Pol Milo: POEZIA EKZUBERATIVE E VLADIMIR MUÇËS...
- 3 hours ago
- 3 min read

POEZIA EKZUBERATIVE E VLADIMIR MUÇËS
NJË HAP AVANGARD NË POEZINË BASHKËKOHORE TË SHTËPISË SË SHKRIMTARËVE DHE ARTISTËVE
“Mbreti yt thërriste: Ndihmë! Ndihmë!”
Vladimir Muça, Mat pa ushtarë
Në panoramën e poezisë bashkëkohore shqiptare, krijimtaria e Vladimir Muçës paraqet një prirje të veçantë drejt poetikës ekzuberative. Poeti nuk kënaqet me përshkrimin e drejtpërdrejtë të realitetit, por e zgjeron atë nëpërmjet metaforave dinamike, asociacioneve të papritura dhe transformimit të përvojës së zakonshme në një ngjarje simbolike me shtrirje universale.

Poezia “Mat pa ushtarë” është një shembull domethënës i kësaj prirjeje. Një lojë shahu pranë një shatërvani shndërrohet në një meditim mbi pushtetin, varësinë reciproke dhe fatin e strukturave njerëzore. Figura e mbretit pa ushtarë e kapërcen menjëherë kuptimin e saj konkret dhe fiton dimensione filozofike, sociale dhe ontologjike. Kjo aftësi për të prodhuar kuptime të shumëfishta nga një situatë e thjeshtë është një nga tiparet më të dukshme të poetikës ekzuberative.
MAT PA USHTARË
Ne loznim shah pranë shatërvanit,
Shokët bënin tifo rreth e rreth,
Unë s'ndihesha, me syrin e luanit
Ndiqja si dhelpër mbretin tënd.

Ti, hera herës, mëndje shkulur,
Bridhje si qëmoti nëpër natë,
Me ballin e djersitur e të skuqur,
Mendimi shahistik ndriste flakë.
Ishe keq, pa shpresa pozicioni,
Asnjë ushtarë s'ish në të zi,
Fërgëlloje nën ethe emocioni,
Mbreti yt thërriste: Ndihmë! Ndihmë!
Më buzëqeshje siç dinë etërit
Dhe mbretin rrëzove në skakierë;
-Pa ushtarë bij, nuk rrojnë mbretërit,
Në theqafje u merr koka erë.
Vladimir Muça, me mjaft eksperiencë në ontologjinë poetike, i afirmuar tashmë prej kohësh, sjell një frymë që lidhet me kërkimin avangard për forma të reja shprehjeje. Ai nuk synon vetëm rrëfimin poetik, por krijimin e një fushe energjish ku metafora bëhet qendra e organizimit të tekstit.
Objekti konkret shkon në drejtime të ndryshme kuptimore dhe lexuesi ftohet të marrë pjesë në procesin e interpretimit. Në shumë poezi kemi objekte dhe forma të thjeshta e të lira, psh. kemi gjethe me aroma, kemi lule me ngjyra, kemi zogj këngëtarë etj. Por nuk mund të mjaftohemi me kaq.
Te “Mat pa ushtarë” ekzuberizmi nuk ndodh në planin e materies poetike, por në planin e inteligjencës strategjike dhe vizionit shahistik. Loja e shahut mbetet shah. Mbreti mbetet mbret. Ushtarët mbeten ushtarë. Nuk kemi metamorfozë figurative të elementeve. Ajo që zgjerohet është fusha e kuptimit.
Kjo metaforë e fuqishme është për fatin e çdo mbreti por njëkohësisht dhe të çdo njeriu që harron se madhështia e tij mbështetet gjithmonë mbi të tjerët. Në momentin kur ushtarët zhduken, mbreti nuk humbet vetëm lojën, por ai humbet arsyen e ekzistencës së tij. Çfarë do të bëjë ai pa ushtarë Ushtarët nuk janë thjesht gurët e shahut. Ata përfaqësojnë njerëzit e zakonshëm, mbështetjen, bazën mbi të cilën ngrihet çdo strukturë. Mbreti, ndonëse figura më e rëndësishme në lojë, del si më i pafuqishmi kur mbetet vetëm. Kjo krijon një përmbysje të hierarkisë së dukshme, ku ai që duket më i forti është në fakt më i varuri.
Nga perspektiva e teorisë së gjeometrisë emocionale, poezia e Muçës krijon struktura të lëvizshme emocionesh, ku forcat poetike organizohen sipas dy vektorëve të kundërt, rënia e pushtetit mbretëror dhe ngritja e vetëdijes, humbja dhe zbulimi, fundi i lojës dhe lindja e kuptimit. Kjo e largon tekstin nga lineariteti tradicional dhe e afron me format më eksperimentale të poezisë moderne.
“Pa ushtarë bij, nuk rrojnë mbretërit”
është boshti filozofik i poezisë. Ai vjen të lexohet si reflektim historik dhe social. Asnjë qenie nuk ekziston e vetmuar, çdo qendër ka nevojë për periferinë e saj, çdo kulm për themelin.
Nga këndvështrimi i ekzuberizmit, metafora përhapet përtej kufijve të shahut. Tabela e shahut bëhet univers, gurët bëhen forca të jetës, ndërsa mbreti shndërrohet në simbol të çdo egoje që beson se mund të mbijetojë pa lidhjet që e mbështesin. Loja kthehet në dramë njerëzore.
Poezia ekzuberative e Vladimir Muçës vjen si një përpjekje për rinovimin e ligjërimit poetik brenda traditës së lidhur me Shtëpinë e Shkrimtarëve dhe Artistëve të qytetit të Durrësit. Ajo ndërthur përvojën klasike të vargut dhe eksperiencën e autorit me kërkimin për forma të reja simbolike. Kështu ajo tregon duke se poezia shqiptare vazhdon të kërkojë e njëkohësisht të prodhojë hapësira krijuese ku metafora nuk është më vetëm zbukurim stilistik, por një mekanizëm njohjeje dhe transformimi i realitetit. Dhe poeti Vladimir Muça tashmë është bërë mjeshtër i tij.








Comments