Fatmir Terziu: Konteksti....

KASKADË TRURI
Mëngjesin e sotëm më zgjuan mendimet,
por nuk i njoha. Kishin ardhur pa trokitur,
me këpucët e mia, me fytyrën e dikujt tjetër
dhe me një letër ku shkruhej se kisha lindur
shumë vonë për të qenë fëmijë i vetes.
U ngrita të kërkoja vitet e humbura,
i gjeta ulur në stacion, duke pritur një tren
që kishte ikur para se të ndërtoheshin shinat.
Njëri më njohu dhe më pyeti për nënën.
I thashë se ishte në kuzhinë,
duke zier kujtimet për darkën e së ardhmes.
Ai qeshi. Unë qava.
Nuk e di cili prej nesh kishte të drejtë.
Në kokë më kishte mbirë një pyll
me pemë që jepnin orë në vend të frutave.
I shkundja fort, binin minuta të lagura,
disa me fotografi, disa me emra njerëzish
që i kisha dashur pa ua thënë kurrë.
Një zog më tha se koha nuk fluturon,
janë njerëzit që mbeten pas saj.
E pyeta ku ishte shtëpia ime.
Më tregoi hijen time,
por ajo kishte marrë një drejtim tjetër.
Pastaj u ula të numëroja mendimet.
I pari ishte një gur,
i dyti një zog i vrarë në mes të fluturimit,
i treti një politikan që kërkonte falje
nga pasqyra për fytyrën që i kishte dhënë.
I katërti nuk erdhi.
E prisja gjatë, sepse thuhej
se aty fillonte mençuria.
Por mençuria, si gjithmonë,
kishte dalë për të blerë bukë
dhe nuk ishte kthyer më.
O kokë e shkretë, çfarë po mban brenda?
Një bibliotekë me libra pa lexues,
një varrezë me të vdekur që flasin,
një fëmijëri që kërkon lodrat e saj
në xhepat e pleqërisë.
Kam një lumë në tëmth,
një det në ballë,
dhe një peshk që më ha kujtimet
sa herë përpiqem të kujtoj të vërtetën.
Më thanë se duhet të mendoj më pak.
Por si t’i mbyll mendimet
kur ato kanë marrë me qira të gjitha dhomat
dhe flenë edhe në krevatin ku ëndërroj?
Njëra më kërkon ujë,
tjetra më kërkon llogari,
një tjetër më thotë se jam i humbur
dhe vetëm harroj të sillem si i tillë.
Në rrugë pashë një njeri që shiste heshtje.
Kishte shumë blerës.
Një grua mori tri kilogramë për burrin,
një ministër bleu një thes për popullin,
kurse një poet kërkoi vetëm një grusht
për t'ia hedhur mbi plagët e fjalëve.
Unë nuk bleva asgjë.
Kisha aq shumë zhurmë brenda vetes
sa heshtja do të më dukej luks.
Dhe prapë, dikush më kërkonte.
Më kërkonte në dhomën ku nuk kisha hyrë,
në librin që nuk e kisha shkruar,
në dashurinë që e kisha lënë të plakej
duke pritur një përgjigje të thjeshtë.
E dëgjova zërin e saj:
A je aty?
I thashë: Jam, por nuk jam i sigurt
nëse jam unë ai që po të përgjigjet.
Mbrëmja më gjeti duke folur me trurin.
Ai ankohej se nuk e lija të pushonte,
se i kisha dhënë shumë njerëz për të mbajtur,
shumë histori për të mos harruar,
shumë të vërteta për t'i fshehur
dhe një jetë të tërë për ta kuptuar
me vetëm një palë sy.
I thashë: Edhe unë jam lodhur prej teje.
Ai u përgjigj: Atëherë më lër të të harroj.
Por unë nuk pranova.
Se çfarë do të mbetej nga unë
po të mos më kujtonte as dhimbja?
Tani po fle.
Të paktën kështu beson trupi.
Në tru vazhdon të bjerë një ujëvarë,
mendimet hidhen mbi njëra-tjetrën,
ëndrrat kërkojnë një dalje emergjence,
dhe një kujtim i vogël, i veshur me të bardha,
rri në prag e më pyet:
Nëse nesër zgjohesh pa asnjë mendim,
kush do të jetë ai që do të të mungojë?
