top of page

Thoma Nika: AGRONOMI 80-VJEÇAR ME PARCELËN TE SHTËPIA

3 hours ago
3 min read

Për këdo që del në pension, në Sarandë, thuhet se është një peshkatar që anijet i shikon nga bregu. Nuk e rrahin më erërat detare, nuk hedh e mbledh më rrjeta. Vetëm se ulet e shijon peshkun që zënë të tjerët. Ndërsa me agronomin Kozma Moçi, nuk ndodh kështu. Vërtet ka vite që nuk harrohet më fushave të gjera të Vurgut të Sarandës, mes kallinjve të misrit a grurit, siç bënte për dekada të tëra. Nuk i duhet as të ndjekë më punën e brigadave bujqësore në plugime, mbjellje e korrje. Por as libreza e pensionit, që mban prej mbi 15 vite, nuk e ka bërë të ndryshojë stilin e jetës. Ka lënë pas të 80-at, por thotë se nuk e lë veten të humbasë ritmin që duan punët e bujqësisë. Jetën aktive dhe profesionin e agronomit tani e vazhdon tek parcela që ka krijuar përpara shtëpisë trekatëshe, atje buzë rrugës, në fshatin Çukë, që është si lagje e Sarandës. 

Çfarë nuk ka bërë në këtë parcelë! Atje është edhe serra e perimeve të hershme, që ai e ka si një laborator. 

Në kopshtin e tij edhe hurma rritet, e një varieteti të çuditshëm, ku frutat e pjekur të shfaqen si vezë të varura në degë. 

Atje gjen limonin, për të cillin thotë se është i varietetit më të kërkuar, për kokteile që shkojnë nga 12 euro gota. Atje rritet shega që "plas" nga shëndeti në degë e deri te arrat e larta, të mbjella vite më parë. 

Kozmai, si për të treguar se brenda tij qëndron i ndezur pasioni i agronomit, e nis ditën herët në mëngjes, duke i shërbyer të mbjellave në serrë e jashtë saj. Se ai e di shkencërisht që mëngjesi është koha më e mirë për t'u shëbyer perimeve dhe pemëve, me të cilat ka qëndisur kopshtin e tij. 

Kujton se nuk e pati të lehtë ta bënte të vetën këtë tokë prej 1500 m2. Thotë se, duke e hipotekuar në emrin e tij, e shpëtoi nga lakmitë e të tjerëve, që e donin për ndërtim. Ndërsa Kozmai nuk "mbolli" ndërtime, por të gjithë sipërfaqen e ka bërë të gjelbërojë nga pemët. Në 300 m2, ka ngritur laboratorin e perimeve dhe prodhimeve bio, për familjen dhe për shokë e miq. 

"Kam qenë manjak, thotë ai, që t'i mbjell të gjitha: nga agrumet, te ullinjtë, hurmat, fiqtë, shegët e pjeshkët dhe deri te kumbulla e shartuar me nektarinë. 

Nuk e mban për vete sekretin pse perimet e Kozmait piqen më herët se të të tjerëve dhe janë të paarritshme në shijen e aromën e frutit bio. Sekreti është: asnjë spërkatje, larg plehun kimik dhe ujitje kur ka etje bima. 

Kozma Moçi
Kozma Moçi

Edhe shtëpinë-vilë, ku banon familja e Kozmait, e mbulon gjelbërimi nga agrumet që ka mbjellë në çdo pëllëmbë tokë, nga krevatinat e rrushit, që vetë e kthen në verë e raki për merak e deri tek pikturat e bëra prej tij, si një hobi. 

Tregon se i tërë ky pasion që nuk mbaron, me tokën dhe bimët, ka nisur në bankat e shkollës në Golem të Kavajës. Eksperienca e parë ishte si nënkryetar koperative në Koprencë të Skraparit, për t'iu ofruar më.pas fushave të Vurgut në Sarandë. Bëri shkencë dhe drejtim profesional, por nuk munguan edhe zigzaket e lidhura me biografinë. Puna dhe emri i mirë sërish i erdhën në ndihmë, për të zënë vendin që meritonte. 

Lumturia e Kozmait është e lidhur me djalin, i cili ecën në gjurmët e tij, pasi thotë që punon me të njëjtën dashuri për Tokën. 

Me agronomin Kozma Moçi, nuk mund të ndodhte ndryshe, veçse kështu. Ai ka mbetur njeriu që flet me Tokës, i jep e i marr asaj. Nuk u jep rëndësi viteve që i rrisin shifrën e moshës, sepse kalendari ia shton ato e Toka ia bën zbritje.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page