top of page

STUDIUESJA MIGENA ARLLATI NDEROHET ME MEDALJEN E ARTË “ALEKSANDRI I MADH”


Mbahet edicioni i 38-të: Medalja e Artë “Aleksandri i Madh”

Athinë / Salamina / Greqi, 30 tetor 2022.


STUDIUESJA MIGENA ARLLATI NDEROHET ME MEDALJEN E ARTË “ALEKSANDRI I MADH”


Për të 38-in vit me rradhë, në Salaminë të Greqisë, u organizua ndarja e çmimit “Aleksandri i Madh”, Medalje e Artë e cila sivjet iu nda krijueses dhe studiueses Migena Arllati, profesoreshë e gjuhës shqipe dhe letërsisë.

Në ceremoninë e mbajtur në objektin e Bashkisë së ishullit të Salaminës, përveç publikut grek dhe shqiptar, morën pjesë edhe përfaqësuesit e Ambasadave të Republikës së Shqipërisë, të Republikës së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut, të akreditur në Athinë.


Znj. Migena Arllati u nderua me Medaljen e Artë “Aleksandri i Madh” për vlerat kontribuuese në aktivitetin e saj të shumëanshëm, në veçanti për vlerat artistike dhe humane që përcjell me anë të krijimtarisë letrare si dhe për punën shumëvjeçare studimore në albanologji.


Ky çmim ndahet nga personaliteti i artit letrar dhe teatror, Dino Kubati, me prejardhje arvanitase, dhe është nën kujdesin e Grupit “Unesco” të Pireut dhe Ishujve. Ceremonia e ndarjes së këtij Çmimi me renome u mbajt të dielën, më 30 tetor 2022, në ishullin historik të Salaminës (afër kryeqytetit grek, Athinës), gjatë një mbrëmjeje kulturore në sallën e Bashkisë së Salaminës.


Salamina është një ishull i madh në anën jugore të Athinës, ku në vitin 480 para erës sonë u zhvillua beteja e njohur detare midis grekëve dhe persëve, e cila ndryshoi rrjedhën e Historisë së botës sonë.


Me Medaljen e Artë “Aleksandri i Madh”, në gati katër dekada, janë nderuar personalitete dhe organizata të Letrave dhe Arteve, nga Kultura, Shkenca, Sporti dhe Jeta sociale, duke u bazuar në kontributin dhe arritjet profesionale, të vlefshme në fushën ku ata shërbejnë.


Me rastin e nderimit me këtë Çmim prestigjioz, znj. Arllati u shpreh se këtë titull ia kushton popullit shqiptar, historisë së tij të lashtë, shpirtit paqedashës dhe sfidave të shumta të tejkaluara në shekuj. Ajo i ftoi autoritetet kulturore dhe të trashëgimisë në shtetin grek, që të vizitojnë Gjakovën (qytetin ku ajo banon) dhe Kosovën, tashmë shtet të lirë dhe të pavarur, për t’u njohur nga afër me virtytet e një popullate aq shumë të sfiduar por asnjëherë të dorëzuar.

INSTITUCIONI I MEDALJES SË ARTË “ALEKSANDRI I MADH”


Dino Kubati, organizator, bën të ditur se institucioni i kësaj Medaljeje të Artë, filloi në vitin 1985 me synimin për të njohur dhe për të ofruar mbështetje morale për njerëzit dhe organizatat që i japin vlera komunitetit, nëpërmjet shkencës, letërsisë, artit, sportit, politikës, kërkimit, mirëqenies sociale dhe aktiviteteve të tjera të cilat synojnë të sjellin përparim kulturor dhe shkencor në shoqëri.

Në këto vite që kanë kaluar, janë nderuar me këtë çmim të lartë, shumë personalitete të famshëm nga mbarë bota.




68 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page