top of page

Fatmir Terziu: Shkoi në duart e Zotit Prof. Dr. Mehdi Hyseni

9 hours ago
9 min read

 

Ka trokitur Zoti dhe ka marrë në duart e Tij një nga emrat më të njohur të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një intelektual që e ndërtoi jetën mbi dijen, studimin, fjalën e shkruar dhe përkushtimin ndaj çështjeve që i konsideronte me rëndësi për kombin shqiptar. Profesor Doktor Mehdi Hyseni është ndarë nga jeta, duke lënë pas një rrugëtim të gjatë akademik, publicistik dhe intelektual, një veprimtari të shtrirë në disa vende e hapësira shqiptare dhe ndërkombëtare, si dhe një numër të konsiderueshëm shkrimesh, studimesh dhe analizash që dëshmojnë për shqetësimet e tij të vazhdueshme mbi historinë, politikën, diplomacinë dhe të ardhmen e shqiptarëve.

Lajmi i largimit të tij nuk është thjesht një njoftim për ndarjen nga jeta të një profesori. Për mua, ai është edhe një çast reflektimi mbi një marrëdhënie bashkëpunimi që u ndërtua përmes librit, dorëshkrimeve, komunikimit dhe respektit për punën intelektuale. Kam pasur nderin të jem botuesi dhe redaktori i disa prej studimeve të tij të fundit, duke ndjekur nga afër një pjesë të rëndësishme të angazhimit të tij për ta mbajtur të gjallë mendimin dhe për ta përcjellë atë te lexuesi. Kjo përvojë më ka dhënë mundësinë të njoh jo vetëm autorin që kërkonte të botonte, por edhe intelektualin që nuk reshtte së shkruari, së argumentuari dhe së kërkuari hapësirë për idetë e veta.

 

Një jetë e nisur në Burim të Vushtrrisë dhe e shtrirë në disa hapësira të dijes

 

Profesor Doktor Mehdi Hyseni lindi më 1 shkurt 1948, në fshatin Burim, në Komunën e Vushtrrisë, në Republikën e Kosovës. Aty nisi rrugëtimi i një njeriu që do ta lidhte jetën e tij me arsimin, gjuhën, gazetarinë, studimin e historisë dhe marrëdhënieve politike ndërkombëtare. Formimi i tij nuk ishte një proces i kufizuar në një institucion apo në një fushë të vetme. Përkundrazi, ai ndoqi një rrugë të gjerë arsimore, duke kërkuar të ndërtonte një bazë të qëndrueshme shkencore për trajtimin e çështjeve politike, shoqërore dhe kombëtare.

Në vitin 1976 përfundoi studimet universitare në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Shkupit, në degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Ky formim i parë e lidhi me gjuhën, kulturën dhe identitetin shqiptar, duke i dhënë një bazë të rëndësishme për veprimtarinë e mëvonshme në arsim, gazetari dhe përkthim. Më pas, në vitin 1983, përfundoi studimet master në Shkencat e Marrëdhënieve Politike Ndërkombëtare, në Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit të Zagrebit. Në periudhën 1986–1990 zhvilloi dhe mbrojti studimet e doktoraturës në të njëjtën fushë, ndërsa në vitin 1997 mori titullin Ph.D. në Shkencat Historike, me profilin e Marrëdhënieve Politike Ndërkombëtare, në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.

Këto etapa arsimore shpjegojnë edhe natyrën e veprimtarisë së tij të mëvonshme. Ai nuk u kufizua vetëm në një këndvështrim filologjik apo historik, por ndërtoi një profil ku gjuha, historia, politika dhe marrëdhëniet ndërkombëtare ndërthureshin në trajtimin e çështjeve që lidheshin me fatin e popujve dhe zhvillimet në Ballkan. Zotërimi i gjuhës shqipe, anglishtes, frëngjishtes dhe serbo-kroatishtes i krijoi mundësi të komunikonte me burime, mjedise dhe lexues të ndryshëm, duke e zgjeruar hapësirën e punës së tij intelektuale.

 

Pedagogu, gazetari, përkthyesi dhe studiuesi

 

Veprimtaria profesionale e Mehdi Hysenit nisi herët. Në vitet 1970–1974 punoi si pedagog i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në shkollën fillore “Liria” të Gllavotinit, në Vushtrri. Ishte një fillim që e vendoste përballë përgjegjësisë së drejtpërdrejtë të arsimit dhe edukimit të brezave të rinj. Në vitet 1974–1976 punoi si gazetar në të përditshmen “Rilindja” të Prishtinës, një përvojë që e afroi me botën e shtypit dhe me përgjegjësinë e fjalës publike. Më pas, nga viti 1976 deri më 1978, ishte profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Shkollën e Mesme Ekonomike në Pejë.