ATDHÈU
Në zanafillje perceptoj veten si dikush që ka harruar
sinorin e vet në një stinë të largët,
me këpucët plot pluhur të rrugëve
dhe me një heshtje që më ecën përpara.
Atje, edhe pluhuri duket sikur mendon,
edhe gurët kanë diçka për të dëshmuar,
ndërsa era, duke kaluar mbi avllitë,
mbledh zërat e strukur e të harruar.
Një portë e vjetër hapet brenda meje,
pa pasur nevojë ta prek me dorë.
Pas saj një oborr mban ende ngrohtësinë
e një nëne që nuk del më në prag,
një kovë e përmbysur pret ujin,
një pemë ka harruar kush e mbolli,
por çdo degë vazhdon të japë hije
për dikë që mund të mos kthehet kurrë.
Në çatitë e ulëta fle tymi i dikurshëm,
në oxhaqe rrinë varur dimra të tërë,
dhe muret, të ngrënë nga shirat,
kanë filluar të ngjajnë me fytyra
që koha i ka lënë pa fotografi.
Një zogëz kthen dheun me sqep,
sikur kërkon aty një lajm të humbur.
Dy krimba toke gërvishtin dheun pranë një ferre,
pa e ditur se në heshtjen e tyre
ka më shumë histori se në një bibliotekë.
Një milingonë kalon me një copë troshë në dorë
dhe nuk e kupton se po mban
një nga format më të vjetra të lumturisë.
Më tej, ograja është mbushur me barin
që askush nuk pati kohë ti vinte kosën.
Brazdat kanë humbur drejtimin,
por toka nuk ka humbur durimin.
Ajo ruan poshtë shputave farat e një pune të ndërprerë,
djersën e burrave që nuk kërkuan lavdi,
dhe lotët e grave që i thanë
me përparëset e tyre.
Këtu largimi nuk është një udhëtim,
është një mënyrë tjetër për të mbetur.
Njerëzit ikin, por lënë pas
një karrige që nuk lëviz nga vendi,
një lugë të vjetër në sirtar,
një çelës që nuk hap më asnjë derë
dhe një emër që e thërret geni
sa herë kërcet porta në mbrëmje.
Kur bie nata, zanafillja nuk errësohet.
Ajo vetëm mbyll sytë për të dëgjuar
çfarë po ndodh nën rrënjët e saj.
Atje, në thellësi, të vdekurit
nuk flenë mbi njëri-tjetrin,
por i tregojnë tokës si të mbajë
peshën e atyre që ende vijnë.
Dhe unë largohem pa kthyer kokën,
sepse kam frikë se mos shoh
një dritë të ndezur në shtëpinë time,
një hije që më pret te dritarja,
një fëmijëri që nuk më njeh më
dhe një plak që më ngjan aq shumë
sa mund të jetë vetë e ardhmja ime.
Zanafillja mbetet. Jo siç e lashë,
por siç më ruajti. Dhe kur vendi më pyet se nga vij,
unë nuk i tregoj një emër në hartë.
I tregoj pluhurin në këpucë, një copë heshtjeje në kraharor
dhe atë farë të vogël dheu
që nuk pranon të mbijë askund tjetër,
veçse tek Atdhèu.
MALLIMI
Ngadalë, si një dritë që harron të shuhet,
më vjen nga larg një zë
dhe më prek aty ku kujtesa
nuk ka mësuar ende të mbrohet.
O njeri i ditëve të mia,
ti që mban në pëllëmbë
një copëz kohe të papërsëritshme,
mos më pyet pse ndalem
kur kaloj pranë një dere të vjetër,
pse dëgjoj hapa
edhe kur rruga është krejt e zbrazët.
Kam mall për ty,
por jo vetëm për fytyrën,
as për sytë që dikur më njihnin
pa pasur nevojë të flisnin.
Kam mall për atë që ishim
përpara se vitet të na mësonin
të përshëndetemi nga larg.
Diku, në një xhep të padukshëm të shpirtit,
ruaj ende një fjalë të pathënë,
një të qeshur që nuk u përsërit,
një prekje që koha e mori me vete
pa pyetur nëse duhej të na linte
qoftë edhe një grimcë ngrohtësie.
