Skënder Zogaj: TRILOGJIA POETIKE E SADIK KRASNIQIT

(Lexim kritik i vëllimeve “Oazë palmash të djegura”, “Ag muzgu” dhe “Parajsë e nëmur”)
Çerekshekulli i fundit i shekullit XX përbën një periudhë të rëndësishme të zhvillimit kulturor, arsimor dhe intelektual në Kosovë. Rrethanat e krijuara pas Kushtetutës së vitit 1974 nxitën procese të rëndësishme emancipimi, të cilat u shprehën në konsolidimin e institucioneve shkencore, universitare dhe kulturore, në zgjerimin e veprimtarisë botuese, si dhe në formimin e një elite të re intelektuale shqiptare, bartëse të afirmimit të mendimit krijues dhe të fuqizimit të identitetit kulturor kombëtar. Brenda këtij horizonti kulturor i ka fillesat krijuese edhe poeti Sadik Krasniqi, i cili jeton dhe krijon në Gjermani, por universi i tij poetik mbetet i rrënjosur në hapësirën shpirtërore, historike dhe kulturore të Kosovës. Kjo hapësirë përbën burimin themelor të frymëzimit dhe boshtin identitar të gjithë krijimtarisë së tij.
Libri Ofshama në urnë (2008) shënon pikënisjen e formimit të tij poetik dhe vendos bazat estetike e tematike, të cilat Krasniqi i zhvillon më tej në vëllimet Oazë palmash të djegura (2011), Ag muzgu (2014) dhe Parajsë e nëmur (2019). Këto tri vepra, ndonëse të pavarura si botime, përbëjnë një tërësi organike, një trilogji poetike të lidhur nga një vizion i përbashkët mbi kujtesën historike, etnogjenezën shqiptare dhe qëndresën shpirtërore, të konceptuara si kategori themelore të identitetit kombëtar.
1. Oazë palmash të djegura
Udhëtimi poetik nis me vëllimin “Oazë palmash të djegura”, ku artikulohet drama e ikjes së detyruar dhe e shprishjes së hapësirës identitare. Kjo përvojë ndërtohet përmes një sistemi metaforash me ngarkesë të fuqishme simbolike:
“Hëna mace e zezë
si me gojë gjarpri e gëlltit diellin…”
Ky vizion poetik shndërrohet në metaforë të errësimit historik dhe e rikthen kujtesën te tragjedia shumëshekullore e Kosovës:
“…ç’mu kujtua nata e gjatë pesë shekuj mbi Kosovë,
me këtë hënë të zezë si hiri i ferrit…” (Eklips, f. 23).
Në të njëjtën linjë semantike ndërtohet edhe poezia “Maria Magdalena” (f. 27), ku figura biblike nuk trajtohet si personazh i traditës ungjillore, por si simbol i dilemës njerëzore ndërmjet fajit, paragjykimit dhe shëlbimit. Duke e cilësuar atë si “e krishtera e krisur”, poeti problematizon një perceptim të trashëguar, ndërsa përfundimin e lë në kompetencën e së vërtetës hyjnore:
“Krishti vetë do ta dëshmojë një ditë.”
Një tjetër nyjë tematike e këtij vëllimi është kujtesa tragjike, e cila shfaqet në mënyrë të fuqishme në poezinë “Dënesje bari” (f. 44). Këtu dhuna nuk përjetohet vetëm nga njeriu; ajo depërton në të gjithë hapësirën jetësore, duke i dhënë natyrës statusin e dëshmitares së historisë:
“Policët ruanin të lehurat,
qentë kafshonin të vdekurit,
vetëm bari dridhej nga dënesja
për vdekjen e Kosovës,
e qielli, si qefin i pikëlluar,
binte mbi të.” (f. 44).
Bari dhe qielli nuk paraqiten si elemente të zakonshme të peizazhit, por si bartës të dhimbjes kolektive. Këto janë gjetje të spikatura simbolike, të cilat e zgjerojnë përmasën etike dhe estetike të poezisë, duke e shndërruar natyrën në pjesëmarrëse aktive të tragjedisë historike.
Në të njëjtin regjistër poetik vendoset edhe poezia “Alkimia e nënës”, ku autori i rikthehet vendlindjes përmes një ligjërimi meditativ. Figura e nënës shfaqet si qendra e kujtesës dhe si nyja shpirtërore që e lidh njeriun me tokën e vet. Metafora e kallirit të grurit, që përkulet mbi varrin e nënës si një palmë, fiton një dendësi të veçantë semantike. Ajo lidhet organikisht me simbolikën e “Oazës së palmave të djegura”, duke u shndërruar njëherësh në shenjë të humbjes dhe të vazhdimësisë së jetës.
