top of page

SONTE S’KAM GJUMË...


Vullnet Mato


Sonte s’kam gjumë. Më shfaqet ajo,

herë si mështekna që vallëzon me erën,

herë si shelgjishte flokëlëshuar mbi lumë.

Çohem ta kërkoj... Por jashtë është errët...


Sonte s’kam gjumë. Më përfytyrohet ajo,

herë si hëna me dritën e plotë,

herë si Afërdita me shallin e Kumtrit.

Çohem ta kap... Por nuk e arrij dot...


Sonte s’kam gjumë. Më perceptohet ajo,

herë si portokallishte degërënduar,

herë si pjergull me vile shumë.

Nisem ta vjel... Por ende s’ka aguar...


Sonte s’kam gjumë. Më fanitet ajo,

herë si bukë taze që avullon mes djersës,

herë si qumësht i ngrohtë me shkumë.

Shtroj tryezën... Por ajo darkon me një tjetër...


Eh, gjumi i burrit prishet nga femrat si ajo,

se fati i njeriut në dashuri, qenka magji e vjetër,

ndodh ne burrat duan një grua, që nuk na do,

sikurse, ato duan më shumë, një burrë tjetër....


Pra, sonte s’kam gjumë, por ndoshta fle nesër,

se tashmë njoha në intimitet më mirë femrën,

asaj me forcë, më lehtë mund t’i marrësh jetën,

por është tepër e vështirë t’i marrësh zemrën!...  


27 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page