Prof. Dr. Fatmir Terziu: Një kujtesë për Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe dhe për përgjegjësinë që kemi ndaj fjalës

Një kujtesë për Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe dhe për përgjegjësinë që kemi ndaj fjalës
Profesorë, na falni, na lindi “një axhustim i nevojshëm”!
Prof. Dr. Fatmir Terziu
Disa fjalë hyjnë në gjuhë përmes një profesioni. Disa të tjera mbërrijnë përmes një kohe. Ama, ka edhe të tilla që, pasi kanë kaluar nga goja e mjeshtërve, e mësuesve dhe e njerëzve të zakonshëm, përfundojnë papritur në ligjërimin publik, duke marrë kuptime që ndoshta as vetë ata që i kanë përdorur dikur nuk do t'i kishin parashikuar. Njëra prej tyre është fjala “axhustim”. E dëgjova, e mësova dhe e mbajta mend shumë kohë përpara se ta dëgjoja të shoqëruar me një mbiemër që do ta kthente në një togfjalësh me jetë të re: “një axhustim i nevojshëm”. Dhe pikërisht këtu nis një kujtesë që më çon te shkolla, te Elbasani, te mësuesit e mi dhe, mbi të gjitha, te 25 Nëntori, dita kur në Tiranë u mblodh Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe.
Në Oxford Albanian–English Dictionary, botim i Oxford University Press, 1999, fjala “axhustim” shpjegohet përmes togfjalëshit anglisht bench work, që lidhet me punën e përshtatjes, përpunimit dhe rregullimit të një materiali, veçanërisht të metalit, derisa ai të marrë përmasën dhe formën e duhur. Është një fjalë që në kujtesën e brezit tim nuk erdhi fillimisht nga librat e gjuhësisë, por nga puna praktike, nga orët e detyrueshme të punës me metal e dru, nga veglat e punishteve dhe nga koha kur profesioni i mekanikut, i tornitorit dhe sidomos i axhustatorit përbënte një rrugë të mirëfilltë formimi e jetese. E kam dëgjuar ndër të tjera nga Naim Tafani, specialisti i Punës Praktike në shkollën e mesme, por kuptimin e saj më të gjerë, atë që kapërcente kufijtë e një punishteje, e kam marrë nga një mësuese e gjuhës shqipe, e cila dinte t'i jepte fjalës jo vetëm shpjegim, por edhe jetë.
Kam pasur nderin të isha nxënës i Lumnie Shehetilës, mësueses së gjuhës dhe letërsisë shqipe në disa shkolla të Elbasanit, një prej pjesëmarrëseve në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, që nisi punimet më 20 nëntor dhe i përfundoi më 25 nëntor 1972, në Tiranë. Ajo ishte një nga ato mësuese që nuk e përdornin autoritetin për të imponuar dijen, por për ta bërë atë të dëgjueshme. E thjeshtë në paraqitje, e saktë në shpjegim, e përkushtuar ndaj fjalës dhe rregullave të saj, kishte një aftësi të veçantë për ta kthyer edhe një hollësi të vogël drejtshkrimore në një mësim që të mbetej gjatë në mendje. Kur nuk kuptohej diçka, ajo nuk e përsëriste thjesht me zë më të lartë; gjente një rrugë tjetër, një shembull tjetër, një lidhje tjetër, derisa fjala të arrinte te mendja e nxënësit.
Në atë Kongres, Lumnie Shehetila ishte pjesë e një përfaqësimi të gjerë intelektual e shkencor, ku përfshiheshin emra të shquar të gjuhësisë dhe arsimit shqiptar. Mes tyre ishte edhe profesor Mehmet Çeliku, figura e njohur akademike e shkencore e Elbasanit, atëherë gjuhëtar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Tiranë. Kongresi, i kryesuar nga figura të rëndësishme të arsimit dhe të shkencës, si Thoma Deliana, Androkli Kostallari, Mahir Domi, Eqrem Çabej, Bedri Dedja e shumë të tjerë, përfaqësonte një nga përpjekjet më të rëndësishme për njësimin dhe konsolidimin e gjuhës së shkruar shqipe. Përtej emrave dhe dokumenteve, ai mbartte një ide të madhe: nevojën që një gjuhë me një histori të pasur, me të folme, tradita dhe përvoja të ndryshme, të kishte një bazë të përbashkët shkrimi, komunikimi dhe arsimimi.
