top of page

Nexhbedin Basha: Kur binte muri i Berlinit Shqipëri - Kosovë...

  • 4 days ago
  • 2 min read

Nexhbedin Basha: Kur binte muri i Berlinit Shqipëri - Kosovë, trupat e NATO-s mësyjnë në Kosovë

Më 12 qershor 1999, në Morinë, aty ku kufiri për dekada kishte qenë një mur heshtjeje dhe ndarjeje, ndodhi ajo që historia e re e Kosovës do ta kujtonte si një kthesë epokale.

Ishte sikur, në atë ditë, muri i Berlinit po binte edhe në Kosovë.

Pashë me sytë e mi hyrjen e trupave të NATO-s. Autokolona ushtarake me flamuj të aleatëve gjermanë dhe holandezë lëviznin ngadalë drejt një toke të plagosur, por që më në fund po ngrihej në këmbë pas një periudhe të gjatë dhimbjeje dhe shkatërrimi.

Në të dy anët e rrugës njerëzit u ngritën si një det i çliruar. Duart u ngritën lart, disa ranë në gjunjë, të tjerë qanin pa zë. Frika ishte zhdukur nga fytyrat e tyre; kishte mbetur vetëm pritja dhe shpërthimi i shpresës.

Në atë çast kuptova se muri i ndarjes shqiptare kishte filluar të shembej përgjithmonë.

Aty për aty shkrova reportazhin tim:

“Në Morinë, ditën kur binte muri shqiptar i Berlinit.”

Ishte hera e parë që një forcë ndërkombëtare hynte jo si pushtuese, por si çliruese. Dhe kjo i jepte një kuptim të ri historisë së kësaj treve.

Nga Kukësi deri në Prishtinë, Pejë e Gjakovë, rrugët u mbushën me njerëz. Burra e gra mbanin flamuj kombëtarë dhe amerikanë në duar të lodhura nga pritja e gjatë. Fëmijët brohorisnin me zë të lartë:

“Rroftë Amerika!”

“Mirë se erdhët në Kosovën e lirë!”

“Faleminderit!”

Nuk ishin thjesht fjalë. Ishin përqafime që merrnin formë zëri dhe loti.

Si gazetar i shtypit ushtarak, përjetova dramën dhe madhështinë e një populli që nuk u dorëzua kurrë. Dhe si shqiptar, e ndjeva Kosovën si një pjesë të trupit tim që më në fund po çlirohej nga dhimbja e gjatë.

Drita që binte mbi Morinë nuk ishte vetëm dielli mbi Gjalicë. Ishte drita e një epoke të re mbi një tokë që kishte mbijetuar gjithçka.

Sot Kosova është shtet i lirë, sovran dhe demokratik.

Trupat e KFOR-it vazhdojnë edhe sot të jenë të pranishme në Kosovë, si garanci e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në vend.

Nexhbedin Basha

 12 qershor 2025

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page