top of page

Laureta Petoshati: Nga ngjyra te fjala: poetika e kujtesës urbane në Vlorë te Andi Meçaj

  • 3 hours ago
  • 4 min read

Nga ngjyra te fjala: poetika e kujtesës urbane në Vlorë te Andi Meçaj

Nga Laureta Petoshati

Në artin bashkëkohor vlonjat, qyteti nuk është më thjesht një hapësirë gjeografike, por një subjekt estetik i shumëfishtë, që rishfaqet përmes gjuhëve të ndryshme artistike. Piktori Roland Runaj dhe fotografi Julian Bleta, përmes ekspozitave të tyre mbi lagjet e Vlorës, e kanë rindërtuar qytetin si një strukturë vizuale ku drita, ngjyra dhe perspektiva funksionojnë si mjete të kujtesës. Në këto punë, lagjet nuk janë vetëm hapësira banimi, por shtresa të perceptimit vizual të jetës urbane, ku koha ngurtësohet në imazh dhe përvoja shndërrohet në shikim.

Në këtë horizont estetik, poezia e Andi Meçajt në vëllimin “Çelësat e viteve që rrodhën” mund të lexohet si një përkthim gjuhësor i të njëjtit qytet, ku Vlora nuk përjetohet përmes vizualitetit, por përmes kujtesës, emrit dhe narrativës së përditshme. Nëse artistët pamorë e shohin qytetin, poeti e rikthen në kujtesë.

Në këtë kuptim, qyteti nuk shfaqet si sfond neutral, por si një hapësirë antropologjike e ngarkuar me histori njerëzore, ku çdo lagje, rrugicë apo ndërtesë funksionon si mbartëse e përvojës së jetuar. Topanaja, Lagjja e Re, shkallët e pallateve apo pijetoret e vogla urbane nuk janë thjesht toponime, por lieux de mémoire,

(vendet e kujtesës) në kuptimin e Pierre Nora-s, ku kujtesa individuale dhe kolektive mbivendosen në të tashmen.

Një nga tiparet më të forta të këtij vëllimi është përdorimi i dendur i emrave të përveçëm dhe figurave të identifikuara përmes detajeve minimale. Në poezi si “Shumëkatëshi”, “Ditë të përkëdhelura”, “Venecia e profesor Isufit”, “Në klubin e Topanasë”, “Lamtumirë fëmijëri”, “Pushime në atdhe”, “Katerina mban veshur katërmbëdhjetë vjetët ”, “Plakat bisedojnë”,etj., emra si Eleni, Tiku, Mario, Katerina, Teuta, Agroni, Mira, Lola e të tjerë, nuk funksionojnë si karaktere të zhvilluara narrativisht, por si shenja indeksikale të ekzistencës sociale, që ruajnë gjurmën e individit në hapësirën poetike. Këta emra krijojnë atë që mund të përkufizohet si një onomastikë poetike e kujtesës urbane, ku emri nuk është etiketa e personazhit, por gjurma e një jete të jetuar.

Kjo prirje bëhet e dukshme në poezinë “Shumëkatëshi”, ku çdo kat i ndërtesës shndërrohet në një mikro-univers identitar. Teuta me macet llafazane, Agroni që këndon arie në mesnatë, Mira që ëndërron të bëhet mjeke dhe Lola që eksploron përmes përvojës së saj feminitetin, nuk janë figura të ndërtuara psikologjikisht, por fragmente ekzistence të kondensuara në një detaj të vetëm domethënës. Në këtë mënyrë, ndërtesa nuk është strukturë arkitektonike, por një organizëm social i fragmentuar.

Në këtë sistem, edhe kur mungon emri si te poezitë “Riciklim”, “Jashtë (tokësori)”, kemi një identitet të përgjithësuar, ndërsa te poezia “Luga”, identiteti ndërtohet përmes marrëdhënies afektive nënë–fëmijë, ku objekti i përditshëm shndërrohet në qendër të kuptimit poetik. Poezia funksionon si një mikronarrativë eliptike, ku “luga” vepron si objekt tranzicional dhe transformon aktin e ushqyerjes në hapësirë imagjinare loje dhe mbrojtjeje. Në fund, ndryshimi i trupit amësor shënjon një metaforë të entropisë kohore, ku koha materializohet si transformim i heshtur i trupit dhe kujtesës. Në poezi si “Te pijetorja ‘Gjashtë gllënjka të shpejta’”, individualizimi ndodh përmes situatës dhe jo përmes emrit. Figura e të dehurit që pyet “Përse këndojnë natën varrezat?!” dhe narratori që refuzon përgjigjen krijojnë një strukturë dialogu ku kuptimi mbetet i hapur. Ky refuzim nuk është mungesë interpretimi, por një zgjedhje estetike që prodhon atë që mund të quhet pezullim hermeneutik i kuptimit, ku pyetja bëhet më e rëndësishme se përgjigjja.

Në këtë pikë, poetika e Meçajt afrohet me ndjeshmërinë e poetes Alda Merini, sidomos në mënyrën se si e zakonshmja hapet drejt një dimensioni të padukshëm. Vargje si “varrezat dinë të këndojnë, të këndojnë pa zë” nuk shpjegojnë realitetin, por e transformojnë atë në perceptim të dyfishtë poetik, ku heshtja dhe kënga bashkëjetojnë si shtresa të një të vërtete të papërshkruar. Megjithatë, ndryshe nga Merini, e cila operon me intensitet subjektiv dhe vizion të brendshëm shpërthyes, Meçaj ruan një ton më narrativ dhe të përmbajtur, duke u pozicionuar në një formë të realizmit lirik të kontrolluar.

Në një plan më të gjerë krahasues, poetika e Meçajt mund të vendoset në dialog me poetin bashkëkohor italian Franco Arminio, i cili ndërton një poezi të komunitetit dhe të vendeve të vogla të Italisë së brendshme. Të dy autorët ndajnë një vëmendje të veçantë ndaj jetës së zakonshme dhe figurave të saj të vogla, por ndërsa Arminio fokusohet te fshati dhe braktisja, Meçaj ndërton një arkiv urban të qytetit shqiptar bashkëkohor, ku Vlora shfaqet si një hapësirë e gjallë dhe e zhurmshme kujtese.

Në dialog me artet pamore vlonjate, poezia e Meçajt krijon një sistem të përbashkët përfaqësimi të qytetit. Nëse piktorët vlonjatë e ndërtojnë Vlorën përmes dritës, ngjyrës dhe kompozimit vizual, poezia e Meçajt e ndërton përmes kujtesës, emrit dhe fragmentit narrativ. Kështu krijohet një marrëdhënie ndërsemiotike ku piktura dokumenton vizualisht, ndërsa poezia ruan emocionalisht.

Në përfundim, vëllimi “Çelësat e viteve që rrodhën” mund të lexohet si një arkiv poetik i jetës urbane vlonjate, ku qyteti nuk përshkruhet, por kujtohet, ku njerëzit nuk portretizohen, por ruhen si gjurmë dhe gjuha nuk zbukuron realitetin, por e mban atë të gjallë. Në këtë kuptim, Andi Meçaj pozicionohet si një poet i ndërmjetëm midis dokumentarit dhe lirikës, midis realitetit dhe kujtesës, duke ndërtuar një poetikë që e vendos Vlorën në qendër jo si imazh, por si kujtesë e gjallë e përvojës njerëzore.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page