Vullnet Mato: VJELËSJA E VRESHTAVE

Kisha vendosur, i përbetuar,
të mos përdor asnjë lloj pije,
ta kisha trurin burim të kulluar,
vetëm për vargje poezie...
Por një vjelëse rrushi, qafëgjatë,
zbritur nga vreshtat në korije,
më solli mbi tryezë, një natë,
verë të ëmbël, ngjyrë qershie.
Në fillim, nuk pranova të pi,
t’i qëndroja betimit të burrit.
Por ajo, me frymën e saj, si veri,
papandehur, më ngriu trurin;
Lëshoi mbi tryezë një mjegull,
nga gjethe të ngrohta gushti,
m’u ngjit pas trupit, si pjergull,
më mbuloi me bistakë rrushi.
Më dha gotën e buzëve të saj,
ku pikoi verë e bardhë gjiri,
më ndezi zjarr në trup, pastaj,
më verboi me vetëtima syri;
Pasi më zbuti buzët e thara,
më përgjumi qepallat e syve,
duke u përdredhur, porsi ngjala,
na rrokullisi të dyve në mëkat...
Tani ma bën “bromp!” përherë,
duke më thënë: “Kështu të dua,
të zbrazësh gotat plot me verë,
të më puthësh me zjarr, mua!”
Ç’të duhen vargjet që shkruan,
të hash me lugë floriri bosh?
Vera ime, tërë ëndrrat t’i shuan,
realitetin e parajsës të jetosh!...
Vrava mendjen një copë herë,
të nxirrja poezinë nga shpirti?
Apo sorkadhen, me atë verë?...
Eh, kot mendova prej saj të iki;
Ajo me zemrën, fole kanarine,
ma ka marrë zemrën time në gjoks,
dhe sado i lutem, me përgjërime,
nga gjoksi i saj s’po e nxjerr dot...
Tani më deh me verë të kuqe rrushi,
kujtesën me avuj pareshtur ma godet.
Pastaj me dridhma më pjek si prushi,
ndoshta të harroj edhe se jam poet...








Comments