Sot gjithë bota me sytë nga Shqipëria: “New Europe in a new world”
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 2 hours ago
- 2 min read

Liderët europianë sot në Tiranë, Rama ndan pamjet nga “Shtëpia e Europës”: Sot gjithë bota me sytë nga Shqipëria. Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje nga “Shtëpia e Europës”, e cila është ngritur për shkak të Samitit të gjashtë të Komunitetit Politik Europian, i cili nis punimet në Tiranë. “MIRËMËNGJES dhe me Shtëpinë e Europës, krijuar me vizatimet e fëmijëve të Shqipërisë, ku sot ka zbritur e gjithë Europa e ku do të mbajë sytë e gjithë bota, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan kreu i qeverisë.

“Në Tiranë për takimin e Komunitetit Politik Evropian. Është i pari në Ballkanin Perëndimor. Çfarë simboli i fuqishëm. Familja jonë evropiane e vlerave shtrihet përtej kufijve të Bashkimit Evropian. Ne ndajmë një kontinent. Dhe një të ardhme të përbashkët”, ka shkruar Ursula von der Leyen krahas fotos në “X”.
Samiti i gjashtë i Komunitetit Politik Europian nis sot punimet në Tiranë nën logon “New Europe in a new world”, duke shënuar takimin e tij për herë të parë në Ballkanin Perëndimor me pjesëmarrjen e liderëve, kryetarë shtetesh dhe qeverish nga 47 vende europiane, së bashku me drejtuesit e institucioneve kryesore evropiane dhe ndërkombëtare.
Mikpritësi i Samitit, Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë gjatë ditës takime dypalëshe me personalitetet pjesëmarrëse, në mjediset e dedikuara, duke nisur me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte e më pas me Kryeministrin e Spanjës Pedro Sanchez; Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen; Princin Sovran të Monakos Albertin II; Kancelarin e Austrisë Christian Stocker; Presidentin e Turqisë Recep Tayyip Erdoğan; Kryeministren e Italisë Giorgia Meloni; Presidentin e Qipros Nikos Christodoulides; Kryeministrin e Hollandës Dick Schoof; Kryeministrin e Belgjikës Bart de Wever, si dhe do të mirëpresë me takime duarsh të gjithë liderët e ftuar në Samit me të cilët do të ketë edhe një foto familjare.
Pjesë e ngjarjeve të ditës do të jenë edhe ceremonia e mirëseardhjes në Samit, si dhe performanca të ndryshme artistike, promovuese të traditës dhe kulturës kombëtare shqiptare. Samiti do të vijojë përgjatë ditës me seancat plenare dhe tryezat e diskutimeve.
Komentar