top of page

Thoma Goga:  Dy “lypsarë”- Naim Beu dhe unë...

Tregim humoristik: Thoma Goga

                Dy “lypsarë”- Naim Beu dhe unë...

         Nuk e zinte që nuk e zinte gjumi atë natë Naimin e Frashërllinjve. Sapo kishte mbaruar poemën “Bagëti e Bujqësi”, vriste mendjen të gjente fonde për ta botuar. Dhe kishte të drejtë. Nuk i thonë kot “Poet Kombëtar”. Po ku të trokiste më parë? Mori kalin, që i kishte dhuruar Shpend Dragobia, shoqëruesi i Ismail Beut te filmi “Nëntori i Dytë”. Dhe u nis. Mendoi të takonte Çerçizin në Gjirokastër. Te Uji i Ftohtë dikush i tha:

- Mos shko kot. Çeçua s’ka kohë. Nuk e takon dot. Sa “qëroi” Bimbashin, legalizoi biznesin e hashashit…

- Eh, kështu qenka kjo dynja, - tha Naimi dhe e ktheu “4-fenershin” nga Tepelena. Meqë kalonte rruga, mendoi t’i bënte një vizitë “Pashait të madh”. Kishte besim se Ali Pasha nuk do ta bënte hasha. Gjithë Europa zjente se thesaret e Vezirit s’kishin të sosur. Te porta e kalasë dy bukuroshe e pritën me mirësjellje. Ishte dhe një asqer, toidhjo si Ali Pasha. Thuhet se këtë sozi e kishte përgatitur vetë. Kështu e kanë këta “të mëdhenjtë”. Gjejnë ca marifete për të ruajtur kokën. Po të zihej ngushtë, nxirrte asqerin. Gojët e liga thonë, se edhe koka e prerë që shkoi me tepsi në Stamboll, nuk paska qënë e Aliut, po e këtij tjetrit.

       Nejse. Aliu sa mori vesh, e priti te oda e miqve të rrallë.

- Të lumçin këmbët, o frashërli, që më sajdis! Po ju kalemxhinjtë jeni ca si humbameno. Edhe ai Sabri Godo vate e bëri një qitap të madh për mua. Nuk begenisi të vinte ta takonja, as një kopje të qitapit nuk më dha ta shikonja. Le që kot ta merrnja, se mos unë do ta këndonja... Nejse, po ç’kërkon nga unë, o derman?

- Më bëj kabull ca para për poemën “Bagëti e Bujqësi”.

- Po ç’më di mua ti mo, bankën e bujqësisë, ë?! Jam ca hollë ngaqë bëra një kala të re. Nashti më lërë rehat, se më pret Vasiliqia në kala. Aty nashti po bënet një festival me qemane të mëdha...

Naimi u nis. I polli mendja të shkonte në Vlorë. Sapo ishte shpallur Pavarësia dhe qeveria e re do vinte dorën në zemër. Ismail Beu e donte letërsinë. Po kalin e Shpend Dragobisë e kishte marrë malli për Dardaninë. Në vend që të “ndizte sinjalin” nga ana e Vlorës, ktheu nga “Rruga e Kombit”. E mbajti frymën te bjeshkët e Kosovës.

Në Prishtinë e priti Ramushi. Duke pirë nga një “makiato”, i tregoi hallin që kishte. Ramushi ngriti supet.

- S’kam asgja n’dor’, or vlla. Jena n’opozitë...Do zoti të fitojmë zgjedhjet. Kur të t’bahem kryeministër, duku se do të napi ca pare. Tash po të napi ca tollona jonxhe për kalin, veç mos i thuj gja Albinit. Jena idhnu shum’ me ta. E ka dhi me t’gjithë...

Atë çast në lokal u bë gjullurdi. Tërë njerëzia u çua në këmbë dhe duartrokisnin. Kishte hyrë Isa Boletini. Kështu nderohen vetëm trimat. Si u takua me mysafirin nga Frashëri, u ul dhe ndezi çibukun. Kur Ramushi u nis për një mbledhje, Naimi i tregoi Isa Begut hallin që kishte.

- E për ç’ka flet ai qitap, or ti?

