top of page

Teuta Turhani: Një jetë në Agjencinë Telegrafike Shqiptare

2 hours ago
12 min read

 

(Në nderim të përkthyesve, të atyre heronjve të heshtur)

 

Ishte vera e vitit 1973 kur një grup shoqesh prisnim të mësonim se ku do të na emëronin pas mbarimit të studimeve. Në fillim të gushtit, mora  lajmin që isha emëruar në Agjencinë Telegrafike Shqiptare. “Sa mirë!”, më thotë një nga shoqet e mia, ndërsa unë nuk dukesha dhe aq e entuziazmuar. Një mik i babait tim e kishte cilësuar ATSH-në “një uzinë mendore”. Thelbin e krahasimit me uzinën do ta kuptoja vetëm më vonë. 

Institucioni ku unë do të punoja plot 39 vjet, ishte vërtet si një uzinë, ku punohej  orë e pa orë, me orare të zgjatura dhe shpeshherë edhe natën. ATSH-ja, si për gazetarët, ashtu edhe për përkthyesit e të gjithë brezave, ka qenë një shkollë e vërtetë profesionale. Mjaft gazetarë të mediave të shkruara e pamore, drejtues të mediave si dhe korrespondentë të njohur shqiptarë të agjencive të huaja që veprojnë në Shqipëri, kanë punuar ndër vite në sektorë të ndryshëm në ATSH, duke përfshirë edhe sektorët e përkthimit. Nga ana tjetër, nga ky institucion kanë dalë, gjithashtu,  diplomatë, deputetë dhe studiues të njohur brenda dhe jashtë vendit.   

Punën si përkthyese e gjuhës frënge në ATSH, e fillova në  Redaksinë e Jashtme,  ku përkthehej  nga gjuha e huaj në shqip. Do të ishte kontakti i përditshëm me gjuhën frënge gjatë përkthimit të lajmeve të Agjencisë France-Presse (AFP) që do të më aftësonte shkallë-shkallë, duke  m’i forcuar themelet e njohjes së kësaj gjuhe që ishin hedhur tashmë gjatë studimeve universitare, por që do të më ndihmonte, gjithashtu, të merrja edhe më shumë  kulturë e njohuri rreth gjuhës, si dhe në fushën e gazetarisë, të cilat do të ishin të domosdoshme në vitet e mëvonshme.

Vetkuptohet, në fillim ndieja pasiguri gjatë përkthimit. Por  “noti mësohet vetëm në det” dhe ky “det” për mua ishte ATSH-ja.  Më është dashur një punë këmbëngulëse, por do ta kisha pasur më të vështirë pa ndihmën e kolegëve më të vjetër përkthyes, por edhe të redaktorëve. Në  sektorët e përkthimit, nga gjuha e huaj në shqip dhe anasjelltas, përkthyesve të rinj asnjëherë nuk u mungoi ndihma dhe përvoja u përcoll nga brezi në brez. Sidoqoftë, vlen të theksohet ndihmesa e brezit të parë të përkthyesve që ende vazhdonin të punonin në ATSH në fillim të viteve ’70 kur unë fillova punën. Ata rrezatonin kaq shumë kulturë e shumë modesti njëkohësisht dhe përcillnin pa u kursyer, me plot dashuri e dëshirë, njohuritë e tyre tek brezat pasues. Sa shumë kemi mësuar prej tyre ! 

Eruditi  Nuri Hamzaraj ishte njëri prej tyre. Mund të them pa e tepruar se, në sektorin e përkthimeve nga gjuha e huaj në shqip, ku punonte në atë kohë Nuriu, ndodhte shpesh që përkthyesit, dhe jo vetëm ata të frëngjishtes, prisnin radhën për t’u këshilluar me të. Ajo që të çudiste ishte se, edhe pse nuk e kishte fare idenë si shqiptohej anglishtja, ai gjithnjë ua gjente zgjidhjen edhe përkthyesve të anglishtes dhe, me intuitën e tij të fortë, edhe atyre të gjermanishtes, në sajë të formimit të tij gjuhësor.   

