TI PESHON SA DHEU
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Apr 2, 2020
- 1 min read

Vullnet Mato
TI PESHON SA DHEU
Jeta paska me mijëra dashuri
dhe secila peshën e ka të rëndë.
Po dashuria për ty qenka pafundësi,
ti sa dheu peshon, moj nënë!...
Më rrite për hapësira, si zog thëllëze,
më vure një këngë të ashpër në buzë,
më vure krahë të mëdhenj prej ëndrre
dhe me qiell në sy, më nise për udhë.
Tani zëri im, do kohë të vijë tek ti.
Puthja për të ardhur kërkon një mot.
Po kur peshën e mallit s’duroj kurrsesi
dy pëllëmbët e duarve mbështes në tokë.
Në ato çaste më duket, se prekja ime
përshkon largësitë, arrin gjithë caqet
dhe dy duart e mia, mbi tokën mëmë,
i ke, moj e shtrenjta ime, në të dy faqet.
Jam bërë baba, në moshë madhore,
dhe kam një nënë, për fëmijët e mi,
dua me shpirt, çdo dashuri njerëzore
por mbi të gjitha dashuritë, të dua ty.
Se asnjë dashuri tjetër s’të zëvendëson,
me zemër aq të madhe, sa ajo që ke ti,
mbi këtë tokë, gjallesë tjetër nuk frymon,
të shumëzojë zemrat për dashuri...
Jeta paska me mijëra dashuri
dhe secila peshën e ka të rëndë.
Po dashuria për ty qenka pafundësi,
ti sa dheu peshon, moj nënë!...
Comments