Një tjetër periudhë e rëndësishme e karrierës së tij ishte puna në Departamentin e Përkthimeve të Këshillit Ekzekutiv Federativ të Jugosllavisë në Beograd. Nga viti 1978 deri më 1982 shërbeu si përkthyes, lektor dhe redaktor, ndërsa në vitet 1982–1989 punoi si terminolog në të njëjtin departament. Kjo veprimtari nuk kishte vetëm karakter gjuhësor. Puna me terminologjinë shkencore në fusha si gjuha shqipe, politika, drejtësia, ekonomia dhe kultura kërkonte njohuri të gjera, saktësi konceptuale dhe aftësi për të përcjellë kuptimin e termave nga një sistem gjuhësor e institucional në tjetrin.

Në këtë proces, sipas të dhënave të biografisë së tij, terminologjia kalonte edhe nëpër një mekanizëm verifikimi e miratimi ku përfshiheshin personalitete dhe institucione akademike shqiptare, ndër të cilat Akademik Idriz Ajeti, Dr. Bajram Krasniqi, Prof. Dr. Shaqir Berani, Instituti Albanologjik, Fakulteti Ekonomik dhe Fakulteti Juridik i Prishtinës. Kjo pjesë e karrierës së tij dëshmon për një përvojë të rëndësishme në fushën e përpunimit të gjuhës shkencore dhe të komunikimit institucional.

Në vitet 1989–1993 ishte redaktor i revistës “Liria”, kushtuar të drejtave dhe lirive të njeriut, me veprimtari në Lubjanë të Sllovenisë. Më pas, në periudhën 1993–1995, u bë anëtar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë, gjatë mandatit të kryetarit Adem Demaçi. Nga viti 1995 deri më 1999 drejtoi Komitetin për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Shoqatës për Edukim, Arsim dhe Shkencë “Bashkimi Paqësor”, nën drejtimin e Cen Pushkollit.

Këto angazhime e vendosin atë në një periudhë të ndërlikuar të historisë shqiptare, kur çështjet e të drejtave të njeriut, përfaqësimit politik, lirisë dhe ndërgjegjësimit ndërkombëtar kishin marrë një rëndësi të veçantë. Ai ishte pjesë e një mjedisi ku fjala, dokumentimi dhe argumenti politik kishin rëndësi përtej kufijve të zakonshëm të gazetarisë dhe akademisë.

 

Diaspora amerikane dhe vazhdimësia e angazhimit intelektual

 

Pas vitit 2000, Mehdi Hyseni u vendos në Boston të Massachusetts-it, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku vijoi veprimtarinë e tij në rrethana të reja. Edhe pse një pjesë e punës së tij profesionale mori karakter tjetër, ai nuk u shkëput nga angazhimi intelektual dhe publicistik. Në vitet 2000–2001 ishte bashkëpunëtor i Institutit Ndërkombëtar në Boston, ndërsa gjatë periudhës 2010–2017 bashkëpunoi me Institutin e Prognozave Politike Rajonale në Tiranë.

Një element i rëndësishëm i kësaj periudhe ishte vazhdimësia e bashkëpunimit me gazeta, revista dhe media shqiptare në Kosovë, Shqipëri, diasporë dhe më gjerë. Emri i tij lidhet me botime si “Rilindja”, “Fjala e Lirë”, “Dituria”, “Bota e Re”, “Zëri”, “Koha Jonë”, “Shekulli”, “Zëri i Kosovës”, “Bota Sot”, “Kosova Sot”, “Telegrafi”, “Liria Kombëtare”, “Kosova Press”, “Lajm Press”, “Tribuna Shqiptare” dhe “Albanian Post” në Londër.

Kjo shtrirje publicistike tregon se ai nuk e shihte diasporën si një hapësirë shkëputjeje nga zhvillimet shqiptare. Përkundrazi, përmes shkrimeve dhe analizave, vijonte të ishte i pranishëm në debatet që zhvilloheshin në Prishtinë, Tiranë, Shkup, Londër, Nju-Jork dhe në mjedise të tjera ku fjala shqipe gjente lexuesin e saj.

Ai u mor veçanërisht me marrëdhëniet shqiptaro-serbe, zhvillimet politike në Kosovë, proceset diplomatike, çështjet e sovranitetit, të drejtat e shqiptarëve dhe pozicionimin e Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në artikujt e tij trajtoi edhe rolin e institucioneve ndërkombëtare, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zhvillimet në Bashkimin Evropian dhe ndikimin e faktorëve të jashtëm në Ballkan.

