KUJTIME TË HESHTURA
( ose: I pjesëtuar në të gjitha kohët...)
Në dhomë dëgjoj ushtimë
Kujtimet memece rrapëllojnë heshtjes
Trarëve me rrjet merimangash të nxirë
Si lodhja e shpërndarë betejave
(Symbyllur përbirohet skutave)
Aktron në shtratin e ofshamave
Kohëve zezonash të nemitura
Në pasqyrë shikoj vetveten
Lexoj do vija lavrash moteve
Si hieroglife të mbetura furtunave
E do shpate të molisura ofshajnë
Buzët s’arrin t’i përkëdhelin...
Lotët e ngujuar n ‘kullë durimi
Zvarriten pandashëm si lëmashk kohe
Pikturë e Pikasos dukem nga larg
I zbukuruar me dashuri të dhimbshme
I pjesëtuar në të gjitha kohët.....
RUGËTIMI I LOTIT ....
Loti buron nga pellg shpirti
Ushqehet me dhimbjen e zemrës
Lufton pandarë me plagët
Shërohet në flaken e dashurisë
Pastaj ndal rrugëtimin
Pushon në Paqe
Atje ku puthen pendimet
Në vendtakimin e gjithësisë...
Në malin Olimp
Përjetësimi.....
SHIKIM NË THELLËSI
Ndaloj në një pikë
Shikimin depërtues
Shkoj thellësive të një kohe
Me mall e dhimbje bashkë
Si katarakte rrëmbyese
Bjeshknajës bleroshe...
Mendimet gropëza lotuese
Puthjesh të djegura, tymnajë
Tani të arratisura që shumë kohë
Fushës së kujtimeve vetmitare
Shikimi është ngrirë në përmendore
Duke luftuar lotët që vijnë lehtë
Aq përmallshëm nëpër kohë...
E shamia e përshëndetëse valëvitet
Në vallen e flakës së mbrëmjeve
Mbetur në gozhdë kujtimesh....
Comentarios