top of page

Fatmir Terziu: Lazër Stani dhe distanca nga mendimi bashkëkohor i kritikës letrare

6 minutes ago
9 min read

 


 

Shkrimi i Lazër Stanit, “Kritika letrare, siç e shoh unë”, (lexuar në murin e tij të rrjetit social, 'Facebook') është një tekst që ngre një çështje të rëndësishme për kulturën shqiptare, por njëkohësisht zbulon edhe një problem më të thellë të vetë pozicionimit të autorit përballë mendimit kritik bashkëkohor. Në pamje të parë, Stani shfaqet si një vëzhgues i shqetësuar për gjendjen e kritikës, për humbjen e autoritetit të saj dhe për përhapjen e vlerësimeve të pamatura. Ai kërkon seriozitet, profesionalizëm, përgjegjësi dhe aftësi për të zbuluar vlera të reja. Këto janë kërkesa të drejta dhe, në thelb, të domosdoshme për çdo kulturë letrare. Por, kur teksti lexohet më nga afër, lind një pyetje tjetër: a mund të flasim për ringjalljen e kritikës duke përdorur ende disa prej kategorive të vjetra me të cilat është gjykuar letërsia, apo duhet të rishikojmë vetë mënyrën se si e konceptojmë kritikën, autorin, veprën dhe lexuesin? Pikërisht këtu, sipas meje, qëndron distanca profesionale e Lazër Stanit nga mendimi bashkëkohor. Jo domosdoshmërisht te mungesa e shqetësimit për letërsinë, as te mungesa e interesit për librin, por te mënyra se si ky shqetësim artikulohet, te kufijtë teorikë të argumentit dhe te pamundësia për ta çuar diskutimin nga konstatimi në analizën e ndryshimeve që kanë ndodhur në vetë natyrën e letërsisë dhe të kritikës.

Së pari, Stani e përcakton kritikën si “një institucion të rëndësishëm, që dëshmon pjekurinë e një kulture”. Kjo është një pikënisje e njohur, por edhe e kufizuar nëse lihet vetëm në këtë nivel. Kritika bashkëkohore nuk është më thjesht një institucion që shpërndan vlerësime, përcakton hierarki apo certifikon autorë. Ajo është një proces interpretimi, një hapësirë ndërveprimi midis tekstit, kontekstit, lexuesit, historisë, gjuhës dhe formave të reja të përfaqësimit. Ajo nuk e ka vetëm detyrën të tregojë se cili libër është i mirë dhe cili jo, por të shpjegojë se si ndërtohet vlera, si funksionon teksti, çfarë risie sjell, çfarë marrëdhënieje krijon me traditën dhe në ç'mënyrë ndërhyn në vetëdijen estetike të kohës. Në këtë kuptim, të kërkosh një kritikë serioze pa përcaktuar se çfarë nënkupton serioziteti në kushtet e sotme, mbetet një kërkesë e paplotë. Një kritikë mund të jetë e përpiktë në gjuhë, e respektueshme në ton, e pasur me referenca dhe përsëri të mos jetë bashkëkohore. Bashkëkohësia nuk matet me moshën e kritikut, me numrin e librave që lexon apo me sigurinë e gjykimit, por me aftësinë për të kuptuar se letërsia nuk prodhon më kuptime vetëm brenda kufijve të formave të njohura estetike.

Së dyti, Stani e vendos problemin te mungesa e seriozitetit të kritikës, duke përmendur rastet kur kritikë që ai vetë i ka vlerësuar kanë shkruar tekste për libra që, sipas tij, janë të palexueshëm. Këtu shfaqet një kundërthënie metodologjike që meriton vëmendje. Nëse kritiku e humbet autoritetin kur shkruan për një vepër pa vlerë, atëherë duhet të shpjegojë me argumente se ku qëndron mungesa e vlerës. Nuk mjafton që libri të shpallet i palexueshëm, sepse kjo fjalë, pa një analizë të strukturës, të gjuhës, të narracionit, të personazheve dhe të marrëdhënieve estetike, mbetet një përshtypje personale. Kritika nuk mund të kërkojë profesionalizëm duke e zëvendësuar argumentin me një tjetër formë autoriteti subjektiv. Kjo është një nga çështjet më të rëndësishme të mendimit kritik sot: kalimi nga gjykimi te interpretimi. Kritiku nuk është një gjykatës që vendos përfundimisht fatin e një libri, por një studiues që ndërton një lexim të argumentuar dhe i jep lexuesit mjete për të parë atë që ndoshta nuk e kishte vënë re. Vlera e kritikës nuk qëndron vetëm në verdiktin e saj, por në cilësinë e rrugës që përshkon për të mbërritur te ai verdikt.

