top of page

Fatmir Terziu: Deti në Sarandë

  • 3 minutes ago
  • 2 min read

Deti në Sarandë

(Mikut tim poet dhe kritik, studiuesit Timo Mërkuri)

 

Po të kesh qenë ndonjëherë në Sarandë,

me siguri ke menduar se deti nuk fillon te bregu.

(Deti nuk është larg. Deti nuk është varg.)

Ai fillon te sytë e tu që e sheh për herë të parë.

 

Ke zbritur shkallët, ke përshkruar rrugës së qytetit,

me nxitimin e dikujt në një copë letër,

(me sigurisht që të ka mikpritur)

kërkon një adresë të vjetër,

dhe papritur ke kuptuar se ishte deti ai që të kishte thirrur.

 

Që fëmijë, ndoshta ke mbledhur gurë të lëmuar

e guaska të vogla, në mushtin e sqimët,

duke besuar se deti i humb ato

vetëm që t'i gjejnë fëmijët.

 

Më vonë, ke mësuar se ai nuk humb asgjë.

Ai vetëm ua ndërron vendin kujtimeve.

Po të kesh dashur dikë,

me siguri ke ecur pranë këtij bregu.

Nuk ka rëndësi nëse i ke folur,

apo keni heshtur.

Deti e di se edhe heshtja ka gjuhën e vet.

(Heshtja është një molekulë në ison e tretur).

 

Ke parë çifte që ecin pa e prekur njëri-tjetrin,

e megjithatë dallgët i lidhnin më fort se duart.

Ke parë fëmijë që i hedhin gurë ujit,

sikur kërkojnë të zgjojnë fundin.

 

Deti qesh me ta.

Ai e di se çdo njeri e fillon jetën duke dashur

ta masë pafundësinë në hava.

 

Në qofsh piktor, Saranda të jep më shumë blu

se ç'mund të mbajë peneli.

Në qofsh poet, do ta kesh të vështirë

të gjesh një fjalë që të jetë më e kthjellët

se mëngjesi i tij.

Në qofsh muzikant, do të kuptosh se ritmi i parë

është shpikur nga një dallgë.

Në qofsh udhëtar, nuk do të mbash mend

sa kilometra ke bërë.

Do të mbash mend vetëm ngjyrën e ujit.

 

Po të rrish vetëm mbi Lëkurës,

kur dielli bie ngadalë, do të të duket

se deti nuk të flet. Madje kurën e kurës!

Por ai nuk ka pushuar asnjë çast.

Ka folur me erën,

                    me pulëbardhat,

                                    me kripën,

                                             me dritën

që thyhet mbi sipërfaqe

si një henë e pikturuar ditën.

 

Dhe kur ngrihet stuhia, mos mendo se deti zemërohet.

Ai vetëm kujton se ka lindur i lirë.

Prandaj dallga nuk i kërkon falje bregut si risi.

Ajo vjen,

            përplaset,

                       kthehet

                           dhe rikthehet përsëri.

 

Si njeriu.

Sepse edhe ne kështu jetojmë.

I afrohemi ëndrrave stisemi,

                          na thyejnë,

                                   kthehemi,

                                       e prapë nisemi.

 

Ndoshta për këtë arsye deti në Sarandë

na duket kaq i afërt mot pas moti.

Ai nuk na mëson si të shohim ujin pranë.

Na mëson si të mos kemi frikë nga horizonti.

 

Dhe kur largohesh kujton të tërën,

e kupton se nuk ke marrë me vete

                          as rërën,

                             as sekretet e ditës,

                               as guaskat,

                                   as aromën e kripës.

 

Ke marrë atë copë kaltërsie

që deti ua jep vetëm atyre që dinë ta shohin me zemër,

në thellësi të syve.

1 Comment


Natasha Lako
3 minutes ago

Poezi antologjike, me thellësi emocionesh. Aty ku deti ndryshon ngjyrë nga frikërat e kohës dhe dallgët të lidhin më fort se duart; aty ku teprica e blusë shndërrohet në penel e më pas në kaltërsinë e syve. Një poezi kaq njerëzore në kuptimësi, sidomos për atë që ka arritur të mësojë ose të ndiejë përmes detit. Fatmir Terziu është poeti i kësaj ndjeshmërie, fatlum që i përket Sarandës dhe që ka një mik si Timo Merkuri.

Like

Shkrimet e fundit

bottom of page