Thani Naqo: NATË E QELQTË
- May 30
- 1 min read

E qelqtë kjo natë, me cingërimë,
gjithësia u mek e s’ më grish.
Dëgjoj hënën të mërmërijë,
“Vetullën bryma po ma përzhit.”
Shpirt dha sonte fija e fundit e barit,
gjethet puthiten me njëra-tjetrën.
Kallaj’ i akullt mbulon shpinën e jazit,
nën cipëakull gjurmët më mbetën.
Lëshoj pllazin n’errësirë, ec kuturu,
dhuroj frymën të bëhet okitë.
Okita le të më thinjë e, ulur mbi hu,
yllin e vockël që regëtin pak dritë…
Ziçisht,1983
(Shkëputur nga libri me poezi lirike ÇDO PERËNDIM MË VDES NGA PAK - AMAZON 2015)








Comments