Timo Mërkuri: NJË PRURJE E VEÇANTË NË PROZË

Nga Timo Mërkuri
«PREKJE NË MJEGULL» – NJË PRURJE E VEÇANTË NË PROZË NGA ARMELA HYSI
II. Anxhelo – një personazh përtej vdekjes: risia e ndërtimit dhe përmasa metafizike
Në romanin “Prekje në mjegull” të Armela Hysit, Anxhelo është një nga personazhet që e ndryshon në mënyrë të veçantë marrëdhënien e lexuesit me rrëfimin. Në fillim ai shfaqet si një prani e gjallë, merr pjesë në përjetimet e së ëmës, i flet, e këshillon dhe ndikon në vendimet e saj. Vetëm më vonë, kur zbulohet se ai ka vdekur, lexuesi nis t’i rikujtojë skenat e mëparshme dhe të kuptojë se prania e tij kishte një domethënie tjetër nga ajo që dukej në fillim. Kjo vonesë e zbulimit nuk është thjesht një mënyrë për të krijuar befasi. Ajo i jep personazhit një status të veçantë: Anxhelo është i vdekur, por nuk është shkëputur nga jeta e të gjallëve. Përkundrazi, prania e tij bëhet një forcë që ndikon në mënyrën se si nëna e përjeton humbjen, kujtesën dhe vetë jetën.
Risia e këtij personazhi qëndron pikërisht këtu. Anxhelo nuk kthehet në kujtesën e së ëmës vetëm si objekt malli, as nuk shfaqet për ta mbajtur atë të lidhur pas dhimbjes. Ai bëhet zëri që e ndihmon të dalë prej saj. Kështu, marrëdhënia mes nënës dhe birit nuk ndërtohet vetëm mbi mungesën, por edhe mbi një vazhdimësi të pazakontë shpirtërore. Vdekja nuk ia heq Anxhelos funksionin prej personazhi; ajo ndryshon mënyrën e pranisë dhe të veprimit të tij në rrëfim. Ai vazhdon të ndikojë në jetën e së ëmës, ndërsa dashuria merr një funksion shërues.
a) Dhimbja e nënës dhe pesha e fajit
Për ta kuptuar rolin e Anxhelos, duhet parë më parë gjendja shpirtërore e së ëmës. Humbja e të birit nuk është për të vetëm një ngjarje e dhimbshme e së kaluarës. Ajo është kthyer në një gjendje të vazhdueshme, në një mënyrë të të jetuarit. Nëna nuk e kujton thjesht Anxhelon; ajo jeton brenda humbjes së tij. Kujtimet, që dikur i përkisnin jetës së përbashkët, tashmë janë kthyer në burim vuajtjeje. Edhe dashuria, në vend që ta mbajë të lidhur me jetën, duket sikur e tërheq gjithnjë e më thellë drejt një bote të mbyllur në mall dhe vetëdënim.
Një nga të vërtetat njerëzore që përcjell romani është se dhimbja e nënës nuk është një ndjenjë e vetme. Ajo përzihet me fajin, me pyetjet që nuk marrin përgjigje dhe me bindjen se ndoshta mund të kishte bërë diçka ndryshe. Në këtë gjendje, e shkuara nuk është më një kohë e përfunduar. Ajo rikthehet vazhdimisht, duke e mbajtur personazhin peng të asaj që ka ndodhur dhe të asaj që mendon se duhej të kishte ndodhur.

Anxhelo ndërhyn pikërisht në këtë pikë të brishtë. Ai nuk e mohon dhimbjen e së ëmës dhe as nuk i kërkon ta harrojë të birin. Përkundrazi, e ndihmon të kuptojë se kujtimi nuk duhet të jetë një dënim i përjetshëm. Kjo e bën marrëdhënien e tyre më të ndërlikuar se një dialog mes një të gjalli dhe kujtimit të një të vdekuri: biri bëhet ai që e ndihmon nënën të përballojë atë që ajo vetë nuk arrin ta kapërcejë.
b) Përtej kufirit të jetës: prania metafizike e Anxhelos
Përmasa metafizike e personazhit merr një kuptim të veçantë në episodet e spitalit, kur nëna ndodhet në kufirin mes jetës dhe vdekjes. Në atë gjendje, Anxhelo nuk shfaqet vetëm si një kujtim i dashur, por si një prani që e shoqëron, e udhëheq dhe i hap një mënyrë tjetër të të kuptuarit të ekzistencës. Në faqen 152, rrëfimtarja shprehet: “Anxhelo më tregoi një tjetër dimension”, ndërsa më tej vijnë dy fjali të shkurtra, por me peshë të veçantë: “Është jeta ime e brenda saj edhe jeta e tij. Vijimi ynë i përbashkët.”