Pas disa vitesh, më kaluan si përkthyese në Redaksinë  për Botën e Jashtme. Sigurisht, përkthimi nga gjuha shqipe në gjuhë të huaj kishte një shkallë më të lartë vështirësie. Në fillimet e mia në këtë redaksi, pata fatin të punoj me Riko Konicën, një tjetër erudit, i cili e kishte filluar punën e tij në ATSH që pas Çlirimit dhe për gati dy dekada e gjysmë i kishte mbuluar pothuajse i vetëm përkthimet në gjuhën frënge. Redaktimet e Rikos ishin për ne, përkthyesit e rinj, shkolla më e mirë. Por jo vetëm redaktimet e tij. Falë pranisë së Rikos, në zyrën ku ai punonte, flitej vetëm frëngjisht, një mundësi që nuk e kishin të gjithë.  

Në një artikull të botuar në numrin e 11 marsit 1995 të gazetës “Lajmi i ditës”, organ i atëhershëm i  ATSH-së, titulluar “Rekuiem për Rikon (Skifter Konicën), i gjithëpranishëm në historinë e pasluftës të ATSH-së”,  kolegu im i asokohe, Fatos Beja, shkruan: 

“Pakkush e njihte me emrin Skifter Konica, pasi shumica e njerëzve e njihte me emrin Riko. Kam pasur kënaqësinë, si shumë punonjës të dikurshëm të ATSH-së, që të punoja me një  plejadë intelektualësh eruditë që mbaruan studimet në universitete të shquara të Evropës, por që diktatura ua zhvlerësoi diplomat e profesionit dhe  shfrytëzoi vetëm njohuritë e tyre në gjuhë të huaja, duke i shtrënguar të punonin si përkthyes me një trajtim diskriminues. Me Rikon punova 12 vjet rresht në një zyrë, paraditeve dhe pasditeve, fundjavave dhe ditët e festave, duke u ndarë vetëm gjatë pushimeve vjetore dhe atyre të dielave që nuk “digjeshin” dhe i bënim pushim. Mund të them me plot gojën se fëmijët e tij nuk kanë ndenjur me të më shumë se ne, kolegët e tij të rinj, që shihnim tek ai kolegun e vjetër, por jo vetëm kaq. Rikua ishte si një prind i dytë për ne, i cili ka ndikuar fuqishëm në formimin tonë profesional e kulturor, një pikë kontakti me botën e jashtme, që plotësonte ato njohuri për Evropën, të cilat agjencitë nuk na i jepnim neve “të privilegjuarve” që mund t’i lexonim se duhej t’i përkthenim.   

Profesional - sepse Rikua ishte për ne një mësues i frëngjishtes praktike, një profesor, ndoshta më i miri nga profesorët tanë të shquar, megjithëse nuk na mësoi kurrë një rregull gramatikor, një mësues i përkthimit, megjithëse kurrë s’na foli për bazat teorike, linguistike e artistike të përkthimit. Ashtu i heshtur, me korrigjimet e tij të vijueshme, ditë për ditë, muaj pas muaji, vit pas viti, ashtu gazmor, plot rrëfime e historira, vetëm në frëngjisht, Rikua shtonte tek ne atë çka unë dhe shoqet e mia që punuam me të morëm prej tij në njohjen e gjuhës frënge, të qytetërimit francez, të kulturës botërore. Rikua, që për sa kohë punuam bashkë dhe me sa di unë edhe më parë, nuk ka dhënë asnjë orë mësimi frëngjishteje, as vajzave të tija, ishte i pranishëm me mua në leksionet që unë dhashë për qindra e qindra studentë universitarë të shumë brezave, ishte i pranishëm me ne sa herë  që francezët dhe të huajt e tjerë çuditeshin me frëngjishten tonë të mësuar pa qenë kurrë në Francë dhe pa kontakte të rregullta me frankofonë të jashtëm. Rikua është profesori ynë i paharruar, që investoi aq shumë me njohuritë që ne përdorim sot në profesionet ku punojmë.

