përgjithëshme, luan rolin e vet edhe fakti se profesioni i tij ka qenë ai i oficerit, pra njohja në detaje e artit të luftimit dhe e historisë së atij arti.

Por duke e lexuar këtë libër, të cilin Prof. Dr. Eshtef Ymeri e quan me vlera akademike dhe që “duhet çuar në fakultetin e Shkencave Politike - Juridike… në mënyrë që t`u shërbejë pedagogëve si burim informacioni… Sepse lind një pyetje e vetvetishme: Ata pedagogë universiteti a janë pajisur me një të tillë horizont kulturor, të cilin duhet t`ua përcjellin edhe studentëve të tyre?...”, kupton edhe shqetësimin e tij qytetar, pse jo edhe atdhetar, që si është e mundur, të mos ketë të paktën një pllakë mermeri në përkujtim të kësaj ngjarjeje në Durrësin gati 3.000 vjeçar, për të cilën shkruajnë të gjitha historitë dhe enciklopeditë e botës, kur atje në Vaterlo, në një komunë gati të panjohur të Belgjikës, për ndeshjen e Welingtonit me ushtrinë e Napoleonit në betejën e famshme të 18 qershorit 1815, është ngritur një muze madhështor që vizitohet nga një pafundësi turistësh nga të gjitha vendet.

Këtij libri, parathënien ia ka shkruar shkrimtari dhe studiuesi i njohur Robert Martiko, i cili pasi jep konsideratat e tij për vlerat e librit, nënvizon edhe domosdoshmërinë e të parit të historisë ashtu sikurse mëson diplomati dhe historiani amerikan John Lathrop Motley (15 prill 1814 - 29 maj 1877), se “Historia nuk është thjeshtë një kronikë ngjarjesh, por një gjykim mbi sjelljen njerëzore”. Pastaj, duhet mbajtur parasysh se “Qytetet, si dhe njerëzit, kanë kujtesën e tyre. Durrësi është një prej atyre vendeve ku historia nuk është thjesht e shkruar në libra; ajo është e gdhendur në gurë, në mure, në rrënoja dhe në vetë peizazhin. Kush ecën mbi atë tokë, ecën edhe mbi gjurmët e njerëzve që kanë ndryshuar rrjedhën e qytetërimit”.  

1 Comment


F. Terziu
7 hours ago

Kur historia, letërsia dhe mendimi kritik bashkohen në një zë


Ka libra që informojnë, ka libra që interpretojnë dhe ka libra që rikthejnë ndërgjegjen historike të një kombi. Studimi "Çezari e Pompeu në Durrës" i Shpend Topollajt i përket pikërisht kësaj kategorie të fundit. Ai nuk mjaftohet me rindërtimin e një episodi të madh të historisë romake, por e vendos atë në qendër të një reflektimi mbi kujtesën, identitetin dhe përgjegjësinë kulturore të shoqërisë sonë. Kjo e bën veprën të vlefshme jo vetëm për historianët, por edhe për studiuesit e letërsisë, të politikës dhe të qytetërimit.

Shpend Topollaj dëshmon edhe një herë se është ndër ata autorë që nuk njohin kufij gjinorë. Ai kalon me natyrshmëri nga krijimtaria artistike te studimi…

Like

Shkrimet e fundit

bottom of page