top of page

Thoma Goga: Më dëgjo, o  kalendar !


(Satirë)


Zoti Kalendar,

Të bëj një rixha,

E kam seriozisht,

Nuk po bëj shaka.

 

Zbythe këtë vit.

Si me marifet,

Ose fshije fare

Një vit nga kjo jet’.

 

Harroje një fletë,

Nuk bëhet qameti.

E kërkon Sovrani,

E kërkon mileti.

 

Nuk kemi besim

Te ky vit i ri,

Është axhami,

Është fare kërthi.

 

“- Do t’u sjell paqe,

Bollëk me flori”.

Po këto premtime

Nuk i ha njeri.

 

E kush do sjell paqe,

Ky që është kërthi?!

S’ka vënë brisk në faqe,

Nuk beson njeri.

 

“Paqe” pa kandar,

Solli viti vjetër,

Luftërat në garë,

Ndoqën njëra-tjetrën.

 

Kjo kolerë e keqe

globin po e ha.

“Baballarët” qeshin,

Lëre, mos e nga!...

 

I shikoni vetë,

Për paqe bëjnë fjalë,

Po hijen e luftës

e kanë vulë në ballë.

 

Mblidhen në kuvende,

Llogje shamata,

Do të sjellim paqe,

Lëre, mos e nga!...

 

Popujt lemerisen,

Loti lumë tek sytë.

Pa rënë luft’ e parë,

Nisej një e dytë.

 

Popujt presin paqe,

Kur nis dhe një tjetër.

E ç’të shkuaj më parë?!

Do një ton me letër...

 

Po nuk solle paqe

Zoti kalendar,

Do të quajnë ty

“Koqe pa kandar...”.

 

Po nuk solle paqe

Zoti kalendar,

Po ta them hapur,

Do të hedh në zjarr...

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page