Përballë botës së ftohtë dhe sprovave ekzistenciale, subjekti lirik nuk dorëzohet, por afirmon fuqinë ripërtëritëse të jetës:
“Shpirtin tim
e kam puthur të vdekur
oh sa i ftohtë krejt akull ishte
...e zemra më ka plasur
e prapë kam marrë frymë,
e prapë ka dalë pranvera.”
(Shpirtin tim, f.88)
Ky konstatim nuk është vetëm shprehje e optimizmit lirik, por edhe dëshmi e bindjes poetike se kujtesa, identiteti dhe shpresa mbijetojnë edhe përballë përvojave më të rënda historike.
2. Ag muzgu
Vëllimi i dytë, “Ag muzgu”, e vazhdon poetikën e “Oazë palmash të djegura”, duke zgjeruar horizontin tematik dhe duke e thelluar dimensionin estetik e filozofik të ligjërimit. Përmes një shprehjeje të përmbajtur, por me dendësi të madhe semantike, Sadik Krasniqi ndërton një sistem simbolik, ku sakralja, vetmia, kujtesa dhe shpresa ndërthuren në një strukturë të qëndrueshme poetike. Kjo strukturë organizohet në pesë cikle – “I asgjë”, “I zoti i mërzisë”, “Përndritje”, “Vetmia e bekuar” dhe “Orkide e çelur” – të cilat funksionojnë si etapa të një udhëtimi të brendshëm shpirtëror.
Libri hapet me poezinë “Vetmi fluture”, ku subjekti lirik, pasi ka përshkuar katër stinët e dritës, përballet me një përvojë kufitare, të simbolizuar nga stina e pestë:
“Bie perdja e frymës,
bebëzat m’i merr hëna,
diell as qiell më
në sytë e mi.” (f. 9)
Në leximin e parë, kjo gjendje mund të perceptohet si shenjë e shuarjes dhe e zbrazëtisë ekzistenciale. Por, poezia del nga ky rrafsh kuptimor dhe shënon fillimin e një transformimi të brendshëm, në kërkim të njëjtësimit ontologjik me universin. Përvoja poetike nuk mbyllet në errësirë, por hapet drejt një forme të re të qenies, të simbolizuar nga stina e pestë:
“Në vale - gjethi i Neos
me vetminë time prej fluture
(...)
u marr erë katër stinëve të dritës
deri te stina e pestë…” (Vetmi fluture, f.9)
Ky vizion zhvillohet më tej në poezinë “Ec udhës”, ku përvoja jetësore ngrihet në nivelin e një meditimi etik:
“Në shtëpinë
me derën e çelur
mos hy,
ka hile aty,
të shkon kryet dhe fytyra…” (f. 19)
Ky paralajmërim nuk i referohet vetëm një rreziku konkret, por simbolizon tundimet dhe mashtrimet që e largojnë njeriun nga rruga e drejtë. Megjithatë, përballë kësaj bote të pasigurt, poeti nuk e humb besimin te njeriu dhe te forca e shpresës. Përkundrazi, ai pohon se rruga e drejtë e çon njeriun drejt dritës dhe takimit me tjetrin:
“Diku një portë do hapet për ty,
dikush do të të përqafojë,
para muzgut
të natës me hënë të kuqe.”
Ky motiv arrin kulmin në poezinë “Kthimi”, ku rikthimi në Itakë shndërrohet në metaforë të rikthimit te vetvetja, te identiteti dhe te vendlindja:
“Do të kthehem
në Itakën time
një ditë.”
(Kthimi, f. 20)
Ndër poezitë më përfaqësuese të këtij vëllimi janë edhe “Gjergj Elez Alia modern”, “Mos e mbyll portën”, “Bllaca”, “Te lumi”, “Të gjallët e të vdekurit” dhe “Azilanti”, të cilat përfaqësojnë disa nga realizimet më të arrira artistike të librit. Në to ndërthuren kujtesa historike, drama e shpërnguljes, identiteti kombëtar dhe fati i njeriut bashkëkohor, duke dëshmuar aftësinë e autorit për ta shndërruar përvojën historike në një përvojë poetike me përmasa universale.
