top of page

Tahir Bezhani: Inspirim bjeshkor

  • 6 minutes ago
  • 2 min read

 

MËNGJESI NË BJESHKË

 

Te kroni i ftohtë  në Bogë

Herët lava sy e faqe

Aromë pishe, ndieja freskun shpirtëror

Me ujë u ngopa si deve për rrugë të gjata

Shikimet prekshin majave të kaltërta

Zemra buçiste me ritmin e lodhur

Në lartësi një shqiponjë krahapur

Notonte në qiellin e kaltër pafund

Liri pa kufi ndieja në shpirtin tim

Ëmbël më frymonte  bjeshka

Si kurorë nusërie në stinën  verore...

 

VALLJA E KETRAVE

 

I shtrirë në barin e njomë

Ajri i pishës më përkundte gjumin 

Një valle ketrash atje mes dy pishave

Ndiqnin njëri tjetrin me shpejtësi

Grimconin ushqim me dhëmbët e mprehur

Sa maratonë e këndshme  loja e tyre

Sytë nuk i ndaja nga ajo valle e hareshme

Degëve të  larta të pishnajës së gjatë

Gjumë i ëmbël më kishte vjedhë ditën

Ketrat kishin mbaruar lojën e ditës

Ora kishte shpejtuar ecjen

Ditë e bukur shkoi me shpejtësi

Nata çapit kujtimet në heshtje

Nuk dij a flëjnë  edhe ketrat.....

 

VIJA AEROPLANËSH NË QIELL

 

Qielli i kaltër ngjante si syprinë deti

Kur shikoja lart nga  një pllajë e gjelbër

Grafik vizatuar  nga tym aeroplanësh

Rrugëtimeve të meridianëve të botës

Mendimeve të mia ziheshin hallet e jetës

Në heshtje grindesha me dreqin e të birit të dreqit

Faji jetim rrugëve të botës  mbetur

Përplasej ndërgjegjes së sëmurë njerëzore

Sa gjatë shikova qiellin e kryqëzuar

Të tymosur me helmin e teknologjisë së përsosur

Nata në  bjeshkë më mbështolli në gjirin e freskisë

Ika nga një botë në tjetrën...

 

Ëndrrat rreth  mendimeve si xixëllonja vere

Shtrëngoja dhëmbët, përtypja asgjënë

Vijat e tymit nga qielli ishin tretur

Mendimet ishin shkrirë në gjumin e natës

As lehjen e qenve  nuk e kam dëgjuar

Në mëngjes rreze dielli përmes vrimave

Preken bebëzat e mia të  hareshme

Ditë e re, hap i ri, larg ecje ditore...

 

Rugovë, korrik, 2026

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page