Së treti, vërejtja e Stanit për epërsinë profesionale të kritikës në Kosovë ndaj asaj të Tiranës, sidomos në periudhën e diktaturës, është një çështje që kërkon trajtim më të gjerë historik dhe metodologjik. Ai e lidh këtë dallim me misionin ideologjik që kishte kritika në Shqipëri, por nuk e zgjeron analizën drejt pasojave që ky formim ka lënë në mendësinë kritike pas viteve nëntëdhjetë. Këtu qëndron një boshllëk i rëndësishëm. Trashëgimia e realizmit socialist nuk është vetëm një problem i ideologjisë së dikurshme, por edhe i mënyrës se si vazhdojnë të funksionojnë disa mekanizma të vlerësimit, të kanonizimit, të përjashtimit dhe të legjitimimit kulturor. Kritika bashkëkohore duhet të jetë e aftë të zbulojë jo vetëm çfarë është shkruar, por edhe mënyrën se si një vepër është bërë e dukshme, si është pranuar, si është shpërfillur dhe çfarë mekanizmash kanë ndikuar në fatin e saj. Një libër mund të mbetet jashtë vëmendjes jo sepse nuk ka vlerë, por sepse nuk përputhet me pritshmëritë e një rrethi të caktuar kulturor. Po kështu, një autor mund të mbetet në qendër jo vetëm për shkak të veprës, por edhe për shkak të rrjeteve të njohjes, të botimit, të promovimit dhe të ndikimit institucional. Këto janë çështje që kërkojnë sociologji të letërsisë, histori të receptimit dhe analizë të institucioneve kulturore, jo vetëm një vlerësim të përgjithshëm mbi gjendjen e kritikës.

Sa më lart mendoj se pika më e fortë e kësaj analize është pikërisht dallimi midis tri gjërave që shpesh ngatërrohen në kritikën shqiptare, pra të kesh shije letrare, të kesh përvojë leximi dhe të zotërosh një metodologji profesionale kritike. Njëra nuk e garanton automatikisht tjetrën. Kjo e bën kritikën të matet me argumentin dhe jo me autoritetin e emrit. Një tjetër pikë ku mendimi i Stanit mbetet i kufizuar është trajtimi i letërsisë shqiptare si një realitet që duhet mbrojtur nga nihilizmi. Ai nënvizon me të drejtë se një gjuhë e folur nga një numër relativisht i vogël njerëzish ka prodhuar, brenda një periudhe historike jo shumë të gjatë, një letërsi dinjitoze, me autorë që kanë fituar vëmendje edhe jashtë kufijve gjuhësorë. Por mbrojtja e letërsisë kombëtare nuk duhet të kthehet në një mburojë ndaj analizës kritike. Letërsia nuk fiton dinjitet duke u shpallur e tillë, por duke u studiuar, krahasuar, përkthyer dhe vendosur në marrëdhënie me letërsitë e tjera. Një kulturë letrare bëhet më e fortë jo kur i shmanget kritikës, por kur është e aftë ta përballojë atë. Nuk ka asnjë arsye që madhësia e një gjuhe të përcaktojë madhësinë e letërsisë së saj, por po kështu nuk ka arsye që përkatësia kombëtare të bëhet kriter për të mbrojtur një vepër nga shqyrtimi estetik. Letërsia shqipe ka nevojë për njohje, por edhe për krahasim; për përkrahje, por edhe për kundërshtim; për histori, por edhe për rishkrim të historisë së saj.