Në “Ag muzgu”, Sadik Krasniqi e zhvendos theksin nga drama e kujtesës historike drejt një meditimi më të thellë mbi qenien, udhëtimin shpirtëror dhe shpresën. Duke ruajtur koherencën simbolike me “Oazë palmash të djegura”, ky vëllim e konsolidon më tej poetikën e autorit. Simboli, meditimi, sakralja dhe shpresa nuk paraqiten si motive të veçuara, por si konstante që strukturojnë botën e tij poetike, duke i dhënë asaj koherencë të brendshme dhe një identitet estetik të dallueshëm.
3.Parajsë e nëmur
Në parathënien e vëllimit “Parajsë e nëmur”, Zija Vukaj vëren se, gjatë leximit të poezisë së Sadik Krasniqit, i kujtohen pikturat e piktorit norvegjez Edvard Munch, “Britma”, “Ankthi” dhe “Vajza e sëmurë”. Ky krahasim rezulton bindës edhe nga pikëpamja estetike, pasi bota poetike e këtij vëllimi, njësoj si universi piktoresk i Munch-ut, ndërtohet mbi ankthin ekzistencial, vetminë dhe dramat e brendshme të njeriut. Kjo atmosferë e përshkon lexuesin që në titullin “Parajsë e nëmur”, një paradoks poetik që bashkon dy kategori të kundërta – parajsën dhe nëmën – duke krijuar tensionin themelor mbi të cilin ndërtohet i gjithë libri.
Ky vizion zhvillohet në pesë cikle – “Psalm dëshmie”, “Këmisha me flutura”, “Sa pak frymë”, “Solemniteti i mërzisë” dhe “Bulëzim sythash” – të cilat përbëjnë pesë rrathë të një udhëtimi poetik, ku përjetimi individual shndërrohet në meditim mbi fatin njerëzor.
Në vlerësimin tonë, “Parajsë e nëmur” përfaqëson kulmin filozofik të trilogjisë poetike të Sadik Krasniqit. Këtu ankthi nuk mbetet vetëm një përjetim emocional apo historik, por shndërrohet në kategori ontologjike. Përmes një ligjërimi të ngarkuar me simbole dhe arketipe, poeti shtron pyetje themelore mbi qenien, fajin, historinë dhe fatin e njeriut. Mbi këtë bosht ndërtohet poetika e vëllimit, ku përvoja individuale tejkalon kufijtë e autobiografikes dhe fiton përmasa universale.
Libri hapet me një akt të fuqishëm vetë dëshmie poetike. Figura e kokës nuk paraqitet si pjesë anatomike, por si metaforë e ndërgjegjes, e kujtesës dhe e dramës ekzistenciale:
“Kafka ime
është një shkretëtirë
ku indiani gjuan shenjën me shigjetë,
është tunel i zi
ku kalon vezullimë treni me fishkëllimë gjarpri,
daulle lufte që bie pa pra nga duart e hekurta,
dunë e rërës nën thonjtë e tigrit…”
(“Koka ime”, f. 11)
Vargu ndërtohet mbi një varg metaforash ekspresive, ku shkretëtira, tuneli, gjarpri, daullja e luftës dhe tigri krijojnë një peizazh të trazuar psikologjik. Këto simbole nuk shprehin vetëm ankthin individual të subjektit lirik; ato materializojnë dramën e njeriut bashkëkohor përballë dhunës, pasigurisë dhe zbrazëtisë ekzistenciale. Pikërisht në këtë rrafsh bëhet i kuptueshëm krahasimi me Edvard Munch-un. Nëse Munch-u e shpreh ankthin përmes ngjyrës dhe figurës, Sadik Krasniqi e sendërton atë përmes fjalës poetike, duke e ngritur në një kategori estetike
Kjo botë poetike vijon të zhvillohet në poezinë “Arkivoli i qelqtë”, ku jeta përjetohet si një cikël i pandërprerë i vdekjes dhe i ringjalljes shpirtërore:
“Përditë
vdesim e ringjallemi
si mumie me zemër akulli
në piramidën
e mbajtur nga dora që dridhet.”
(“Arkivoli i qelqtë”, f. 18)
Figurat e mumies dhe të piramidës nuk i përkasin vetëm mitologjisë së lashtë; ato shndërrohen në metafora të njeriut bashkëkohor, i cili jeton në një gjendje të ngrirjes shpirtërore, ndërsa përpiqet të ruajë një ekuilibër sa të brishtë, aq edhe të domosdoshëm për mbijetesën e arsyes njerëzore.
