top of page

Fatmir Terziu: Kur dashnia shndërrohet n’relikë t’pallë

  • Jun 12
  • 1 min read

Kur dashnia shndërrohet n’relikë t’pallë

(Pa dasht me e zgjue Mjedën!)

 

Në këtë kasoll' t’ftohtë, ku koha rri e vegt,

me ftyra t’verdha si gjethe vjeshte t’vona,

rri një kujtim që s’flet, veç psherëtin lehtë,

si zani i një lahute n’bjeshkë kur mardh bora.

 

Në raftet e larta, ku pluhni ban kuvend,

rrinë fjalët e pathana, t’mpira si guri i thatë,

e dashnia, ajo zojë e dikurshme e gjallë,

sot fle nën kresa harrese, n’një skaj t’pafat.

 

Një letër e zverdhun, me t’dridhun dorë,

si gjeth i thanun n’drunin e vjetër t’kopshtit,

ruen emna që s’i thërret ma askush me gojë,

veç era që futet tinëz n’çarjet e pragut t’sodit.

 

O streha e ftoftë, ku zemrat kthehen n’numra,

ku ndjenjat peshohen si mall i harruem pazari,

pse e le dashninë me u rryshk si thana,

e me u ba relike n’një nishan nazari?

 

Se dikur këtu qeshte fjala, ndizte zjarr n’sy,

e muret s’ishin gur, po gjoks i hapun i jetës,

tash veç heshtja shënon t’gjitha ikjet aty,

si kallxime t’vdekuna n’ditarin tretës.

 

E unë, si Mjed' n’dritë t’vjetër kandili,

do i këndoja kësaj strehe me za t’butë e mall,

se çdo shpërfillje e vogël ban varr filli,

ku dashnia vetë shndërrohet n’relikë t’pallë.


1 Comment


DETI DAUTI
Jun 13

Unë mendoj se

Poezia e Profesor Fatmir Terziut vjen si një elegji e ndjerë për zbehjen e ndjenjave njerëzore në kohët moderne. Me një gjuhë të pasur artistike dhe me frymëzim të dukshëm nga tradita e poezisë gegë, autori ndërton një atmosferë mallëngjyese ku dashuria, dikur e gjallë dhe e ngrohtë, shfaqet si një relike e harruar mes pluhurit të kohës.


Figuracioni është i fuqishëm dhe prekës: kujtimet, letrat e zverdhura, heshtja dhe harresa bëhen simbole të humbjes së ngrohtësisë njerëzore.


Referenca ndaj Mjedës i jep poezisë një dimension të veçantë kulturor e letrar, duke lidhur të kaluarën me shqetësimet shpirtërore të së sotmes.


Mesazhi i saj është i qartë dhe universal: dashuria nuk humbet papritur, por venitet nga shpërfillja,…


Like

Shkrimet e fundit

bottom of page