Veçanërisht problematike është mënyra se si Stani e lidh qëndrimin ndaj letërsisë së pas viteve nëntëdhjetë me një “prapavijë politike” dhe me një agresivitet të fshehtë ndaj autorëve që nuk janë formuar në “kënetën e realizmit socialist”. Kjo është një tezë që mund të ketë vend në një debat të gjerë, por kërkon dëshmi, raste konkrete dhe një analizë të dallueshme të mekanizmave të përjashtimit. Përndryshe, rrezikon të mbetet një shpjegim i përgjithshëm për një fenomen që mund të ketë shumë shkaqe, pra dobësimin e institucioneve botuese, mungesën e studimeve afatgjata, ndarjen e fushës letrare në qarqe, ndikimin e tregut, mungesën e politikave kulturore dhe paaftësinë për të ndërtuar një histori të përbashkët të letërsisë së pasdiktaturës. Kritika bashkëkohore nuk mund të mbështetet vetëm në kundërvënien midis autorëve të para dhe pas vitit 1990. Ajo duhet të shohë se çfarë ka ndryshuar në vetë tekstin letrar, në mënyrën e rrëfimit, në marrëdhënien me kujtesën, në përfaqësimin e individit, në gjuhën e përditshme, në përvojën e emigrimit, në identitetet e shumëfishta dhe në raportin midis qendrës e periferisë. Letërsia e re nuk është vetëm një vazhdim kronologjik i asaj që erdhi përpara saj. Ajo mund të jetë edhe një ndërprerje estetike, një kundërshtim i traditës, një rishikim i kujtesës dhe një përpjekje për të gjetur forma të tjera të shprehjes.

Në këtë kontekst, shembulli që Stani sjell për tregimin “Gungaçi” të Shqiponja Axhamit është ndoshta pjesa më interesante e shkrimit të tij. Ai tregon për habinë që përjetoi gjatë leximit, për rileximin që bëri për t'u bindur mbi përshtypjen e parë dhe për bindjen se kishte ndeshur një tregim të jashtëzakonshëm. Ky është një moment i vlefshëm, sepse dëshmon se vlera letrare mund të shfaqet aty ku institucionet e njohjes nuk e kanë vënë ende vëmendjen. Por këtu lind edhe pyetja që do ta çonte argumentin një hap më tej, çfarë e bën “Gungaçin” një tregim mjeshtëror? Çfarë e dallon në ndërtimin e personazhit, në ekonominë e rrëfimit, në organizimin e kohës, në përdorimin e simbolit, në tensionin narrativ apo në mënyrën se si krijon kuptimin? Nëse një tregim na mahnit, kritika duhet të shpjegojë mekanizmin e kësaj mahnitjeje. Duhet të zbulojë se si funksionon vepra, jo vetëm të dëshmojë se sa fort ka ndikuar ajo te lexuesi. Krahasimi me mjeshtrit e mëdhenj të prozës së shkurtër mund të jetë një pikënisje, por nuk është ende analizë krahasuese. Duhet të identifikohen afritë, dallimet, risitë dhe mënyra se si autori e transformon një përvojë të njohur në një strukturë të veçantë estetike. Vetëm kështu një zbulim personal shndërrohet në një kontribut për kulturën letrare. Këtu do të duhej të shfaqej edhe një dimension tjetër i kritikës bashkëkohore, pra, aftësia për të zbuluar autorë dhe vepra që nuk kanë hyrë në qarkullimin e zakonshëm të vlerësimit. Por zbulimi nuk është thjesht një akt entuziazmi. Ai kërkon kërkim, krahasim, kontekstualizim dhe vazhdimësi. Një kritik që zbulon një tregim të mirë duhet të jetë i gatshëm të ndjekë edhe krijimtarinë tjetër të autorit, ta vendosë atë në një hartë më të gjerë të prozës shqipe dhe të shohë nëse kemi të bëjmë me një rast të veçantë apo me një prirje të re estetike.

Në fakt, problemi i kritikës shqiptare sot nuk është vetëm se shkruhen shumë tekste lavdëruese, as se botohen shumë libra me cilësi të ndryshme. Kjo është pjesë e natyrshme e çdo fushe letrare. Problemi më i madh është se mungon shpesh vazhdimësia e mendimit kritik. Shkruhet për një libër, por rrallë ndërtohet një debat rreth tij. Shfaqet një emër, por nuk ndiqet zhvillimi i tij. Shpallet një vlerë, por nuk vendoset në marrëdhënie me vlerat e tjera. Krijohen opinione, por jo gjithmonë krijohet dije e qëndrueshme për letërsinë. Në këtë kuptim, kritika nuk mund të mbetet vetëm në faqet e gazetave dhe të portaleve, as të kufizohet te përshtypjet e leximit të parë. Ajo duhet të hyjë në marrëdhënie me studimet krahasuese, teorinë narrative, estetikën e receptimit, studimet kulturore dhe kërkimin ndërdisiplinor. Duhet të jetë e aftë të lexojë një roman jo vetëm si histori, por edhe si strukturë; një poezi jo vetëm si emocion, por edhe si organizim gjuhësor; një tregim jo vetëm si ngjarje, por edhe si marrëdhënie midis heshtjes, kohës, kujtesës dhe kuptimit.