Për mua, ky Kongres nuk mbeti vetëm një ngjarje e shënuar në historinë e gjuhësisë shqiptare. Ai kishte edhe një fytyrë njerëzore. Ishte fytyra e mësueses sime, Lumnie Shehetila, e cila e sillte atë histori në klasë jo si një datë për t'u mësuar përmendësh, por si një përgjegjësi që duhej ushtruar çdo ditë. Nëpërmjet saj kuptoja se drejtshkrimi nuk ishte thjesht një mbledhje rregullash, as një kufizim i lirisë së shprehjes, por një marrëveshje kulturore që i jepte gjuhës mundësinë të kuptohej përtej krahinës, shkollës, profesionit dhe brezit.
Pikërisht në këto shpjegime merrte kuptim edhe fjala “axhustim”. Në fillim ishte metali, që duhej punuar me kujdes, matur e përshtatur, në mënyrë që të merrte përmasën e duhur. Por mësuesja dinte ta zhvendoste fjalën nga tryeza e punishtes te tryeza e mendimit. Edhe njeriu, shpjegonte në thelb ajo, ka nevojë për një punë të vazhdueshme me veten: për të rregulluar atë që nuk shkon, për të matur fjalën, për të përshtatur sjelljen me dijen dhe për të mos e ngatërruar sigurinë me të vërtetën. Nxënësi, në këtë kuptim, nuk ishte një copë materiali që duhej modeluar sipas dëshirës së dikujt, por një mendje që duhej ndihmuar të gjente formën e vet më të mirë. Ky ishte “axhustimi” që mbaj mend: jo një ndërhyrje mekanike mbi njeriun, por një përpjekje për ta bërë atë më të vetëdijshëm për përgjegjësinë e fjalës dhe të veprimit.
Këtu qëndron edhe lidhja ime me 25 Nëntorin. Kongresi i Drejtshkrimit nuk ishte një punishte ku gjuha duhej shtrënguar në morsë, por një tryezë e madhe ku dijetarë, mësues dhe studiues kërkonin të gjenin një rregullim të përbashkët për një pasuri që u përkiste të gjithëve. Rezultati i asaj pune u bë pjesë e jetës sonë shkollore, botuese, shkencore dhe kulturore. Në vitin 1973, botimi i veprës Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe nga Akademia e Shkencave dhe Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë shënoi një tjetër hap në institucionalizimin e normës së njësuar. Ishte një punë që kërkonte dije, debat, përkushtim dhe, mbi të gjitha, përgjegjësi ndaj së ardhmes së gjuhës.
Por fjalët nuk mbeten gjithmonë aty ku i vendos historia. Ato udhëtojnë, ndryshojnë mjedis dhe herë pas here kthehen në skenën publike me një veshje të re. Kështu ndodhi edhe me “axhustimin”. Kohë më vonë, fjala nisi të dëgjohej jo vetëm në punishte apo në bisedat për zanatet, por edhe në ligjërimin institucional e politik. Në vitin 2017, ministrja e atëhershme e Arsimit, Lindita Nikolla, gjatë një deklarimi publik, kërkoi ndjesë për vonesën e pagave të pedagogëve dhe punonjësve të administratës së universiteteve publike. Në shpjegimin e saj, ndër të tjera, përdori togfjalëshin “një axhustim i nevojshëm”, duke e lidhur atë me zbatimin e ligjit të arsimit të lartë, autonominë financiare të universiteteve dhe përgjegjësitë administrative që shoqëronin këtë proces.
Ishte një përdorim që, pavarësisht kontekstit, tërhiqte vëmendjen për mënyrën se si një fjalë e lindur në një fushë të caktuar profesionale mund të zhvendosej në një fushë tjetër, duke marrë një kuptim të ri. Në thelb, fjala nuk kishte humbur lidhjen me idenë e rregullimit dhe përshtatjes; ajo thjesht kishte ndërruar tryezë. Nga metali te financat, nga vegla e axhustatorit te administrimi i buxhetit, nga një material që kërkonte përpunim te një sistem që kërkonte ndërhyrje. Dhe pikërisht ky udhëtim i saj e bënte togfjalëshin edhe më interesant.