Në shumë prej këtyre shkrimeve, ai mbante qëndrime të qarta, shpesh polemike, duke argumentuar në mbrojtje të pikëpamjeve të tij për çështjen shqiptare. Mund të mos pajtohesh me çdo përfundim të një autori, por kjo nuk e përjashton detyrimin për ta njohur veprimtarinë e tij, për ta lexuar dhe për ta vlerësuar atë në kontekstin e kohës, të përvojës dhe të debateve ku ai ishte përfshirë. Mendimi intelektual ka nevojë edhe për diskutim, edhe për kundërshtim, por mbi të gjitha ka nevojë për dokumentim dhe njohje.

 

Veprat, studimet dhe kontributi në publicistikën shqiptare

 

Në bibliografinë e tij përfshihen dy libra të botuar në vitin 2010. I pari është “UÇK-ja dhe e Drejta Ndërkombëtare”, botuar nga “Kuvendi” në Lezhë, me recension dhe parathënie nga Akademik Esat Stavileci. I dyti është “Shqipëria e ribashkuar e qetëson Ballkanin”, Vëllimi I, botuar nga Instituti i Prognozave Politike Rajonale në Tiranë, me recension dhe parathënie nga Dr. Koço Danaj.

Këto dy botime pasqyrojnë dy prej fushave kryesore të interesimit të tij: të drejtën ndërkombëtare në raport me luftën dhe çështjen e Kosovës, si dhe idetë e tij për zhvillimet politike e kombëtare në hapësirën shqiptare dhe në Ballkan.

Ai ishte gjithashtu autor i recencave për vepra të autorëve të tjerë. Në vitin 2014 shkroi për librin “Gjurmë kohe, libri IV” të Afrim Morinës; po atë vit për romanin “Tragjedia e 11 Shtatorit 2001” të Skifter Këlliçit, botuar në Boston; ndërsa në vitin 2015 për librin e Tafil Durakut “Simbolika e zezë heretike dhe antikombëtare e V. Surroit”.

Një pjesë tjetër me rëndësi e veprimtarisë së tij ishte botimi në gjuhën angleze i një numri të konsiderueshëm artikujsh, rreth 55 sipas biografisë së tij, ku trajtonte analiza sociale, politike, kulturore dhe marrëdhëniet ndërkombëtare ndërmjet kombeve. Në këtë drejtim, ai synonte ta çonte diskutimin mbi çështjen shqiptare edhe përtej hapësirës së lexuesit shqipfolës, duke e vendosur atë në një komunikim më të gjerë ndërkombëtar.

Artikujt e tij në Albania Post në Londër, në “Kosova Sot”, “Floripress”, “Lajm Press” dhe “Telegrafi” trajtonin tema të ndryshme, nga njohja dhe pavarësia e Kosovës, raportet me Serbinë, roli i Amerikës dhe Bashkimit Evropian, deri te debatet për identitetin, ribashkimin kombëtar dhe historinë shqiptare. Disa prej titujve të tij, si “Kosova nuk është djepi i Serbisë, por i Shqipërisë dhe i shqiptarëve”, “Pavarësia e Kosovës nuk varet nga VETO-ja e Rusisë”, “Pa ushtri, Kosova vazhdimisht është në rrezik” dhe “Amerikë, të paçim përjetë!”, tregojnë qartë drejtimet kryesore të angazhimit të tij publicistik.

Më 27 prill 2017 u bë anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve Shqiptaro-Amerikane. Ky anëtarësim përbënte një tjetër pikë të rëndësishme në jetën e tij akademike dhe në lidhjen me institucionet intelektuale të diasporës shqiptare.

 

Një intelektual që nuk e kishte përfunduar rrugëtimin e tij

 

Ndoshta një nga elementet më domethënëse të profilit të Profesor Hysenit është fakti se edhe në vitet e fundit ai vijonte të kishte projekte në zhvillim. Në biografinë e tij përmenden synimi për vazhdimin e projektit studimor për ribashkimin e kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike, përfundimi i një projekti kërkimor lidhur me debatin mbi “Kombin Kosovar”, ribotimi i librit “UÇK-ja dhe e Drejta Ndërkombëtare”, si dhe një projekt kërkimor për trajtimin dhe kundërshtimin e tezave serbomëdha mbi të ashtuquajturën “Velika Albanija”.

Këto projekte dëshmojnë se ai e shihte punën intelektuale si një proces të vazhdueshëm, jo si një veprimtari që mbyllej me botimin e një libri apo me përfundimin e një artikulli. Për të, çdo temë e trajtuar mund të kërkonte një studim tjetër, një dokument tjetër, një argument të ri dhe një përpjekje të mëtejshme për ta vendosur çështjen në një kontekst më të gjerë historik e politik.

