Teuta Sadiku: Nuk vimë nga turpi
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 16 hours ago
- 2 min read

Nëna ime ka ardhur në jetë nga dhimbja,
Dhe iku pa ditur çfarë është orgazma
Thonë se unë
erdha në jetë me këmishë
Copë -copë nga turpi
se nuk isha djalë siç priste gjyshja ,
E turpin e hëngri ime më
me bukë ,
se nuk e donin familjarët nga inati.
Ti bija ime ,
Erdhe nga dashuria
E më bëre të ndjej instiktin amësor
Pa ditur si mbahet foshnja në dorë.
Ju , Ave Maria
Ju që prisni orën biologjike të tingëllojë,
ju që hani veten me dhëmbë.
Edhe ju që merni hormone,
Kur dështon fertilizimi i vezës in vitro,
Ju, nuk jeni fajtore.
Ti Ave Maria,
merre trenin ekspres dhe shëtit në Europë
embrioni drejt mitrës
e ka të pamundur të udhëtojë.
Ju Ave Maria,
Ju që luftoni të bëni teste pa fund,
Ju që hyni në lojën e shansit
Shpesh me jetën tuaj si të ishte gur,
Ju që seksi u mungon aq shumë.
Për Ju Ave Maria ,
shanset e suksesit dhe pas të 40-ve vinë
pa doza barnash,pa injeksione në lëkurë
kur numri i vezoreve është pamjaftueshëm,
ju embrionet e shpirtit me kujdes i ruani.
Ju,
Ave Maria
Ju që krijoni botën nga e para ,
Pa frikë, pa druajtje, pa turp
Ju që i jepni kuptim jetës
Jo vetëm në seks, kurrsesi ,
Por as kur vezët futen në lëngun mbjellës.
Ju , që nuk ndjetë instiktin e mëmësisë
Jeni Ave Maria
Ju që vajtoni çdo herë embrionin që dështon
të mbijetojë,
ju e dini mirë,
trupi juaj nuk është laborator shkencor,
dhe prapë nga e para ia nisni.
Nuk është turp ,kur nuk je nënë
As e metë të mos përkundësh fëmijën tënd.
Ti Ave Maria ,
je sa e brishtë dhe e fortë
Je po aq seksi,pa gjinjtë e fryrë,
Je femër trendi,edhe pa barkun plot.
Nuk je ti fajtore
pse veza mbytet në mitër nga një hormon.
Embrioni është më vështirë të mbillet në shpirt ,
Sa dritë jete nga larg transmetoni.
Ave Maria ,
Dhe ti bija ime ,
Jeni dhe do mbeteni femra pjellore
Idetë e shëndetshme që mbillni kanë më shumë vlerë
Se ajo që mbillet artificialisht nga gjilpëra në mitër.
Teuta Sadiku.
Comments