Në këtë pikë vlen të kujtohet edhe vëmendja që studiuesit Artan Haxhi dhe Tefë Topalli i kanë kushtuar terminologjisë si sistem, në esenë e tyre me titull Terminologjia si sistem, botuar në Buletinin Shkencor të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, nr. 67. Vëzhgime të tilla na kujtojnë se terminologjia nuk është një grumbull fjalësh të veçuara, por një rrjet marrëdhëniesh ku çdo fjalë ka historinë, ndërtimin, fushën dhe mundësinë e përdorimit të saj. Një emërzim i prejardhur nga një folje mund të zgjerojë përdorimin, të hyjë në ligjërime të reja dhe të krijojë lidhje që nuk ishin të parashikuara në përdorimin e parë. Kështu, edhe “axhustimi i nevojshëm” bëhet një shembull i vogël i jetës së madhe të fjalëve.
Megjithatë, ajo që më intereson sot, në prag të përkujtimit të Kongresit të Drejtshkrimit, nuk është thjesht udhëtimi i kësaj fjale nga një profesion te politika, por kontrasti mes kuptimit të saj të dikurshëm dhe mënyrës se si e përdorim sot. Në punishte, axhustimi kërkonte matje të saktë, durim dhe mjeshtëri. Një milimetër i gabuar mund ta bënte të pavlefshme të gjithë punën. Në gjuhë, po kështu, një fjalë e vendosur gabim mund të ndryshojë kuptimin e një fjalie; një rregull i shpërfillur mund të cenojë qartësinë; një term i përdorur pa kujdes mund të krijojë më shumë mjegull sesa shpjegim. Por në jetën institucionale, përpara se të shpallet një “axhustim i nevojshëm”, duhet të dihet se çfarë nuk funksionon, kush mban përgjegjësi dhe çfarë duhet ndryshuar. Sepse një emërtim i ri nuk është gjithmonë zgjidhje e një problemi të vjetër.
Dhe këtu, të nderuar profesorë, më vjen të kthehem te mësuesja ime dhe te të gjithë ata që e ngritën gjuhën shqipe në tryezën e dijes, duke i dhënë asaj një normë të përbashkët, por jo duke ia shuar pasurinë e brendshme. Ju që morët pjesë në Kongres, ju që e përgatitët, e studiuat dhe e mësuat këtë gjuhë, ndoshta nuk e kishit menduar se një ditë një fjalë e punishteve do të merrte kaq shumë udhëtime e do të mbërrinte deri në fjalorin e institucioneve. Por ja që fjalët kanë këmbët e tyre, dhe nganjëherë ecin më shpejt se mendimi që duhet t'i shoqërojë.
Profesorë, na falni! Na lindi edhe një “axhustim i nevojshëm”. Mos u shqetësoni, nuk kemi ndërmend ta fusim gjuhën në morsën e një punishteje dhe as t'i ndërrojmë përmasat e asaj që ju ndërtuat me aq mund. Thjesht, fjala ka gjetur një tryezë tjetër, një përdorim tjetër, një jetë tjetër. Vetëm se, kur të vijë puna për ta axhustuar gjuhën, duhet të kujtojmë se ajo nuk është metal që merr formën e duarve tona. Është kujtesë, identitet, mendim dhe pasuri e përbashkët. Ajo nuk ka nevojë të përshtatet me çdo rast; jemi ne që duhet të mësojmë ta përdorim me përgjegjësi.
Dhe, në këtë 25 Nëntor, le ta kujtojmë Kongresin jo vetëm për atë që vendosi, por edhe për atë që na la si detyrim: të mos e lëmë gjuhën të jetojë vetëm nga rregullat e djeshme, por as të mos e trajtojmë si një material që mund ta presim, ta lëmë, ta zgjatim apo ta shkurtojmë sipas nevojës së çastit. Profesorë, na falni! Ndoshta nuk na u desh një fjalë e re, por na u desh një arsye e re për të kujtuar fjalën e vjetër. Dhe, siç duket, kështu na lindi edhe një “axhustim i nevojshëm”.








Comments