- Për malet, fushat, lisat e gjatë, q’i kam ndërmend dit’ e nat’…

- Ani un’ s’kam kohë me lexue, po s’ndihmoj dot, o frashërli. M’ke xan ngusht’. S’përdori fare pare. Qe, po të nap ni patllake. Mos ki gajle; asht’ me leje të rregullt. Merre se ke tan’ at’ udhë të gjatë. Në m’ndigjosh mu, un’ tham shko në Vlon’ te Ismail bej Qemali. Baj selam prej meje, se ai asht’ burrë zotni. Vet’ vali e vet’ kadi. Dhe mu’ s’ma prish. Do flas në celular e do t’i nap numrin tat. Kisha me t’dhan’ ene “Tuarekin” tem, po jam ka e çoj në servis, or ti. Asht’ ba copë nga patkonjtë…

      Naimi u takua për herë të fundit me Isa trimin dhe u nis. Kalin dixhital e futi në “pilot automatik”. Sa kaloi Shkodrën, te ura e Bahçallëkut, zilja e telefonit e shkundi nga mendimet.

- Jam Ismail Qemali, prapa më vjen historia…Më foli Isa Begu. Po ku je, o poeti kombëtar, se na mori malli ?!...

- Jam te ura, po vij,- dhe i dha gaz “4-fenershit”...

Aty në Lezhë ca poetë të rinj i prenë rrugën. Kishin krijuar një “lidhje” shkrimtarësh. I propozuan të bëhej kryetar nderi. I thanë se në Lezhë ndodhet edhe Skënderbeu. Me dorën në zemër, u kërkoi ndjesë se kishte rrugë të gjatë. Po mbi kalë shkroi një kartolinë:

… ”Krujë, o qytet i bekuar

prite prite Skënderben,...

(vargun e tretë e kam harruar),

 ...të shpëtojë mëmëdhenë...”.

Afër Milotit “hingëlliu” celulari. Ishte prapë Ismail Qemali.

- Jam te ura, po vij, - u përgjigj frashërliu.

Ik e ik e s’kishte të sosur. Sa hyri në Lushnje, bëri një ndalesë te “pushimi i byrekëve”. Për vete porositi dy me gjizë e dy me spinaq. Kurse për kalin një trastë tagji dhe një kovë dhallë.

      Në të hyrë të Fierit hingëlliu kali. Kishte parë një pelë të bardhë…Po s’ishte kohë për dashuri. Mbi urën e Mifolit, “hingëlliu” prapë celulari. Ishte Plaku i Vlorës.

- Te ura jam, po vij,- përsëriti poeti dhe prapë i dha gaz “4-fenershit”.

Sapo Naim beu mbrriti në Vlorë, Ismail Qemali e priti pa flamur te Sheshi Flamurit. Ishte bërë një dorë.

- Dëgjo këtu, o poet. Sa të kam pritur ty, nuk kam pritur atë “të gjatin” që vjen çdo fundjavë në Vlorë për të parë “kryeveprën” e tij; Lum Gomaren. Sa herë të mora në telefon më thoshe: “Jam te ura, jam te ura”. Po mbete mbi urë, a të q… udhët. Më thuaj çfarë halli ke ?

- Më duhen ca fonde për poemën “Bagëti e bujqësi”.

- Më ke zënë ngushtë, alla hile. Sapo shpallëm Pavarësinë, kupton apo jo. Jemi qeveri e re dhe financat janë copë-copë, - ja priti Ismail Qemali. - S’kemi buxhet. Kisha në plan të bëja ca tendera këtë muaj, po s’më lë Diella...Çap një herë te ajo bukurania. Para teje këtu erdhi edhe një djalosh nga Myzeqeja. Më duket ishte nga Roskoveci. Ka nxjerrë një libër të bukur, megjithëse unë nuk e kam lexuar...

- Po unë jam poet kombëtar…,- u hodh Naimi.

- Para ligjit jemi të gjithë njëlloj,- ia ktheu Ismail Beu.- Si thua zotrote, ta shkel ligjin pa u tharë boja?!…

      Naim Beut iu mbyll goja. Me vete mërmëriti. ”Si ka mundësi; edhe poet kombëtar dhe asnjë s’ta var”...S’ka faj, janë shtuar shumë dhe këta kalemxhinjtë “kombëtarë”...

       Për një çast gjerat po më ngatërroheshin keqas. Naimi, Çeçua, Isa trimi, Ali Pasha, Hashimi...Hej, dreq o punë! “Fap” hapa sytë. Kisha qënë në gjumë. Djersa më kullonte, sikur isha larë në lumë. Ah, moj ëndërr e mallkuar! Sebep u bë Naim beu që lypte fonde me poemën në dorë.

    Çudi. Atë natë u shtriva pak më herët, se të nesërmen do udhëtoja për në Korçë.. Në mëngjes pyeta veten: Mirë Naimi se është “poet kombëtar”, po mua ç’m’u desh që shkova te Ismail Beu në Vlorë?! Ç’t’i bëja faturës së librit që botova?! Më ishte “ngjitur” në dorë...


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page