Vlerat që ne përftuam nga Rikua nuk kufizohen vetëm te frëngjishtja e tij. Rikua ishte pinjoll i një familjeje të moçme shqiptare, nga trojet që historia i la   jashtë kufijve të Atdheut, por që, për fat të mirë, nuk ia shkëputi dot si emër familjes së Konicajve. Djali i   diplomatit shqiptar të viteve ’20  e ’30 Mehmet Konica e nip i personalitetit të shquar të letrave e kulturës shqiptare Faik Konica, Rikua rrezatonte heshturazi përreth tij dashurinë  për vlerat e mirëfillta kombëtare, për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që janë, duke dalë me vlerësimet e tij jashtë kufizimeve zyrtare ideologjike, duke u bërë ashtu heshturazi, si shumica  e intelektualëve të vjetër, një strehë e brishtë, por prapë shpëtuese, për filizat e rinj të atdhedashurisë që i rezistuan rrebeshit të furishëm ideologjik. Madje edhe vetë emri i tij zyrtar, Skifter, mishëron një grimcë të patriotizmit të familjes Konica e pasqyron revoltën e ungjit të tij, Faikut, i cili, kur u njoftua se Mehmetit i lindi djalë dhe i vunë emrin Shahin, sipas traditës së familjes, në telegramin e urimit kërkoi që të hiqej dorë nga emrat turkoshakë e meqë shpendit shahin i përkonte në shqip shpendi skifter, djali të quhej Skifter. Dhe ashtu u bë. Por, për nga origjina e tij, në linjën e nënës, rrënjët e Rikos shkojnë në dy-tre popuj të tjerë nga jugu në veri të Evropës, çka, së bashku me faktin që Rikua i kreu studimet e tij fillore, të mesme e të larta në Zvicër dhe Francë, e që nën pushtimin fashist u internua dhe jetoi në Itali, bënë që Rikua të manifestonte në mjedisin ku jetonte e punonte karakteristikat e një qytetari evropian, në kuptimin më të mirë të fjalës, demokrat, larg shovinizmave e plot krenari e dashuri për popullin e tij, me sensin e disiplinës në punë e të marrëdhënieve korrekte me të gjithë. Edhe pse meritat s’iu vlerësuan zyrtarisht, edhe pse specialistin e verërave që mbaroi universitetin për Enologji  në Francën e mirënjohur për verërat, në vend që ta bënin drejtor a shef prodhimi të kantinave tona, e dërguan punëtor në fabrikën e salcës, e pastaj, nga nevoja për të shfrytëzuar frëngjishten e tij, e përdorën si përkthyes për dekada...

“Për Rikon meriton të shkruhet shumë, sepse shkriu jetën në ATSH, por nuk iu njohën meritat. Ai ishte një ndër përkthyesit më të kualifikuar në gjuhën  frënge”, shprehet Vedat Kokona.  Ndërsa  Jusuf  Vrioni thotë: “Asnjë superlativ nuk do të ishte i tepërt për Rikon””.     

*

Ndihem e privilegjuar që ruaj kujtime edhe nga koha kur kam punuar me një tjetër personalitet të përkthimit, siç ishte Jusuf Vrioni, në  periudha përkthimesh intensive për kongreset e PPSH-së. Për përkthimet në frëngjisht, gjatë këtyre periudhave, barrën dhe përgjegjësinë më të madhe të punës e mbante Vrioni. Punonte pothuajse pa pushim, nga mëngjesi deri në orët e vona të natës, duke përkthyer vetë dhe duke redaktuar tekstet e përkthyesve të rinj. Megjithatë, nuk ndodhte që në zërin e tij të ndihej ndonjë notë lodhjeje. Me finesën e tij, me taktin dhe dashamirësinë që e karakterizonte, ai nuk të bënte të ndiheshe keq edhe atëherë kur përkthimet e tua ishin mbushur me korrigjime. Përvoja e tij ishte një thesar për mua. 

