top of page

Petrit Malushi: Hapa vjeshte

10 minutes ago
1 min read

 

Nga Petrit Malushi

 

Dëshiroj…

 

“Mbarësi paçi ju, o njerëz!”

Lëshoj urim deri në re,

Bashkë me fjalën mirëmëngjes,

Kur përshëndes ditën e re.

 

“Pafshi veç ëndrra të mira!”

Mbrëmjeve s’harroj, dy-tri herë

Shpreh dëshirë, që errësira

Askund të keqe të mos shpjerë.    

 

Kur lutem them zemërdëlirë               

“Mbushur t’i keni ditë e netë,

Veç me gëzime, hidhërime fshirë…   

O të thjeshtë njerëz, të shtrenjtat jetë!”

 

„Hija e lypësit“

 

Ja atje, buzë trotuarit

Në diell, vapë, ftohtë, shi

Krrusur hija e lypsarit        

Nuk mungon, tek vendi rri.       

 

Dorështrirë, shpirtrazuar    

Pret ç’t’i hedhin, belbëzon.

Zëkëputur, mishëruar,

Shikimzbehur rreth vështron.

 

Në të ngrysur heshtur flet  

„Barazinë, nuk më thua

Jetë moj, e nëmur jetë,

Ku e ke fshehur për mua!?”


Hapa vjeshte


Pemëve në degë po u ndryshken gjethet,

Dridhen, fëshfërijnë, këputen nga “ethet”.

Fryn erë e trazuar, qajnë shirat e butë,

Lart të hirtat re shtyhen si me ngut.

 

Dielli del me frikë, fshihet, ngroh i vakët,

Si zjarri në vatër kur i paken flakët.

Hëna e çerektë, gjysmë a e tërë.

Hapat i hedh vjeshta si zogu në rërë.

 

Me vrull të  riu, merakun e plakut

Ditë-netët mbush stina e bollëkut.

Në të kapërcyer derën hap me dorë,

I bën ftesë dimrit ngarkuar me borë.

 

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page