Thoma Goga: “Unë në delegacion?!...”
- 12 hours ago
- 5 min read

- nga defteri Çeços -
Atë ditë isha lodhur shumë. I kisha futur dhe dy “çomange” rrushi ballëkazani më shumë... Ja, që të hiqja mërzinë. M’i ngre leshrat përpjetë ai “informacioni politik”, sidomos kur flet nipi i Pinxho Kapellës, kundërshtari im. U bë surrati i tij të më shajë mua “qiverinë” time...
- Ai i ”gjati” mbeti majë ballonave, - ngriti zërin.- Sa në Azi, sa në Amerikë. Është bërë si “Kiu-fiu”. Çdo javë në Bruksel dhe harron se banon në Surrel...
- Pusho, kulaku derrit!- i thaçë dhe ngrita krrabën e desh ja dhaçë...
Ndaj sa herë që bëj debat më të, pi gjithmonë nga dy dopio më shumë.
E që thoni ju, u ktheva në shtëpi. Hapa televizorin dhe dëgjoja haberet e akshamit. Me një sy shikoja, me tjetrin dremisja. Pastaj ndërroja krahun...
Filloi haberi i parë: “Kryeplaku” i botës Tramp, shkoi në Pekin”. Këtu se si m’u ngatërruan gjërat. E thashë me vete. Alamet burri ngrihet nga fundi botës për hallet e Amerikës. Dhe këto takime na i quaka “simite”. Hallall, o babuç. Po unë çyryku, pse rri në divan? A nuk ja mbath dhe unë një herë në Peqin. Aty kam një shok ushtrie. Taramam i thonë. Mora kalin “çil” dhe ja mbatha. Për një orë isha në Bradashesh. Aty kishte dalë Tarja. U futëm në një lokal allafrënga, ku na priste një kaposh deti me përshesh... Nejse. Si i futëm nja dy-tre “çomange” rrushi, filluam nga dollitë. Këtu i thashë vetes “stop”. Dale të shikoj pak bagëtitë. Dhe hapa njërin sy. “Kryeplaku” i botës po largohej nga Pekini dhe do shkonte në Vietnam. “Hë, të pifsha dollinë. Ja njeriu i paqes...”, thaçë me vete. Edhe atje pritje e madhe. Po njëri nga turma kishte thirrur “Vietnami do fitojë”. Dhe mua më shkoi mendja te mësues Lleshi. A ju kujtonet filmi “Parrulla”, mo? Edhe ai akoma nuk e ka prishur atë parrullën te faqja e malit...Domosdo, akoma shkëlqen ajo, se parrullën e kanë shkruar me gurë vogëlushët e shkollës, kurse Vietnamin e kanë çliruar “picirukët” vietnamezë...
Nejse. Paçka se sytë dremisnin, veshët i mbaja pipëz. Të gjithë presim se ç’do bënet me Iranin, me atë “pellgaçen” e Hormutit, me çmimin e naftës. Se për shkak të naftës është rritur dhe “taksa” e shurrës, çmimi i bukës, ujit...Prit kur të na “ngopin” taksë edhe për ajrin. Na vdiqën çmimet. E kjo është luftë më e madhe se ajo me raketa e ballona...
Ja këto gjëra do i thosha “kryeplakut” të botës, po nuk e arrita dot në Peqin... Në e pjeksha ndonjëherë, do ja them nja “4 llafe për 20 pikat e paqes”...Po nuk vendosi për të gjithë paqe, më mirë ta vidhisi fare...
Ashtu siç isha vidhimë në divan, u ktheva nga ana ime. Gjithmonë fle “mëngjras”. Kam merak mos të rrijë në hava zemra e ja bën “bam”...Nejse.
Haberi tjetër ishte më i sheqerosur. Mësova se ky shefi ynë “i gjatë” po nisej për në Gore. Po ky ç’kërkon në Gore, apo do të krijojë ndonjë koopetarivë bujqësore të re, thaçë vidhimas. O burra, i thashë vetes, të shkoj dhe unë. Ta mbështesim shefin. Ja ku është Gorreja. Një vrap gomari. Me këtë rast takoj dhe krushkun tim Gori. Ashtu bëra. Zakonisht kur shkoj në zonën fushore, marrë pelën kuqalashe. Po e lashë se ishte barsë. Mora mushkën, se ma pëlqen dhe krushka. Përgjumja më kishte ngatërruar Koren me Gorren...Sa mbrrita unë, “shefi” i gjatë po bëhej gati, t’ja mbathte në Japoni.
