
SHPENDI TOPOLLAJ
ËSHTË NDER TË TË QUAJNË LAKEJT SOVRANIST
Sapo dolëm nga diktatura më e egër komuniste në Evropë, ne shqiptarët besuam se perëndimi do të na priste me krahë hapur. Ishim në kufijtë e varfërisë ekstreme, dhe ndofta pikërisht për këtë, kishim bindjen se do të na trajtonin me humanizëm dhe do të na ndihmonin jo vetëm pse sinqerisht e dëshironim, por edhe për faktin se ishim një vend dhe një popull fare i vogël dhe shumë i vuajtur. Nuk i kërkonim as trajtimin dhe as ndihmën ekonomike si lëmoshë, pasi krenarinë nuk na e kishte cënuar aspak varfëria dhe mungesa e lirisë. Kishim besim gjithashtu se do të na pranonin shpejt në gjirin e tyre, do të na anëtarësonin në organizmat ndërkombëtare, dhe do të mundësonin çeljen e fronteve të punës. Kishim një popull punëtor, djem e vajza plot energji e kulturë që patjetër do ta shndërronin atdheun e tyre me punë të ndershme, në një vend me jetë dinjitoze. Por ja që nuk ndodhi pikërisht kështu: ikanakëve të fillimit me anije, skafe e gomone, ndër vite ju bashkangjitën mijra e mijra të tjerë, pa folur për përqindjen shumë të lartë të atyre që presin rastin të largohen nga vendlindja edhe sot, pasi këtu nuk shohin asnjë perspektivë. Papunësia, pagat e ulta, pensionet mjerane, jetesa e shtrenjtë, pasiguria, i detyrojnë ata edhe pas tridhjetë e ca vjetësh ta kërkojnë shpëtimin tjetërkund. Ndërkohë, qeveria vazhdon të bëjë kërkesa pas kërkesash për të çelur bisedimet për të na pranuar në BE. Por e vërteta është se ky Bashkimi Evropian nuk e ka atë mendje. U bënë bajate edhe shprehjet “keni bërë përparime, por duhet të zgjidhni edhe disa detyra shtëpie” apo “fati juaj është i pandarë nga ai i Maqedonisë së Veriut”. Dhe detyrat, çuditërisht, shtohen e shtohen. Prit kur të na thonë se nuk i çelim bisedimet pa çuar edhe ju raketën në hënë. E thënë shqip; ata nuk duan ta kenë Shqipërinë ekonomikisht në gjirin e tyre. Pavarësisht se politika dhe diplomacia e do që drejtuesit tanë të jenë të kujdesshëm në ato që thonë, në popull natyrisht që lindin lloj - lloj hamendësimesh. Dikush thotë se nuk na duan pasi na konsiderojnë myslimanë, disa të tjerë, mendojnë se vazhdon politika e vjetër që Shqipërinë e quan si plaçkë tregu, ka nga ata që shprehin idenë se evropianët nuk duan t`ia prishin qejfin serbëve, ndaj dhe nuk lejojnë bashkimin me Kosovën dhe ca të tjerë i bijen më shkurt; duke na lënë në këtë gjendje, e detyrojnë rininë tonë të ofrohet vullnetarisht tek ata për të kryer punët e rëndomta, përkundrejt një page të ulët. Por fundja kjo është puna e tyre; pyetja është se çfarë do të bëjmë ne? Do vazhdojmë të bëjmë sikur nuk e shohim se po na tallin? Kjo nuk mund të shkojë në pafundësi. Brezi ynë po e mbyll jetën me këtë zhgënjim dhe mesa duket deri në fund do të na shoqërojë brenga e gënjeshtrës së madhe; dikur do shkojmë në komunizëm e tani do shkojmë në kapitalizëm. Ku ndryshon kjo nga predikimi i Parajsës në botën tjetër? Justifikimi se jemi në tranzicion të zgjatur u bë qesharak. Shpresa se do t`i jepet fund këtij tranzicioni, kur t`u mbushet mendja të huajve, ka bërë që atyre t`u dorëzohen edhe çelësat e shtëpisë. Të huajt bëjnë ligjin te ne, ata japin direktiva, për të mos thënë urdhëra, na tregojnë se kush duhet të drejtojë vendin e kush duhet dënuar, nxjerrin jashtë ligjit në vendin tonë, protagonistët që një Zot dhe ata e dinë përse nuk u pëlqejnë, dhe fërkojnë duart që e lanë vendin pa gjykata, pa opozitë dhe popullin të përçarë si asnjëherë tjetër. Intelektualët i kanë frikësuar dhe ua kanë mbyllur gojën. Mediat i kanë koprometuar në forma që ata i dinë. Opinionistët, me përjashtime të rralla, e thonë hapur se duhet të bëjmë si thonë ata edhe kur kjo është në dëm të interesave tona. Të anatemuarit i turren me të gjitha forcat dhe urrejtjen e tyre, jo thjeshtë për hakmarrje e qejfmbetje, por edhe për të fituar besimin e servilit të paprinciptë. Shkojnë më tej akoma, duke paralajmëruar hetime, arrestime, konfiskime e shpallje “non grata” të kundërshtarëve, nga të huajt. Pra, lufton shqiptari - shqiptarin pa e vrarë aspak ndërgjegja. Kush guxon të flasë e të kujtojë se jemi një vend sovran i hidhen në grykë. Sovranistët, gati - gati konsiderohen armiq të demokracisë. Po, çfarë demokracie mund të jetë ajo që mohon Atdheun e Flamurin tënd. Si more njerëz mund të pranojmë se në kushtet e reja nuk na duhet as pavarësia e as sovraniteti? Pa më thoni përse mbetën tradhtarë ata që shkuan në vitin 1939 dhe dorëzuan kurorën e Skënderbeut te Viktor Emanueli i Tretë? Po Esat Pashë Toptani e Mustafa Merlika Kruja përse vazhdojmë t`i quajmë tradhtarë? Sikur të ngriheshin nga varri dëshmorët e Atdheut, a nuk do të zinin kokën me dorë, duke na thënë “Harram gjakun që derdhëm për lirinë tuaj!” Nuk jemi as te 28 nëntori i vitit 1912, kur Kuvendi Kombëtar i Vlorës shpalli se “Shqipëria bahet më vehte, e lirë dhe e mosvarme”. Mos vallë ka ndryshuar konceptimi i fjalës sovranitet nga ajo që taksativisht shkruhet në Fjalorin e Shqipes së Sotme si: “E drejta e çdo populli dhe e çdo shteti për të vendosur në mënyrë të lirë dhe të pavarur për të gjitha çështjet e veta pa iu nënshtruar asnjë ndërhyrjeje, urdhri ose kontrolli nga të tjerët”? Kjo është kryefjala e cilitdo shtet të botës, dhe vetëm kështu bota do të të vlerësojë e respektojë siç e meriton.
Comments