Thani Naqo: KY JAM UNË

KY JAM UNË
Më mungon instinkti i shtirjes,
S'kam durim të dëgjoj për çdo gjë,
Ato që vijnë thjesht natyrshëm,
Më hyjnë në zemër e nuk bëjnë zë.
Njeri, kafshë, shpend a pemë,
S' kam patur idhull as në fëmijëri,
Me kuaj, qen, pleq, lisa e bletë,
Akoma kam natyrshëm miqësi.
Çdo çast më gjen në gatishmëri,
Kam sy skifteri e veshë kali,
E shoh kur fryn e lëviz edhe ajrin
Pra kam instikt gjahtari.
Madje edhe në studion time,
Kur terri e yjet zbehen krejt,
E shoh e qesh me veten time,
Ndërsa dremit, atje, në cep...
LEVENDË, CINGUNË, MBURRAVECË, INJORANTË
Ndonjëherë zemërimi më le pa gjumë,
Që shoqërohem me injorantë,
Krahasimet e tyre, (të pista), rrjedhin lumë,
(Kur zemrat vjellin ndonjë inat.)
Një nga një po rrallohen fytyrat,
Të mirë e të keq, jam moshatar me ta,
Nga pamja, huqet e nga dëshirat,
(thelbi: kush eroton bën edhe para.)
S'na hyn në sy shkëlqimi i natës,
Bëjmë premtime e mbajmë sa mundim,
Levendë, cingunë, mburravecë, injorantë,
Për njëri - tjetrin sakrifikojmë gjumin.
SA MIRË BËMË QË S'U PAMË
Kur unë s'të shikoja, më shihje ti mua,
Po t' më rrëfeje ç' mendoje vërtet,
Do thosha - unë të dua,
Paçka gjithnjë zbulon ndonjë të metë.
Kur ti s'më shihje, fshehur të vëzhgoja,
Ç' mendoja për ty as unë s' t' i thosha dot,
Ama për ty më shumë ëndërroja,
Sepse s'ka femër pa llafe, në botë.
Gjithmonë të meta tek unë ti zbuloje,
Herë në pamje e herë në mendim,
Me të tjerë djem më krahasoje,
Unë idiot e i shëmtuar, ata simpatikë e zheninj.
Si dukem tani në sytë e tu, të terur?
Gjysëm shekulli iku, mbetëm larg e të ndarë,
Sa mirë bëmë që kemi heshtur,
Sa mirë bëmë që më s'u pamë.
TEKAT
Jam nën qiell të errët e të vranët,
Retë shpalosen si gazeta meteorologjike,
Të kërkoj, i malluar, kudo, anembanë,
Edhe era lëshon psherëtima erotike.
Numëroj minutën e fundit, sa një orë,
Gulshet pleqërore rrokullisen tatëpjetë,
Një përshëndetje e huaj, me dorë,
Sërish habitem si shpalosen retë.
Nuk mbeti shkak për dyshime të rënda,
Vetëtimat paralajmërojnë shi e stuhi,
Por, tekat që i kanë shpesh femrat,
Pandehja se nuk i kishe ti.
SI NJË RRËFENJË NGA KOHËT E EGRA
Nën hijen e rëndë ku drita s'gjen shteg,
Heshtja mblidhet qark meje, si vel,
Pëshpërima e gjetheve rrëfen një sekret:
Hija e arrës vret.
Gjethet e lyrshme vezullojnë, si të lyera me vaj,
Kurrora e pemës nga pesha rënkon,
Kërcasin degët e thyhen sikur kanë faj:
Një kokër trurin mëkon.
Fustani i ngjyer me lëng arre,
Varur në kanvacë me ngjyra të qeta,
E gjoksi e këmbët e bezhëta të një vajze,
Mbyllur në kornizë që nga kohët e egra.








Comments