Është pikërisht kjo vazhdimësi që e bën edhe më të ndjeshme ndarjen e tij nga jeta. Sepse bashkë me njeriun largohet edhe mundësia për të parë se si do të përfundonin disa prej projekteve të tij, çfarë tjetër do të shkruante dhe cilat debate do të kërkonte të hapte përmes studimeve të ardhshme.

 

Kujtimi im personal dhe nderimi për autorin

 

Përtej kësaj pasqyre biografike, dua të ndalem edhe te marrëdhënia ime me Profesor Mehdi Hysenin. Në botën e botimeve, çdo autor sjell me vete jo vetëm një dorëshkrim, por edhe një histori, një përvojë, një këndvështrim dhe një përgjegjësi ndaj asaj që dëshiron t'i përcjellë lexuesit. Kur kam pasur nderin të jem botuesi dhe redaktori i disa prej studimeve të tij të fundit, e kam ndier këtë përgjegjësi në mënyrë të veçantë.

Puna me dorëshkrimet e një studiuesi që kishte kaluar nëpër disa sisteme arsimore, politike dhe shoqërore, që kishte jetuar e punuar në disa vende dhe që kishte ndjekur nga afër zhvillimet e çështjes shqiptare, ishte edhe një përballje me një përvojë të gjatë intelektuale. Në çdo proces botimi ka një marrëdhënie besimi ndërmjet autorit dhe botuesit. Autori beson se mendimi i tij do të ruhet dhe do të përcillet me kujdes, ndërsa botuesi merr përsipër që fjala e shkruar të gjejë formën dhe hapësirën e duhur për t'u bërë pjesë e bibliotekës së lexuesit.

Kjo është arsyeja pse sot nuk e përjetoj këtë lajm vetëm si largimin e një autori me të cilin kam bashkëpunuar. E përjetoj edhe si mbylljen e një kapitulli njerëzor dhe profesional, ku libri ishte ura jonë e përbashkët. Disa nga studimet e tij të fundit tashmë kanë kaluar nëpër procesin e botimit dhe kjo është një prej dëshmive që mbeten. Ato do të vazhdojnë të flasin në emër të autorit, edhe atëherë kur zëri i tij nuk do të dëgjohet më në komunikimet tona.

Në fund, ndoshta ky është edhe kuptimi më i thellë i një botimi: ai nuk është thjesht një objekt që vendoset në raft, por një mënyrë për ta zgjatur jetën e mendimit përtej jetës së autorit. Një libër është një dëshmi se dikush ka menduar, ka kërkuar, ka shkruar dhe ka dashur të lërë diçka pas. Në këtë kuptim, librat e Profesor Mehdi Hysenit janë pjesë e kujtesës së tij dhe e historisë së veprimtarisë intelektuale shqiptare.

Sot, në këtë çast dhimbjeje, mendimi shkon natyrshëm te bashkëshortja, pesë fëmijët, familja e tij, të afërmit, miqtë, kolegët dhe të gjithë ata që e njohën nga afër. Ndarja nga jeta e një njeriu të dashur është një boshllëk që nuk mbushet me fjalë, por kujtimi i veprës, i përpjekjeve dhe i gjurmëve që ai ka lënë mund të bëhet një burim force për ata që mbeten.

Ka njerëz që i merr koha, por nuk i merr dot nga kujtesa. Profesor Mehdi Hyseni i përket asaj kategorie njerëzish, jeta e të cilëve duhet parë jo vetëm përmes fundit të saj, por edhe përmes asaj që kanë ndërtuar gjatë rrugës. Ai la pas një histori arsimimi, një përvojë të gjatë profesionale, një veprimtari publicistike të shtrirë në disa vende, libra, studime, artikuj dhe projekte që dëshmojnë për një angazhim të vazhdueshëm intelektual.

Nuk është e nevojshme që çdo njeri të ndajë të gjitha qëndrimet e një autori për të njohur përmasën e punës së tij. Mjafton të kuptojë se pas një jete të tillë qëndrojnë vite studimi, përpjekjeje, shkrimi dhe besimi te fuqia e mendimit. Dhe pikërisht këto meritojnë të ruhen, të lexohen dhe të vlerësohen.

 

Lamtumirë, i nderuar Profesor Doktor Mehdi Hyseni!

 

Faleminderit për besimin që më dhatë, për bashkëpunimin dhe për nderin që pata të jem botuesi dhe redaktori i disa prej studimeve tuaja të fundit. Është një përgjegjësi dhe një kujtim që do ta mbaj me respekt. Sot, ndërsa ju përcjellim me dhimbje, librat tuaj mbeten, fjala juaj mbetet dhe gjurma e punës suaj nuk shuhet me largimin tuaj.

U prehshi në paqen e përjetshme!

Ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes Hyseni dhe gjithë miqve e bashkëpunëtorëve të tij.

Fatmir Terziu

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page