top of page

Xhevat Mustafa: Një "meritë historike" e Ben Blushit për Kosovën apo për Jugosllavinë ...!?

  • 6 hours ago
  • 3 min read

Nga Xhevat MUSTAFA

 

Në mbyllje të Panairit të Librit Prishtina 2026, nga 17- 21 qershor, sipas praktikës dhe traditës, u shpallën edhe çmimet për librat më të spikatur dhe autorët e tyre. Për shumicën mund të thuhet se juria ka gjykuar dhe vendosur me objektivitet dhe saktësi! Edhe pa shmangur "tifozllëkun" e hershëm ndaj disa shtëpive botuese proqeveritare në Tiranë dhe "persekutimin e moçëm" të disa shtëpive botuese jo të zemrave, në Prishtinë, sidomos të "BUZUKUT"...!?

Ishte befasi dhe shkak e nxitje për zhgënjim, pakënaqësi, zemërim... tek jo pak autorë të njohur të Kosovës dhe të Diasporës së saj si dhe nga MV, Mali i Zi, Shqipëria, me romane shumë më cilësorë, dhurimi Ben Blushit i çmimit special  "Autori shqiptar i Panairit të Librit Prishtina 2026"("Autori i vitit"), me romanin "Jam mysliman"!? Duke qenë edhe vetë mysliman vetëm nga emri, pra, pa "u fyer" nga antiislanizmi "gjenetik" i Benit, mund të them me bindje se edhe vetëm me titullin, Beni jep vetë arsye të mendohet se ky libër nuk është letërsi e mirëfilltë artistike, por më tepër ironizim prej tij i fesë myslimane dhe i botës islamike, çka e ka bërë publikisht jo pak herë edhe në shkrime e "vepra" të tjera të tij. Lehtëkuptohet, me paramendim dhe llogari që të gjej përkthime në gjuhë të huaja dhe më shumë lexues në vendet me mbizotërim të ortodoksisë dhe katoliçizmit!

Duke mos qenë pjesëmarrës në këtë panair me romanin tim të ri "Vajza e valëve", pra duke mos pasur konflikt interesi, nuk mund të përmbaj rezervat dhe kundërshtimin tim për këtë vlerësim të padenjë apo të pamerituar për Ben Blushin dhe për këtë dëm që i bëhet kulturës dhe letërsisë sonë kombëtare...Për të ndihmuar anëtarët e jurisë që të binden për këtë përzgjedhje krejt subjektive, apo SHQIP fare, për këtë gabim, gjykoj se vlen edhe një kujtim i imi i 34 viteve më parë..., lidhur me Ben Blushin në moshën e rinisë e të fillimeve si gazetar...Nuk besoj se e ka harruar edhe Beni...?

Ben Blushi është i vetmi gazetar, që kam shkarkuar në mediat ku kam qenë në poste drejtuese. Në mbrëmjen e 13 korrikut 1992, kur Ambasada e Francës organizonte një mbrëmje me rastin e Festës së tyre kombëtare, Ben Blushi, gazetar në gazetën "Rilindja Demokratike"(RD), pa dijeninë time si Sekretar Kolegjumi (zv.kryeredaktor) shkon në shtypshkronjë dhe fut një lajm të shkurtër në fund të f.1 të RD. Sipas këtij lajmi, "një grup djemsh dhe burrash nga Kosova( përfshirë edhe nga familja Adem Jashari) përgatiteshin nga instruktorë ushtarakë të Ushtrisë së Shqipërisë si luftëtarë të njësiteve të para, "bërthamës" të UÇK në një nga lagjet e Elbasanit..."!

Kur doli gazeta të nesërmen në mëngjes më telefonon Berisha. Ishte i zemëruar.

-Si e keni futur atë lajm? - më pyeti.

Nuk e kisha parë akoma dhe kur e lexova, pas befasisë, u zemërova dhe unë.

-Mblidh stafin dhe gjeni se cili e ka futur atë lajm! Dhe të pushohet qysh sot autori i tij!- më urdhëroi Berisha.

Pas pak minutash mblodhëm stafin.

-Cili e ka futur këtë lajm?- i pyeta të gjithë.

Pas një ngurimi, e mori përsipër autori, Ben Blushi.

-Kam dy pyetje- i thashë. Përse e fute pa dijeninë tonë si drejtues? Dhe "kujt i shërben ky lajm, veç Jugosllavisë dhe Greqisë?"

Beni u mundua të justifikohej se ishte thjeshtë një informacion...për lexuesit!?

-Më vjen keq, por kam urdhër të pushohesh nga puna në RD!- i thashë.

Brenda pak orëve ky lajm, për më tepër botuar në gazetën e partisë në pushtet, "u kap në ajër" nga mediat jugosllave, greke, ruse dhe në disa vende të tjera.

Në shenjë solidariteti me Benin, atë ditë e të nesërmen, u larguan nga RD edhe 6 gazetarë të tjerë. Shkuan kryesisht tek "Koha Jonë"...!? Natyrisht, RD nuk u mbyll nga ikja e këtij grupi gazetarësh rrogëtarë. Në të kundërtën, u pastrua nga disa "mishra të huaj"...!

Ky vlerësim për Ben Blushin bëhet edhe më absurd e i pajustifikuar, kur dihet se ai vetë ka dhënë jo pak raste, me shkrim e me gojë, përbuzjeje ndaj shqiptarëve veriorë dhe myslimanë, pra, përfshirë edhe të Kosovës! Ky akt i jurisë së Panairit të Librit më 21 qershor 2026 jep arsye të mendohet se edhe në fushën e kulturës "majtizmi",  titizmi, enverizmi, udbashizmi... edhe në Prishtinë, ashtu si në Tiranë,...ndjehen dhe janë të pranishëm! Edhe më keq, të plotfuqishëm!

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page