Mos u afro shumë shpejt,
se malli ka sytë e vet
dhe nganjëherë ngatërron
njeriun që kthehet
me njeriun që kemi pritur.
Eja ngadalë,
siç vijnë gjethet te dega e vjetër,
siç kthehet shiu në kujtesën e gurit,
siç kërkon një zemër e lodhur
adresën e rrahjes së saj të parë.
Dhe nëse më gjen me shpinë nga ti,
mos mendo se nuk të kam parë.
Ka përqafime që fillojnë shumë përpara
se dy krahë të hapen,
ka njerëz që mbërrijnë në shpirt
edhe kur nuk kalojnë më nga dera.
Unë do të të njoh,
jo nga fytyra që vitet e kanë ndryshuar,
por nga ajo mungesë e vogël
që do të pushojë së dhemburi
sapo të jesh pranë.
Sepse malli nuk është largësia
që matet me rrugë e stinë,
është vendi ku dy njerëz
vazhdojnë të takohen fshehurazi,
edhe pasi koha
ua ka mbyllur të gjitha takimet.
LARUSHIA E SYVE
Atëherë kur sytë e mi
nuk e dinin se çfarë ishte largësia,
kur çdo dritë që binte mbi një fytyrë
më dukej si fillimi i një bote,
dhe çdo mëngjes kishte ngjyrën
e diçkaje që nuk ishte parë ende…
Atëherë,
ngjyrat nuk qëndronin në sende,
por në mënyrën si i shihja.
Një gur mund të ishte qiell,
një pikë shiu një det i tërë,
një vështrim i hedhur rastësisht
një stinë që nuk mbaronte kurrë.
Tani sytë kanë mësuar të numërojnë
humbjet e dritës,
të dallojnë hijen nga trupi,
të lexojnë në ballin e njerëzve
atë që buzët e tyre nuk e thonë.
Por, çuditërisht,
sa më shumë shoh,
aq më pak bindem se kam parë.
Sepse dikur e ardhmja më rrinte në bebëza,
si një zog që nuk njihte kafaz,
kurse sot e kaluara më rri në qepalla,
si një gjumë që nuk guxon të mbyllet.
Dhe mes këtyre dy dritave
unë vazhdoj të kërkoj
atë ngjyrë që nuk e kishte emrin.
O sy, larushia juaj nuk ishte bukuri,
ishte mënyra si e mashtronit kohën!
I jepnit të kuqes një arsye për të lindur,
blusë një thellësi për të mos u mbytur,
gjelbërimit një të drejtë për të mbetur
edhe pasi degët humbnin pranverën.
Kam parë njerëz që plaken në fotografi,
por jo në kujtesën time,
kam parë rrugë që humbin shtëpitë,
por jo gjurmët e atyre që kaluan,
kam parë dashuri që nuk u kthyen,
por që ende më ndryshojnë shikimin
sa herë një dritare hapet në mbrëmje.
Dhe ndoshta kjo është e gjithë larushia:
jo të shohësh shumë ngjyra,
por të mos lejosh asnjërën
të të bëhet e fundit.
Tani, kur drita më vjen më e kursyer,
nuk i kërkoj më horizontit të më premtojë.
Më mjafton një rreze mbi tryezë,
një fytyrë që nuk shmanget,
një pemë që lëviz në erë
dhe një sy tjetër përballë meje
që ende di të habitet.
Sepse jeta nuk i humb ngjyrat
kur perëndon dita,
ato vetëm ndërrojnë vend në kujtesë,
dhe ajo që dikur e quanim e ardhme
fillon të na shikojë
nga sytë e së shkuarës.
ERRËSIRA
Ti vjen aq ngadalë në errësirë,
sa edhe nata druhet të të prekë,
dhe unë nuk e di nëse të shoh
apo është syri im që shpik dritën
për të mos mbetur vetëm.
Je një grimcë e humbur në hapësirë,
një frymëmarrje e mbetur pezull
mes dy yjesh që nuk takohen,
një emër që e mbaj nën gjuhë
si një frut të papjekur të kujtesës.
Në ëndërr të kërkoj pa të thirrur,
të ndiej pa të prekur,
të njoh pa të pyetur
nëse je ende ajo që ishe
apo një tjetër formë e mungesës sime.