Puna e përkthyesit në sektorin e përkthimeve nga shqipja në gjuhë të huaj,  ka qenë një punë në ekip, ku shkrihej përvoja e të gjithëve së bashku, për të nxjerrë “prodhimin” përfundimtar. Për vite e vite me radhë,  ritmi i punës ishte i mundimshëm dhe herë-herë ndodhte të gjendeshe e vetme përballë një pune të vëllimshme. Një “industri“ e vërtetë përkthimi. Si ia kemi dalë?!  Është pikërisht ajo “uzinë mendore”, së cilës iu druajta në fillim, që na aftësoi të përballojmë një vëllim pune të jashtëzakonshëm. Por nuk mund të lë pa përmendur edhe një tipar shumë njerëzor që  karakterizoi brezin tim dhe, në përgjithësi, edhe dy-tre breza më pas. Në momente pune intensive, edhe kur ndonjë  prej nesh kishte arsye të forta shëndetsore, nuk rrinte pa ardhur në punë, sepse e dinte që do të ishte stërmundim për shoqen apo shokun e zyrës.  Ishte në natyrën e punës së Agjencisë, dhe ne për këtë ishim të vetëdijshëm, që, në jo pak raste,  detyroheshim të prisnim ndonjë lajm a material, që duhej përkthyer por që nuk e dinim se kur do të mbërrinte.  Unë banoja fare pranë ATSH-së, ndaj  mund të shkoja e të prisja  në shtëpi dhe, sapo  mbërrinte lajmi, më nxirrnin si sinjal një vazo me lule në dritare…! Për mua kjo ishte një lehtësi e madhe, ndërkohë që të tjerët që banonin larg, ishin të detyruar që, sapo t’u telefononin, të vinin me një frymë nga shtëpitë e tyre, përndryshe do të ishin të detyruar të prisnin me orë të tëra në zyrë, paçka se secili kishte edhe angazhimet e veta familjare. Këto orë pritjeje,  si dhe koha e angazhimit për këto përkthime, ishin të tëra jashtë orarit zyrtar, çka i bënte pjesë të kësaj sakrifice edhe familjet e gjithsecilit.

Në pranverën e vitit 2012 dola në pension. Një jetë në ATSH ...!  Janë të shumtë përkthyesit që kanë punuar në ATSH ndër vite, por vetëm një numër i vogël e filluan dhe e “mbyllën” karrierën e tyre në këtë institucion.  Këta janë:  Zenel Sejdi, Pandora Dhimarko, Shkëndija Dhame, Liljana Rexhepi, Liljana Papa, Liljana Rrumbullaku, Lirika Meçi dhe unë. Duhet të jenë shumë të ralla sot CV-të vetëm me një vend pune.  Kemi ndarë bashkë  gjithë këto vite pune, vështirësitë, emocionet, stresin, shqetësimet, por edhe gëzimet, si dhe kënaqësinë e frytit të punës. Dhe, sigurisht, bashkë me shumë të tjerë, kemi shtuar diçka në  historinë e ATSH-së, në atë pjesë të saj që i takon përkthimit.

***

Agjencia Telegrafike Shqiptare nuk mund të konceptohet pa punën e përkthyesve. Në fillesat e saj duket se ajo ka qenë një bërthamë përkthimi.

Në një referat me titull “Homazh traditave dhe kulturës së popullit tonë të vjetër”, mbajtur nga ish-drejtori i përgjithshëm i ATSH-së Ilir Zhilla me rastin e 65-vjetorit të themelimit të ATSH-së dhe botuar në organin e kësaj Agjencie “Lajmi i ditës” të datës 31 dhjetor 1994, thuhet se në kujtimet e tij Sergei Sherko, i biri i Mihal Sherkos, përmend emrat e personelit në vitet ’30: Koço Semini, Muharrem Pirdeni (anglisht), zonja Plasari (frëngjisht), Vasil Xhaçka (greqisht) si dhe një person tjetër për gjermanisht.  Këta emra përbëjnë embrionin e atyre që do të quheshin më vonë  në ATSH Redaksia e Jashtme dhe Redaksia për Botën e Jashtme. 

Mynever Shuteriqi, e cila ka qenë shefe e Redaksisë për Botën e Jashtme nga viti 1945 deri në vitin 1949, kujton se në vitin 1945 kur ajo filloi punën në ATSH, e gjeti këtë institucion informues të ngritur tashmë, menjëhëre pas Çlirimit, administrativisht e organikisht, me Redaksinë e Brendshme, Redaksinë e Jashtme dhe Redaksinë për Botën e Jashtme, dhe redaktorët dhe përkthyesit e kishin filluar tashmë punën.  

Dy kanë qenë redaksitë kryesore të përkthimit në Agjencinë Telegrafike Shqiptare:  Redaksia e Jashtme dhe Redaksia për Botën e Jashtme. Këto dy redaksi, që më parë ishin më vehte, përbëjnë tani Sektorin e Përkthimit.

