Tahir Bezhani: JETË MES GURIT E HIRIT TË VETËVETES...
- 22 hours ago
- 1 min read

(Çun Lajçit, aktorit e poetit të sakrificës)
Duke ecur rrugëve të dredhuara bjeshkore
Me vetminë time çmallem pandalur
Shprushja hirin në të çame guri
Atje lart, në Qafën e Shkrelit
Mu bë se dëgjova këngë majëkrahu
Diku lugjeve apo shpateve
Tela sharkie me duhmë zjarri
Lahutë me shkrum historie
E nga vinte jehona akoma nuk e dija
Ai prush dimri i djegur moteve
Mbuluar me shpuzën e vetëheshtur...
Nga vijnë këto këngë me kaq mall
Atje larg, në Drelaj, Çun Lajçi këngës ia thotë
Herë lahuta e herë sharkia jehojnë në këto anë
Zemra e tij si zjarr shpërthen
Pastaj zhduket si feniksi
Kërkon nëpër gërmadha gurët e kullës
Gjen kaptyellin e djepit e shkrihet në këngë
Mendon fytyrën e nënës e ninullat e saj
Heq shallin e bardhë nga koka
Nuk dij a fshin djersë apo lot malli në këngë
Do rrudha të thella si lavra toke ballit i flasin
Histori shkruan e gjurmë të thella mbesin
Nga një burrë me shall e tirq të bardhë
Bredh rrugëve, në Prishtinë e në Rugovë
Me varg librash shtruar trotuareve
Këngës së zemrës ia thotë pa përtesë
Nuk dorëzohet i gjallë Çun Lajçi kohës...
Si përmendore skalitur bjeshkëve të Rugovës
Dhimbje e lot i shkrin në këngë
Çakorri derdh lot, dridhet e trishtohet
Këngë e papërfunduar në ritmin e kohës...
Bogë,09.korrik,2026