Këto fjalë nuk duhen lexuar vetëm si shprehje e mallit të një nëne për të birin. Ato shënojnë një zhvendosje në mënyrën se si ajo e kupton lidhjen e tyre. Jeta e Anxhelos nuk vazhdon në kuptimin fizik, por në përvojën, kujtesën dhe dashurinë që ai ka lënë pas. Megjithatë, romani nuk e kufizon këtë prani te një shpjegim psikologjik. Anxhelo merr zë, vepron në përjetimin e së ëmës dhe bëhet pjesë e një hapësire ku kufiri mes jetës dhe vdekjes mbetet i hapur.
Ky është një nga elementet më të veçanta të ndërtimit të personazhit. Autorja nuk e paraqet botën përtej vdekjes si një realitet të shpjeguar deri në fund. Ajo e lë atë të përjetohet përmes vetëdijes së nënës, në një ndërthurje të kujtesës, ëndrrës, përjetimit të skajshëm dhe besimit. Kjo paqartësi nuk e dobëson personazhin; përkundrazi, i jep atij një hapësirë kuptimore më të gjerë. Lexuesi nuk detyrohet të vendosë nëse Anxhelo është një prani e mbinatyrshme apo një formë e thellë e vetëdijes së së ëmës. Por më e rëndësishme është se çfarë ndryshon kjo prani tek ajo: nëna nis ta shohë ndryshe jetën dhe të kaluarën.
c) Dashuria si urë mes jetës dhe vdekjes
Në marrëdhënien e Anxhelos me të ëmën, dashuria nuk mbetet vetëm një ndjenjë që i lidh me atë që kanë qenë dikur. Ajo shndërrohet në një forcë që e ndihmon nënën të dalë nga mbyllja në vetvete. Në faqen 163, Anxhelo i pëshpërit: “Dashuria është deti bashkues për dy brigjet, që ndryshe do t’i ndante humnera e zbrazët dhe e lugatë, edhe kur njëri breg është jeta e tjetri vdekja.” Më pas vjen thirrja e tij: “Mjaft pluskove në këtë hon të thellë.”
Metafora e dy brigjeve është domethënëse për gjithë marrëdhënien e tyre. Jeta dhe vdekja janë dy hapësira të ndara, por dashuria krijon një lidhje që nuk e shuan as largësia më e pakapërcyeshme. Megjithatë, kuptimi i këtyre fjalëve shkon përtej ngushëllimit. Anxhelo nuk i kërkon së ëmës të qëndrojë në bregun e kujtimeve, duke e kthyer mungesën e tij në qendrën e vetme të ekzistencës. Ai e nxit të largohet nga honi i dhimbjes, të mos e shndërrojë humbjen në një mënyrë të përhershme të të jetuarit.
Kjo është pika ku personazhi merr një funksion të veçantë në roman: i vdekuri bëhet mbrojtës i jetës. Ai nuk e largon nënën nga kujtimi i tij, por nga robëria që i ka krijuar ky kujtim. Nuk i kërkon të harrojë, por të mos e ngatërrojë dashurinë me vuajtjen e pafundme. Në këtë kuptim, Anxhelo nuk e ndryshon të kaluarën si ngjarje; ai e ndihmon të ëmën të ndryshojë mënyrën se si e lexon dhe e përjeton atë.
ç) Anxhelo dhe kufijtë e realizmit magjik
Personazhi i Anxhelos të kujton Melkiadesin te “Njëqind vjet vetmi” i Gabriel García Márquez-it dhe, në një farë mase, edhe disa prej personazheve të “Gjin Bardhela i Arbëresh” të Anton Nikë Berishës. Është prania e të vdekurve në jetën e të gjallëve ajo që krijon këtë afërsi. Një prani që nuk e mban më të mbyllur kufirin mes dy botëve, por e lë atë të përshkueshëm.
Te Márquez-i, të vdekurit vazhdojnë të jetojnë mes të gjallëve. Në universin e Macondos kjo nuk përbën ndonjë çudi. E jashtëzakonshmja është bërë pjesë e përditshmërisë dhe askush nuk ndalet për të kërkuar shpjegim. Te Armela Hysi ndodh diçka tjetër. Anxhelo nuk hyn në një botë ku të gjallët dhe të vdekurit bashkëjetojnë natyrshëm. Prania e tij lidhet me një marrëdhënie të vetme, atë të nënës me birin që ka humbur. Ajo lind prej dhimbjes, por dalëngadalë merr një kuptim më të gjerë. Nuk është më vetëm një kujtim që rikthehet, por një përvojë ku vetë kufiri mes jetës dhe vdekjes vihet në pikëpyetje.