 

Redaksia  e Jashtme

 

 Para viteve ’90, në këtë redaksi është përkthyer, në periudha të ndryshme, nga gjuhët e huaja në shqip, si nga rusishtja, frëngjishtja, anglishtja, serbokroatishtja, italishja, nga agjencitë e lajmeve AFP, Reuters, Associated Press, TASS, ADN, Tanjug, Hsinhua, ANSA, etj., si dhe nga agjenci rajonale, kurse aktualisht përkthehet nga frëngjishtja, anglishtja dhe italishtja, nga agjencitë AFP, DPA dhe ANSA.

 

Redaksia për Botën e Jashtme

 

Në këtë redaksi bëhen përkthime nga gjuha shqipe  në frëngjisht dhe në anglisht. Përkthehen informacionet më të rëndësishme rreth zhvillimeve në vend në të gjitha fushat: politike, ekonomike, kulturore, sociale, etj. Në kohë të ndryshme, një pjesë e përkthyesve të kësaj redaksie kanë punuar edhe si përkthyes nga gjuha e huaj në shqip.

Deri nga fillimi i viteve ’90, atashuar pranë kartotekës, ku depozitohej shtypi i huaj, ka ekzistuar edhe Redaksia e Përpunimit të Shtypit të Huaj, siç quhej. Përkthyesit e kësaj redaksie përgatisnin pasqyra të shtypit të huaj: anglez, francez, gjerman, rus, serbokroat, italian, spanjoll, grek, si dhe përkthenin materiale që paraqitnin interes, një pjesë e të cilave pasqyroheshin në buletine të posaçme, të destinuara për individë apo për institucione të veçanta. Në fillim të viteve ’90 kjo redaksi u zhbë dhe një pjesë e punonjësve të saj kaluan në Redaksinë e Jashtme.

Më  poshtë vijon lista e përkthyesve të ATSH-së, që pas Çlirimit deri në ditët e sotme, renditur përgjithësisht në mënyrë kronologjike. Për të qenë sa më korrekt me gjithsecilin, midis tyre janë përfshirë edhe emra të personave, të cilët kanë punuar si përkthyes për një kohë  para se të caktoheshin në detyra të tjera, ose janë angazhuar në përkthime, edhe duke qenë redaktorë, gazetarë apo përgjegjës. Për natyrën e ngjashme të përkthimit, nga gjuha e huaj në shqip, emrat e përkthyesve të Redaksisë së  Përpunimit të Shtypit të Huaj janë përfshirë në listën e Redaksisë së Jashtme. Për shkak të lëvizjeve nga një redaksi në tjetrën për nevojat e Agjencisë, ka përkthyes, emrat e të cilëve figurojnë në të dyja redaksitë e përkthimit. 

Në pamundësi për të siguruar një listë të plotë  pranë ATSH-së, lista e pjesshme që u arrit të merret, u plotësua falë ndihmës së disa kolegëve përkthyes e punonjësve të tjerë, të disa brezave. Kërkoj ndjesë në rast se ndonjë emër do të ketë mbetur jashtë kësaj liste.

 

Brezi i parë i përkthyesve, pas vitit 1944

 

Skifter (Riko) Konica, Aleko Shkurti (Profesori), Nuri Hamzaraj, Ibrahim Krifca, Shaban Demiraj, Xhorxh Koliaka, Manush Alite, Petro Konomi, zoti Semini, Talat Hamzai, Maliq Dibra (“Daja”).

 

Redaksia e Jashtme

 