Për këtë arsye, kur Lazër Stani pyet se çfarë duhet bërë për të ringjallur kritikën, përgjigjja nuk mund të jetë vetëm kërkesa për më shumë seriozitet. Duhet një ndryshim i vetë mënyrës së të menduarit kritik. Duhet të kapërcehet modeli i kritikut që e sheh veten si pronar të shijes, i cili përcakton se çfarë duhet lexuar dhe çfarë duhet harruar. Duhet të ndërtohet modeli i kritikut që e njeh kufirin e gjykimit të vet, por që ka edhe aftësinë profesionale për ta argumentuar atë. Duhet të largohemi nga kritika e emrave dhe të afrohemi te kritika e teksteve, nga hierarkitë e trashëguara te analizat e verifikueshme, nga lavdërimi ceremonial te interpretimi i thelluar. Dhe këtu, me sa duket, qëndron edhe arsyeja pse shkrimi i Stanit, megjithëse nis nga një shqetësim i drejtë, nuk arrin të bëhet vetë një model i mendimit kritik që kërkon. Ai flet për seriozitetin, por nuk e demonstron atë përmes një analize konkrete të një vepre; flet për vlerat e dyshimta, por nuk ndërton kritere të mjaftueshme për t'i dalluar ato; flet për letërsinë bashkëkohore, por nuk e vendos atë në marrëdhënie me zhvillimet teorike dhe estetike të kohës. Ai evidenton një problem, por nuk e zhvendos debatin në nivelin ku ky problem mund të kuptohet në thellësinë e vet. Kjo nuk do të thotë se mendimi i tij nuk ka vlerë. Përkundrazi, ai ofron një pikënisje për një debat që duhet të zhvillohet më gjerë. Por një pikënisje nuk është ende një përfundim dhe një shqetësim i drejtë nuk është vetvetiu një metodë kritike. Profesioni i kritikut kërkon më shumë se përvojë leximi dhe intuitë estetike. Kërkon një aparat konceptual, një metodologji të qartë, njohje të historisë së letërsisë dhe aftësi për të shpjeguar lidhjet midis tekstit dhe kohës në të cilën ai krijohet.

Duke konkluduar, mendoj se kritika letrare shqiptare nuk ka nevojë vetëm të ringjallet. Ajo ka nevojë të rishikojë mënyrën se si e kupton veten. Nuk mjafton të ankohemi se mungojnë kritikët seriozë, nëse nuk jemi të gatshëm të shqyrtojmë edhe kufijtë e modeleve që kemi trashëguar. Nuk mjafton të kërkojmë zbulimin e një “Gungaçi” të ri, nëse nuk kemi ndërtuar një metodë që ta bëjë këtë zbulim pjesë të kujtesës sonë letrare. Dhe nuk mjafton të mbrojmë dinjitetin e letërsisë shqipe, nëse nuk jemi të aftë ta vendosim atë në dialog të barabartë me letërsitë e tjera. Kritika nuk është një pasqyrë ku letërsia duhet të shohë vetëm bukurinë e vet, por as një çekiç me të cilin duhen thyer veprat që nuk përputhen me shijen e një kohe. Ajo është një formë e dijes që duhet të ketë guximin të zbulojë, të kundërshtojë, të interpretojë dhe, kur është e nevojshme, të rishkruajë edhe gjykimet e veta të mëparshme. Ndoshta pikërisht në këtë pikë duhet të fillojë biseda e vërtetë për kritikën shqiptare: jo te pyetja se kush ka mbetur pa u vlerësuar, por te pyetja se me çfarë mjetesh profesionale po e lexojmë letërsinë që kemi përpara. Natyrisht dhe domosdoshmërisht, letërsia mund të ecë përpara edhe kur kritika mbetet pas. Por një kulturë që dëshiron ta kuptojë veten nuk mund të lejojë që mendimi i saj kritik të jetojë gjithmonë me vonesën e vet.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page