I njëjti ankth përshkon edhe poezinë “Nata e poetit”, ku nata nuk paraqitet si errësirë fizike, por si kategori e përvojës ekzistenciale:
“Nata e poetit
nuk është një vijë e zezë
e vizatuar nga dora e ngathët e idiotit;
nuk është dremitje e devesë nën palmë,
as udhë e hënës së vdekur.”
(“Nata e poetit”, f. 19)
Përmes mohimit të njëpasnjëshëm të simboleve tradicionale, poeti ndërton një konceptim origjinal të natës si hapësirë të vetëdijes krijuese, ku ankthi nuk e shuan frymëzimin, por e ushqen atë. Burimi i këtij ankthi shfaqet qartë në poezinë “Cili jam”, ku përplasja ndërmjet së mirës dhe së keqes merr trajtë biblike dhe arketipore. Fillimisht shfaqet vizioni i pafajësisë:
“…tridhjetë dele të bardha
kalojnë shtegun,
dalin në lëndinën e blertë
si syri yt…”
Por menjëherë pas tij peizazhi përmbyset nga prania kërcënuese e së keqes:
“Tridhjetë ujq ngjyrë gri
dalin nga mjegulla
e lëndinës së verbër…”
Kjo përballje simbolike shtron pyetjen themelore të subjektit lirik: “Cili jam?” Përgjigjja e zhvendos dramën nga rrafshi individual në atë universal:
“…Kaini jam,
duke bredhur me mijëra vjet,
me duar të përgjakura mbi kokë…”
(“Cili jam”, f. 30)
Identifikimi me figurën biblike të Kainit nuk duhet lexuar si rrëfim personal i fajit, por si metaforë e fatit tragjik të njeriut. Kaini shndërrohet në arketip të ndërgjegjes së përndjekur nga dhuna, faji dhe historia. Në këtë pikë, drama individuale bashkohet me dramën e njerëzimit dhe poezia e Sadik Krasniqit fiton përmasa universale.
Në Parajsë e nëmur rikthehen vazhdimisht tri figura qendrore – Kaini, mumia dhe nata – të cilat, ndonëse në pamje të parë duken si motive të ndryshme poetike, kryejnë të njëjtin funksion estetik. Ato përbëjnë arketipet mbi të cilat ndërtohet meditimi poetik i vëllimit. Mumia simbolizon njeriun që jeton, por mbetet shpirtërisht i ngrirë; nata shndërrohet në hapësirën ku njeriu përballet me vetveten dhe me kufijtë e qenies së tij; ndërsa Kaini mishëron ndërgjegjen e rënduar nga faji dhe pesha e historisë.
Ky konfigurim simbolik dëshmon se ankthi, në poezinë e Sadik Krasniqit, nuk paraqitet si një gjendje kalimtare emocionale, por si një kategori estetike dhe filozofike, përmes së cilës autori ndërton meditimin e tij mbi njeriun, historinë dhe fatin. Pikërisht në këtë kuptim, Parajsë e nëmur mund të konsiderohet kulmi artistik dhe filozofik i trilogjisë poetike.
Përfundim
Vëllimet poetike Oazë palmash të djegura, Ag muzgu dhe Parajsë e nëmur janë vepra autonome, por koherenca e tyre tematike, simbolike dhe estetike krijon një tërësi organike. Brenda kësaj tërësie, kujtesa historike, meditimi ekzistencial dhe ankthi ontologjik zhvillohen si etapa të një procesi të pandërprerë krijues, duke i dhënë kësaj tresheje statusin e një trilogjie poetike me identitet të qartë artistik.
Në këtë botë poetike, kujtesa nuk është vetëm rikthim në të kaluarën, por shndërrohet në kategori estetike; shpresa nuk paraqitet si ngushëllim sentimental, por si energji morale e mbijetesës; ndërsa ankthi nuk mbetet një gjendje kalimtare psikologjike, por bëhet mënyrë e të menduarit poetik mbi qenien, historinë dhe fatin e njeriut.
Simboli, meditimi, sakralja dhe intertekstualiteti biblik e mitik përbëjnë konstantet themelore të poetikës së Sadik Krasniqit, duke i dhënë krijimtarisë së tij një identitet të dallueshëm estetik. Përmes një gjuhe poetike të dendur me metafora, simbole dhe arketipe, kjo trilogji ndërton një univers artistik me fizionomi të veçantë dhe me vlera të qëndrueshme në poezinë bashkëkohore shqipe.
Skënder Zogaj
Borsh, korrik 2026








Comments