Nuri Hamzaraj, Aleko Shkurti, Ibrahim Krifca, Shaban Demiraj, Manush Alite, Petro Konomi, zoti Semini, Talat Hamzai, Maliq Dibra (“Daja”), Beatriçe Hobdari, Zef Simoni, Napolon Roshi, Harrillaq Kekezi, Tomor Sina, Dhimitër Çami, Zenel Sejdi, Çezar Kurti, Agim Gjakova, Bashkim Babani, Pandora Dhimarku, Fejzo Sejdini, Pirro Totozani,  Filoreta Koka, Argjiro Mebelli, Ramadan Shala (“Xhaja”), Flutura Mlloja, Genc Mlloja, Muharrem Maçi, Maksim Sinemati, Petrit Bushati, Liljana Verdha, Ilir Boçka, Kristaq Teneqexhi,  Kristofor Grillo, Petrit Kodra, Ilir Bulka, Marjana Duro, Sazan Bejo, Vangjel Xhani, Gjergji Çiço, Petraq Simo, Nikolina Koka, Sashenka  Bezhani, Snezhiana Bedalli, Liljana (Alite) Rexhepi, Vasilika Sini, Marjeta Lakrori, Lindita Kanani, Suzana Mato, Alma Glozheni, Ylber Zeraliu, Liri Çomo, Vasilika (Koja) Lushi, Shkëndija (Shapllo) Dhame, Natasha Vasi, Genc Resuli, Agron Kaiku, Fuat Frashëri, Sonila Kapo, Hamdi Dega,Valentina Ylli, Liljana (Madhi) Papa, Teuta Turhani, Liljana (Spaho) Rrumbullaku, Xheni (Haxhiu) Agovi, Lirika (Qirjako) Meçi, Leonora Dema, Lutfije Bejleri, Elsa Mëhilli, Lindita Ruka, Artur Cekodhima, Artur Lazebeu, Aristidh Ristani, Mimoza Ymeri, Mirlinda Angoni, Rudina Xholi, Jolanda Çiraku, Llazar Semini, Ilir Nishku, Luljeta Cama, Merita Pino, Gjylferoza Kecaj, Suela Shala, Aida Cama, Atalanta Pasko, Dasara Dizdari, Viktor Canosinaj, Marina Vuji, Rafael Floqi, Valbona Shkurti, Genc Çaushi, Kejda Kostreci, Edi  Dilaveri, Genti Dilaveri, Dastid Koreshi, Arta Lleshi, Margarita Skënderaj, Migena Camniqi, Irma Pulahe, Admir Abule, Arian Jorgaqi, Olina Çomo, Eda Levani, Anida Kisi, Edlira Roshi, lIirjan Martini, Ervin Luli, Klodi Çobo, Elda Kepi, Elira Çanga, Eni Hasanaj, Ylli Cufi, Kledi Jegeni, Erion Hila, Ilir Bashari, Urim Shera, Eva Cani, Vilma Bytyçi, Gent Sinani.

 

Redaksia për Botën e Jashtme:

 

Skifter (Riko) Konica, Aleko Shkurti (Profesori), Xhorxh Koliaka, Bashkim Babani, Fatos Beja, Vjollca Nano, Shkëlzen Doçi, Lindita Kanani, Vladimir Thanati, Sashenka Bezhani, Katjusha Grabocka, Shkëndija Shapllo, Diana Kristo, Mira Xhiku, Meriban (Lita) Gorenxa, Teuta Turhani, Liljana Rexhepi, Elsa Mëhilli, Liljana Papa, Liljana Rrumbullaku, Xheni Agovi, Kaliopi Pulaj, Lirika Meçi, Ermira Xhamallati, Fatos Vladi, Bardhi Caka, Desareta Mitro, Sonila Kuçi, Monika Mamaj, Erinda Çeloaliaj, Adelina Albrahimaj, Kledi Kodra, Aida Harka, Pandi Skaka, Ilir Bashari, Arta Lleshi, Elda Pepa, Fatbardha Sala, Brizeida Veliaj, Irta Xhokaxhi, Jonida Deda, Aida Daci, Drita Musai, Elona Limaj, Blerta Shahini, Migena Camniqi, Margarita Skënderaj, Sonila Mehmeti, Urim Shera, Irma Pulahe.

 

Teuta Turhani

Përkthyese e gjuhës frënge në ATSH

Gusht 1973 - Maj 2012

----------------------------------------


            Shënim i Prof Dr Eshref Ymerit: Informacionin e mësipërm, me kërkesën time, Zonja Teuta ma pati dërguar kur isha duke punuar për hartimin e librit me titull “Përkthimi, një histori pasioni”, në periudhën mes viteve 2012-2015. E kam përfshirë në këtë libër (f. 440-450), të cilin Shtëpia Botuese “OMSCA 1” e pati hedhur në qarkullim në vitin 2015. Zonjën Teuta  e kujtoj me shumë respekt, si një studente mjaft të talentuar, e cila pati rezultate të shkëlqyera gjatë vazhdimit të studimeve në Fakultetin e gjuhëve të huaja të Universitetit të Tiranës.

 

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page