- Shpejt Çeço, - më tha,- ke ardhur si me porosi. Në delegacion do të jesh edhe ti...
“Ç’thotë ky, mo?! Unë në delegacion?!”, mërmërita. Tëmën, thaçë! Nuk lashë as porosi në stanin tim. Po ku dreqin bie kjo Japonia? Nejse. Kush ja prish atij “të gjatit”?! Mbrrimë, që thoni ju. Hajde pritje, hajde! Le të flasë po të dojë nipi i Pinxhos. Isha vetë dëshmitar. Doli ajo japoneska e vogël sa një purtë domatesh. Ishte thatanike, aq sa mund ta merrje në krahë. Unë thaçë se ky i yni do shtrihej, siç bën me Melonin. Po japoneska, siç duket, ja njeh huqet këtij “të gjatit”. Ndaj ja zgjati dorën si lopatë varke...Pastaj “shefi” ynë bëri prezantimin:
- Ky është Çeçua,- i tha asaj. - E kam këshilltar pa pagesë. E kam zgjedhur dhe “dekan” në akademinë e barinjve. Pastaj u shtruam për drekë. Na griu uria. Po ç’e do, valonin pjatat me krimba e hardhucka zgare. Nga ato mund të hanë vetëm zagarët e mi. Na dhanë edhe oris, po nuk sollën lugë. Vetëm dy shkopinj për të kruajtur dhëmbët...Të keqen e fasuleve tona. Ka lezet. Kur ngopesh mirë e mirë, fillon “gara” e pordhimit...
Nejse. Japoneska kur dëgjoi “ëmbrin” tim, i qeshën sytë. Sa s’më puthi. Oh, sa rëhat më erdhi! Më premtoi se do më dërgonte zagarë japonezë, që nuk bëjnë allish-verish me ujqërit. Dhe jo si këta tanët. E dini se ç’më ka ndodhur një herë, mo? Ujku kishte hyrë natën dhe kishte mbërthyer një dash. Zagarët e mi, në vend që të luftonin me egërsirën, hanin tok me ujkun kërmësirën...Për këtë rast dënova zagarët, po më shumë kafsharët. Kam vendosur t’ua ndërroj pozicionet. Në vend të zagarëve, do vendos kafsharët, deri sa të na vijnë zagarët japonezë...
Kur më shkoi ndërmend ajo punë e dashit me ujkun dhe zagarët, sikur u përmenda ca. Akoma më dhëmb zemra për dashin. E nejse. Në takimin që pati me shefin tonë, japoneska premtoi se do dërgonte djathë, gjalpë, gjizë, qumësht, oris... “Ju mos e rruani”, tha ajo...Hë, më rruaç, thashë me vete. Sa mirë do ishte që t’i kishim komshi edhe Korenë edhe Japoninë!... Po ç’e do, janë prapa botës. E po dashuria dhe miqësia nuk njohin kufi... Dy ditë në qiell, brenda në ballon unë i ziu. Më dukej sikur isha mbyllur te kolibja e qenit tim. Ik e nuk kishte të sosur. Ne punojmë kot, me një fjalë, mërmërisja në “kolibe”... Bota po na sjell gjithçka. Hajd të dëgjoj edhe nipin e Pinxho Kapellës. Nashti i zgjidhet gjuha. Ka të “ndrejtë”. Zarzavatet dhe frutat janë greke, mishi maqedonas, qepa egjyptjane, orizi japonezë, nafta dhe gazi nga Rusia, mielli nga Serbia...Po prodhimi ynë? Ndaj paska të “ndrejtë” opozita” dhe plas “pordhimi” në parlamentin tonë...
As vetë nuk e mora vesh si kaloi koha atë natë. Kaluan nja dy-tri orë pa u ndjerë fare brenda në ballon. Pastaj në një sallon me një “delegacion”. Duke i dëgjuar këto habere vidhimas, aq u lodha sa...U këputa në mes, të thom, ashtu mbështetur në divan. Po këta të “mëdhenjtë” si nuk lodhen, o derman?! Hë, më thoni, si nuk lodhen nga ballona, në ballon?! Po t’i kisha futur vetes edhe nja dy “çomange” rrushi ballëkazani, atë natë do isha unë “krieministër” pa kapistër...
Nejse. Në i takofsha një herë, do t’i them dhe unë llafet e mia. Pastaj i thirra mendjes. Rri o Çeço rehat. Shiko stanin tënd e mos u merr as me samite, as me “samute” dhe as me delegacion...Fol sa të duash, po kush të dëgjon?!








Comments