top of page

Merita Kuçi: 25 Korrik 2026 dhe ftesa në“Natë Poetike në Spille”

  • 3 hours ago
  • 3 min read

Gjithnjë i kam pritur me respekt ftesat për të qenë pjesë e tubimeve poetike. Janë aty poetët që, përmes vargjeve, përcjellin të papriturat, ndodhitë, detaje artistikisht emocionale, njerëzore të jetës a të zemrës.

Ndjehesh mes tyre si mes miqsh të njohur prej kohësh, sepse ata ndajnë të njëjtin nxitim për t’i dhënë emrit tënd, historisë tënde, një kuptim, pa garë, pa ambicie, por shfaqur brishtë, gati fëmijërisht, me qëllimin e bukur të udhëtimit drejt pasionit dhe jetës.

25 Korrik 2026 dhe ftesa në“Natë Poetike në Spille”

Nën kujdesin e Prof. Ramazan Hushit dhe Durim Çaçës.

Spilleja, zona turistike e Kavajës, dhe aty ku ka det, ka sigurisht njerëz të bukur.

Tarraca e Vilës “Prençja”, e njohur ndryshe si “Zambaku i Detit”, priti vizitorët poetë përmes një intimiteti nën hënën gati magjike, rrethuar nga drita të vogla, qirinj e dekor, që mbante frymën e njerëzve të dashur, të ardhur aty edhe për pushime, veç poetëve të ftuar.

E nisi fjalën hyrëse Prof. Hushi, duke shprehur falënderime dhe duke sjellë në vëmendje rrugëtimin letrar me emra të njohur poetësh dhe letrarësh kavajas. Poeti, miku i mirë, Dr. Durim Çaça, përcolli më tej vargjet kushtuar pikërisht vendit piktoresk dhe njerëzve të mirë e punëtorë të Spillesë.

Për këtë dëshmoi në fjalën e saj mikpritësja humaniste Arta Tagani. Çdo detaj i ceremonisë mbante idetë, dorën dhe mendjen e saj, me merakun e brendshëm që secili nga të pranishmit të ndihej sa më mirë dhe komod.

Arta Tagani dëshmoi se, edhe pse prej 30 vitesh jeton në Milano me familjen e saj, bashkëshortin Ilirin dhe dy djemtë, mbrëmja poetike përmbushte Edicionin e Dytë dhe bënte realitet ëndrrën e saj të kahershme, pasionin për letërsinë, në veçanti për poezinë.

Gjithçka e saj mban aromën e një gruaje me zemër të lirë, të bukur, të arritjeve të një jete pune, përkushtimi dhe mirënjohjeje për çdo mbështetje që i jepnin nismave të saj familja dhe më tej shoqëria.

Mbrëmja mori rrjedhën e saj nën reflekset e hënës, nga nderimi që përcolli përmes vargjeve të saj Studiuesja, Shkrimtarja dhe Poetja Flora Gjondedaj Dervishi, sidomos përmes vargjeve-himn kushtuar njerëzve të lirisë së fjalës, disidentëve Gjergj Leka dhe Vilson Blloshmi.

Më tej u nderua me minutazhin e tij me vargje për Kosovën martire poeti dhe Kryetari i Shoqatës për Art dhe Kulturë, Botuesi i “Fidan”, Berat Batiu, duke ftuar poetët kavajas për një bashkëpunim me qytetin historik të Prizrenit, ndërsa një panoramë të qëndresës kavajase dhe rrethinave, që nga koha e luftës e deri në ditët tona, bëri bashkëbisedues me të pranishmit Hasan Korbi.

Qe kënaqësi të ndaja edhe unë me të pranishmit dy poezi të pabotuara: “Unë, fëmija dhe Qyteti”, kushtuar Durrësit, qytetit tim, dhe “Veç me detin më mallko”, poezi për humanizmin dhe paqen e shpirtit, që vetëm kaltërsia e detit fal dhe vetëm kush jeton pranë qyteteve blu e ndjen, e provon.

Po kështu, dëgjuam me ëndje vargjet e Xhaferr Sinanit, Hajkun e Prof. Hushit, Sentencat poetike dhe sarkazmat në vargjet e poetit kavajas Shefik Muftiu.

Të ngrohta erdhën edhe vargjet e dashurisë (e si mund të mungojë dashuria ndër poetë?) nga mësuesja e pasionuar, kolegia poete Adelina Mina, bashkëqytetare e Spillesë.

Udhëtimi i fjalës artistike u përmbyll me trokëllimat e gotave, jo vetëm me artistët poetë, por edhe me pushuesit që iu bashkuan me zemër këtij tubimi emocionues, një darke njohëse dhe miqësore, të ngrohtë dhe tradicionale, për të na kujtuar se mikpritja shqiptare nuk vdes. Njerëz si Arta Tagani ndërtojnë ura bashkëpunimi, ngrenë ëndrra të vërteta. Ato të falin jo vetëm tryezën, por edhe zemrën.

Tashmë të gjithë të pranishmit e mbrëmjes e dinë se, në Spille, kanë jo vetëm një mike, por edhe një zemër të artë, Arta Taganin!

Faleminderit, e dashur, dhe mirënjohje të gjithëve!

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page