Një afërsi tjetër, ndoshta më e dallueshme, është ajo me botën e “Gjin Bardhela i Arbëresh” të Anton Nikë Berishës. Edhe aty, të vdekurit nuk janë të shkëputur nga jeta e të gjallëve. Ata ndërhyjnë në të, e zgjerojnë hapësirën e saj dhe e bëjnë realitetin më të gjerë se ajo që syri mund të shohë. Por te Berisha kjo është pjesë e një universi të tërë poetik, ku ndërthuren kujtesa, identiteti dhe vazhdimësia e qenies. Te Hysi, kjo hapësirë nuk shtrihet në gjithë romanin. Ajo përqendrohet te Anxhelo dhe te lidhja e tij me të ëmën.
Kjo dallueshmëri është e rëndësishme për të përcaktuar edhe vendin e romanit në raport me realizmin magjik. Nuk mendoj se “Prekje në mjegull” mund të cilësohet si roman i kësaj rryme. Prania e Anxhelos nuk bëhet një parim që ndërton gjithë botën e rrëfimit. Nuk krijohet një univers ku e mbinatyrshmja është pjesë e zakonshme e jetës. Gjithçka mbetet e lidhur me përjetimin e nënës, me dhimbjen e saj, me kujtesën dhe me atë që ndodh në kufijtë e vetëdijes.
Megjithatë, autorja nuk na jep një shpjegim përfundimtar. A është Anxhelo një prani që vjen nga përtej, apo është zëri i një dashurie që dhimbja nuk ka mundur ta shuajë? Romani i lë të hapura të dyja mundësitë. Dhe mirë bën. Po ta mbyllte këtë përvojë brenda një shpjegimi të vetëm, do t'i hiqte një pjesë të misterit që e bën personazhin kaq të veçantë.
Prandaj, do të flisja për një prekje tangjenciale të realizmit magjik, jo për përkatësi të romanit ndaj kësaj rryme. Armela Hysi afrohet te kjo hapësirë poetike, por nuk qëndron aty. Ajo e kthen në përvojën e vet, duke e mbajtur Anxhelon mes psikologjikes dhe metafizikes, mes kujtimit dhe një pranie që nuk shpjegohet plotësisht. Në fund, ai nuk vjen për të na bindur se të vdekurit vazhdojnë të jetojnë mes nesh. Vjen për të na kujtuar se dashuria nuk largohet bashkë me njeriun që kemi humbur.
d) Nga kujtimi te vazhdimësia: Anxhelo si mbrojtës i jetës
Në pjesën përmbyllëse të romanit, roli i Anxhelos bëhet edhe më i qartë. Ai nuk e këshillon të ëmën vetëm të heqë dorë nga dhimbja, por e drejton drejt një jete ku dashuria mund të jepet përsëri. Në faqen 166, ai i kujton se ajo di të thurë përralla dhe se ka fëmijë që kanë nevojë t’i dëgjojnë. Pastaj i thotë: “ndaj fillo të shkruash sërish. Dhe lexojua!” Kjo thirrje është më shumë se një këshillë për t’u kthyer te një veprimtari e lënë pas. Ajo e rikthen nënën te vetja, te aftësitë e saj dhe te mundësia për t’u bërë e dobishme për të tjerët.
Kështu, vazhdimësia e Anxhelos nuk mbetet vetëm në kujtimet që e ëma ruan për të. Ajo merr formë në atë që nëna mund të bëjë për fëmijët e tjerë, në dashurinë që mund të përcjellë dhe në krijimtarinë që mund të rifillojë. Ai nuk i kërkon të jetojë në emër të tij, por ta vazhdojë jetën duke e mbajtur dashurinë për të si pjesë të vetes. Në këtë mënyrë, lidhja e tyre nuk mbyllet te humbja, por hapet drejt të tjerëve.
Këtu qëndron edhe risia më e rëndësishme e personazhit. Në shumë rrëfime, i vdekuri rikthehet përmes kujtesës së të gjallit si një figurë malli, dhimbjeje ose si një dëshirë e parealizuar për ribashkim. Anxhelo ka një drejtim tjetër: ai nuk e afron të ëmën me vdekjen, por e ndihmon të pajtohet me jetën. Ai nuk kërkon që ajo të mbetet pranë tij në botën e humbjes; e shtyn të kthehet te fëmijët, te shkrimi, te dashuria dhe te njerëzit.
Anxhelo mbetet kështu një prani që e ndryshon rrjedhën e brendshme të së ëmës. Përmes tij, romani e zhvendos vëmendjen nga pamundësia për ta kthyer të kaluarën te mundësia për të ndryshuar marrëdhënien me të... Dhe kjo është ndoshta domethënia më e thellë e personazhit: dashuria nuk e zhbën vdekjen, por mund të mos lejojë që vdekja të marrë me vete edhe jetën e atyre që mbeten.
Sarandë, shtator- nëntor 2026








Comments