Errësira ka duar të çuditshme,
na i ndërron vendet e trupit,
na i zhvendos kufijtë e dëshirës,
na bën të besojmë se largësia
është vetëm një perde e hollë
mes dy frymëve të etura.
Dhe ti shfaqesh,
me atë dritë që nuk di të shpjegohet,
me sytë e mbushur me fotografi
që nuk i ka shkrepur askush,
me buzët që ruajnë shijen
e një fjale të pathënë.
Atëherë nuk fle më.
Më zgjohet gjaku nëpër kujtime,
më lëvizin brinjët si degë në stuhi,
dhe trupi im bëhet një dhomë
ku dëshira ndez qirinj
për gjëra që nuk kanë emër.
Ka një diell edhe në këtë errësirë,
por ai lind nga ana e kundërt e shpirtit.
Nuk ndriçon sendet,
ndriçon plagët që kemi mbuluar
me rrobat e përditshmërisë.
Dikur mendoja se nata na ndante,
se errësira ishte muri i fundit
mes asaj që dëshironim
dhe asaj që mund të preknim.
Tani e di se ajo është vetëm
një kujtesë pa dritare,
ku çdo gjë e humbur
gjen një mënyrë për t'u kthyer.
Dhe kur mëngjesi troket në xham,
unë nuk të kërkoj më në ëndërr.
Shikoj dritaret që hapen,
qiellin që ndërron ngjyrë,
shtëpitë që zgjohen pa e ditur
se brenda tyre dikush ka kaluar natën
duke kërkuar një copë atdheu.
Sepse errësira nuk është mungesa e dritës,
është ajo që mbetet në ne
kur edhe drita ka frikë
të zbulojë gjithçka.
KONTEKSTI
Hapa sytë dhe për një çast
nuk e kuptova nëse nata kishte mbaruar
apo thjesht kishte ndërruar vend
brenda meje.
Mendova:
njeriu nuk jeton aq sa mundet,
por aq sa guxon të humbasë
pa e humbur veten.
Ka kontekste që kërkojnë krahë fluturash,
shpatulla që mbajnë peshën e një qielli,
dhe shpirtra që nuk dinë të japin
pa u bërë më parë hi.
Konteksti nuk është një derë e hapur,
as një çelës i hedhur mbi tryezë,
është një shtëpi që ndërtohet në heshtje,
me gurët e durimit,
me dritaret e besimit
dhe me një çati që nuk e rrëzon
era e parë e dyshimit.
Por dikush gjithmonë largohet
duke marrë me vete edhe heshtjen e tjetrit.
Mbetet një gotë gjysmë e mbushur,
një karrige përballë boshllëkut,
një fjali që nuk gjeti dot fundin
dhe një kujtim që sillet nëpër dhoma
sikur ende të kishte çelësin.
Mëngjesi nuk pyet kush ka fjetur,
as kush e ka kaluar natën zgjuar.
Ai shpërndan dritën mbi të gjithë,
por jo të gjithëve u gjen fytyrën.
Disa zgjohen me diell në ballë,
të tjerë me një copë muzg në kraharor.
Dhe unë kam mësuar
se nuk është dobësi të të marrë malli,
por të kërkosh nga dikush
të mbushë boshllëkun që nuk e njeh as vetë.
Ka kontekst që të fisnikëron,
ka kontekst që të zvogëlon,
ka edhe kontekst që të mëson
sa larg mund të shkojë njeriu
pa lëvizur nga vendi.
Në këtë botë,
secili mban një qiell të vetin,
por retë e tij shpesh janë të huazuara
nga njerëzit që ka njohur.
Prandaj nuk i gjykoj më ata që ikin,
as ata që mbeten,
as ata që kthehen vetëm në mendime.
Sepse jeta nuk është gjithmonë
ajo që na ndodh,
por mënyra si e mbajmë gjallë
brenda asaj që na ka ndodhur.
Tani, kur më pyesin çfarë kërkoj,
nuk them më një përgjigje të gatshme.
Them një mendim që nuk më tradhton,
një njeri që nuk më mat me mungesën,
një dritë që nuk kërkon dëshmitarë
dhe një shpirt që di të japë
pa e kthyer dhurimin në borxh.
Sepse konteksti është i madh,
por edhe njeriu duhet të mbetet i tillë
pasi e ka dhënë të gjithën.








Comments